Romët, cila është prejardhja e tyre e vërtetë? Pse stili endacak i jetesës nuk ka qenë gjithmonë zgjedhje e tyrja. Si ka mundësi që janë i vetmi komb pa një shtet? Përse nuk ka statistika zyrtare për popullin më të persekutuar në botë? A kanë vërtetë lidhje të forta me magjinë, dhe trashëgimia e jashtëzakonshme në art e kulturë…
Romët janë popujt më të keqkuptuar dhe më të mitologjizuar në planetin tonë, dhe kështu ka ndodhur prej shekujsh. Ngahera ka patur zëra se ata hyjnë në qytete, joshin burra e gra, dhe më pas vjedhin çdo gjë mu përpara syve, duke përfshirë fëmijë. Duke lënë mënjanë keqkuptimet dhe mitet, romët mbeten një prej grupeve etnike më magjepsëse në histori.
ROMËT, DEBAT I MADH SE NGA VIJNË
Origjina e romëve është e mbështjellë me mister. Në ditët e hershme të udhëtimeve të tyre, dukej se ata u shfaqën si me magji në kontinent. Vetëm kjo gjë mund të ketë shkaktuar frikërat e europianëve, bashkë me misterin për romët. Profesorë të njohur hodhën teori se romët kishin imigruar masivisht nga India në shekullin 5. Kjo teori supozon se largimi i tyre kishte ndodhur për shkak të ngjitjes së Islamit, prej të cilit romët largoheshin dëshpërimisht për të mbrojtur lirinë e tyre fetare.
Sipas kësaj teorie, ata u zhvendosën nga India në Anadoll dhe pastaj në Europë, dhe më tej, po sipas teorisë, ata u ndanë në tre degë – Domari, Lomavren dhe Romë – gjatë eksodit të tyre masiv. Megjithatë, profesori i njohur Ian Hanccock nuk e mbështet këtë teori. Ai propozon se ka patur tre migrime masive përgjatë shekujve. Hancock ka përdorur linguistikën për të mbështetur më tej teoritë e tij, por ka ndeshur në kundërshtime.
STILI NOMAD I JETESËS NUK ËSHTË GJITHMONË ZGJEDHJE E TYRE
Romët janë konsideruar gjithmonë ekzotikë. Qoftë shprehje të përhapura si “shpirti i romit” (shpirt i lirë), apo shfaqja e Cirque de Soleil “Varekai”, romët janë paraqitur vazhdimisht si njerëz që lëvizin me dëshirë kudo ku munden. Sipas këtij stereotipi, ata preferojnë të jetojnë jashtë qendrës së shoqërisë dhe shpërfillin normat shoqërore, për një stil jetese gjithmonë në lëvizje të mbushur me karvanë shumëngjyrësh dhe vallëzime.
Por arsyeja e lëvizjeve të tyre të papushimta është shumë më e trishtë. Për shekuj të tërë, romët janë dëbuar nga vendet ku kanë jetuar. Ky dëbim me forcë vazhdon edhe sot. Eshtë e zakonshme që numra të mëdhenj romësh të dëbohen në vende të tjera. Shumëkush ka hedhur teorinë se arsyeja më e vërtetë për ekzistencën nomade të romëve është gjithashtu më e thjeshta: mbijetesa.
ATA NUK KANË NJË VEND TË TYRIN
Romët janë një komb pa shtet. Shumica e vendeve ua refuzojnë nënshtetësinë edhe nëse kanë lindur brenda vendit. Shekuj të tërë persekutim, shoqëria e tyre e izoluar dhe faktorë zbutës në ish Jugosllavi i kanë lënë romët të mënjanuar, larg prej shoqërisë dhe pa shtet. Kjo gjë nuk u rregullua as prej krijimit në vitin 1977 të Unionit Ndërkombëtar të Romëve. Në vitin 2000, romët u shpallën zyrtarisht një komb pa territor. Kjo gjë i bën ata të padukshëm ligjërisht. Pa qasje në shërbimet e kujdesit shëndetësor, atyre shpesh u mungojnë nënshtetësia e verifikueshme apo çertifikatat e lindjes. Dhe kjo shkakton shumë probleme, që i hasin të gjithë njerëzit “ligjërisht të padukshëm” në botë. Ata nuk kanë qasje në arsim, kujdes shëndetësor dhe shërbime të tjera sociale. Ata as pasaporta nuk marrin dot, gjë që ua bën udhëtimin të vështirë ose të pamundur. Njerëzit më të persekutuar mbi tokë
Romët ishin një popull i skllavëruar në Europë, kryesisht në Rumani, nga shekulli 14 deri në shekullin 19. Ata tregtoheshin dhe shiteshin dhe konsideroheshin më pak se njerëzorë. Në vitet 1700, Mari tereza, sovrane e Perandorisë Austro- Hungareze, shpalli të paligjshëm popullin rom, veshjet dhe punësimin e tyre.
Kjo u bë për t’i detyruar që të integroheshin në shoqëri. Mari Tereza ishte e vetmja sundimtare që u përpoq të asimilonte rumunët në këtë mënyrë. Ligje të ngjashëm hynë në fuqi në Spanjë, dhe shumë shtete europiane nxorën jashtë ligji romët duke mos i lejuar të hyjnë në vendet e tyre. Deri kohët e fundit, romët ishin viktimat e padukshme të persekutimeve naziste. Regjimi nazist i ndiqte dhe i kapte romët, duke çuar mijëra prej tyre drejt vdekjes, duke pretenduar se ata ishin etnikisht inferiorë. Edhe sot, romët janë të persekutuar. Kohët e fundit, shumë organizata të të drejtave të njeriut kanë nisur të protestojnë për trajtimin që u bëhet romëve, qoftë dëbimi me forcë, apo mohimi i shërbimeve sociale.


