21 Ramazana në burg
Për shkak të bindjeve të tij fetare, Hafiz Sabri Koçi vuajti burgun nën regjimin komunist, por as aty nuk hoqi dorë nga agjërimi. Në rrëfimet e tij, ai tregonte se Ramazanin e kishte agjëruar në të gjitha stinët, mes vështirësive të shumta, por me një qetësi shpirtërore që, siç shprehej ai, “vetëm Zoti mund ta dhurojë”.
“Isha i vetëm, agjëroja me atë që mund të gjeja: një kokërr qepë, një domate, një gotë kauçuku me kos dhe pak qumësht që më jepej si kundërhelm. Nuk shkoja më në mensë, haja vetëm iftarin dhe prisja iftarin tjetër. Kështu agjërova 21 Ramazanë,” rrëfente ai.
Në një rast kishte vënë re se tepsitë lyheshin me dhjamë derri.
Për të shmangur ndotjen, detyrohej të priste me thikë koren e poshtme të bukës. Kështu, edhe ato 800 gramë bukë bëheshin edhe më pak.
Ai kujtonte se kishte raste, sidomos gjatë verës, kur e kalonte gjithë ditën vetëm me një domate, pa futur gjë tjetër në gojë.


