Në vitin 1991 kur Nënë Tereza do të vinte për herë të parë në Shqipëri vizitoi edhe Elbasanin. Në këtë qytet sapo ishte krijuar një jetimore nga motrat e Nënë Terezës dhe jetimet dhe fëmijët e braktisur e kishin një strehë dhe një përkujdesje. Në këtë qendër para se ta vizitonte shenjtorja e madhe, u ndërtua edhe një skulpturë në beton nga skenografi dhe artisti i njohur elbasanas Fatbardh Marku.

 

 

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI
Kur kanë kaluar më shumë se 25 vjet nga ajo ditë Marku do të ruajë një kujtim të rrallë gjatë vizitës së Nënë Terezës Në Elbasan. “Ishte dita më e bukur dhe më e rëndësishme e jetës sime. Më janë dashur 6 muaj punë në vitet më të varfra për Shqipërinë të derdhja në beton veprën e Nënë Terezës e cila ndodhet në Jetimoren Motrat e Nënë Terezës këtu në Elbasan. Kur nënë Tereza vizitoi Shqipërinë dhe Elbasanin, u ndal në këtë Jetimore dhe pasi pa veprën e derdhur në oborr mori duart e mia dhe mi bekoi. Një moment mjaft emocionues që nuk do ta harroj. Ajo ndoqi gjithë ritin e bekimit të kësaj vepre nga prifti dhe unë kam një fotografi të atij momenti. Ndjej ende ato emocione sa herë që e shikoj”. Këto janë disa nga detajet që kujton Marku ndërsa tregon se pikërisht në këtë ditë ai do të merrte në ngarkim një tjetër detyrë që e realizon me shumë profesionalizëm dhe për këtë vepër të fundit vlerësohet me titullin Kalorës i Vatikanit. “Ditën që u inaugurua skulptura e nënë Terezës, atë ditë më ngarkohet edhe realizimi i pikturimit të kishës katolike me rite bizantine.

 

 

Elbasanasit do ta mbajnë mend veçanërisht për vizitën e saj në Elbasan dhe vendet ku ndaloi. Ata që mundën ti preknin duart ishin të paktë. I gjithë populli u mblodh ditën që ajo u ndal në Elbasan dhe e shoqëroi gjatë gjithë ndalesave me një dashuri që trupi i saj i pakët ta falte pa kufij. Qyteti pas Tiranës në vizitën e dytë dhe të fundit në Shqipëri të Nënë Terezës ishte pikërisht Elbasani dhe kjo nuk ishte një rastësi. Ajo kishte vetëm një kërkesë, të shikonte nga afër qytetin dhe shtëpinë e Aleksandër Xhuvanit. Shenjtorja me origjinë Shqiptare, Nënë Tereza edhe pse larg, duket se ka pasur vlerësim maksimal për figurën e Aleksandër Xhuvanit. Gjatë vizitës në Shqipëri ajo kërkoi me këmbëngulje të njihej nga afër me shtëpinë ku u lind dhe u rrit njeriu i arsimit shqiptar.

 

Duke vizituar shtëpinë e prof. Xhuvanit, Nënë Tereza është shprehur: Mos e tjetërsoni dhe mos e prishni shtëpinë e Aleksandër Xhuvanit por ruajeni dhe mirëmbajeni. Portretin dhe veprat e tij unë i kam ruajtur dhe i ruaj me shumë dashuri në indi. Ai është thesar i çmuar për Kombin Shqiptar”.

 

Harrimi i madh dhe privatizimi pas viteve 90 rrezikuan edhe ketë objekt me shumë vlera. Por u desh të vijë Shenjtorja që të plotësohej dëshira e intelektualeve dhe qytetarëve arsimdashës në Elbasan. Madje ekziston edhe një histori që qarkullon ende sot se pushtetarët e saj kohe duke parë interesimin e madh të Nënë Terezës ia ofruan për t’ia falur këtë shtëpi. Ajo e refuzoi duke thënë se kjo është pasuri e Elbasanit dhe i takon këtij qyteti. Në vitet 1991-1992 një prift italian ka kërkuar ta marrë shtëpinë e Aleksandër Xhuvanit. Shtëpia është shumë e vjetër, mbi 100 vjeçare. Në kohën e diktaturës aty banonin sekretarët e parë. Jashar Mezenxhiu, sekretar i Parë i Elbasanit, jetoi plot 10 vjet në shtëpi aq sa ajo nisi të quhej “shtëpia e Jasharit”. Në kohën e diktaturës ajo nuk ishte shtëpi muze. Pas ndryshimeve demokratike Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore u kujdes që ajo të kthehej në muze. U la e pa ndryshuar dhoma ku punonte Xhuvani në të cilën ndodhet tavolina dhe sende personale, dhoma e gjumit etj. Bashkia Elbasan ka vendosur që funksioni i saj të jetë galeri artesh për pikturat e artistëve elbasanas.

E megjithatë kjo godinë është ende e mbyllur dhe jashtë syrit të publikut.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here