Pema që duket si një mollë është pema më e rrezikshme në botë
Pema e vdekjes ose guava helmuese janë disa nga emrat e pemës që renditen në Librin e Rekordeve të Guinessit si më e rrezikshmja në botë.
Pema e rrallë frutore tropikale Hippomane mancinella mund të mashtrojë me frutat e saj të ëmbla, por nuk janë problemi vetëm frutat.
Kjo pemë rritet përgjatë plazheve me rërë në klimat tropikale që shtrihen nga Florida në Karaibe dhe deri në pjesë të Amerikës Qendrore dhe të asaj Jugore.
Kjo është një pemë që mund të shkaktojë probleme serioze
Frytet e pemës manchineel janë të vogla, të ngjashme me mollët dhe përmbajnë një sasi të madhe helmi, prandaj pushtuesit spanjollë i quajtën “manzanilla de la muerte” ose molla e vogël e vdekjes.
Ky emër ogurzi mund të tingëllojë ekstrem dhe i ekzagjeruar, por historia tregon se vendasit e përdornin lëngun e kësaj bime për shigjetat helmuese me të cilin helmonin ujin e burimeve duke u mbrojtur nga pushtuesit.
Edhe pse në literaturën moderne botanike nuk ka të dhëna që dikush të ketë vdekur nga ky frut, nëse do ta kafshonit, shija e tij do të shkaktonte shpejt dhimbje të mëdha, transmeton Telegrafi.
Nuk po flasim për ndjesinë e pakëndshme të djegies pas kafshimit të specave shumë djegës; fruti i pemës së manchineelit shkakton djegie në gojë dhe ënjtje të rëndë të fytit.
Zona rreth gojës suaj mund të bëhet e përflakur dhe e fryrë dhe mund të shfaqen probleme serioze me tretjen.
Për fat të keq, rreziku nuk ndalet me kaq. Thjesht prekja e gjetheve, qoftë edhe shkurtimisht, ose përdorimi i pemës si një ombrellë natyrale gjatë shiut, do të shkaktojë flluska në lëkurë.
Nëse tymi nga djegia e drurit hyn në sytë tuaj, ka shumë të ngjarë të përjetoni verbëri të përkohshme.
Çfarë bën fruti?
Radiologu Nicholas Strickland përshkroi në revistën BMJ përvojën e tij pasi hëngri frutin e pemës së mancinelit ndërsa ishte në ishullin e Karaibeve të Tobago:
“E kafshova pa menduar këtë frut. Ishte i lezetshëm. E provoi edhe shoku im (me sugjerimin tim). Pak çaste më vonë vumë re një ndjesi të çuditshme pikante në gojë, e cila gradualisht u kthye në djegie, fyti na ngushtohej dhe ngurtësohej. Simptomat u përkeqësuan gjatë orëve në vijim, aq sa nuk gëlltitim ushqim të fortë, për shkak të dhimbjes së padurueshme dhe ndjenjës së një pengese të madhe në fyt. Ne u përpoqëm të relaksoheshim me alkool, por ishte e gabuar, dhimbja u shtua. Ajo ishte zbutur vetëm nga qumështi. Gjatë tetë orëve në vijim, simptomat tona orale filluan të zhdukeshin ngadalë, por nyjet limfatike të qafës u bënë shumë të ndjeshme dhe lehtësisht të prekshme. Kur ndamë përvojën tonë me popullsinë vendase, shkaktuam shqetësim dhe mosbesim të vërtetë, ata nuk mund ta besonin atë që hanim”.
Pra, këto pemë duhet të shmangen, por kjo nuk do të thotë se ato nuk janë të dobishme.
Rrënjët e saj të thella ndihmojnë në parandalimin e erozionit të tokës. Gjithashtu siguron një shtëpi të sigurt dhe për zvarranikët – garrobo ose iguana me vija nga Amerika Qendrore dhe Jugore.
Garrobo është imun ndaj helmit të tij, por njerëzit mjafton të qëndrojnë larg.