NGA SHAQIR REXHVELAJ

Lidhja do të formonte një administratë qendrore me seli në Prizren, të përbërë nga përfaqësues të çdo sanxhaku, nga të cilët do të vareshin administratat lokale të kazave. Krahas kësaj administrate të veçuar do të krijohej edhe një ushtri e shkëputur nga Porta e Lartë, e cila do të varej drejtpërdrejtë nga Lidhja.

ÇËSHTJA SHQIPTARE NË KONGRESIN E BERLINIT

Kongresi i Berlinit u hap më 13 qershor 1878 dhe zgjati një muaj deri më 13 korrik 1878. Në të morën pjesë 6 fuqitë e mëdha të Evropës: Gjermania, Anglia, Franca, Rusia, AustroHungaria dhe Italia. Çështjet të cilat do të shqyrtoheshin kishin të bënin me rishikimin e Traktatit të Shën-Stefanit. Punimet e Kongresit të Berlinit i drejtonte kancelari gjerman Otto Bismark dhe ishte vendosur që vendimet do të merreshin në dakordësi të plotë.

Në punimet e Kongresit të Berlinit mori pjesë edhe një delegacion qeveritar i Perandorisë Osmane i kryesuar nga ministri i saj i Jashtëm, Kara Theodhor pasha, me ndihmës të parë Mehmet Ali Pashën, një mareshal turk me origjinë gjermane. Delegacioni turk nuk kishte të drejta të barabarta me ato të fuqive të mëdha. Ai mund të diskutonte për çdo çështje të rendit të ditës, por nuk kishte të drejtë të votonte për vendimet e Kongresit. Me ftesën e fuqive të mëdha, shtetet ballkanike: Serbia, Greqia, Bullgaria, Rumania dhe Mali i Zi, dërguan në Berlin delegacionet e tyre qeveritare, të cilat parashtruan dhe mbrojtën kërkesat e tyre politike dhe territoriale. Edhe pse në Berlin luhej fati i popullit shqiptar, Fuqitë e Mëdha e injoruan qenien e tij.

Duke parë rrezikun që po i kanosej kombit tonë Lidhja e Prizrenit dërgoi në Berlin një delegacion për t’i parashtruar kongresit të drejtat e Shqipërisë, por nuk u përkrah nga askush. Delegacioni i kryesuar nga Abdyl Frashëri, në një takim që pati me kryetarin e Kongresit, kancelarin Bismark, i paraqiti kërkesën që të përfshinte në rendin e ditës të një seance edhe çështjen e kombit shqiptar. Por, kancelari gjerman nuk pranoi duke u përgjigjur në mënyrë brutale se, “nuk ka dhe nuk ekziston një komb shqiptar”, kështu që ajo nuk u pranua të diskutohej si çështje më vete në Kongresin e Berlinit. Gjatë zhvillimit të punimeve të Kongresit në mes fuqive të mëdha u shfaqën kontradikta të thella midis tyre. Ato nuk u udhëhoqën nga “parimi i lirisë së popujve” , por nga interesat e tyre të veçanta imperialiste. Perandoria Ruse luftonte për të sanksionuar kushtet e Traktatit të “Shën Stefanit”, ndërsa Britania e Madhe me Austro-Hungarinë, përpiqeshin të pakësonin sa më shumë përfitimet e Rusisë dhe t’i përforconin pozitat e tyre në Evropën Juglindore.

Perandoria Gjermane nga ana e saj orvatej të kënaqte Austro – Hungarinë për të mos lënë që të bashkohej me Francën dhe të neutralizonte kundërshtimin e Rusisë duke provokuar keqësimin e marrëdhënieve të saj me Perandorinë Britanike. Nga ana tjetër synimi kryesor i Francës ishte izolimi politik e Gjermanisë, kurse Italia nga ana e saj, kërkonte zgjidhje të tilla që do të çonin në dobësimin e pozitave të Austro – Hungarisë në Gadishullin Ballkanik. Punimet e Kongresit të Berlinit përfunduan me 13 korrik 1878 me nënshkrimin e Traktatit të Berlinit, i cili zëvendësoi atë të Shën -Stefanit.

CILAT QENË REZULTATET E KONGRESIT?

Sipas traktatit të ri përfitimet politike dhe territoriale të Rusisë u pakësuan si në Gadishullin Ballkanik, ashtu edhe në Azinë e Vogël. Ideja e një principate bullgare nën sovranitetin e sulltanit mbeti në fuqi, por kufijtë e saj u zvogëluan gati trefish. Kongresi i Berlinit vendosi që territori i saj të shtrihej midis lumit Danub dhe maleve Ballkan. Viset në jug të maleve Ballkan do të formonin një provincë autonome të Perandorisë Osmane me emrin Rumelia Lindore.

Viset e Maqedonisë së bashku me krahinat lindore të Shqipërisë, të cilat me Traktatin e Shën – Stefanit i jepeshin Bullgarisë, do të mbeteshin gjithashtu nën sundimin osman. Kongresi i Berlinit i njohu pavarësinë : Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Ai ripohoi gjithashtu vendimin e mëparshëm për t’i dhënë Rumanisë, Dobruzhën Veriore dhe për t’i shkëputur asaj provincën e Besarabisë në favor të Rusisë. Kufijve të Serbisë dhe Malit të Zi ai u bëri ndryshime të rëndësishme.

Me këmbënguljen e Austro – Hungarisë u vendos që Serbia të mos zgjerohej nga ana jugore ( në drejtim të Novipazarit, Mitrovocës dhe Prishtinës, të cilat Vjena i lakmonte për vete), por nga ana juglindore duke i dhënë asaj krahinat e Pirotit, Trenit, Vranjës, dhe Nishit, të cilat me Traktatin e Shën – Stefanit i qenë premtuar Bullgarisë. Për të njëjtën arsye me këmbënguljen e Vjenës, Malit të Zi iu pakësuan shumë përfitimet territoriale nga ana veriore, në drejtim të Hercegovinës dhe Novipazarit. Në bazë të Traktatit të Berlinit, ai do të zgjerohej kryesisht nga ana jugore : ku do të merrte krahinat e Tivarit, Podgoricës, Plavës, Gucisë, Rugovës, dhe Kolashinit. Aneksimi i Ulqinit nuk iu njoh, por Cetina fitonte të drejtën që anijet tregtare malazeze të lundronin lirisht në lumin Bunë dhe në liqenin e Shkodrës.

Përfitime të mëdha tokësore në kurriz të Perandorisë Osmane patën sidomos dy fuqi të mëdha, të cilat nuk kishin marrë pjesë fare në luftën ruso – turke: Austro – Hungaria dhe Britania e Madhe. E para shtiu në dorë gjoja për t’i administruar, Bosnjën dhe Hercegovinën, përveç limanit Spic, në brigjet jugore të Dalmacisë, të cilën e aneksoi zyrtarisht. E dyta Britania e Madhe, e cila u paraqit në Kongres si mbrojtësja më e madhe e Perandorisë Osmane , i shkëputi kësaj ishullin e Qipros. Me përkrahjen e Anglisë dhe të Francës, Kongresi i Berlinit mori në shqyrtim edhe kërkesat e Greqisë, e cila gjithashtu nuk kishte marrë pjesë në luftën ruso – turke. Athina pretendonte Thesalinë, Maqedoninë, Kretën dhe sidomos Epirin. (vilajetin e Janinës )

Pas mjaft debatesh, Kongresi mori parasysh kundërshtimet që bëri Anglia për Kretën dhe Rusia për Maqedoninë. Perandoria Osmane deklaroi haptas se aneksimi i Epirit ishte shumë i rrezikshëm mbasi aty mbizotëronin popullsi shqiptare, e cila do t’u shkaktonte telashe si Greqisë ashtu dhe Turqisë. Më në fund u vendos që kufiri në Thesali dhe Epir të caktohej nga një komision turko – grek. Megjithatë, Kongresi rekomandonte si vijë kufiri lumin Kallamas në Epir dhe lumin Selemvria në Thesali. Në rast se Greqia dhe Turqia nuk do të merreshin vesh midis tyre, thuhej në nenin 24, atëherë do të ndërhynin Fuqitë e Medha. Kongresi i Berlinit nuk i njohu Shqipërisë asnjë të drejtë kombëtare dhe as nuk u përmend emri i saj në asnjë nga seancat që u zhvilluan gjatë një muaji, madje ai nuk respektoi as tërësinë territoriale ku banonin prej shekujsh shqiptarët.

Berlini vazhdoi ndarjen e territoreve shqiptare popujt fqinjë; kështu Malit të Zi, iu dhanë përsëri disa vise shqiptare, krahinat e Plavës, Gucisë e Rugovës. Po ashtu, Serbisë, krahinat e Vranjës, Trenit dhe Pirotit, por të paktën Bullgarisë nuk ju njohën viset e Shqipërisë Lindore, por nga ana tjetër ju dhanë Greqisë viset e Çamërisë (si dhuratë) pavarësisht se ajo nuk kishte marrë fare pjesë në luftën ruso – turke dhe për pasojë nuk kishte përfituar asgjë nga Traktati i Shën – Stefanit. Midis vendimeve të tjera që mori Kongresi i Berlinit, dy prej tyre preknin aspektin politik të trojeve shqiptare që mbeteshin nën sundimin e Perandorisë Osmane, njëra tërthorazi, dhe tjetra drejtpërdrejt.

E para trajtohej në nenin 23 të traktatit. Sipas këtij neni, Porta e Lartë, detyrohej të hartonte për viset ballkanike që ndodheshin nën sundimin e saj të plotë ” rregullore organike “, që do të thotë një “administrim autonom” të vilajeteve, pak a shumë të njëjtë me atë që i ishte dhënë ishullit të Kretës në vitin 1868. Me qellim që këto “rregullore” dhe kjo “administratë” t’u përshtateshin nevojave të vendit, pra popullatës së vilajeteve. Porta e Lartë gjithashtu duhej të ngrinte “komisione të posaçme”, në të cilat “elementi vendas (popullsia vendase) duhej të përfaqësohej në shkallë të gjerë”.

Projektet që do të hartoheshin për vilajetet – thuhej në këtë nen – para se të hynin në fuqi, do të miratoheshin edhe nga Komisioni Evropian, që u krijua nga fuqitë e mëdha për Rumelinë Lindore. E dyta që ishte përfshirë në Protokollin nr. 13, të Kongresit të Berlinit kishte lidhje me “Venomet e Mirditës”. Fillimisht, çështja u ngrit nga përfaqësuesit e Francës dhe të Austro – Hungarisë. Këta kërkuan nga Porta e Lartë që ajo t’i respektonte edhe në të ardhmen “privilegjet dhe imunitetet” (domethënë, Venomet), të cilat popullsia e Mirditës i gëzon “ab antique” (që nga kohët e lashta ).

Përfaqësuesi osman, e kundërshtoi këtë vendim, pasi sipas tij, ai binte në kundërshtim me nenin nr. 23, që e detyronte atë, që të zbatonte reformat administrative në vilajetet e Turqisë evropiane. Megjithatë, ai shtoi se Porta e Lartë nuk kishte ndërmend të zbatonte reformat e saj në Krahinën e Mirditës. Kështu Fuqitë e Mëdha mbetën të kënaqura nga deklaratat e përfaqësuesit turk, e cila u përfshi në Protokollin nr. 13, duke marrë kështu vlerën e një zotimi zyrtar. Të dyja këto vendime qenë negative për Shqipërinë.

Me nenin 23, Fuqitë e Mëdha, cenonin interesat jetike të Shqipërisë, jo pse ato e detyronin Perandorinë Osmane t’i pajiste viset ballkanike me administratë autonome “të përshtatshme” me nevojat e tyre, por me të drejtën që fitonte serish për ta mbajtur edhe në të ardhmen ndarjen administrative që ishte në fuqi, pra copëtimin e trojeve shqiptare midis katër vilajeteve të ndryshme. Realisht, reformat administrative autonomiste i kërkonin edhe vetë qarqet përparimtare rilindëse, por ato kushtëzonin këto reforma me bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm autonom.

Sipas mendimit të rilindësve, pajisja e katër vilajeteve me “rregullore organike” të veçantë gjoja në “përshtatje me nevojat e vendit” do t’i vështirësonte edhe më tepër lidhjet ekonomike, shoqërore , politike e kulturore midis krahinave shqiptare të këtyre vilajeteve. Për më tepër ata i shqetësonte, e drejta që fituan me nenin 23, fuqitë e mëdha për të ndërhyrë në këtë çështje, siç shkruante më vonë Abdyl Frashëri, që ata t’u jepnin reformave karakter joshqiptar, por serb në vilajetet e Kosovës, bullgar në atë të Manastirit dhe grek në atë të Janinës. Pra me zbatimin e nenit 23, shtohej rreziku në të ardhmen i aneksimit edhe më të madh të trojeve shqiptare nga shtetet fqinje ballkanike dhe vështirësohej në këtë mënyrë, më shumë lufta e shqiptarëve për bashkimin e trojeve të tyre në një vilajet të vetëm autonom.

Po ashtu me Protokollin nr. 13, Fuqitë e Mëdha, preknin interesat jetike të Shqipërisë, sepse çështjen kombëtare Shqiptare, e reduktonin vetëm si problem të popullsisë saj të vogël katolike, dhe në mënyrë të veçantë , vetëm si një çështje të një krahine të saj siç ishte krahina e vogël dhe e prapambetur e Mirditës, e cila sipas tyre nuk pretendonte asgjë tjetër veçse të ruante statusin e saj “partikularist” dhe patriarkal. Protokolli nr. 13, i hapte kështu rrugën Vjenës, e cila e gëzonte prej kohësh të drejtën e mbrojtjes së popullsisë katolike të Perandorisë Osmane (kulturo protektoratin), me qellim që të ndërhynte lirisht në jetën e brendshme të Mirditës dhe ta kthente atë në një pikëmbështetje të avancuar për ekspansionet e saj të mëtejshme drejtë brigjeve shqiptare të Adriatikut dhe drejt viseve të Ballkanit Qendror.

Vendimet e Kongresit të Berlinit e shtuan zemërimin e shqiptarëve kundër fuqive të mëdha, por edhe kundër Portës së Lartë. Në të katër anët e viseve shqiptare u ngritën zërat për protesta kundër shkëputjes së trojeve shqiptare në favor të shteteve fqinje. Vendimi i Kongresit për t’i dorëzuar Plavën dhe Gucinë, Malit të Zi ishte i formës së prerë, por Porta e Lartë po e vononte dorëzimin e këtyre dy krahinave me popullsi shqiptare sepse nuk i interesonte që në gjendjen e rëndë që ishte të krijonte problem me popullsinë prej më shumë se 1.6 milion shqiptarë që do të mbeteshin brenda kufijve të Perandorisë. Për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë në Shkodër u zhvillua një miting popullor ku filluan të bëheshin thirrjet për regjistrimin e vullnetarëve dhe për pak ditë u regjistruan mbi 6000 vullnetarë për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë. Po kështu, mobilizime të tilla pati dhe në Kosovë, sidomos në Pejë dhe Gjakovë, si dhe vetë popullsia e Plavës dhe Gucisë.

Përballë gjendjes së krijuar Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes së Prizrenit nuk miratoi kërkesën e Portës së Lartë për të dërguar forca luftarake të saj për të luftuar në Bosnje kundër Austro – Hungarezëve, duke i dhënë goditje e dytë krahut sulltanist të lidhjes, si dhe goditjen e tretë ja dha pak javë më vonë në fillim të shtatorit me 5 shtator të vitit 1878, gjendja e të rrethuarve u keqësua mbasi shumica e ushtarëve që mbronin sarajet duke qenë se ishin shqiptarë u bashkuan me kryengritësit. Me 6 shtator 1878, mbas një sulmi të rreptë që ndërmorën luftëtarët e Lidhjes Shqiptare, edhe mbeturinat e mbetura të kompanisë turke që mbronin mareshalin osman u dorëzuan. Në këto përpjekje mbeten të vrarë, Mehmet Ali pashë Maxharri dhe Abdulla pashë Dreni.

Me vrasjen e tyre luftimet morën fund me fitoren e luftëtarëve të Lidhjes Shqiptare. Gjatë këtyre tri ditë luftimesh të ashpra, të dy palët patën humbje të mëdha në njerëz. Vrasja në Gjakovë e mareshalit Mehmet Ali pashë Maxharrit, pati jehonë të madhe si brenda dhe jashtë vendit, të cilin Porta e Lartë e kishte dërguar me fuqi të “jashtëzakonshme” për të përshpejtuar dorëzimin e trojeve shqiptare në kufirin turko-malazez, duke përfshirë edhe Plavën e Gucinë. Lidhja e Prizrenit, e cila u krijua për të kundërshtuar vendimet e Fuqive të Mëdha të Kongresit të Berlinit, dhe u përgatit për të hyrë në luftë kundër shteteve shoviniste fqinje, dëshmorët e parë të saj i la në luftë kundër Perandorisë Osmane.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here