Andrea Alleshi Durrësaku (da Durazzo), arkitekt dhe skulptor Arbër, dhe fiorentinasi Niccolò di Giovanni Comari ishin autorë të njohur në ishujt Tremiti, në Italinë jugore, ku krijuan motive dekorative të portalit të njohur me skulptura elegante në fasadën e Bazilikës Santa Maria a Mare (1473). Dekorimi, kompozimi i pasur dhe origjinal, të kujtojnë përsosmërinë e veprave të autorëve të famshëm të periudhës së Humanizmit dhe Rilindjes.
Andrea Alleshi (Alexi, Alessi, Durrës 1420/25-Split 1504/5), një arkitekt dhe skulptor i madh arbër i periudhës së Humanizmit dhe Renesansës. Është shquar si bashkëpuntor i Juraj Dalmatit në ndërtimin e Katedralës së Shibenikut (1455), Loggi dei Mercanti në Ancona (1452), si dhe shumë monumente të tjera në Dalmaci dhe Itali.
Në vitin 1456, Alleshi zotëronte punëtori të njohur në Split, ndërsa në Trogir, ndërtoi veprën e tij më të rëndësishme, Pagëzimoren e Katedrales, në të cilën gdhendi emrin dhe vitin 1467.
Është i njohur edhe bashkëpunimi i tij me Niccolò di Giovanni Comari fiorentino, me të cilin punon në kapelën e të Bekuarit Gjon Ursini në katedralen e Trogirit dhe në fasadën e kishës Augustiniane të Shën Maria në ishujt Tremiti (1472/73). Duke u kthyer në Dalmaci, ai punon kryesisht në Split, ku i ngriti vetes një gur varri në kishën e Shpirtit të Shejtë (mbishkrimi në gur varri: Alexius Durrachinus, Aleks Durresaku). Në pagëzimoren e katedrales së Trogirit, ai bëri veprat e tij kryesore skulpturore, si, relievi i Shën Jeronimit në shpellë dhe pjesa më e madhe e dekorimit plastik, duke krijuar një sintezë të elementeve gotike të vonë dhe të Rilindjes së hershme. Bazuar në analogjitë stilistike, disa relieve të Shën Jeronimit ruhen në Dalmaci dhe në muzetë dhe koleksionet botërore!