Lufta për të zhvilluar një vaksinë kundër koronavirusit ishte çështje jete a vdekjeje në vitin 2020 dhe brenda atij viti nisi prodhimi i tyre dhe injektimi te njerëzit.

Një studim i fundit zbuloi se vetëm në vitin 2021, 20 milionë jetë u shpëtuan nga vaksinat kundër koronavirusit, raporton noa.al duke cituar revistën britanike me ndikim të lartë ndërkombëtar, The Economist.

Studiuesit në Airfinity, një kompani e të dhënave të shkencave të jetës, përdorën këto shifra së bashku me të dhënat se cilat vaksina u administruan më gjerësisht në çdo vend, për të llogaritur se cila vaksinë parandalon më së shumti vdekje.

Airfinity zbuloi se më shumë se gjysma e jetëve të shpëtuara në mbarë botën mund t’i atribuohen vetëm dy vaksinave, të cilat ndanë vendin e parë: AstraZeneca-Oxford dhe Pfizer-BioNTech. Secili parandaloi midis 5 dhe 7 milionë vdekje.

Në vendin e tretë ishte vaksina kineze Sinovac (nganjëherë e njohur si CoronaVac), me rreth 1.7-2.2 milionë jetë të shpëtuara (por jashtë Kinës), e ndjekur nga Moderna me 1.5-2 milionë jetë.

Si u krye hulumtimi

Për të vlerësuar se sa jetë ka shpëtuar çdo lloj vaksine, Airfinity përdori një studim të fundit nga epidemiologët në Imperial College London. Ky studim përllogariti numrin e vdekjeve të evituara në vitin e parë të vaksinimit, proces imunizimi i cili filloi më 8 dhjetor 2020.

U konstatua se kur një vend ofronte lloje të shumta vaksinash, ato jepeshin në kohë të ngjashme, pra paralelisht disa lloje vaksinash. Në realitet, nuk ishte gjithmonë kështu. Në Britani, për shembull, vaksinimet fillimisht u kryen të gjitha me vaksinën Pfizer-BioNTech dhe vetëm më vonë përfshinin ato nga Moderna dhe AstraZeneca-Oxford.

As Airfinity nuk e mori parasysh faktin që disa vaksina iu dhanë në mënyrë disproporcionale grupeve më të cenueshme në një vend të caktuar (si p.sh. shumë të moshuarit), gjë që mund të kishte rezultuar në shpëtimin e më shumë jetëve.

Fakti që AstraZeneca dhe Pfizer-BioNTech dolën fitues deri në fund të vitit 2021, nuk duhet të jetë befasi. Të dy rritën prodhimin në fillim dhe deri në fund të periudhës së studimit patën shumicën botërore të dozave të administruara jashtë Kinës, përkatësisht rreth 2 miliardë dhe 1.5 miliardë doza.

Për më tepër, shumë nga vaksinat e tyre shkuan te popullatat e moshuara që ishin veçanërisht të prekshme ndaj Covid.

Këto shifra tregojnë vetëm vdekjet e parandaluara deri në fund të vitit 2021. Vaksinat vazhdojnë të shpëtojnë jetë dhe kanë lejuar shumicën e vendeve të kthehen në normalitetin para pandemisë. Në garën për zhvillimin e vaksinave për koronavirusin, të paktën 20 milionë të infektuar dhe të dashurit e tyre ishin fituesit e qartë. Ata shpëtuan! /noa.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here