Të mirat e sigurta apo asetet e sigurta janë ato të mira që kanë një vlerë reale, që tendencialisht mbahet edhe në periudhat e trazirave të tregjeve ose kur ekonomia regjistron një rritje të inflacionit; domethënë edhe kur rriten çmimet.
Investimi në një aset të sigurtë shërben më shumë se gjithçka në përgjigje të nevojës së mbrojtjes në një fazë recesioni ekonomik, krize financiare ose pastabiliteti çmimesh. Dhe në momente trazirash, kërkesa për këtë lloj të mirash/asetesh bëhet më e lartë.
Po për cilat asete bëhet fjalë?
Të gjesh ‘strehim’ në titujt shtetërorë
Konsiderohen si asete të sigurta titujt shtetërorë (bonot dhe obligacionet) të emëtuara nga vendet më të qendrueshme në nivelin ekonomik e financiar.
Valutat si asete të sigurta
Valutat që i përgjigjen një vendi ose një zone ekonomike me të dhëna të mira makro dhe llogari publike të mira janë zakonisht më pak të ekspozuara ndaj zhvlerësimit, që do të thotë se shihen si një ‘strehim’ i mundshëm.
Pikërisht për këtë arsye, janë ‘valutat e forta’ që shpesh përdoren si rezerva në vende dhe banka qendrore. Këtij profili i përshtatet p.sh dollari amerikan. Gjithashtu, i përshtatet edhe yeni kinez, që jo rastësisht vlerësohet kur tregjet kanë lëkundje e pasiguri, si dhe franga zvicerane.
Ari, aseti i sigurtë ekselent
Produkti i parë që të vjen në mendje kur përmendet ‘aseti i sigurtë’ është ari. Një lëndë e parë ku mund të ‘strehohesh’ kur ka lëkundje të forta në tregjet financiare. Pjesë e aseteve të sigurta në këtë ‘fushë’ janë edhe argjendi e platini; metale të çmuara edhe pse më pak sesa metali i verdhë.
Investimi në ar, sikurse në metalet e tjera, nuk sjell ‘fitime të çmendura’ por është i këshillueshëm në optikën e diversifikimit të portofolit, për ata që duan të përgatiten për evente ekstreme.
Asetet e sigurta për ata që ‘marrin vesh’
Verëra, bizhuteri, vepra arti, pasuri të paluajtshme: këtu futemi në një ‘fushë të minuar’ në të cilën asistenca e një konsulenti shumë të specializuar mund të bëjë diferencën.
Dikush, p.sh mund ta konsiderojë veten të zgjuar duke investuar në shishe vere e duke pritur që ato të vjetërohen dhe të sigurojë më shumë fitim nga ato. Por kush na siguron se duke u vjetëruar, do të gjejmë dikë që do të jetë i interesuar për t’i blerë. I njëjti diskutim mund të bëhet për veprat e artit, bizhuteritë, diamantet apo perlat natyrale, orët etj. Një investim tjetër që konsiderohet ‘aset i sigurtë’ është edhe ai në pasuritë e paluajtshme.