Në kilometrin e trembëdhjetë në dalje të qytetit të Mitrovicës, në fshatin Mazhiq, përskaj rrugës, në krahun e djathtë, mund të shihet xhamia e vjetër, e cila quhet Xhamia e Mazhiqit.
Është objekt i vjetër kulti, i ndërtuar në shekullin XVI, konkretisht në vitin 1549, pra në fund të gjysmës së parë të këtij shekulli.
Objekti i mbetur i kësaj xhamie është zyrtarisht në listën e monumenteve të mbrojtura, mirpo gjatë javës së kaluar ka gjetur përkujdesje institucionale e cila i ka munguar me vite.
Xhamia e (Trepçalive) Mazhiqit llogaritet një ndër xhamitë më të vjetra në rajonin e Mitrovicës dhe të Shalës së Bajgorës dhe ka një rëndësi të veçantë për trashëgiminë kulturore në vendin tonë. Vlera e saj është tek arkitektura e veçantë orientale dhe te varrezat e vjetra dhe mbishkrimet e vjetra në gurët e varreve në oborrin e xhamisë. Nëse nuk do të ketë intervenime dhe përkujdesje më të madhe nga institucionet komunale dhe shtetërore në të, do të jetë shumë i vështirë deshifrimi i mbishkrimeve në gurë, meqë me kalimin e kohës po zbehet pamja e tyre.
Sipas dokumenteve (“Vakfije” – Nr.v. EV. K.K 632 Defter. Fq 494 … 209) në të njejtin vend po i njejti person së bashku me “Mesxhitin” ka ndërtuar edhe hanin i cili mendohet se i ka themelet në afërsi të xhamisë. Sipas Vakfies, fshatarët rreth qytezës së Trepçës merreshin me bujqësi dhe punonin gjatë ditës tokën e tyre. Xhamia ka shërbyer për faljen e namazit të sabahit, akshamit dhe të jacisë. Sot objekti ka humbur funksionin.
Mitrovica Guide