Ishte një qytet jetëshkurtër që jetoi veç rreth 150 vjet. Themelimi i qytetit lidhet me një nga emrat më të famshëm të antikitetit, mbretin Pirro të Epirit. Në fillim të shekullit III p.e.s Pirro u detyrua të shkonte në luftë në Egjipt, ku aftësitë e tij tërhoqën vëmendjen e Berenices, gruas së mbretit Ptoleme të Egjiptit, e cila i ofroi atij dorën e së bijës, Antigoneas. Si mirënjohje për vjehrrën dhe gruan e tij të parë, Pirro vendosi të ndërtonte një qytet të ri me emrin Antigonea.
Historiku
Sipas historianit grek të lashtësisë, Plutarkut, Antigonea qe qyteti që u lind nga dashuria dhe u shkatërrua nga urrejtja. Kur ishte 17 vjeç, mbreti Pirro u rrëzua nga froni pas një kryengritjeje kundër tij. Pas kësaj ai shkoi në shërbim të mbretit Demetër të Maqedonisë e më vonë në oborrin e mbretit Ptoleme të Egjiptit. Atje tërhoqi vëmendjen e mbretëreshës së Egjiptit, Berenices, që e përzgjodhi midis princërve të tjerë për t’u martuar me Antigonenë, njërën prej vajzave të çiftit mbretëror të Egjiptit. Duke pasur mbështetjen e gruas së tij, Antigonesë ai mblodhi të holla dhe ushtri dhe u kthye në Epir duke rrimarë fronin mbretëror. Mirënjohja ndaj vjehrrës Berenice dhe gruas së tij Antigone e nxitën Pirron të themelojë dy qytete me emrin e tyre: Berenika dhe Antigonea. I pari gjendej në Thesproti, ndërsa Antigonea në Antitani. Antigonea u themelua në vitin 295 p.e.s.
Shpejt u kthye në një qendër të rëndësishme për shkak të kontrollit të luginës së Drinosit, e cila në Antikitet quhej ngushticat e Antigonesë.
Fitorja e Republikës Romake në luftën me ushtritë maqedonase të mbretit Filipi V pati pasoja fatale për Antigonenë. Pas fitores përfundimtare në vitin 167 p.e.s., Roma i dënoi ashpër epirotët që kishin luftuar kundër saj si aleatë të Maqedonisë. Konsulli romak Pal Emili, duke zbatuar një urdhër të Senatit, kreu më 168 p.e.s. plaçkitjen dhe shkatërrimin e 70 qyteteve të Epirit dhe të Ilirisë, përfshi Antigonenë. Qyteti u shkatërrua plotësisht nga ushtria romake dhe nuk u rindërtua më kurrë. Pas kësaj qyteti u braktis për disa shekuj dhe vetëm në shekullin VI mbas Krishtit brenda tij u ndërtua një kishë paleokristiane. /Monuments of Albania

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here