Një trajtim i ri i kancerit mund të fshijë tumoret, në pacientët me sëmundje të kancerit të kokës dhe qafës, kanë zbuluar shkencëtarët.

Në një provë historike klinike, një përzierje ilaçesh imunoterapie shfrytëzoi sistemin imunitar të pacientëve për të vrarë qelizat e tyre të kancerit dhe nxiti një prirje pozitive në mbijetesë, sipas studiuesve në Institutin e Kërkimeve të Kancerit (ICR) në Londër.

Një pacient, i cili pritej të vdiste katër vjet më parë, i tregoi “The Guardian”, për momentin mahnitës, kur infermierët e thirrën atë, disa javë pasi ai iu bashkua studimit, për t’i thënë se tumori i tij ishte zhdukur plotësisht. 77-vjeçari tani është tërësisht i kuruar nga kanceri.

Shkencëtarët zbuluan se kombinimi i barnave nivolumab dhe ipilimumab çoi në një zvogëlim të madhësisë së tumoreve në pacientët me kancer të kokës dhe qafës. Te disa, kanceri i tyre u zhduk tërësisht, duke habitur mjekët pasi nuk gjetën asnjë shenjë të sëmundjes.

Rezultatet nga provat e tjera të kombinimit të ilaçeve, kanë sugjeruar më parë përfitime të ngjashme për pacientët me kancer të veshkave, lëkurës dhe zorrëve.

Përveç rritjes së shanseve afatgjata të mbijetesës së pacientëve, thanë shkencëtarët, trajtimi me imunoterapi gjithashtu shkaktoi shumë më pak efekte anësore në krahasim me natyrën shpesh rraskapitëse të kimioterapisë “ekstreme”, e cila është trajtimi standard i ofruar për shumë pacientë me kancer të avancuar.

“Këto janë rezultate premtuese. Imunoterapitë janë trajtimet më të mira, më të zgjuara që mund të sjellin përfitime të konsiderueshme për pacientët”, ka thënë Kristian Helin, shefi ekzekutiv i ICR.

Rreth 12 mijë njerëz në Mbretërinë e Bashkuar diagnostikohen me kancer në kokë dhe qafë çdo vit dhe shumë prej tyre diagnostikohen në faza të avancuara.

Pacientët e kuruar me këtë terapi, jetuan mesatarisht tre muaj më gjatë se ata që kishin kimioterapi. Mbijetesa e përgjithshme mesatare për këta pacientë ishte 17.6 muaj, mesatarja më e lartë e raportuar ndonjëherë në këtë grup pacientësh.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here