Jeta jonë është gjithnjë e populluar nga të paprutura, nga befasi që e tronditin vetëdijen tonë racionale në atë masë sa e çekuilibrojnë seriozisht atë. Këto sprova të makthit dhe frikës, këto gulçe të territ të ashpër, më shumë se pjellë e fantazisë së shpenguar të disa mendjeve të errëta, ato janë teka të vetë natyrës. Këto krijesa kanë ardhur, ndoshta si një impuls i aftësisë së përballjes dhe si një nevojë e jona për t’i pranuar këto realitete të frikshme, si shkas nënshtrimi, ose si ngulm sfide. Gjithsesi ata kanë bashkëudhëtuar me njeriun, kanë rendur netëve të frikës dhe tmerrit, kanë hapur varre dhe kanë kyçur të vërtetat pas portave të rënda të dilemave dhe misterit. Ata ishin atje, janë këto, do të jenë aty… dhe ne do të vijojmë të mbetemi të lidhur me ta përmes vargonjëve të makthit dhe enigmës.
Njerëz-ujq, me forcë të jashtëzakonshme, të vdekur që ecnin, gra në gjendje të fluturonin. Çfarë ishin në të vërtetë vampirët, likantropët dhe shtrigat?
Bedburg, Gjermani, 1589. Peter Stubbe, i akuzuar se ka vrarë dhe copëtuar dy gra shtatzëna dhe 13 fëmijë (përfshirë fëmijët e tij) dënohet me vdekje. Në qelinë e tij thotë se ka marrë nga djalli një rrip magjik, dhe kur e vishte mundej të transformohej në ujk. Antignana, Istria, 1672. banorët terrorizohen nga Jure Grando, një argat që sulmon gratë e fshatit për t’u pirë gjakun. Frika është më se e justifikuar: Grando ka gjashtë vite që ka vdekur, dhe nëpër fshat bredh kufoma e tij. Nuk mbetet veçse të zhvarroset, t’i ngulet një ushtë në zemër dhe t’i pritet koka.
Glarus, Zvicër, 1782. Anna Goldi dënohet me vdekje sepse ka parë me sy të keq Annamarinë e vogël, e cila pëson konvulsione të vazhdueshëm. Sipas prindërve, Anna kish përdorur fuqitë e saj për ta sëmurur: në fakt, pas kërcënimeve të tyre, e kishte shpëtuar fëmijën me një masazh të thjeshtë.
Histori
Këta tre raste janë të vërtetë, historikisht të dokumentuar dhe aspak të izoluar. Mes viteve 1529 dhe 1630 u regjistruan vetëm në Francë më shumë se 30 mijë njerëz-ujq. Një shekull më vonë, në Evropën Lindore u panë dhe denoncuan mijëra vampirë. Ndërkohë që Anna Goldi ishte e fundit viktimë e të ashtuquajturës luftë e shtrigave, që nisi në 400 dhe u bë e pamëshirshme mes viteve 1540-1680, duke vrarë të paktën 100 mijë gra.
Përse një numër i madh legjendash antike dhe moderne rrëfejnë për njerëz që transformohen në bisha të egra apo krijesa të natës të etura për gjak, dhe për gra në gjendje të fluturojnë, të parashikojnë të ardhmen apo të sëmurin apo shërojnë falë lëngjeve magjikë? Por mbi të gjitha: kush ishin në të vërtetë njerëzit që akuzoheshin për aftësi çudibërëse?
Rite antike
Legjenda e likantropëve – nga greqishtja lykos (ujk) dhe antropos (njeri) – është e pranishme që në prehistori. Të parët në fakt që transformoheshin në ujq ishin guidat shpirtërore të kulturave primitive. “Gjatë ekstazës, shtriganët riktheheshin në një botë kafshërore”, shpjegon Giordano Berti, autor i “Historia e Shtriganisë”. Metamorfozat ndryshonin sipas zonave gjeografike: në Afrikë transformoheshin në luanë dhe në hiena, në Rusi transformoheshin në arinj, në Azi transformoheshin në tigra dhe në Amerikë në xhaguarë. “Njerëzit ujq” ishin në fakt të pranishëm në Evropë dhe ndoshta përfaqësonin tentativën për të zhdukur konkurrentët në luftën për prenë apo për të larguar rrezikun e batërdive në bagëti. Kjo e fundit ishte dhe një prej domethënieve të Lupercalëve të lashtë, festa romake që festohej në 15 shkurt (dhe që u hoq në vitin 494 nga Papa Gelasio), në nder të Fauno Luperco, detyra e të cilit ishte pikërisht të mbante larg ujqit.
Ujqit njerëz, si krijesa të frikshme dhe monstruoze, u përhapën mbi të gjitha në epokën kristiane. “Në përzierjen aspak të pastër mes njeriut dhe ujkut, kisha shihte shprehjen e të keqes, nënshtrimin ndaj demonit, dhe ekstaza konsideroheshin kështu si zotërime të djallit”, thotë Berti. Gjatë Mesjetës, legjendat u përhapën edhe më tej: thuhej që për t’u transformuar në ujk mjaftonte të pije ujin e gjurmëve të kafshëve, ose të merrje një gur nga një mal i helmët apo të rrëmbeheshe prej ujqërve. Por tani që e dimë që këto teori janë false, hipoteza për origjinën e vërtetë të simptomave që bënë të arrestohen dhe të dënohen shumë njerëz për likantropi janë të tjera.
Të sëmurë?
“Mes tyre kishte ndoshta individë që sot mund t’i përcaktojmë si psikopatë apo serial killer-a”, thotë studiuesi. Por mes të akuzuarve për metamorfozë drejt ujkut mund të kish edhe njerëz që i kapnin konvulsionet e zemërimit, infeksionit nga ndonjë virus, shumë të përhapur këta në fundin e Tetëqindës (Pasteur e shpiku vaksinën në 1885), që në formën e “Zemëratës” provokon agresivitet dhe haluçinacione, dhe që mund të transmetohet tek njeriu nga shtrëngimi i kafshëve të infektuara, përfshirë ujqit.
Ose individë të prekur nga hipetrikoza, sëmundje që provokon një prodhim jonormal qimesh edhe në vende shumë pak të natyrshëm, si në ballë apo përreth syve. Apo edhe persona nën efektin e kërpudhave haluçinogjene, si Amanita muscaria. Kjo e fundit është një prej hipotezave më të mbështetura për të shpjeguar zemëratën vrastare të berserker-ave, luftëtarët e egër vikingë që përpara çdo lloj beteje hynin në një gjendje trance (berserksgangr), që i bënte agresivë dhe të pandjeshëm ndaj dhimbjes.
Të vdekur a të gjallë?
Dhe ndoshta ka një sëmundje edhe në origjinë të një tjetër frike, që aty nga fundi i gjashtëqindës tronditi Evropën perëndimore. “Në Hungari nisën të qarkullojnë zëra që në disa varreza të fshatrave, të vdekurit ngriheshin nga varret për të sulmuar të afërmit e tyre, deri në atë pikë sa nisën të zhvarrosin kufomat për të kërkuar shpjegime, ndërkohë që autoritetet fetare zbatonin ekzorcizma apo bënin thirrje që kufomave t’u rritej koka”, thotë eksperti. Fenomeni u përhap me shpejtësi të madhe, duke përfshirë Moravinë, Rumaninë, Serbinë dhe Rusinë. Në po të njëjtën kohë përhapej fjala magjare vampir, për të identifikuar këta të vdekur trazues që lëviznin gjatë netëve në kërkim të gjakut për ta thithur.
Sipas Wayne Tikkanen, docent i Kimisë në California State University, legjenda e vampirëve (sidomos ajo e trajtuar në mesin e tetëqindës nga Bram Stoker në romanin Drakula) mund ta ketë marrë frymëzimin edhe nga të sëmurët nga “porfiria”. Bëhet fjalë për një patologji të trashëguar, atëherë e pakurueshme: në fakt janë të shumta analogjitë mes simptomave të saj dhe karakteristikave që legjenda u ka atribuar vampirëve, këtyre krijesave të natës. Porfiria në fakt dëmton metabolizmin e porfirinës, përbërje kimike thelbësore për sintezën e hemoglobinës, proteina kryesore e gjakut: kush është i prekut është shumë i zbehtë, duke qenë se është anemik, shumë i ndjeshëm ndaj dritës, pra nuk e duron dot dritën e diellit e cila provokon dëmtime për lëkurën, dhe vuan nga eritrodonzia (dhëmbët ku depozitohen porfirinat bëhen në ngjyrë të kuqe dhe fluoreshente që është d allueshme mbi të gjitha natën).
Duke qenë se nuk e duronin dritën, këta të sëmurë preferonin të dilnin vetëm gjatë natës, pasi perëndonte dielli, madje më mirë kur hëna ishte e plotë, sepse ndriçonte rrugët në kohë kur nuk kishte ndriçim me energji elektrike. Në fakt, atëherë kura ishte që të injektoje gjak kau (nuk shërbente për asgjë), ndërkohë që hudhra nuk këshillohej sepse i theksonte më shumë simptomat e sëmundjes. Në disa raste porfiria shoqërohet me hipertrikozë, dhe kjo gjë mund të ketë favorizuar mbivendosjen me legjendën e likantropëve (vetë Drakula i Stokerit transformohej ndonjëherë në ujk).
Megjithatë, kulmi i shfaqjes së vampirëve në Europë në fundin e 600 dhe fillimin e 700 nuk ishte një kohë e karakterizuar nga një përhapje e madhe e kësaj sëmundje. Ishte më shumë e lidhur me kërkimin e një shpjegimi për çrregullimet si dhe vdekjet e papritura të epokës: në fakt pikërisht atëherë, pas tre shekujsh, po përfundonte gjuetia ndaj shtrigave.
Aleate të Djallit
Që nga Katërqinda e deri atëherë, e keqja më e madhe që i kanosej njerëzimit konsideroheshin në fakt shtrigat. Ose më saktë, gra të cilave u atribuoheshin aftësi përtej kufijve nejrëzorë: fluturimi, transformimi në kafshë, shkaktimi i sëmundjeve dhe aftësitë shëruese, shkaktimi i stuhive, shkatërrimi i të korrave, parashikimi i të ardhmes. “Duke qenë se këto fuqi i përkisnin vetëm Perëndisë dhe shenjtëve, ata që dinin t’i vinin në veprim, nuk mund të ishin veçse në anën e Djallit”, thotë Berti.
Akuza e aleancës me Satanain bëri që shumë shpejt shtrigat të asimiloheshin prej heretikëve: kështu në vitin 1326, që nga selia e tij në Avignone në vitin 1326 Giovanni XXII, i cili përpara se të bëhej Papë kishte qenë inkuizitor nisi një persekutim kundër çdo forme shtriganie. Dhe kundër gjinisë femërore: i kërkoi franceskanit Alvaro Pelayo të shkruante vëllimin “De planctu ecclesiae”, në të cilin gratë akuzoheshin se “tërhiqnin burrat në humnerën e sensualitetit”, thuhej veç të tjerash se disa prej tyre ishin në gjendje të përdornin hile dhe magji për të provokuar sterilitetin me anë të magjisë dhe në përgjithësi të praktikonin rite për të penguar riprodhimin.
Shtrigat akuzoheshin veç të tjerash për një ritual të përcaktuar qartë, “sabba”, gjatë të cilit adhuronin një cjap të madh (forma në të cilën djalli shfaqej në Tokë) me të cilin çiftoheshin dhe të cilit i flijonin kufoma fëmijësh të sapolindur. Një shekull më vonë, në best sellerin e kohës, “Malleus Maleficarum”, shkruajtur nga dy domenikanë gjermanë në 1486, thuhej se që në kohërat e Evës gratë ishin të prirura ndaj tundimeve të Satanait, dhe që vetë etimologjia e fjalës femër kish në origjinë fe-minus, pra “pa fe”.
“Ndoshta sabba-t që alarmuan inkuizitorët ishin rite paganë të pjellorisë dhe faktet janë shtrembëruar nga të dërguarit e Papës, të cilët nuk dinin asgjë për traditat popullore të fshatrave dhe krahinave aq të largëta”, hedh hipotezën studiuesi Berti. “Në fakt është e sigurtë që disa shtriga praktikonin aborte me kërkesë, dhe sigurisht jo për të bërë flijime për djallin”.
Viktima
Gjuetia e shtrigave e arriti megjithatë kulmin e vet jo aq shumë në shekujt blu të Mesjetës, se sa në vitet 500-600, në mesin e Rilindjes: në fakt, ishin ata vitet e nxehtë të konflikteve të fesë, të reformës luterane dhe të kundër reformës katolike. Dhe kundër këtyre grave nuk u hodh vetëm inkuizicioni. Edhe gjykatat protestante ishin përgjegjëse për masakrat ndaj tyre: akuzonin herë pas here shtrigat për vdekje të papritura, sëmundje të pashpjegueshme apo edhe për epidemitë.
Sot e dimë që këto gra ishin në pjesën më të madhe vejusha, prostituta apo mami. Por mbi të gjitha, herbarie: zotëruese të një dijeje të lashtë, të përcjellë prej mijëvjeçarësh nga brezi në brez, që kish të bënte me praktikat erboristike. Sigurisht që ishin të kërkuara dhe të paguara për të shëruar sëmundje, por edhe për të përgatitur helme me të cilët hiqej qafe apo sëmurej armiku.
Dhe disa prej tyre, ndonjëherë përpiqeshin të bënin për vete njerëz të famshëm për t’u marrë paratë: që në kohërat e Circes, në fakt dinin të realizonin “filtra magjikë” për të transformuar njerëzit në derra. /Storica – Bota.al