Hamit Boriçi, gazetar

Mesur Hako, mjek

1.

Më shumë se një shekull ka kaluar nga viti 1904, kur kthehet në atdhe stomatologu i parë shqiptar dhe themelues i të parës klinikë dentare në Shqipëri, Haxhi Hafiz Hasan Kaduku, diplomuar në Universitetin e Mjeksisë në Stamboll (Turqi). Mjeshtri i madh i  kirurgjisë  shqiptare, Dr. Frederik Shiroka do ta cilësonte “Legjendë e stomatologjisë shqiptare”.

Të dhënat e para për këtë personalitet i marrim në hollin e Hotel-Bar –Restorant të Kydrete & HasanKaduku, që, më së shumti, është një muze-bibliotekë, kushtuar familjes së  lashtë e të re Kaduku dhe historisë Shkodrës së djeshme e të sotme.

H.H. Hasan Kaduku ishte djali i parë i tregtarit Ismail (Mala) Kadukut, i njohur në pazarin e Shkodrës për përpunimin dhe tregtimin e lëkurëve; i nderuar e respektuar pë ndershmëri dhe atdhedashuri.

Mala Kaduku qe një prej biznesmenve të Shkodrës së fillimshekullit XX,  që, si dituridashës, djemtë e tij nuk i mbajti shegerta (çirakë) në Pazar për t’u marrë me tregti. Të pestët i shkolloi:  Hasanin – mjek dentist, Haxhi Ibrahimin – teolog, “i cilësur dijetar i tre kontinenteve për arsye se shërbeu si pedagog në universitete dhe medreze të Stambollit, të Edrenesë, të Kairos, të Arabisë Saudite etj…”

  1. Përgatitja dhe kualifikimi profesional…

Nipi i tij,  profesor i matematikës, tani në pension, tregon:

Gjyshi ynë, emrin e të cilit gëzoj edhe unë, në destintari hyri rastësisht, kur kishte shkuar te daja Fetah Lini  në Stamboll (Turqi) për të vijuar shkollimin.

Rasti e solli të shkonte për kurimin e dhëmbëve te një nga mjekët stomatologë të njohur nga daja Fetah. Gjatë seancave të kurimit tregoi interesim për procedurat teknike. Kështu i lindi ideja dhe dëshira për të mësuar mjeshtërinë e dhëmbëtarit. Me këmbëngulje e miqësi arriti të pranohet praktikant në klinikën që u kurua.  Për një kohë relativisht të gjatë, nga viti 1900 deri në vitin 1904, ushtroi detyrën e nxënësit – praktikant  në laboratoret e dentistëve me emër në Perandorisë Osmane si Halid Shenazi Bej dhe armeni, profesor Dionizi, të cilët, përveçse i mësuan teknikat më të përparuara të kohës, i miratuan licensën për ushtrimin e profesionit.

Më 1904 u kthye në atdhe mjeshtër stomatolog, duke sjellur me vete një laborator me lëndë dhe pajime teknike e teknologjike për krijimin e një klinike të kohës.

Ishte kjo një periudhë sprove e rëndësishme që e kreu me mjaft sukses. Asokohe edhe në qytetin e Shkodrës mjekë të specialiteteve të ndryshëm u shërbenin të sëmurëve, duke shkuar shtëpi më shtëpi. Kështu veproi edhe gjyshi ynë, duke krijuar një si “Klinikë shetitëse”.

Pas dy vjetësh gjyshi shkon sërish në Stamboll për studime universitare  në Fakultetin e Stomatologjisë. Njohuritë dhe praktika shumëvjeçare ia lehtësuan studimet teorike. Fakulteti ishte 3-vjeçar: 2 vjet teori dhe 1 vit praktikë. Ai, si edhe disa kolegë që vinin nga praktika, u liruan nga detyrimet e vitit të tretë; diplomohet më 1909 dhe vjen  në vendlindje si i pari mjek stomatolog, apo siç njihej ndryshe “mjek dhëmbësh” me diplomë universitetare, jo vetëm në Shkodër.

Bashkë me projektin për riorganizimin e enjë klinike qytetëse të nivelit bashkëkohës, sjell lëndë e material kuruese dentare si dhe proteza, produkte të firmaave më te njohura të botës si londinezja A.Sh. E-Soms nga e cila  do të furnizohej rregullisht. Për  mbushjen e dhëmbëve me kurajo e siguri përdorte sdhe floririn matur e preçizuar në një peshore  të laboratorëve farmaciste.

  1. Klientë-pacientët…

Ngritja e klinikës së parë dentare nga një specialist stomatolog me diplomë universitare ishte një ngjarje e rëndësishme për qytetin e Shkodrës,  jo vetëm.

Para së gjithash ishte shërbimi profesional me teknikë e teknologji të kohës. Lëndën përpunuese, protezat etj merrtej nga firmat më të njohura të Europës.

H.H. Hasani praktikoi metoda europiane për të tërheqjen e klientelës. Përmes revistës “Elcijae Zemers t’ J. Krishtit”, të vetmit periodik që botohej në gjuhën shqipe prej vitit 1891, ftonte klientët duke i siguruar për mbushjen e dhëmbëve dhe proteza cilësore. Oferta e tij ishte: pagesën si për mbushje dhëmbësh, ashtu edhe për protezat nund ta bëhej “më vonë, pasi pacientët të ishin mësuar me protezat apo mbushjet e dhëmbëve dhe të ishin të kënaqur prej tyre”.

Historiani Hamdi Bushati bënte me dije se stomatologu Hasan Kaduku e ushtroi profesionin “… në disa qytete të Shqipërisë dhe në Malin e Zi.  Kronikat e asaj kohe tregojnë që H.H. Hasan Kaduku, me zotësinë e një dentisti të talentuar, tërhoq vëmendjen e të gjithë bashkëqytetarëve të tij, duke krijuar klientelë të gjerë, përfshirë edhe diplomatët e 5 konsullatave të huaja”, me seli në qytetin e Shkodrës.

Ndër klientë-pacientët e rregullt të qytetit të Shkodrës ishin edhe klerikët e mirënjohur, Atë Gjergj Fishta dhe Dom Ndre Mjeda. Madje Fishta thuri edhe këto vargje:

Asnjëherë s’jam përkulë

As prej shkjaut e as dhe ukut

 Por rri urtë e bahem pulë

Te karrigia e Kadukut

  1. Trashëgimia…

Kur mosha e bëri të veten, H.H. Hasan Kaduku kaloi në laborator, djali i tij, Hakiu,  me plot dëshirë e zell e zëvendësoi. Ai merrte detyrën e mjekut stomatolog primar dhe drejtimin e klinikës pas një përgatitjeje arsimore, kulturore dhe profesionale. Në Austri kreu gjimnazin, në Stamboll studioi dhe u diplomua në Fakultetin e Stomatologjisë/

Ai e filloi punën në klinikë më 1965, kur H.H. Hasani ishte 60-vjeçar. Së bashku punuan duke koordinuar përvojën tradicionale me risitë e kohës, teknika e risi profesionale të ushtruara në Stamboll e në Europë.

Edhe ai, ashtu si H.H. Hasani u shqua si profesionist me edukatë qytetare e kulturë, duke ruajtuar e shtuar klientë-pacientë. Pareshtur studionte në kërkim e gjurmim të të rejave në stomatologji, pa i lëshuar librat nga duart; njëheras  pasuronte bibliotekën “Kaduku”.

Përveç punës në klinikë gjente kohë për të shkuar në shkolla për biseda e ligjërata për shëndetin oral, kujdesin, mirëmbajtjen dhe ruajtjen e dhëmbëve.

Dentisti Haki Kaduku nuk e hoqi bluzën e mjekut derisa doli në pension. Ai ka lënë emër edhe si një personalitet human, që mendonte e vepronte në ndihmë njerëzve në nevojë. Për të, i mirënjohuri mjek kirurg, profesor Flamur Tartari do të shkruante: “Doktor Haki Kaduku ishte nisiator për  mjekimin falas… Që në ditët e para të çlirimit të atdheut bëhet nisiator për hapjen, ngritjen e një klinike dentare, ndoshta e para në vendin tonë e këtij lloji, për mjekimin falas të popullsisë së qytetit.Dentistët punonin në klinikat e tyre private dhe një ditë në javë ishin të angazhuar në ndihmë të popullsisë për mjekim falas”.

Traditën, profesionin e stamotologut, e vijoi edhe Qamurani, djali i Doktor Hakiut,  që përfaqësoi brezin e tretë të mjeksisë dhëmbëtare të kësaj familje.

Ndërkohë që nga ky brez dhe në vijim, në rrethanat e riorganizimit  të sistemit mjekësor, përfshirë edhe  destintarinë;  kur u shtetëzua klinika “Kaduku” e pasuruar me bazë teknike e teknologjike të kohëve të reja, brezat e rinj u prirën, kryesisht nga shkencat ekzakte. Nipi, profesor Hasan Haki Kaduku me dituritë matematike, së bashku me motrën e tij, Mesaretin, u pararendën brezave Kaduku për kontribute kryesisht në arsim. Në këto hulli vazhdojnë të nderojnë paraardhësit e tyre.

  1. Përtej klinikës…

Studiuesi Gëzim Uruçi shkruante se H.H. Hasani ishte një prej “turistëve” të hershëm që pushimet verore i bënte në Theth, tashmë fshat turstik kombëtar e ndërkombëtar. Ai u ngjit në Theth për pushime në verën e vitit 1936, i ftuar nga Bajraktari i zonës, pacient i tij.

I mahnitur nga bukuritë e natyrës dhe mirëpritja tradicionale e malësorëve filloi të mendojë e të veprojë në ndihmë të Thethit. “ Gjithëherë merrte me vete kutinë e “ndihmës së shpejtë” për t’u shërbyer malësorëve edhe pa pagesë.

Me një marëveshje me Bajraktarin e fshatit Shosh, ndërtoi depozitën e parë të ujit duke hapur kanale e sjellë ujët në disa kulla. Që nga ajo kohë ai krua quhet “Kroni i Kadukut”.

Ndërkohë, gjatë pushimeve në bjeshkët e Thethit mblidhte dhe përpunonte shumë bimë mjeksore, duke u treguar banorëve për vlerat që kishin ato për kurimin e shumë sëmundjeve.

Toponimet e atëheshme si “Livadhi i Kadukut”, “Bajrakja e Kadukut” etj  “dëshmonin” për lidhjen e doktorit me Thethin e thethjanët.  Ai i ftoi banorët e atij  fshati turistik  për kurim falas në klinikën e tij në Shkodër”.

* * *

Këto shënime i përmbyllim me portretizimin e një prej nxënësve të  Osman Hoxha, profesor në dentistari: Doktor Hasan Kadukut  “Njeri madhështor, shtatlartë e shpatullgjerë, syshqiponjë e hundëshkabë, me mjekër te bardhë, i pashëm, fisnik dhe zemërgjerë, i respektuar dhe mendjemprehtë, energjik dhe i papërkulur, i dashur e bujar, ishte gjithmonë mes njerëzve, qe e donin dhe i donte aq shumë”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here