Kepi i Rodonit është një rrip toke në formë gadishulli që futet në brendësi të detit Adriatik. Kepi i Rodonit është kepi më i madh në vendin tonë, i cili mbyll nga ana e jugut gjirin e Drinit. Redoni sipas mitologjisë Ilire ishte hyji i detit, njëlloj si Poseidoni i Grekëve apo Neptuni i Romakëve. Sipas arkeologut Moikom Zeqo Redoni ka qenë Perëndia kryesore zyrtare e shtetit Ilir. Ai ka qene i vlerësuar nga Ilirët dhe figura e tij ishte përjetësuar në tempuj, emra njerëzish dhe simbole monedhash, si ato të qytetit të Lisit, të fiseve ilire të Labeatëve, Daorsëve dhe monedhat e mbretit Ilir Gent.
Kalaja e Rodonit u ndërtua nga Skënderbeu rreth viteve 1451-1452. Ndërkohë që punime plotësuese në të u bënë edhe në vitin 1463, kur Skënderbeu solli disa mjeshtra raguzianë të ndërtimit. Ndërkohë kalaja do të shfrytëzohej ndoshta edhe si stacion i fundit i Skënderbeut për tu larguar drejt Italisë, në rastin e një sulmi fatal turk. Për këtë qëllim në 22 janar 1462 në bisedimet e zhvilluara në Raguzë midis Ambasadorit të Skënderbeut Andrea Gazuli dhe Republikës Dalmate, Skënderbeu kërkoi ndihmë detare. Kjo gjë u sigurua në traktatin e 4 shkurtit 1462 ku Raguza në rast lufte do ti vinte në shërbim Skënderbeut limanët dhe flotën e saj për qëllime të luftës kundër turqve.
Pas vdekjes së Skënderbeut kalaja u mor nën kontroll nga Venediku, i cili në vitet 1500, kur Durrësi nisi të kërcënohej nga osmanët, ndërmorën punime për rindërtimin e saj. Vite më vonë pasi u pushtua prej turqve kalaja e Rodonit nuk u shfrytëzua më për qëllime ushtarake. Për tu mbrojtur ajo kërkonte punime plotësuese por ishte edhe pre e lehtë për tu goditur nga artileria e anijeve të luftës. Kështu ajo u braktis për tu quajtur një relike e kohës së shkuar, u lanë jashtë kujdesit për tu shndërruar në rrënojë. Pranë kështjellës së Kepit të Rodonit ndodheshin edhe katër manastire katolike të cilat kanë ekzistuar në këtë vend të vetmuar përpara se të ndërtohej kështjella. Të tilla manastire kanë qënë ai i Shën Anastasisë, Shën Kollit, Shën Mërisë dhe ai i Shën Ndout. /Traditat, Instagram /InforCulture.info