Një jetë kushtuar atdheut, arsimit dhe besimit
Nga Shpresa Basha
Shkëputur nga libri: Copëza nga historiku i arsimit (në disa rrethe të vendit) / ISBN: 978-9928-127-22-8 / Nathanaili, Valbona (përpiloi)
Prejardhja
Hafiz Ali Korça (1873-1957) ishte bir i një familjeje të vjetër autoktone qytetare korçare, familje me tradita të shquara kulturore dhe në gjendje të mirë ekonomike: djali i intelektualit të shquar, Iljaz Efendiut, dhe nipi i Abdurrahman Pashës, i cili jetonte në Stamboll dhe mbante titullin e pashait.
Arsimimi dhe rinia e Hafiz Ali Korçës
Mësimet fillore dhe të mesme i kreu në Korçë, përkatësisht në shkollën iptidaije dhe atë idadije me rezultate të shkëlqyera. Në moshën 12-vjeçare mëson gjithë Ku’ranin përmendësh dhe bëhet “Hafiz”. Familja e dërgon për arsimim të mëtejshëm në Stamboll, ku kreu edhe studimet e larta në Universitetin “Çift Erzerum” të Stambollit, i themeluar që në shekullin e XII. Me përfundimin e shkollës njihte shumë mirë gjuhët turke, perse, arabe dhe frënge; kishte përvetësuar shkëlqyeshëm si programin teologjik ashtu edhe atë shkencor-sociologjik: fenë dhe sociologjinë, historinë dhe gjeografinë, filozofinë dhe letërsinë, fizikën dhe matematikën, duke arritur të sintetizojë vlerat më të mira të kulturës fetare me ato laike të kohës, kulturën islame dhe filozofinë e saj me atë perëndimore.
Vajtja e tij në Stamboll, përkoi me jehonën e madhe dhe frymëzuese të veprimtarisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Shoqërisë së Stambollit. Shumë shpejt lidhet me “shqiptarët e rrebtë”, siç i përcaktonin osmanët të gjithë ata që luftonin për çështjen shqip. Ndër ta, vendin e parë e kishte Naimi, i cili jepte këtë porosi: “Djem, mos u bëni kodoshët e mëmës suaj, duke futur fjalë të huaja në gjuhën tonë!” – porosi që u mbajt shumë parasysh nga Ali Korça, i cili ishte purist, afrues i dialekteve, përdorues i formës më të përshtatshme për shprehjen e mendimit shqip, si dhe luftëtar për shkrimin e gjuhës shqipe në germa latine. Mbas shkollimit të lartë, Ali Korça u kthye në vendlindje.
Aktiviteti patriotik
Më 1889 filloi të jepte mësime falas në shkollën shqipe të djemve në Korçë dhe pas një viti, edhe në idadijen e Korçës; është ndër mësuesit e parë të “Mësonjëtores së Parë Shqipe” në Korçë ku jepte eduaktë islame si dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Pandeli Sotirit, drejtorit të saj.
Ali Korça ndoqi rrugën e luftës për shkronjat shqipe. Më 30 maj 1894, arrestohet në stacionin e trenit në Sirqexhi të Stambollit, sepse po sillte në kryeqytet “Historinë e Skënderbeut”, “Qerbelanë” dhe gazetën shqipe “Drita”, të botuar në Bullgari nga Shoqëria “Drita” (“Dituria” e mëvonshme) dhe Kristo Luarasi. Për këtë arsye e internojnë në Sinop, prej nga e nxjerr vetëm ndërhyrja dhe garancia e dajës së tij, Abdurrahman Pashës.
Në korrik 1906, Hafiz Ali Korça së bashku me nxënësit e vet, Sami Pojani dhe Lutfi Zavalani, nxorën gazetën “Korça”. U krijua klubi shqiptar dhe vetë Ali Korça, shkruan në gazetë:
- “Puna ime s’ishte gjë tjetër vetëm se të luftonja dhe të mpronja shkronjat shqipe”.
Hafiz Ali Korça, ishte një nga përfaqësuesit e Korçës në Kongresin e Manastirit. Pa lënë pas dore mësimdhënien në idadije, nëpërmjet fletores “Korça” dhe të disa fletoreve osmanisht, që shpesh përkrahnin abecenë shqipe me germa latine, iu përvesh një pune të dendur e të dobishme.
Tezat kryesore të tij, të shpallura në Kongresin e Dibrës, më 1909, përfshijnë:
- Mësimi i gjuhës shqipe zyrtarisht në shkolla.
- Modernizimi i mësimit në medrese.
- Mos-dërgimi i djemve shqiptarë si ushtarë në shkretëtirat e Jemenit, ku dy të tretat nuk ktheheshin.
- Pastrimi i moçaleve, ndreqja e rrugëve dhe urave në vilajetet shqiptare.
- Lirimi nga burgu i 150 shqiptarëve të burgosur nga reaksioni.
Më 1909 merr pjesë në Kongresin e Elbasanit dhe u zgjodh në kryesinë e shoqërisë qendrore shkollore “Përparimi”, e cila gëzonte nga Kongresi atributet juridike dhe morale për ngritjen e një sistemi të ri arsimor, organizimin e brendisë së punës mësimore edukative, për të bërë të mundur që shkolla shqipe të ngrihej në një shkallë më të lartë se shkollat e huaja, që funksiononin prej kohësh në Shqipëri.
Më 1910 botoi alfabetin e tij me 36 germa. Duke parë rrezikun e shkollës shqipe, në shkurt të vitit 1910, u dha urdhri zyrtar për mbylljen e shkollave shqipe në Shqipëri. Hafiz Ali Korça është në krye të revoltave kundër këtij vendimi.
Më 1911, zyrtarët turq shkruanin në kartelën e tij:
- “Qeveria sulmoi përkrahësit e shkronjave shqipe. Hafiz Ali Korça, që ishte mbi 20 vjet profesor i matematikës, u pushua”.
Ndërkohë Stambolli urdhëron:
- “Hafiz Ali Korça të shtihet në dorë, në një mënyrë që të mos alarmohen latinxhinjtë e atjeshëm dhe, pa e marre vesht zonja e tij e askush, si të kapet, të na dërgohet këtu në kryeqytet”.
Plani u realizua dhe gjyqi politik i Stambollit e dënoi me vdekje. Kryeministri turk Telat Pashai, i cili e njihte mirë H.Ali Korçën, i bëri atij presion dhe premtime, me kusht që ta linte rrugën e tij. Presionit për dënimin me vdekje, Ali Korça iu përgjigj:
- “Hajde të themi se unë u vrava, a pandehni ju se kjo ide do të vdiste?! Unë kam lënë me mijëra nxënës, të cilët këtë ide kanë për ta ndjekur. Por duhet të dini mirë, se edhe sikur të vdisnja, eshtrat e mia deri në kijamet ‘Ah, Shqipëri! Ah, Shqipëri!’, kanë për të thirrur”.
Telat Pashai, duke qenë se e mbante veten për reformator dhe duke u ndjerë i mundur në debatin që bëri me H. Ali Korçën, ndaloi dënimin e tij, por e mbajti të izoluar në Stamboll, deri më 1912.
Pas shpalljes së Pavarësisë, iu ngarkuan detyra të rëndësishme: këshilltar i Ministrisë së Arsimit, në qeverinë e Turhan Pashës; Drejtor i Përgjithshëm i po kësaj Ministrie në qeverinë e Esat Pashës dhe së bashku me inspektorët Aleksandër Xhuvani e Salih Çeka ishte njëri nga nismëtarët për hapjen e Normales së Elbasanit; Kryetar i Fetva-së pranë Këshillit të Lartë të Sheriatit në Shqipëri; pedagog në Medresenë e Lartë të Tiranës etj.
Më 1914, Ali Korça gjendet në Durrës, ku si shumë intelektualë të kohës, grupohet me shpresë rreth princ Vidit. Gjatë kësaj kohe, ai vendoset në Shijak dhe punon në Durrës si këshilltar i arsimit. Por shumë shpejt, u pa qartë se Shqipërisë nuk i kishin mbaruar hallet me kthimin në principatë, nën kontrollin e fuqive të mëdha. Për Ali Korçën, roli i Kontrollorëve Evropianë si dhe roli i Esat Toptanit dhe karakteri rebel i kryengritjes së kurdisur prej tij, ishin plotësisht të qarta. Ai shkruan:
Kur erdh’ Princ Vidi, ne pandehëm se shpëtove,
Atëherë qyqja mëmë ca më keq u copëtove,
Propaganda më të ndyta kontrollorët të punuan,
U vra vëllai me vëllanë, mëmëz fort u dobëtove.
“Qëllimi i rebelimit ishte përmbysja e qeverisë, por në sytë e popullit refkej si shkak gjuha shqipe, se gjoja kjo po prishte fenë dhe po sillte gjithë prapësitë në Shqipëri” – shkruante Ali Korça, i cili cilësohet përsëri si latinxhi dhe i pafe. Është intelektuali i parë që u arrestua dhe provoi burgje e tortura në Shijak, Tiranë, Kavajë dhe Elbasan, por shpëtoi për mrekulli nga ekzekutimi, ndonëse ishte vënë para togës së pushkatimit dhe më në fund, arrin të arratiset dhe vendoset në Shkodër, ku edhe këtu i bëhet atentat nga malazezët.
Gjatë viteve të pushtimit Austro-Hungarez, Ali Korça ishte anëtar i “Komisisë Letrare” për pastërtinë e gjuhës shqipe, pranë figurave të tjera si: Fishta, Gurakuqi, Logoreci dhe Sali Nivica, si dhe drejtor i arsimit për zonën që përfshinte Durrësin, Tiranën, Matin, Dibrën dhe Pogradecin.
Gjatë viteve 1919-1920, është ndër atdhetarët që e kuptojnë qartë politikën gllabëruese të Italisë, prandaj mbështet me armë në dorë mbajtjen e Kongresit të Lushnjës dhe zbatimin e vendimeve të tij, duke synuar si një njeri i nderit dhe i fesë, bashkimin e forcave më të mira të kombit, në dobi të Shqipërisë.
Ali Korça thoshte:
- “Për t’i hedhur shtetit një themel të mirë duhet të zgjidhen burra të mirë dhe të drejtë. Diktaturën personale e shoh si një kuçedër që i ha të ditëshmit nji nga nji, do që të rrojë vetëm dhe të tjerët t’i ketë rob”.
Ashtu si Sami Frashëri, edhe Korça kërkon krijimin e një pleqësie prej 24 vetash, të zgjedhur nga populli dhe kryetari i tyre të zgjidhet me rotacion vetëm për një vit.
- “Ky këshill të veprojë duke u matur mirë, pa vështruar hatër dhe frikë, duke flakur tej lakmimet. I pari i kombit ishte ai që e shërbëton. Një burrë shteti po s’qe përzier me popullin, që të ketë mundur t’ia kuptojë mendimet e ndjenjat e përgjithshme popullore, s’është i zoti të qeverisë këtë popull. Populli nuk qeveriset me theorira të thata.”
Sa i takon edukimit të brezit të ri, Korça është për kultivimin tek ta si të ndjenjës fetare, ashtu edhe kombëtare:
- “Brezi i ri është shpresa e kohës së pritshme. Ata duhet të ngrehin shoqëri, dhe si të mbledhin një shumë të mjaftueshme të hollash, të formohet një komision nga dijetarët e mëdhenj, që të zotërojnë gjuhrat e lindjes dhe perëndimit dhe këta, si të zgjedhin librat më të dobishëm për moral e për çdo send që ka nevojë populli, t’i përkthejnë, t’i shtypin e t’i shpërndajnë në popull pa të holla. Kështu, populli në pak kohë zgjohet, zhvillohet dhe nga morali lartësohet”.
Nga viti 1916 deri në 1947, Ali Korça jetoi në Tiranë. Me vendosjen e Këshillit të Lartë të Sheriatit në Tiranë, Hafiz Ali Korça punoi për hapjen e medresesë dhe këmbënguli që ky institucion të njihej si i barabartë me shkollat e mesme shtetërore, dhe studentët e saj të pranoheshin nëpër universitetet e botës si të tjerët, pa provime plotësuese. Merret kryesisht me mësimdhënie si myderriz (mësues) në medresenë e Tiranës. Botoi libra në ndihmë të programit të saj, ku veçojmë edhe abetaren arabe me 28 fletë dhe një libër gramatike, që trajtuar sipas sistemit Berlitz, bëri të mundur që alfabeti arab të përvetësohej pa mundim për 2 javë dhe ndikoi që gjuha arabe të mësohej për 2 vjet (nga 8-10 vjet që ishte mësuar më parë). Në këtë periudhë, pjesë e përpjekjeve të tij për zhvillim e progres është edhe botimi i gazetës së njohur “Zani i Naltë”, organ i Komunitetit Mysliman Shqiptar, që filloi të dalë në vjeshtën e vitit 1923.
Ali Korça synonte modernizimin e programit të medreseve dhe për këtë arsye ai thoshte që rrethi i të diturve duhej të gruponte më të aftët. Nën drejtimin pedagogjik të tij, në medresenë e Tiranës u vunë në zbatim plane dhe programe të tilla, që u lejonin medresistëve të merrnin njohuri të barabarta me ato që u jepeshin nxënësve të shkollave të mesme laike, duke bërë të mundur që edhe medresistët, që nuk do të mund të ndiqnin universitetet teologjike islame, të mund të vazhdonin, njëlloj si nxënësit e shkollave të mesme shtetërore laike, çdo universitet tjetër, pa nevojën e provimeve plotësuese. Njëkohësisht, Ali Korça theksonte domosdoshmërinë e përzgjedhjes së kuadrit mësimor të medreseve, si dhe të trajtimit të gjithanshëm të tij, sa më të mirë.
Hafiz Ali Korça shkroi dhe publikoi mjaft libra dhe shkrime me karakter kombëtar, fetar, filozofik, letrar, politik etj., nga të cilat, jo të gjitha mundën ta shihnin dritën e botimit. Ai botoi artikuj edhe në shtypin turk, arab, pers, etj.; përkthente në shqip nga shtypi i huaj.
Tituj
- 2011, dhjetor, Bashkia e Korçës i jep titullin “Qytetar Nderi i Korçës”.
- 1996 Urdhri “Naim Frashëri” i Klasit të Parë; Urdhri “Nderi i Kombit”;
- 1995 Urdhri “Për Veprimtari Patriotike” të Klasit të Parë;
- 1994 “Mësues i Popullit”; /valbonanathanaili.com /InforCulture.info