Shqipëria pranonte me kënaqësi propozimin e SHBA për dërguar në Shqipëri përfaqësues, ky ishte thelbi i telegramit të Enver Hoxhës më 24 mars 1945, drejtuar administratës amerikane. “Investigim” zbulon dokumentin, që shefi i Tiranës nuk e ka përfshirë në “Veprat”. Uashingtoni i kthen përgjigje kërkesës dërguar Presidentit Ruzvelt për të njohur qeverinë e tij, por që iu refuzua, duke iu drejtuar me cilësinë e komandantit të ushtrisë dhe jo të kryeministrit

Nga Thanas Mustaqi

Më 23 mars 1945 u duk sikur Enver Hoxha, do të bënte naze për mungesën e firmës në një shkresë amerikane, por brenda ditës hoqi dorë nga “tangarllëku”. Të nesërmen, më 24 mars, kreu i “autoritetit qeverisës në vend” (shprehje e Departamentit të Shtetit) njoftonte në frëngjisht Uashingtonin se “Qeveria Demokratike e Shqipërisë pranon me kënaqësi propozimin e Departamentit të Shtetit për Punët e Jashtme të Shteteve të Bashkuara… për dërguar në Shqipëri një grup të kufizuar përfaqësuesish me qëllimin për të lehtësuar njohjen e qeverisë sonë demokratike”. Tërheq vëmendjen fakti se këtë mesazh-dokument, që e përjavshmja “Investigim” e citon sipas versionit anglisht të arkivave amerikane, Enver Hoxha nuk e ka përfshirë as në vëllimin III të “Veprave” dhe as në librin me kujtime “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”.

SHPEJTËSIA

Diplomacia në Luftën II Botërore, ndonëse pa mjetet e sotme të ndërlidhjes, ka vepruar me shpejtësi të habitshme dhe në marsin e vitit 1945. Kjo, të paktën, mund të vërehet në aspektin e marrëdhënieve amerikano-shqiptare. Arkivat e politikës së jashtme amerikane disponojnë një material krahasimisht të bollshëm dokumentar dhe për një vend të vogël ballkanik, pasi marrëdhëniet me Shqipërinë trajtohen nga majat e larta të Departamentit të Shtetit. Në këtë numër të gazetës “Investigim” botohen të përkthyera tre dokumente, të cilat kanë të bëjnë me kërkesën e Enver Hoxhës për ta njohur qeverinë e tij, si dhe me kushtin e Departamentit të Shtetit për të pranuar një mision civil, që do të studionte gjendjen në vend dhe të vendosej për kërkesën e Hoxhës drejtuar Presidentit Ruzvelt. Këto dokumente i takojnë periudhës 19-25 mars 1943. Por duhet theksuar se ka dhe disa dokumente të tjera të këtyre datave që botuesi amerikan nuk e ka parë të arsyeshme të përfshiheshin.

MISION FAKTMBLEDHËS

Në një telegram të 19 mars 1945, të nisur në mesditë nga Uashingtoni, Sekretari i Shtetit në detyrë Din Açeson (Dean Acheson, 1893–1971) i bënte të ditur këshilltarit politik pranë Shtabit të Forcave Aleate të Mesdheut në Itali se ai nuk kishte kundërshtim që gjeneral Hoxha duhet të merrte “një deklaratë me shkrim mbi pozicionin amerikan lidhur me kërkesën e tij për njohjen e qeverisë”. Është e natyrshme që kjo procedurë të kryhej në profil shumë të ulët (“Zyra e këshilltarit politik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kazerta është ngarkuar nga Departamenti i Shtetit”). Jo vetëm kaq, komunikimi i qëndrimit të Uashingtonit duhej t’i bëhej “gjeneral-kolonelit Enver Hoxha, komandanti i përgjithshëm UNÇSH-së, Tiranë”. Në telegramin e Açesonit jepej dhe teksti i deklaratës, që parashtronte “qëndrimin e qeverisë amerikane lidhur me kërkesën që ai [Enver Hoxha] i ka drejtuar Presidentit [Ruzvelt] më 21 dhjetor 1944, për njohjen e “Qeverisë Demokratike të Shqipërisë”, me cilësinë e Qeverisë së Shqipërisë. Në këtë deklaratë Departamenti i Shtetit shprehej se SHBA “janë të vetëdijshme për vuajtjet dhe sakrificat që kanë përjetuar shqiptarët gjatë luftës së tanishme dhe për trimërinë e patriotëve shqiptarë në luftën kudër agresorëve armiq”. Por qeveria amerikane e shihte të nevojshme të mbante pezull çështjen njohjes zyrtare të çfarëdo qeverie të atëhershme në Shqipëri. Dhe si parakusht ajo kërkonte të siguronte “informacion më të plotë lidhur me kushtet dhe zhvillimet në Shqipëri dhe karakterin përfaqësues të autoritetit ekzistues”. Ndërkaq në deklaratë ka një nuancim domethënës: qeveria amerikane “nuk propozon të dërgojë mision ushtarak në Shqipëri, sikurse nënkuptohet nga ajo që po bën qeveria britanike”, por “një grup të vogël përfaqësuesish të vet në Shqipëri në një bazë krejtësisht jozyrtare për qëllim që të sigurojnë informacione për të cilat tani ka nevojë qeveria amerikane”. Açesoni paralajmëronte pa shumë ceremoni se “Gjeneral Hoxha me siguri do ta kuptojë se çdo vonesë… do të shërbente vetëm për të shtyrë procedurat e nevojshme për vendimin që duhet të marrë qeveria amerikane lidhur me kërkesën e tij për njohje”.

“I MENDEROSUR, POR KRENAR!”

Sipas një shënimi të botuesit, kjo deklaratë i ishte “përcjellë gojarisht Kadri Hoxhës më 20 janar”, pra, një ditë më parë. Në të vërtetë, kështu kërkohej në telegram: “jemi të mendimit se nëse një deklaratë e tillë do t’i dorëzohej Kadri Hoxhës, ai do të ishte në gjendje të siguronte dërgimin e saj në Tiranë”. Dhe parashikimi i Açesonit doli. Më 23 mars, ora 16.00, kapiteni Thomas (Tom) Stefan (1917-1959) i OSS-së (Zyra e Shërbimeve Strategjike, pararendëse e CIA-s) i paraqiti deklaratën Hoxhës. Sërish ka një detaj interesant: “Gjatë marrjes në dorëzim të memos, Hoxha vuri në dukje se ishte i panënshkruar ndërsa kërkesa britanike ishin bërë me anën e një letre të nënshkruar nga feld-mareshali Aleksandër (Alexander, 1891-1969)”. Pasi ka “gëlltitur” këtë fakt, Hoxha tha se nuk kishte ndonjë kundërshtim për vëzhguesit. Dhe si për të ruajtur njëfarë dinjiteti, në trajtë reciprociteti (i menderosur, por krenar!), Hoxha deklaroi se “do t’ia referonte çështjen qeverisë për të marrë vendim dhe pas takimit do të dërgonte përgjigje me të njëjtën formë që kishte marrë memorandumin”.

Dhe të nesërmen, më 24 mars, ul krenarinë dhe i dërgon përgjigje në frëngjisht, “Këshilltarit Politik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kazerta: Qeveria Demokratike e Shqipërisë pranon me kënaqësi propozimin e Departamentit të Shtetit për Punët e Jashtme të Shteteve të Bashkuara të paraqitur në një memo nga këshilltari politik i Shteteve të Bashkuara në Kazerta më datë 23 mars 1945 dhe të dorëzuar nëpërmjet kapitenit Thomas Stefan si ndërmjetës për dërguar në Shqipëri një grup të kufizuar përfaqësuesish me qëllimin për të lehtësuar njohjen e qeverisë sonë demokratike”.

Dokument 1

Açeson: Arsyet e pezullimit të njohjes

Telegram i Sekretarit të Shtetit në detyrë drejtuar z. Aleksandër K. Kërk, këshilltar politik pranë Shtabit të Forcave Aleate të Mesdheut, Kazerta

Uashington, më 19 mars 1945, mesditë

Nr. 229 i prot. Gjegje tuajave nr. 934 dhe nr. 943 prot., datë 12 mars. [1] S’kemi kundërshtim që gjeneral Hoxha duhet të marrë një deklaratë me shkrim mbi pozicionin amerikan lidhur me kërkesën e tij për njohjen e qeverisë. Për shkak se nuk jemi të sigurt se ç’mjete keni në dispozicion, mund të përdorni çdo lloj kanali komunikimi që ju dhe Xhejkobsi (Jacobs) e shihni më të përshtatshme, por jemi të mendimit se nëse një deklaratë e tillë do t’i dorëzohej Kadri Hoxhës, ai do të ishte në gjendje të siguronte dërgimin e saj në Tiranë. Këshilloheni që ju dhe Xhejkobsi të përgatisni për këtë qëllim një memo me drejtimet si më poshtë:

Fillimi i memos. Zyra e këshilltarit politik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kazerta është ngarkuar nga Departamenti i Shtetit t’i komunikojë gjeneral-kolonelit Enver Hoxha, komandanti i përgjithshëm UNÇSH-së, [2] Tiranë, deklaratën e mëposhtme duke parashtruar qëndrimin e qeverisë amerikane lidhur me kërkesën që ai i ka drejtuar Presidentit më 21 dhjetor 1944, [3] për njohjen e “Qeverisë Demokratike të Shqipërisë”, me cilësinë e Qeverisë së Shqipërisë:

Sikurse është bërë e njohur, populli amerikan ka treguar gjithmonë interes të veçantë për fatin e popullit shqiptar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vetëdijshme për vuajtjet dhe sakrificat që kanë përjetuar shqiptarët gjatë luftës së tanishme dhe për trimërinë e patriotëve shqiptarë në luftën kudër agresorëve armiq. Qeveria e SHBA e sheh të nevojshme megjithatë të mbajë pezull çështjen e përgjithshme të njohjes zyrtare të çfarëdo qeverie aktualisht në Shqipëri. Ajo mendon se, si parakusht për shqyrtimin e kësaj çështjeje, duhet të sigurojë informacion më të plotë lidhur me kushtet dhe zhvillimet në Shqipëri dhe karakterin përfaqësues të autoritetit ekzistues.

Kjo qeveri nuk propozon të dërgojë mision ushtarak në Shqipëri, sikurse nënkuptohet nga ajo që po bën qeveria britanike, si dhe njësitë e vogla amerikane tani në interes të ndërlidhjes ushtarake sigurisht nuk mund të pritet të plotësojnë atje nevojat e reja që lindin në fazën e tanishme. Prandaj Departamenti i Shtetit do të donte që sa më shpejt të ishte e mundur të dërgonte një grup të vogël përfaqësuesish të vet në Shqipëri në një bazë krejtësisht jozyrtare për qëllim që të sigurojnë informacione për të cilat tani ka nevojë qeveria amerikane. Shpresohet se prania e përfaqësuesve të tillë në Shqipëri do të ishte e pranueshme për autoritetet e tanishme dhe ata do të kenë mirësinë t’u japin privilegje dhe lehtësi të tilla që mund të jenë të nevojshme në mënyrë që të përmbushnin misionin e tyre.

Gjeneral Hoxha me siguri do ta kuptojë se çdo vonesë në marrjen e disa masave të tilla si më sipër do të shërbente vetëm për të shtyrë procedurat e nevojshme për vendimin që duhet të marrë qeveria amerikane lidhur me kërkesën e tij për njohje. Fundi i memos.

AÇESON (ACHESON)

Shënime të origjinalit

[1] Telegrami nr. 943 i prot., datë 12 mars, ora 20:00, nga Kazerta, i pabotuar, sugjeronte që përfaqësuesi i OSS-së [Office of Strategic Services – Zyra e Shërbimeve Strategjike] në Tiranë të autorizohej t’i dorëzonte gjeneralit Enver Hoxha një letër apo memo me parashtrim informatash që përmban telegrami me nr. 82 prot., datë 31 janar [1945], drejtuar Kazertës [shih botimin në “Investigim” numrat e kaluar], në mënyrë që të sigurohej se Hoxha e kishte kuptuar qartë pozicionin amerikan lidhur me njohjen e qeverisë shqiptare dhe dërgimin e vëzhguesve në Shqipëri.

[2] Ushtria Nacional-Çlirimtare Shqiptare.

[3] Për tekstin e notës së gjeneralit Hoxha datë 21 dhjetor 1944, shih aerogramin e datës 9 janar 1945, nga Kazerta [shih edhe botimin në “Investigim” numrat e kaluar].

Dokument 2

Kërkesat, SHBA të pafirmosur kurse Britania po

Telegram i z. Aleksandër K. Kërk, këshilltar politik pranë Shtabit të Forcave Aleate të Mesdheut, drejtuar Sekretarit të Shtetit

Kazerta, 24 mars 1945, mesnatë.

[Marrë ora 17:15]

Nr. 1136 prot. Memoja e përmendur në telin e Departamentit të Shtetit nr. 229 prot. datë 19 mars, ora 11:00 [paradite] dhe në telin tonë me nr. 1082 të prot. datë 22 mars ora 16:00 [1] iu paraqit Hoxhës dje pasdite ora 4:00 nga kapiteni Stefan. Gjatë marrjes në dorëzim të memos, Hoxha vuri në dukje se ishte i panënshkruar ndërsa kërkesa britanike ishin bërë me anën e një letre të nënshkruar nga feld-mareshali Aleksandër (Alexander). Stefani theksoi se njësia amerikane e propozuar nuk ishte mision ushtarak dhe se teksti i memos e bënte të qartë qëndrimin e qeverisë amerikane. Hoxha deklaroi se ai kishte ndonjë kundërshtim për vëzhguesit, por shtoi se ai do t’ia referonte çështjen qeverisë për të marrë vendim dhe pas takimit do të dërgonte përgjigje me të njëjtën formë që kishte marrë memorandumin tonë.

KËRK (KIRK)

Shënim i origjinalit:

[1] Ky i fundit nuk është botuar, njoftonte se ishte përgatitur një memorandum për gjeneralin Hoxha sipas linjave të treguara në telegramin e Departamentit të Shtetit me nr. 229 prot. datë 19 mars [shih ketë numër të “Investigim-it”, dokumenti 1], duke shtuar një referencë në paragrafin e parë të informacionit përcjellë gojarisht Kadri Hoxhës më 20 janar dhe duke fshirë fjalët “në interes të ndërlidhjes ushtarake” nga paragrafi i parafundit i draftit të Departamentit të Shtetit.

Dokument 3

Hoxha: E mirëpresim misionin amerikan pa kushte

Telegram i z. Aleksandër K. Kërk, këshilltar politik pranë Shtabit të Forcave Aleate të Mesdheut, drejtuar Sekretarit të Shtetit

Kazerta, më 25 mars 1945, ora 14:00

[Marrë ora 19:41]

Nr. 1161 prot. Në vijim është përkthimi në anglisht i tekstit frëngjisht të përgjigjes së Hoxhës sikurse raportohej në telin tim nr.1139 prot, datë 25 mars. [1]

Përkthim. Tiranë, më 24 mars 1945. Këshilltarit Politik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kazerta.

Qeveria Demokratike e Shqipërisë pranon me kënaqësi propozimin e Departamentit të Shtetit për Punët e Jashtme të Shteteve të Bashkuara të paraqitur në një memo nga këshilltari politik i Shteteve të Bashkuara në Kazerta më datë 23 mars 1945 dhe të dorëzuar nëpërmjet kapitenit Thomas Stefan si ndërmjetës për dërguar në Shqipëri një grup të kufizuar përfaqësuesish me qëllimin për të lehtësuar njohjen e qeverisë sonë demokratike.

Për t’i siguruar lehtësitë e nevojshme këtij grupi për realizimin e misionit të tij dhe në mënyrë që të jetë në gjendje të japë urdhrat e nevojshëm lidhur me hyrjen të lirë të tyre në Shqipëri, Qeveria Demokratike dëshiron të marrë një listë emërore të personave të caktuar dhe që do të përbëjnë grupin e këtij misioni. Nënshkruar Gjeneral kolonel Enver Hoxha, Kryetar i Këshillit të Ministrave të Qeverisë Demokratike të Shqipërisë. Fundi i përkthimit. [2]

KËRK (KIRK)

Shënime të origjinalit:

[1] Nuk është botuar; njoftonte se ishte marrë përgjigje pohuese nga Hoxha dhe shprehte shpresën se Departamenti i Shtetit do të caktonte sa më shpejt të ishte e mundur anëtarët e grupit që do të shkonin si vëzhgues në Tiranë, si një veprim i shpejtë, i cili do të linte përshtypje të mirë.

[2] Telegrami me nr. 1518 prot., datë 13 prill, nga Kaserta, njoftonte se misioni u informua nëpërmjet një letre të datës 12 prill nga kreu i Këshillit të Ministrave i regjimit shqiptar se hyrja në Shqipëri ishte e lirë dhe pa kurrfarë kushtesh.

Din Açeson (1893–1971)

Din Açeson (Dean Acheson, 1893–1971) ishte burrë shteti dhe jurist i shquar amerikan. Në postin e sekretarit të Shtetit të SHBA-së në vitet 1949-1953, luajti rol kryesor në përcaktimin e politikës së jashtme amerikane gjatë Luftës së Ftohtë. Açeson-i ndihmoi në projektimin e Planit Marshall, zhvillimin e Doktrinës Truman dhe krijimin e NATO-s, duke nënshkruar në emër të SHBA-së ditën e themelimit. Në vitin 1944, Açeson-i mori pjesë në konferencën e Bretton Woods-it si kryetari i delegacionit amerikan. Konferenca ishte vendlindja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore, Organizatës Botërore të Tregtisë. Në vitin 1945, Presidenti Harry S. Truman e caktoi Açesonin në postin e nënsekretarit të Departamentit të Shtetit.

Tom Stefan (1917-1959) 

Në foto: Në kasollen e Helmësit, gusht 1944. Njeriu i shërbimeve sekrete amerikane, Thomas (Tom) Stefan, i atashuar pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare, midis Enver Hoxhës dhe Omer Nishanit, i katërti djathtas Ramadan Çitaku (Foto e arkivit të Uashingtonit).

Thomas (Tom) Stefan (1917-1959), ish-kapiten në ushtrinë amerikane gjatë luftës, dekoruar me urdhrin Legjioni i Meritës, Ylli i Bronzit, shqipfolës, emri i koduar “Art”. Katër muaj pasi Japonia bombardoi Përl Harbërin (Pearl Harbor), Stefani u hyri në shërbim në ushtrinë amerikane ku dhe mori gradën e togerit. Ai ndoqi shkollën ushtarake të zbulimit dhe hyri në Zyrën e Shërbimeve Strategjike (OSS), në nëntor 1943. OSS-ja e caktoi përgjegjës për të aktivitetet operative dhe të zbulimit në Shqipëri. OSS-ja donte të shfrytëzonte njohjen e gjuhës nga ana e Stefanit për të kontaktuar dhe punuar me Enver Hoxhën, udhëheqës i partizanëve komunistë. Hoxha dhe Stefani patën marrëdhënie të mira, edhe pse Hoxha nuk u zinte besë perëndimorëve në përgjithësi dhe përçmonte britanikët në veçanti. Shenjë e vlerësimit të Hoxhës për Stefanin kishte të bënte me faktin se Stefani ishte një nga të paktët që u lejua të fotografohej vetëm me të. Më 28 nëntor 1944, Stefani ishte në rreshtin e parë dhe në qendër të tribunës, krahas Hoxhës. Kur Stefani u martua me një grua balliste dhe që e nxori fshehtas nga Shqipëria në shtator të vitit 1945, marrëdhëniet mes dy burrave u prishën përfundimisht. Ndërkohë Stefani dhe nusja e tij u kthyen në SHBA. Stefani u lirua nga ushtria në maj 1946 me gradën e kapitenit. Ishte dekoruar me urdhrin e Legjioni të Meritës dhe Yllin e Bronzit. Shpresonte se, me përvojën e tij në Shqipëri, do të bënte karrierë në Departamentin e Shtetit. Kur kjo nuk ndodhi, ai filloi punë në Administratën e Veteranëve. Vdiq në Los Anxhelos, në moshën 42 vjeç, në skamje. /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here