Sot shënohet 28-vjetori i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), një nga momentet më të rëndësishme në historinë e qëndresës dhe sakrificës së popullit shqiptar për liri dhe dinjitet. Epopeja e UÇK-së lidhet me rezistencën heroike të familjes Jashari në Prekaz në mars të vitit 1998, ku komandanti legjendar Adem Jashari, bashkë me familjarët dhe bashkëluftëtarët e tij, u përballën me forcat serbe duke sakrifikuar jetën për idealin e lirisë së Kosovës.

 

Kryemnisitri i Kosovëvs, Albin Kurti në mbledhjen solemne të Qeverisë së Republikës së Kosovës, tha se Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfaqëson një kthesë vendimtare në vetëdijen tonë kombëtare dhe bashkimin tonë popullor drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Historia e shteteve ndërtohet mbi ngjarjet që i hapin shteg të ardhmës. Marsi i vitit 1998 është një ngjarje e atillë. Në Prekaz me 5, 6 dhe 7 mars 1998 ndodhi një përballje aq e pabarabartë, por me domethënie kaq të jashtëzakonshme. Në analet e historisë e Evropës nuk mund të gjendet një rast i vetën kur për tri ditë e tri netë rresht i bën rezistencë një familje liridashëse autoktone një shteti policor e okupator. Ani se familja Jashari ishte rrethuar shumë fish nga mira forca të armatosura, të pajisura me makineri të rëndë dhe mjete ushtarake moderne të kohës, ata luftuan e qëndruan deri në fund duke dhënë jetën e tyre për lirinë e të gjithë neve. Për këtë familje kishte kuptim vetëm një gjë, liria, sepse asgjë nuk është e vlefshme sikur ajo. Këtë ngjarje bënë të pavdekshme vendimi ndërgjegjshëm i familjes për të qëndruar e për të mos u nënshtruar”, tha Kurti.

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot “Epopenë e UÇK-së” dhe 28 vjetorin e rënies së komandantit legjendar, Adem Jashari.

 

Osmani, përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se kjo epope është një nga sakrificat sublime te liria, një histori që vazhdon të jetojë si betim, si frymëzim dhe si udhërrëfyes për brezat e rinj.

 

“Nga sakrifica sublime te liria, një histori që vazhdon të jetojë si betim, si frymëzim dhe si udhërrëfyes për brezat”, ka shkruar Osmani.

 

Në Kosovë, dhe më gjerë sot zhvillohen aktivitete përkujtimore në nder të dëshmorëve dhe të gjithë atyre që kontribuan për lirinë e Kosovës.

 

Me këtë rast Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” sot hapë dy ekspozita në shenjë nderimi dhe kujtimi për luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 

Ekspozita “Epopeja e UÇK-së në shtypin e Kosovës (2000-2020)” paraqet mënyrën se si Epopeja e UÇK-së është organizuar, kujtuar, festuar dhe interpretuar në shtypin e Kosovës përgjatë dy dekadave pas luftës.

 

Ekspozita tjetër, me titull “Ditënetët e zjarreve në Prekaz”, është vizuale dhe emocionale. Ajo përqendrohet në vendin fizik ku ka ndodhur sakrifica e familjes Jashari, në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Kjo ekspozitë përbëhet nga 36 fotografi të fotografit nga Skenderaj, Sefer Aliqkaj, i cili i ka realizuar kryesisht në Prekaz.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here