Veçanti nga e përgjithshmja përbën karakolli i Çajupit ose siç e quajnë vendasit “Taborri i Minanje” (Sipas rrëfimit të z. Sotir Mino, objekti u ndërtua në troje të familjes së tyre, bile dha kontribut dhe Aleks Mino, gjyshi i tij). Tabori ndodhet në një lartësi 1286 m. mbi nivelin e detit. Ky objekt unikal në tipologjinë e tij u shpall “monument kulture” i kategorisë së I, me Vendimin nr. 8 dt. 18. 12. 1987 nga Komiteti i Kulturës dhe Arteve.
Prof Valter Shtylla, ishte i pari studiues që e vizitoi dhe realizoi rilevimet e duhura të cilat shërbyen si argument për shpalljen m. k. Prej tij janë hapur dhe dosdosjet arkivore në Institutin e Monumenteve të Kulturës për shumë monumente në krahinat Zagori,Pogon, Lunxhëri, Dropull e gjetkë. Për kontributin e tij i jemi mirënjohës.
Rruga e karvanëve sipas itinerarit: Gjirokastër – Hani i Valaresë –Çajup – qafa e Dhëmbelit – Përmet e më tej, lindën domosdoshmërinë e ruajtjes dhe mbarëvajtjes së udhëtimit duke ndërtuar këtë karakoll. Si zgjidhje arkitekturore, ky objekt është i veçantë nga gjithë të tjerët. Vollumi i tij me planimetri rrethore dhe me lartësinë e një kati, të krijon idenë e një tyrbeje. Mbulesa është me kupolë sferike, me rrasa guri të trasha në rolin e tjegullave. Të dhënat metrike të monumentit: Diametri i brendshëm më nivelin e dyshemesë është 3,2m. lartësia nga dyshemeja në kyçin e kupolës 3,25m. trashësia e mureve 1,28 m. dhe përmasat e hyrjes 137×80 cm.
(Ky objekt ka përjetuar në vitet ‘30 një ngjarje tragjike me pesë viktima. Banda e kusarëve nga Labëria masakroi gratë zagorite që korrnin barin e fushës, ku e vetmja që shpëtoi ishte Konstandina Shaka.)
Sipas studimit urbanistik të komunës Fusha e Çajupit me rrethinat e saj merr një vlerësim të ri. Ky monument dhe të dhënat e reja për ekzistencën e nje siti arkeologjik (stacion prehistorik) në hapësirën Hotel i Garulit – Kondisma e Shën e Premtes duhet të merren në mbrojtje të veçantë nga institucionet e specializuara të trashëgimisë kulturore pasi t’u kemi dërguar rezultatet e përfituara nga studimet e kryera.
Teksti: © shqiptarja.com
📷 © DRTK Gjirokastër gjatë restaurimit


