Sipas udhëpërshkruesit franko-italian Guillaume Marie Lejean, i cili kishte vizituar Shqipërinë në vitet 70 të shek. XIX, për të udhëtuar nga Prizreni në Gjakovë është dashur të kalojë gjashtë orë në këmbë.
Pak më shumë nga gjysma e kësaj rruge, udhëpërshkruesi në fjalë kishte kaluar një urë të vjetër me funksion të shkëlqyer, të hedhur me guxim mbi lumin Dri në fund të një gryke të ngushtë. Sipas Lejean kjo urë dikur mbrohej nga një ose dy kështjella romake.
Në gjuhën shqipe ura është quajtur: “Ura e Shenjtë” ose “Ura e Shenjtorit” (“Oura Fchaït”; “Le pont de Fchaï”), emër që bën parashikimin e një legjende. Madje, katolikët vendas, sipas udhëpërshkruesit në fjalë, thanë se grykën e sipërpërmendur e hapi Shën Nikolla, i cili donte të hidhte një hap të mençur në lumin Dri me qëllim tharjen e liqenit, i cili më parë mbulonte fushën e atëhershme të Gjakovës.
Sigurisht që janë ruajtur edhe versione të tjera gojore që lidheshin ngushtë me historinë e ndërtimit të “Urës së Shenjtë”, së cilës sipas udhëpërshkruesit Lejean sigurisht që nuk i mungonte eleganca!


