Adem Derguti
Në këtë muaj është 106 vjetori i lindjës së rapsodit të njohur Rizah Bllaca. Në shenjë respekti për te po paraqesim një biografi të shkurtër nga libri: “Rizah Bllaca në anekdota”
Sikur edhe një fjali të vetme të merrnim përsipër e të shkruanim për fshatin Bllacë, do të ishte e pamundur që edhe brenda kësaj fjalie të mos e përmendnim me nderim emrin e rapsodit të mirënjohur në gjithë hapësirën shqiptare, birit të shquar të këtij fshati, Rizah Bllacës. Ai me talentin e tij, me shpirtin e tij atdhetar, me veprën e spikatur folklorike, ka mundur që të ndikojë fuqishëm brez pas brezi në fisnikërimin e njerëzve, në farkëtimin e atdhedashurisë për Kosovën, në mbajtjen gjallë të shpresës së shqiptarëve se një ditë do të bëhet më mirë. Madhështia e Rizah Bllacës, e këngës së tij, qëndron se ai ka ditur dhe ka arritur të pasqyrojë besnikërisht historinë, kohën e tij. Ta ngulisë atë në mendjen e bashkëkombasve nëpërmjet aftësive të jashtëzakonshme interpretuese.
Të shkruash biografi për rapsodin Rizah Bllaca apo prozë, është vështirë të mos e cenosh sadopak artistin, pasi biografia e poetit, e rapsodit janë vargjet e tij. Ato janë vepra e tij. Është biografia e tij e pakrahasueshme dhe e pazëvëndësueshme. Bllacjanët dhe shqiptarët në tërësi, por sidomos në Kosovë, e njohin mirë Rizah Bllacën. Edhe nëse nuk e njohin si njeri, edhe nëse nuk ia dinë emrin, ata i këndojnë përditë vargjet e tij, këngët e tij në dasma e gëzime. Ushqejnë shpirtin e tyre me vargjet e Rizah Bllacës, me këngët e tij, që jehojnë odë në odë, fshat në fshat, krahinë në krahinë, brez pas brezi qysh prej afro një shekulli.
Por derisa Rizah Bllaca është njëri ndër shtyllat e fuqishme që mbajnë krenare Bllacën, ne do të përshkruajmë shkurtazi jetën e tij, pasi vepra e tij është e mirënjohur dhe nuk ka monografi që e përfshin brenda kapakëve të saj. Janë mbi njëzët mijë vargje rapsodike që përbëjnë veprën e Rizah Bllacës, vepër tashmë e njohur, e studiuar, e botuar, e cila prej vitesh është në dispozicion të njerëzve.
Rizah Selim Bllaca u lind me 6 nëntor 1918 në fshatin Bllacë dhe vdiq me 28 maj 1988, në Shtimje. Gjithë jetën e tij ia përkushtoi këngës. U rrit e u brumos me shqiptari në odat e burrave. I kudondodhur e i përherëndodhur pranë Ramë Bllacës dhe burrave të tjerë me emër të Bllacës e rrethinave të saj. I angazhuar si njeri e artist, ai për çdo ngjarje sherbeu si kronikan i parë, si përcjellës i parë, si përhapës e ndikues i parë. I ra të jetonte kohë të atilla historike që për seriozitetin me të cilin i shënoi ato dhe bëmat e njerëzve, Rizah Bllaca mbetet pikë referimi për ata që duan të njohin ata njerëz e ato bëma. Ose më saktë, është e pamundur ta anashkalosh Rizah Bllacën, kur kërkon të studiosh një ngjarje apo një figurë me emër, që ka ndodhur apo jetuar në kohën e Rizah Bllacës. Sepse, siç thotë dr. Sadri Fetiu, “… ai ishte rapsodi më i madh i kohës së tij” dhe rapsodët janë pasqyruesit e parë të historisë.
Mjeshtër i madh i interpretimit të eposit legjendar të kreshnikëve; origjinal e i papërsëritshëm në krijimin e interpretimin e baladës popullore, skrupuloz në krijimin e interpretimin e këngës historike, i magjishëm në përcjelljen e lirikës popullore. Kështu është ngulitur dhe kështu do të rrojë në kujtesën e brezave Rizah Bllaca.
Në ndriçimin e portretit të këtij rapsodi të përmasave kombëtare, na ndihmon përcaktimi i dr. Sadri Fetiut : ” Rizah Bllaca e kultivoi me shumë kujdes këngën historike, duke shquar në të rolin patriotik. Ndryshe nga shumë këngëtarë të tjerë, në variantet e këngëve historike të kënduara prej tij, ai diti t’i ruajë përmasat realiste të ngjarjeve historike brenda paraqitjeve fort të bukura poetike të veprimeve burrërore dhe portretizimeve të figurave të shquara atdhetare. Në këngën e tij shquhet çdo herë virtyti njerzor, qëndresa, trimëria, besa e burrëria e heronjve. Edhe përmasat hiperbolike në situata të caktuara ai i përdor në funksionin e mirëfilltë poetik, e jo për të krijuar figura tipike legjendare, pa depërtuar thellë në shpirtin e shqetësuar njerëzor. Edhe në këngën historike të kënduar nga ai para heroit, trimit, atdhetarit, është njeriu dhe bota e pasur shpirtërore, virtytet që e stolisin karakterin e atij që e ka merituar të jetë hero i këngës.”. Rizai, bir i një familje të varfër, trashëgoi nga i ati që ishte mjeshtër i gdhendjes në dru, shpirtin e artistit. Nuk iu kushtua profesionit të të atit, por iu përkushtua këngës, krijimit dhe interpretimit mjeshtëror të saj.
Talenti i Rizah Bllacës nuk u kultivua në një truall djerrë. Ai mbart mbi vete vlerat më të mira të paraardhësve e bashkëkohësve, prej të cilëve mësoi shumë. Është i njohur ndikimi që kanë patur në formimin e rapsodit Rizah Bllaca rapsodët e tjerë, si Bajram Sadiku dhe Ali Paci, i famshmi Nez Tafa etj. Ai megjithëse ishte interpretues i paarritshëm i këngës , për një kohë ka kënduar me vëllezërit e tij Rifat e Murat Bllacën dhe me rapsodët e mirënjohur Salih e Feriz Krasniqin, Rrahman e Osman Tafollin, Selman Balajn, Bajrush Dodën, Adil Cenën, Mehmet Rukiqin, Ilmi Petreshticën. Shumë ka interpretuar melodi orkestrale me instrumentistin e njohur Beqir Prelezin.
Si fati i çdo artisti në hapësirat tona, në ato kohë me re të zeza, edhe Rizah Bllaca nuk e nxjerr dot bukën e gojës me këngë. Ai shpërngulet prej Bllace, të cilës i kishte falë shpirtin dhe vendoset në Ferizaj për të mbijetuar.
” … duhet të jesh talent i rrallë poetik në rangun homerik, që t’i dish e t’i këndosh më shumë se njëzet mijë vargje pa ditur shkrim dhe lexim.” – përcakton dr. Sadri Fetiu tek shprehet për Rizah Bllacën. Dhe më tej dr. Fetiu, duke e vlerësuar këtë rapsod, shkruan : ” Në ndonjë rast, poezia e rikrijuar nga ai ( Rizah Bllaca ) mund të matet si vlerë estetike madje edhe me këngët e Lahutës së Malësisë së Gjegj Fishtës “.
Janë pikërisht këto vlera të krijimtarisë së rapsodit Rizah Bllaca, që e kanë bërë objekt të rëndësishëm të punës së tyre Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Instituti i Kulturës Popullore të Tiranës. Gjithë krijimtaria e Rizah Bllacës është e mbledhur dhe e sistemuar. Por edhe është e studiuar. Janë të shumtë autorët me emër të shkencës shqiptare, që janë marrë me evidentimin e vlerave të krijimtarisë së tij, si prof. Anton Çeta, etnomuzikologët Bahtir Sheholli e dr. Rexhep Munishi, dr. Rustem Berisha, dr. Enver Mehmeti, dr. Mehmet Rukiqi, profesor Shyqri Galica, Rexhep Rifati, si dhe regjistruesi i apasionuar Adem Borovci që me shpirt e pasion të veçantë regjistroi me magnetofon këngët e Rizah Bllacës.
Siç pohojnë studiuesit e krijimtarisë së tij, Rizah Bllaca nuk preferonte të këndonte këngë trimërie që trajtonin temën e hakmarrjes dhe hasmërive. I përcaktuar drejt intuitivisht, ai arrinte ta kuptonte se çfarë plage ishte në jetën e shqiptarëve gjakmarrja, pasi askush nuk mund ta kundërshtojë tezën se hakmarrja ndër shqiptarët nuk inspirohet e stimulohet nga armiqtë e shqiptarëve. Çdo këngë e Rizah Bllacës ishte ftesë për paqe, harmoni e pajtim mes shqiptarëve. Se artisti i madh e ndjente se s’kemi arsye të luftojmë e të vritemi ndër veti kur po na vret boll serbi e kur mund të bashkohemi për t’u mbrojtur prej serbëve që mbillnin për çarje kudo e kurdo, në zbatim të strategjive e elaborateve të tyre.
Në këto pak rreshta që po shkruajmë për Rizah Bllacën, nuk mund të mos vemë në dukje një parim të tij, një vendim të tij. Ai nuk kishte qejf të këndonte këngë për historitë e Luftës së Dytë Botërore. Pse ? Mendoj se arsyet janë të kuptueshme dhe s’duhet të lodhemi t’i shpjegojmë. Plagët e tragjeditë e asaj lufte dhe asaj paslufte do të duhen shekuj që të shërohen. Ndaj dhe artisti i lidhur fort me fatet e popullit e të kombit të tij, nuk mund të gabonte, nuk mund të shtirej, nuk mund të mashtronte vetën dhe adhuruesit e tij. Përkundrazi me heshtjen e tij për atë periudhë historike, me pamundësinë për shkaqe të njohura për të kënduar e folur për atë periudhë, ai ndihmonte për mosmashtrimin e njerëzve, ai arrinte të mbetej i lartë si njeri e si artist, arriti të mbetej shqiptar i adhuruar prej shqiptarëve. Nuk mund të ishte hipokrit e i pandershëm, që të bënte lavde, siç u interesonte shtetarëve, për atë periudhë historike kur u shuan shqiptarët në luftë për interesa të huaja, kur u shuan e u shfarosën shqiptarët në Tivar po për interesa të huaja e antishqiptare. Duke mos mundur të këndojë ashtu siç ia donte shpirti, për të vërtetën historike siç ishte pas kësaj lufte, Rizah Bllaca këndonte këngët e hershme, evokonte lavdinë e dikurshme të shqiptarëve, trimëritë e qëndresën e dikurshme për të mbajtur gjallë qëndresën shqiptare pas kësaj lufte, për të mëkuar gjeneratat e reja shqiptare me atdhetarizëm, për të mbajtur ndezur krenarinë e shqiptarëve e për t’i shërbyer ardhmërisë së Kosovës shqiptare. Parë në këtë aspekt, nuk do ta tepronim po të shpreheshim se Rizah Bllaca shërbeu si rilindas për kombin shqiptar, si rilindasit e fundit. Gjithë jeta e tij, vepra e tij, pati një moto që e përshkroi si fill i ndritshëm – ndezjen dhe mbajtjen gjallë të shqiptarisë ndër shqiptarë.
E thamë në krye të herës, se sado të shkruajmë e flasim ne, më mirë sesa ka krijuar, kënduar e folur vetë Rizah Bllaca nuk mund ta bëjmë. Gjithashtu edhe objekt i punës sonë nuk është udhëtimi nëpër krijimtarinë e tij apo analiza e asaj krijimtarie. Objekt i punës sonë është vetëm shënimi i Rizah Bllacës. Dhe këtë po e vijojmë me një fragment të shkurtër nga krijimtaria e tij. Gjithësesi me mendimin se e plotësojmë portretin e tij, të kohës së tij, të Bllacës e të Kosovës së tij. Dhe fragmentin do ta shkëpusim nga kënga e tij për Ramë Bllacën:
Më sipër nxorëm në pah dy anë madhështore të personalitetit të Rizah Bllacës: talentin e tij të rrallë për krijimin e këngëve popullore dhe interpretimin mjeshtëror të tyre, si dhe të këngëve popullore në tërësi, me sharki . Ndërkohë do të ndalemi shkurtimisht dhe në një anë tjetër të spikatur dhe pak të njohur të figurës së tij. Riza Bllaca ka qenë dhe një personalitet i shquar e humorit popullor. Pikërisht këtë aspekt nxjerr në dritë ky libër, falë ndihmës bujare që më kanë dhënë bashkëkohësit, miqtë e shokët e tij, të cilët i kanë ruajtur ato në kujtesë dhe m’i kanë treguar me respekt për autorin e tyre. Kështu ai del para lexuesit si protagonist kryesor i 114 anektodave humoristike.
Dhe humori shpreh shkallën e lartë të zgjuarësisë së njeriut, shpreh të menduarit alegorik, emancipimin shpirtëror të tij. Rizahu portretizohet në këto anektoda si personazh me ndjenja të holla komike. Humori i tij është spontan, i shëndetshëm e tërheqës. Ai buron e rrjedh natyrshëm. Rizahu, improvizon situata komike të këndshme edhe nga gjendje a veprime të zakonshme, si në anektodat: Qe qysh derdhet thesi, babë ; Mos të ngutet treni; Spiuni ik i turpnuem; Ma mirë mos u kqyr në atë pasqyrë.
Talenti i tij humoristik shfaqet dhe në anektodat në të cilat vë në lojë përfaqësuesit e pushtuesit serbë e ua hedh me alegori të hollë, duke i bërë disa prej tyre edhe ta duartrokasin këngët e tij, si në ndodhitë: Dathë…deshë …mozomakeq; Radovani uron; Udbashët rrehin shplakë. Me gjetje të bukura humoristike ai fshikullon mendimet komike të hoxhëve për botën tjetër në anektodat e këndshme: S’ka ndie kur a kanë gjallë, jo po të ndie tash i dekun; Pema e botës tjetër; Gastaret e rakisë në botën tjetër. Në anektodat: A e paska ndrrue vorrin babgjyshi?; Po e lypni edhe erën me na kajtë nanën? Këshilla e hoxhës për gruen në pleh, Bllaca gjen dhe pyetje të zgjuara për për ta kthyer një gjendje të zakonshme në situatë komike apo për ta zgjidhur atë.
Në një numër të kosiderueshëm anektodash të këtij libri Riza Bllaca është vetë objekt humori. Madje me veprimet e tij, bëhet në to figurë komike. Kështu, kur ka qenë i ri, trembet në oborr të shtëpisë së vet nga befasia që i sajon i ati për ta provuar nëse ishte burrëruar për martesë. Një herë tjetër kur po kthehej prej pylli me dru, e sheh nënën e tij nga larg, e pandeh për xhandar e ia mbath përsëri në pyll. Një herë tjetë r, kur i ati e porosit të lidhë qenin se po i ha mysafirë t, ai e lidh një dele të bardhë në vend të tij. Një herë tjetër I ngacmon mësueset e u thotë: A po i bani orët me mue? po ato ia kthejnë me shpoti: I kemi ba me do mësues të rij.
Gjithsesi këto anektoda nuk errësojnë figurën e tij artistike, përkundrazi e bëjnë atë jetë sore e realiste. /Trungu & InforCulture