Një përshkrim interesant i një prej momenteve më kyçe në historinë e Shqipërisë, menjëherë pas Kongresit të Berlinit. Bota.al ju sjell një prej analizave të bëra nga reporteri i New York Times në Maj 1880. Eshtë momenti i kryengritjeve në veri të Shqipërisë, kundër një prej vendimeve më të padrejta që janë marrë nga fuqitë, shkëputjen e Plavës dhe Gucisë. Me një penë dhe ironi therëse, gazetari përshkruan injorancën e “diplomatëve të plotfuqishëm” të të gjitha palëve dhe pasojat që do të sillte…
Paris, 14 Maj 1880 – Mendoj se kutia është hapur; shqiptarët kanë shpallur pavarësinë, e gjithë popullsia ka rrëmbyer armët për t’i rezistuar aneksimit, dhe trupat turke të dërguara për të ruajtur rendin mes shqiptarëve, kanë kaluar në shërbim të Lidhjes Shqiptare.
Kjo është situata në këtë moment. Eshtë ajo që çdokush që kishte sadopak njohuri për këtë vend kishte pritur se do të ndodhte një ditë, që nga momenti i firmosjes së marrëveshjes së Shën Stefanit, dhe nëse shpërthimi u vonua deri në 1880, në vend që të ndodhte në 1879, kjo është thjesht sepse shtyrja në kohë u voliste pikëpamjeve të nxitësve së saj.
Unë kam bërë thjesht thirrje për vëmendje ndaj Lidhjes Shqiptare, e cila lindi në prag të luftës së vitit 1877. Bërthama e saj ishin të gjithë elementet e pakënaqura të Perandorisë Otomane. Objektivi i saj ishte fillimisht, rezistenca ndaj aneksimit prej Perandorisë Ruse. Pati kryengritje në Maqedoni, konflikte bandash të izoluara në Hajduk, ndonjëherë me ushtarë turq, më shpesh me ushtarë rusë. Asnjëherë nuk ishin fort të rëndësishme, por të mjaftueshme për të mbajtur gjallë acarimin.
Në Londër, agjentët e Carit u akuzuan se po bëheshin nxitës; në Petërsburg, Lordi Beaconsfield u tregua me gisht si pala fajtore. Por u morr lehtë nga shtypi evropian, si edhe nga diplomatët evropianë. Të dy këta ishin thellësisht injorantë mbi gjithçka të lidhur me aspiratat e një race shumë fisnike, e cila ka gëzuar një lloj gjysmë-autonomie prej shekujsh.
Kongresi i Berlinit u mblodh dhe “zgjidhi”, për kënaqësinë e vet, të gjithë çështjen lindore. Pretendimet e grekëve për një shtyrje të kufijve për të cilët nuk kishin shtënë kurrë as edhe një armë, as kishin shpenzuar qoftë edhe një dhrahmi, dhe ato të hebrenjve të pasur rumunë për të drejtën e nënshtetësisë, u hodhën poshtë nga Waddingtoni i madh, dhe u mbështetën nga kolegët e tij.
Serbia, e cila iu bashkua luftimeve kur i gjithë rreziku kishte kaluar dhe i dha një shkelm bythëve luanit që po ngordhte, mori një goxha copë prej tortës turke, dhe Malit të Zi iu dhanë siguri se territori i tij do të zgjerohej. Mirë, jo keq. Në letër, marrëveshjet dukeshin të bukura, dhe Portës së Lartë iu bë thirrje të bëhej gati të evakuohej, në pritje të zotërve të rinj.
Por Porta e Lartë nuk e ka kurrë me ngut, për asgjë. Politika fabiane ka patur gjithmonë sukses në Kostandinopojë, dhe nuk kishte arsye të supozohej se nuk do të kishte sukses edhe këtë herë, dhe Osmanllinjtë rrinin e vështronin me vetëkënaqësi, të bindur se rrethanat do të tregonin se sa budallenj janë diplomatët perëndimorë.
Sigurisht, ata do të dërgonin delegatë për të biseduar me delegatët grekë. Ata ishin të sigurt se këta ambasadorë të plotfuqishëm nuk do të binin dakord, dhe kur shpërtheu zënka në konferencën e Volosit, ata ishin goxha të gatshëm të vijonin negociatat në Stamboll, aty ku mosmarrëveshjet për çdo pikë të rëndësishme ishin të sigurta, që përpara se Komisionerët të shkëmbenin qoftë edhe një fjalë.
Porta e Lartë nuk kishte një plan të fiksuar për këtë shtyrje në kohë. Ajo nuk ka asnjëherë një plan të fiksuar. Gjithçka që ajo bën, në çdo kohë, është që të shtyjë sa më shumë orën e sqarimit dhe të vërtetës, me parimin se askush nuk e di se çfarë do të sjellë e nesërmja.
E vetmja gjë mbi të cilën u mor vendim ishte që të mos bëhej asgjë, deri kur dikush tjetër të premtonte se do të paguante shpenzimet. Kaq për Turqinë, dhe për aq sa toka e debatueshme apo e debatuar ka qenë provincë e Turqisë, unë e kuptoj se ka arsye për të marrë në konsideratë mendimin e turqve.
Kongresi ka vendosur t’u japë dy rajone malazezëve: Plavën dhe Gucinë, të cilat edhe pse të pavlera në çdo kuptim tjetër, kanë një vlerë të madhe strategjikisht. Ndërkohë që as Gucia dhe as Plava nuk gjenden në ndonjë hartë të zakonshme, supozohet që diplomatët as nuk e kishin idenë për pozicionin e tyre gjeografik, dhe ua dhuruan ato bijve të Maleve të Zeza, siç do të kishin dhuruar cilatdo rajone të ngjashme, për miqtë e ambasadorëve të plotfuqishëm rusë.
Kur unë fola për injorancën e të plotfuqishmëve, u referohesha zotërinjve në brigjet e Nevas, të cilët janë përsosmërisht të ditur, kur flitet për gjithçka në fqinjësinë e tyre. Por po kështu janë edhe austriakët, dhe nuk pati as edhe një kundërshti të vetme nga përfaqësuesit e tyre, për një lëshim që më pas mund t’u hapë telashe, nëse do të vendosnin ndonjëherë të marshonin deri në Selanik. Por austriakët nuk u dëgjuan. Jepuni malazezëve Plavën dhe Gucinë, thanë “të mençurit” e tjerë. Pse ju bëhet vonë për këtë rrip toke, që nuk prodhon asgjë përveç ferrave dhe barishteve?
Ju do të keni Bosnjen dhe Hercegovinën – me po kaq ferra dhe barishte – dhe trupat ushtarake si tuajat nuk kanë arsye t’ia kenë frikën një ushtrie si ajo që mund të mbledhë Princi Nikita.
Austria pranoi, sepse nuk mund të mos e bënte, por duke parë që eksperiencat e saj të para në provincat e gjysmë-aneksuara nuk ishin aspak inkurajuese, ajo nuk u përpoq të shkojë në lindje të Novi Pazarit, dhe pasi kishte siguruar komunikimet e veta, në fund pranoi.
Këtu situata nis të bëhet e përzierë. A ishte Austria që donte të parandalonte pushtimin e dy provincave, që më pas mund të bëheshin të rrezikshme për operacionet e saj, apo ishte Italia që, e zemëruar prej përjashtimit që i ishte bërë nga lista e atyre që kishin marrë kompensime në Lindje, donte një pretekst për të ndërhyrë në transAdriatik? Asnjë qenie njerëzore, sado e mençur, nuk mund t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve.
Në çdo rast, kur malazezët u nisën për të marrë dhuratat, shqiptarët lëvizën për të penguar hyrjen e tyre. U derdh gjak. Nuk ka rëndësi kush fitoi, pushtimi u shty dhe Konti Corti, ambasadori italian, në emër të qeverisë propozoi një kompromis. Porta e Lartë nisi të bëjë Pazar, por në fund pranoi. Gucia dhe Plava u braktisën në banorët e tyre interesantë, dhe një copëz tjetër toke u dhurua në vend të tyre. Marrëveshja u firmos dhe Evropa nisi të brohorasë, pasi pena u shfaq edhe një herë më e fortë se shpata.
Porta ka qëllimet më të mira, shkroi ambasadori, ajo dëshiron që të pajtohet me dëshirat e Fuqive. Kështu dukej. Ajo tregoi një zell të madh, aq të madh sa që pa u tharë mirë boja e marrëveshjes, Hafiz Pasha largoi të gjitha trupat e tij, duke lejuar forcat e Lidhjes të futeshin dhe të zinin pozicione, me qëllim që kur të mbërrinin forcat malazeze, ato do e gjejnë vendin në zotërim jo të shtatë, por një legjioni djajsh, të cilët propozojnë të qëndrojnë aty sa të duan.
Na vjen shumë keq që Gjenerali ynë bëri një gabim të tillë, iu përgjigj porta një telegrami të përbashkët të Fuqive, i cili i thoshte se një gjë e tillë nuk duhej të ndodhte, se nëse ka luftime që duhen bërë kundër kryengritësve shqiptarë, duhet të jetë Turqia dhe jo Mali i Zi që duhet ta mbajë barrën. Ne ndjehemi të keqardhur për budallallëkun e Pashait, kemi vendosur një Pasha tjetër në vendin e tij. Do bëjmë ç’të mundemi për të bindur rebelët që të kthehen të qetë në shtëpi. Do të dërgojmë madje përforcime në garrisonet tona në veri të Shqipërisë, nëse Evropa do të na paguajë shpenzimet, sepse nuk kemi asnjë dyshkë. Por ne mendojmë që është detyra jonë t’i kujtojmë Evropës se dyshojmë që do të mundemi të bindim ushtarët tanë që të sulmojnë shqiptarët, ndaj na vjen keq të themi se nuk kemi shumë çfarë të bëjmë.
Kjo ishte situata në pjesën e parë të majit. Pas zërave të shumtë për shpalljen formale të pavarësisë nga ana e shqiptarëve, e cila tashmë është konfirmuar me detaje, dhe po ashtu edhe është mohuar, është e pamundur të mohohet se situata është bërë jashtëzakonisht delikate. Shkodra është në duart e kryengritësve. Nuk kemi dëgjuar për teprime të asnjë lloji. Gjithçka është bërë ligjshmërisht, me qëllimin për të siguruar një ekzistencë autonome të ngjashme me atë të fqinjëve në Gadishullin e Ballkanit.
Çfarë pritet të ndodhë?
FUNDI I PJESËS SË PARË
The New York Times, Nr 30 Maj 1880 – Në shqip nga bota.al