Nga: Diana Alqi Kristo

Me një mjeshtër të gjuhës e letërsisë angleze si dhe të letërsisë botërore iu desh të ndeshej Nolit përkthyes qysh më 1916 kur përktheu Othellon dhe përsëri më vonë, më 1926 kur shohin dritën e botimit tri tragjeditë e tjera. Ndërkohë, Noli, i cili kishte mbërritur në SHBA më 1906 “kishte ndjekur shkollat e natës për të perfeksionuar gjuhën (52) dhe më 1912 ishte diplomuar nga Universiteti i Harvardit, dega e arteve, me sukses të shkëlqyer (cum laude). Pra kur nisi përkthimin e Shekspirit, ai kishte një zotërim të mirë të anglishtes. Megjithatë, kushdo e kupton se kur filloi përkthimin e kryeveprave të Shekspirit, Noli ka ndeshur probleme gjuhësore tepër të vështira, të cilat edhe vetë i ve në dukje kur shkruan në parathënien e Othellos “mburrem që munda ta përkthej.” Ku qëndrojnë disa nga këto vështirësi?

 

Së pari, çdo gjuhë ka një përcaktues kohor. Asnjë formë semantike nuk është jashtëkohore. Një tekst është i kufizuar në një kohë historike specifike; ai ka atë që linguistët e quajnë strukturë diakronike. Ta përkthesh tekstin e dhënë do të thotë të rikrijosh të gjitha vlerat, ose pothuajse të gjitha vlerat (këtu kemi parasysh rastet e papërkthyeshmërisë) dhe qëllimet e shprehura në të, në gjuhën marrëse bashkëkohore, pra në strukturën sinkronike.

Nga pikëpamja e teorisë së përkthimit, dallimi midis krahasimit sinkronik dhe diakronik nuk luan rol. “Përkthimi mund të kryhet midis çdo lloj gjuhësh apo dialektesh, të cilët mund të kenë ose jo ‘lidhje’ dhe që janë në çdo lloj marrëdhënieje hapësinore, kohore, sociale, etj., midis tyre.” (70)

Në kohën kur përktheu Noli, kishin kaluar më tepër se 300 vjet nga koha kur Shekspiri shkroi kryeveprat e veta dhe gjuha angleze kishte pësuar ndryshime; po kështu kishin ndryshuar edhe spektatorët, teatrot, aktorët, lexuesit, mënyrat e tyre të të menduarit dhe ndjenjat e tyre. Koha, që mbulon me tisin e mjegullës çdo gjë, kishte zbehur edhe pasqyrën shekspiriane të jetës. Për përkthyesin, problemet lindin qysh me fjalët e para. Fjalët në vetvete, rrallë kanë shenja të jashtme që të na tregojnë për ndryshimin e kuptimit, ato e shfaqin historinë e tyre vetëm në një kontekst të dhënë. Në librin e tij Eksperienca e të Huajit, Antonie Berman diskuton kompleksitetin e përkthimit të teksteve nga periudha të ndryshme historike, duke theksuar faktin se përkthyesi duhet të jetë i ndërgjegjshëm si për kontekstin historik të tekstit dhe gjuhës së burimit me të cilën punon.

 

 

Kur kemi për të përkthyer një tekst historikisht të kaluar, siç është në rastin tonë Shekspiri, përkthyesit i duhet punë e veçantë për të bërë deshifrimin, sepse në shekullin XX presently nuk do të thotë immediately (menjëherë – sot së shpejti) siç donte të thoshte në përgjithësi për Shekspirin, wish nuk do të thotë lust (epsh – sot dëshirë); apo rage nuk do të thotë folly (zemërim – sot budallallëk); silly nuk tregon innocence dhe purity (pafajësi, pastërti, – sot mëndjelehtësi). Sipas Gideon Toury, një studiues i shquar i përkthimit, e mendon këtë të fundit si një akt sinkronik dhe diakronik në të njëjtën kohë, “…përkthimet reflektojnë normat kulturore dhe konvencionet e kohës (sinkroni) por edhe i japin formë evolucionit të gjuhës si dhe praktikave të përkthimit me kalimin e kohës (diakroni).

Përveç dijeve të tij historike e kulturore, përkthyesi i vërtetë e gjen “shpëtimin” edhe në punën e lodhshme por të frytshme me fjalorin (duhet të kihet parasysh se çdo periudhë ka topografinë e vet të veçantë specifike). Përkthyesi nga anglishtja nuk e ka të vështirë të gjejë mjaft fjalorë që i japin një ndihmë të paçmuar në këtë drejtim: që nga Fjalori Anglo-Sakson i Bosuorth-Toller, Fjalori i Anglishtes Mesjetare i Hans Kurath e Sherman Kuhn, Fjalori Etimologjik  i Skeat-it (me burime të pakrahasueshme), fjalorët onomatopeikë e deri tek fjalorët specifikë të gjuhës së Shekspirit. Nuk e dimë se pikërisht cilët fjalorë ka shfrytëzuar Noli, por krahas fjalorëve të shumtë dy gjuhësh apo idiomatikë që gjejmë në bibliotekën e tij personale, gjejmë edhe një botim të vjetër të Etymological Dictionary of the English Language (W. Skeat). Duke u nisur nga fakti se tre përkthimet e tjera Noli i ka bërë në Gjermani, ai nuk mund të mos ketë shfrytëzuar fjalorin Shakespeare Lexicon  botuar aty nga vitit 1909 (po këtë fjalor kemi shfrytëzuar edhe ne, përveç materialeve të tjerë të shumtë ndihmës, për zbërthimin e Shekspirit gjatë analizës).

Një burim i dytë “vështirësie” qëndron në gamën e gjerë të kuptimit të fjalëve e cila nuk shfaqet menjëherë, në poliseminë. Prandaj përkthyesit i duhet ta jetojë “dramën”, të njohë idiomatikën emblematike, filozofike të ndërtuar nga autori, për të matur peshën e fjalëve kyç, që do t’i krijojnë mundësinë e zbërthimit të tekstit. “Vështirësia” këtu është çështje reference. Gjuha na tregon sferat e njohurisë njerëzore apo të kontekstit të veçantë. P.sh., një figurë qendrore në “Hamletin” varet nga vokabulari i industrisë tekstile, mënyrës së ngjyrosjes së leshit (wool-greased or enseamed with hog’s lard over the nasty sty, Hamleti, Akti 3, Skena 4). Pa zbërthyer kuptimin e saj nuk mund të zbërthehet figura. Pothuajse nuk ka asnjë dramë të Shekspirit ku të mos jetë përdorur zhargoni i gjerë i termave muzikore të kohës elizabetiane për të shprehur ide të rëndësishme të veprimtarisë apo të sjelljes njerëzore. Pra siç shihet, aludimet e pafund të Shekspirit janë marrë nga një mori sferash të veprimtarisë njerëzore, që nga detaria e ligji, mjekësia e kopshtaria, gjuetia e magjia, etj. Ndihmën në këtë rast na e japin manualet e ndryshëm mbi këto fusha dhe në veçanti glosarët me të cilët janë pajisur pothuajse gjithë botimet e Shekspirit.

Noli na thotë se si tekst bazë ka përdorur FF[1], por nuk do t’i kenë munguar edhe tekstet me shpjegime, veçanërisht përgatitur nga gjermanët për të cilët thotë se “kanë bërë më shumë për Shekspirin se sa vetë anglezët apo amerikanët”. Kjo shprehje i referohet shpesh George Bernard Shaw-t (me të cilin Noli ka pasur edhe korrespondencë) (duke i hequr apo amerikanët), por dihet se studiues gjermanë si August Wilhelm Schlegel dhe Johan Wolfgang von GOether kanë kontribuar mjaft në studimin dhe vlerësimin e Shekspirit nëpërmjet analizave të hollësishme, përkthimeve dhe eksplorimeve filozofike të veprave të tij.

“Vështirësinë” e tretë na e paraqet hapi i shpejtuar i stilit shekspirian. Në thurjen e ngjeshur të dramës, ku ngjarjet dhe njerëzit lëvizin me shpejtësi (karakteristikë e teatrit të kohës ku skena ishte e ndërtuar ndryshe) ndërtimi sintaksor na paraqitet i ngjeshur. Dy tri fjalë mjaftojnë për të shpalosur një ide të tërë. Në këtë rast pikësimi luan rol vendimtar dhe të debatueshëm njëkohësisht. Ai shënon jo plotësisht, atë çka lihet për t’u nënkuptuar, ndërthurjen, si dhe atë çka kupton përkthyesi në mendjen e tij. Por leximi i vëmendshëm, pak e nga pak “siç e pinë ujin me gllënjka arabët në shkretëtirë ose francezët verën…rresht për rresht e fjalë për fjalë”, na ndihmon që ta “kuptojmë vlerën e plotë të Shekspirit.” (Vladimir Nabokov), t’i hyjmë thellë e ta zbërthejmë idenë që ka dashur të shprehë ai.

Të lexosh Shekspirin, do të thotë të fillosh të përgatitesh për këtë” thotë Steiner. Aq më tepër domethënëse bëhen këto fjalë kur i vihemi punës për ta përkthyer atë. Pra njohja me sfondin historiko-social të kohës në të cilën u shkrua vepra, njohja nga afër me pikëpamjet filozofike, politike, morale, ideo-artistike të autorit në përgjithësi, zbërthimi i parashtrimit të tyre në vepër, si nëpërmjet literaturës kritike ekzistuese ashtu edhe nëpërmjet leximit e rileximit të tekstit, zbërthimi gjuhësor e stilistikor i tij, të gjitha këto pra, përbëjnë detyrat paraprake kryesore dhe më të domosdoshme të përkthyesit.

Dëshmi e kësaj pune të madhe paraprake, të cilën e shohim të realizuar në përkthimet e Nolit, janë si literatura historike e kritike, biografike e etike, ashtu dhe fjalorët dhe glosarët enciklopedikë e komentarët, të cilët i gjejmë me shumicë në bibliotekën e tij personale. N. Jokli dëshmon se kur Noli deshi të përkthejë Faustin në vitet 20, puna e parë që nisi të bëjë qe studimi i literaturës dhe komentarëve mbi kryeveprën e Gëtes.

Të gjitha sa u përmendën më lart janë njëra anë e çështjes. Ana tjetër i përket punës së madhe të përkthyesit me gjuhën amtare, që është edhe mjeti me anë të së cilit do të shprehen mendimet e idetë, forca figurative e stilistike e origjinalit. Në studimin “Gjon Buzuku dhe gjuha e tij” (Vëllimi III, Vepra si përkthim) prof. Eqrem Çabej shkruan se “për të vlerësuar librin si duhet, qoftë si një dokument gjuhësor, qoftë si vepër letrare, duhet nisur nga ky vetë: të shikohet se çfarë ka ditur autori të nxjerrë nga visari i gjuhës amtare, si trajtoi ai me këtë brumë vetjak një lëndë siç është ajo e Dhiatës së Vjetër dhe e së Resë”. Pikërisht duke u nisur nga ky këndvështrim, ne jemi munduar të vëmë në pah, aq sa na e lejonte edhe tema e këtij punimi, veçanësi të gjuhës së Nolit përkthyes, për të parë se si hyn ai në të fshehtat e gjuhës dhe si i shfrytëzon aftësitë shprehëse dhe mjetet e saj krijuese për të rritur bashkëmarrëdhëniet e shqipes me anglishten por gjithmonë duke pasur parasysh pavarësinë e saj në kuadrin e këtyre bashkëmarrëdhënieve.

Nga analiza kemi vërejtur se këtë ai e arriti si nëpërmjet shfrytëzimit të fondit leksikor-frazeologjik popullor (të gurrës popullore), të fondit leksikor që ishte krijuar në fushën e gjuhës së shkrimit, ashtu dhe nëpërmjet përdorimit të produktivitetit fjalëformues dhe kalkimeve gjuhësore për të plotësuar hallkat e zbrazëta në sistem. “Një shqipërim dinjitoz nga dora e një shkrimtari me sedër, siç ishte Noli, kërkonte ndër të tjera, edhe përpjekje të mëdha gjuhësore, për t’i treguar kështu, në radhë të parë, bashkatdhetarëve se gjuha shqipe ishte e aftë “të matej” edhe me gjuhët më të zhvilluara” (A. Karajdgiu). Për këtë qëllim ai punoi me zell si për zbulimin dhe vënien në përdorim të fjalëve ekzistuese edhe në drejtim të dhënies së nuancave të reja kuptimore këtyre fjalëve dhe çka është më e rëndësishme, në krijimin e një numri relativisht të madh të fjalëve të reja, veçanërisht të sferës abstrakte mendore.

Nuk zmadhojmë asgjë sikur të themi se ndër meritat e mëdha gjuhësore të Nolit është edhe krijimi i fjalëve të reja për të plotësuar mungesat e gjuhës shqipe që në atë kohë po bënte hapa përpara drejt plotësimit të kërkesave leksikore dhe stilistikore të përkthimit të veprave klasike nga më të vështirat e botës.

Krijimin e fjalëve të reja nga Noli e kemi parë në dy aspekte kryesore: në atë të formimit të fjalëve të reja mbi bazën e fondit gjuhësor kombëtar (kompozita, fjalë të prejardhura me parashtesa dhe prapashtesa) dhe në atë të huazimeve nga gjuhët e tjera.

Fjalët e krijuara me materialin gjuhësor të shqipes, janë të shumta e të larmishme. Ato janë fjalë të reja, të formuara në bazë të gjedheve fjalëformuese të shqipes popullore, të cilat janë të kuptueshme për lexuesin më të thjeshtë.

Për të dhënë një pasqyrë të kësaj krijimtarie, po riprodhojmë, të ndara sipas grupeve një numër kompozitash, fjalësh të prejardhura me parashtesa dhe prapashtesa, nga më të rëndësishmet, të cilat janë bërë pjesë e fjalorit të shqipes.[2]

Kompozitat

Anijebërës – shipwright Kryemendje – genius
Armëlarë – furbish’d Mendjeshthurur – madness
Atëvrasje – parricide Mjekërthinjur – grizzled
Besëplotë – loyal Rrezekuq – red rays
Faqemvrojtur – tristful visage Rrobë-çjerrë – wild in their attire
Gojëkyçur – tongue-tied Syverbonjës – seeling, blinding
Këmbëngulje – stubborness Shpirtdjall – hellish villain
Kokëtrokë – heavy-headed Zemërdhembje – heart-ache

 

Sikurse shihet nga shembujt e mësipërm, si dhe nga listat e plota në fund të këtij punimi, kompozitat e krijuara dhe të përdorura nga Noli, në shumicën e rasteve, janë përcaktore, që është edhe tipi më prodhimtar në gjuhën shqipe. Prof. Shaban Demiraj dallon dy tipa kompozitash përcaktore te ky autor, të cilat në shumicën dërrmuese të rasteve janë një temëshe, kompozita ku gjymtyra e parë përcakton të dytën (kryemendje –genius, kryeshkak – main motive, kokëthatë-barren, kokëngjeshje – obstinante, rrezekuq-redrays) dhe kompozita ku gjymtura e dytë përcakton të parën (perçeegër-monstruous name, shpirtbrumë – peak, syjeshil – green-eyed, sedërplotë- controversy). Pra të dyja gjymtyrët janë produktive në gjuhën shqipe, cilësi kjo që i jep dorë përkthyesit në formimin e një vargu pa fund kompozitash sipas natyrës së gjuhës dhe krijimin e vargut poetik të ngjeshur me ide ashtu sikurse edhe në origjinal. Ndërlidhja e përshtatshme strukturore u jep kompozitave të Nolit unitet theksi e shqiptimi si një fjalë e vetme, si dhe njësi semantike e morfologjike në fjali. Megjithëse ai i bashkon kompozitat me vijë lidhëse, ne i kopjuam ato pa vijë lidhëse, në bazë të rregullit të drejtshkrimit, gjë që pjesërisht është bërë edhe nga botuesit e mëparshëm. Ky ndryshim është i nevojshëm pasi kompozita na paraqitet e njëfjalëzuar. Përkthyesi e ka përdorur vijën lidhëse i shtytur ndoshta nga rregulli i disa kompozitave angleze si life-rending, thick-lips, etj., ose nga praktika e kohës sepse atë e gjejmë tek Kristoforidhi, për të cilin vija lidhëse është rregull në drejtshkrimin e kompozitave, tek Naimi si p.sh. dhembje-madh, mëshirë-shumë, etj., ndërsa gazeta “Dielli’ e asaj kohe nuk e përdor vijën lidhëse.

Kompozitat e Nolit në përgjithësi nuk janë idiomatike. Bashkimi i dy ose më shumë fjalëve nuk sjell kuptim të pavarur prej tyre, por jep atë kuptim të drejtpërdrejtë që japin fjalët përbërëse.

“Përkthyesit e Homerit në gjuhën angleze, nga Chapman e më parë, kanë imituar epitetet kompozita të origjinalit dhe pjesërisht nëpërmjet këtij kanali, e pjesërisht në saje të kulturës klasike të poetëve tanë, kompozitat e pasura të greqishtes patën influencë të madhe në poezinë angleze”(Daniel Chandler). Shekspiri shkëlqeu në përdorimin e formimin e shumë kompozitave me finesë artistike të tilla si proud-pied April, a heaven-kissing hill, etj. Kjo është një nga arsyet kryesore pse i gjejmë kompozitat me shumicë edhe tek përkthimet e Nolit. Një arsye tjetër është se ato i kanë dhënë dorë në krijimin e vargut të ngjeshur me ide.

Fjalët e prejardhura

Numri më i madh i neologjizmave të krijuara nga Noli me fondin kombëtar, janë fjalët e prejardhura. Këto fjalë i japin gjuhës një kolorit të veçantë origjinal, që së bashku me veçanësi të tjera të gjuhës së tij, përbëjnë atë që tashmë njihet si stili nolian.

Fjalët e prejardhura me parashtesa

Çdëfrim – act of sport Përshpirtore – requiem
Çligjësoj – outlaw Përndezje – distemper
Ishmotër – sometime sister Përnisje – attempt
Mosfjetura – watching Përqyr – audit
Përfundje – conclusion I stërbukur – most beautiful
Përfryrë – bombast Shpëlqej – displease
Zhbetoj – abjure

Fjalët e prejardhura me prapashtesa

Balsamore – balmy Gazmori – merriment
Barkaris – embark Gjemboj – sting
Dallgore – flood, ocean Kremtore – solemn
Derrërisht – swinish Lundërzoj – sail
Dheshmë (i) – earthly Mirësoj – improve
Ferrtë (i) – hellish Nisiot – islander
Fishkëse – wither’d Smirtar – spiteful
Zuzarësi – malleco

Si shihet edhe nga shembujt e mësipërm, Noli përpiqet të krijojë fjalë të sferës abstrakte e ideve, sipas modelit të gjuhës shqipe, një gjuhë e pasur me elementë të jetës materiale e shpirtërore.

Parashtesat dhe prapashtesat e përdorura nga Noli në krijimin e këtyre fjalëve numërohen me dhjetëra, por ne përmendëm këtu vetëm disa prej tyre. Por Noli në këto përkthime ka përdorur edhe shumë fjalë të prejardhura të gjuhës shqipe popullore, fjalë të prejardhura të krijuara nga shkrimtarë të tjerë para tij. Përcaktimi i përpiktë se cilat janë fjalët e prejardhura të krijuara nga Noli, cilat i përkasin fondit popullor dhe cilat janë krijuar nga shkrimtarët e tjerë, kërkon një studim të veçantë që nuk i përket këtij punimi.

Sidoqoftë, përdorimi i gjerë i fjalëve të prejardhura e ka pasuruar gjuhën e përkthyesit dhe i ka dhënë mundësi t’i qëndrojë afër origjinalit. Ne kemi mundur të regjistrojmë rreth 90 fjalë të prejardhura të grupit a) dhe 130 të tjera të grupit c), pra fjalët e krijuara e të përdorura prej tij me anë ndajshtesash në këto katër përkthime arrijnë rreth 220. Megjithatë, në studime më të thella në këtë drejtim, mendojmë se numri do të rritet.

Shumica dërrmuese e parashtesave dhe prapashtesave i përkasin fondit kombëtar të gjuhës shqipe, qofshin këto të gjuhës popullore (ç- , pa-, për-) ashtu edhe të gjuhës së kulturës, krijime të mbështetura në gjuhët e huaja (mi-, nënë-, po+emër abstrakt), ndërsa ndajshtesat e huaja që u janë ngjitur fjalëve shqip, si do ta shohim më poshtë, janë fare të pakta.

Parashtesat dhe prapashtesat ndryshojnë nga njëra tjetra jo vetëm nga vendi që zënë në fillim dhe në fund të rrënjës, por edhe nga funksioni dhe kuptimi që i japin fjalës. Prapashtesa, si një morfemë që zë vend në fund të rrënjës, i jep asaj një kuptim të ri leksiko-gramatikor, madje edhe stilistikor, ndërsa parashtesa, si një morfemë që zë vend në krye të rrënjës, modifikon kuptimin e fjalës dhe nganjëherë, i jep asaj kuptim të kundërt. Këto karakteristika të ndajshtesave që shprehen në gjuhën popullore i gjejmë edhe në neologjizmat e Nolit.

Parashtesat që gjejmë në fjalët e prejardhura të krijuara apo të përdorura nga Noli, janë këto : ç-( çdëfrim); ish- (ishmotër); më-(mëgjunjazi), mos-(mosfjetura); nën- (nënqesh); pa-(pamundur); për-(përgatit); ri-(rindreqje) (kjo është e vetmja parashtesë që kemi hasur); stër-(i stërbukur); z-(zgjeshur); sh-(shburrërroj); zh-(zhbetoj).

Prapashtesat: -ësi (fajësi); -llëk (azganllëk); -të (i befastë); -risht (botërisht); -it (darovit); -nor (dashnor); -ar (detar); -isht (grarisht); -onjës (drithëronjës); -më (i dyshmë); -ëse (folëse); -ak (fluturak); -atë (fushatë); -i (gazmori); -si (gjallësi); -nik (gjysmanik); -tje (këcejtje); -tar (këshilltar); -ore (kremtore); -oj (lartësoj); -zoj (lundërzoj); -os (munxuros); -shëm (i panatyrshëm); -eshë (pëllumbeshë); -uar (i qytetëruar); -atës (strugatës); -ri (shënjtëri); -tirë (shkretëtirë); -im (vjershërim); -imë (vogëlimë); -ris (barkaris); -or (dëshmor); -ushe (djallushe); -aç (frikaç); -esë (ngadhënesë); -ot (nisiot); -me (pritme); -je (rrjedhje); -nkë (rrufjankë); -icë (tokicë).

Siç shihet, në grupin e ndajshtesave, parashtesat janë më të pakta, gjithsej 13, ndërsa prapashtesat arrijnë 42 ose gati katër herë më shumë. Midis të gjitha ndajshtesave gjejmë tri raste hibridesh kur ndajshtesa të marra nga gjuhët e huaja u janë ngjitur fjalëve shqipe, një prapashtesë turke -llëk, e cila është përdorur vetëm një herë, një parashtesë latine ri- e bashkuar me rrënjën shqipe ndreq (rindreq) dhe një prapashtesë sllave icë (tokicë). Me sa duket, në përdorimin e parashtesave dhe prapashtesave, ai e ka plotësuar nevojën me fondin e gjuhës kombëtare dhe nuk ka kërkuar ndihmën e gjuhëve të huaja. Prapashtesa turke –llëk, s’është veç një shkarje, sepse fjala azganllëk është përkthyer më poshtë azganësi.

Huazimet

Admiroj – admire Grimasë – grimace
Aksident – accident Imponoj – impose
Altar – altar Intrigan – intriguer
Ambicioz – ambitious Kurtinë – curtain
Bandit – bandit Parullë-parola (watch word)
Deklaratë – declaration Qashtër (i) – chaste
Dezertoj – desert Rezolutë – resolution
Difekt – defect Sfidoj – defy
Dinjitet – dignity Shpeditë – expedition
Ekzekutoj – execute Vigjëllor – vigilant

Neologjizmat e sjella në gjuhën tonë nga fondi i gjuhëve të huaja, kanë qenë një nevojë e domosdoshme, pra duhet ta shohim si një meritë të përkthyesit, po aq të rëndësishme sa edhe ajo e krijimit të fjalëve me fondin kombëtar. Në përdorimin e huazimeve, Noli në përgjithësi ka ndjekur disa kritere. Disa fjalë ai i ka marrë në nivelin grafologjik sepse ishin të pranueshme në nivelin grafologjik-fonologjik të gjuhës shqipe p.sh. altar, bandit, fatal, favor, funeral, interval, etj. Një numër fjalësh të tjera ai i modifikoi në bazë të rregullave të fonetikës së gjuhës shqipe si dishtelloj, kerubin, i qashtër, skrupull, shpeditë, shkollar, albastër, këshillë, vëngjillë, vigjëllore, birgjërore, vijtore, etj. Foljet në përgjithësi ai i ka përdorur në trajtën fonetike të gjuhës shqipe si atakoj, ekzekutoj, evitoj, fortifikoj, garantoj, imagjinoj, imponoj, kontribuoj, korruptoj, preferoj, etj. Një pjesë tjetër e huazimeve janë të kryqëzuara, të harmonizuara në formën e tyre me atë të fjalëve shqip. Midis shembujve të shumtë të kësaj kategorie, mund të përmendim fjalët deklaratë, dekoratë, delegat, dispozitë, fortesë, imagjinatë, komunikatë, konditë, konsideratë, pozitë, proklamatë, provizor, provokator, rezolutë, s’lutim, shpeditë, spektator, traditë, etj. Në këtë drejtim, Shaban Demiraj vë në dukje së “duke qenë se fjalët e tipit në shqyrtim (është fjala për emrat që mbarojnë me – ion D.K.), në gjuhë të ndryshme përdoren si emra të gjinisë femërore, që tregojnë më fort rezultat veprimi, edhe Noli i përdori si emra femërorë. Për këtë arsye ai e zëvendësoi fundoren –ion me –ë, që është fundorja më e përhapur tek emrat femërorë të shqipes.” (Demiraj)

Pra huazimet nuk janë përdorur në mënyrë mekanike, por janë përshtatur sipas formës fonetike, fonologjike, grafetike, grafologjike, paradigmës ose kuptimit në bazë të rregullave të gjuhës marrëse. Ato janë marrë për arsye se i mungonin gjuhës sonë, janë integruar në sistemin e gjuhës në formë harmonioze, që nuk sjellin asnjë vështirësi dhe elementi i ri është përputhur plotësisht me sistemin e gjuhës sonë. Kjo është arsyeja që një pjesë e mirë e huazimeve të Nolit kanë hyrë në fondin e gjuhës shqipe.

Barbarizmat

Advantë – advantage (dobi) Frankërisht – frankly (shkurt e qartë)
Avar – avaritious (lakmitar) Inklinatë – inclination (prirje)
Bush – bush (kaçubë) Kungjëroj – conjure (ysgt, nxis)
Karnal – carnal (mishëror) Leftenar – lieutenant (toger)
Kastigim – castigation (qortim) Ominoze – portentous (ogurzezë)
Kompas – mute (figurant) Përmetoj – permit (lejoj)
Cirkonstancë – circumstance (rrethanë) Prodige – prodigal (plangprisës, i papërmbajtur)
Digjëroj – digest (tres) Punit – punish (dënoj)
Diskrecion – discretion (urtësi) Rovinë – rovinare (rrënim)
Faca – face (fytyrë)

Sikurse shihet nga shembujt e lartpërmendur si dhe nga lista e plotë e barbarizmave në fund të këtij punimi, përkthyesi nuk i ka respektuar rregullat e huazimit, siç ka vepruar me huazimet e lartpërmendura. Këto fjalë ai i ka marrë nga gjuhët e huaja pa pasur asnjë nevojë për to, sepse për të gjitha ka pasur fjalë shqipe të bukura e të njohura prej tij, dhe ndonëse është përpjekur t’ua zbutë pamjen e huaj dhe t’u japë trajtat e gjuhës amtare, lexuesi ka vështirësi t’i kuptojë dhe populli nuk i ka përvetësuar, sepse nuk i janë dashur, kështu që ato nuk zënë vend në sistemin e gjuhës sonë. Vjen pyetja, pse e ka bërë Noli këtë? Duhet pasur parasysh se në kohën që janë bërë këto përkthime, kishin ndryshuar konceptet gjuhësore të Naimit, Samiut e Kristoforidhit, të cilët ishin përpjekur që t’i zgjidhnin mungesat leksikore të gjuhës sonë brenda përbrenda fondit të saj dhe kishte filluar të përhapej një rrymë e re intelektualiste për ta pasuruar gjuhën me sa më shumë fjalë të huaja (periudha 1912-1944, Sh. D.) Noli, deri në një farë mase, nuk i shpëtoi kësaj rryme. Ai që punonte me gjuhën anglisht, e cila 70% të fjalëve të veta i ka të huajtura nga gjuhët e tjera, ndoshta nuk shihte ndonjë të keqe në pasurimin e gjuhës shqipe me fjalë aksidentale. Prandaj ai “nuk mund t’i shpëtonte kësaj rryme të kohës” (A. Karajdgiu). Për sa u përket fjalëve turqisht e arabisht, me të cilat ishte molepsur gjuha shqipe dhe me të cilat i ka mbushur vjershat e tij origjinale (natyrisht për efekte satire e humori), në përkthimet e Shekspirit është treguar shumë i kursyer. Rrallë tek hasen turqizma dhe ato që hasen, si senet, befa, tabor, etj., janë përdorur për të plotësuar mungesat e gjuhës, sepse këto fjalë, kanë qenë më të kuptueshme për publikun se sa zëvendësimi i tyre me fjalë perëndimore.

Megjithëse barbarizmat në përkthimet e Nolit janë një fakt i pakundërshtueshëm, numri i tyre është relativisht i vogël. Barbarizmat e tij që janë regjistruar në të katër veprat e përkthyera, nuk e arrijnë qindin, që i bie rreth 20 për çdo vepër. Për sa u përket huazimeve në përgjithësi, Noli herë herë i ka shkelur normat, por në analizë të fundit, ai është treguar më shumë purist se dorëlëshuar.

Drejtshkrimi

Në qoftë se drejtshkrimin e Nolit do ta gjykojmë në planin sinkronik, do të gjejmë ndryshime të shumta jo vetëm në çdo faqe, por edhe pothuajse në çdo rresht. Por atë duhet ta gjykojmë në planin diakronik, d.m.th. ta shohim me syrin e kohës në të cilën është shkruar dhe jo ta krahasojmë me drejtshkrimin e sotëm. Që gjatë rilindjes e më tej, koineja letrare jugore përforcoi, plotësoi e zgjeroi më tej tiparet e njësimit të gjuhës së shkrimit. Në kohën kur shkroi Noli, kemi pothuajse të formuar normën njësore të koinesë së jugut. Megjithatë, kur studiojmë gjuhën e tij, nuk mund të mos i vemë re format arkaike që ka pasur gjuha e shkruar e koinesë jugore në atë kohë dhe nuk mund të mos i përmendim ndryshimet e shumta drejtshkrimore që ndajnë dy periudhat.

Noli i përdor shumë apostrofat. Pothuajse në të gjitha fjalët që përfundojnë me zanore dhe pasohen nga një zanore tjetër, qoftë kjo lidhës apo fjalë tjetër, ai e heq zanoren e parë dhe e zëvendëson me apostrof. Ai shkruan m’e vogël, mund’në fund, e marrt’e mira, q’e ka mësuar, mburrj’e zbrazët, t’m’a lanje, do t’t’a thom, nj’a tre togje, koh’e gjyqit, an’ e mba’në, zotërinjt’ e mi, n’arrati, t’an’e saj, ng’an’e veshit, mjer’ay, mënj’anë, etj. Rreshtat e tij janë të mbushur me apostrofe që ndjekin njeri tjetrin. Edhe trajtat m’a, t’a, t’i, ai i shkuran me apostrof. Shumë fjalë të drejtshkrimit të vjetër duken anakronike për lexuesit e sotëm. Kështu p.sh., Noli shkruan njerës, theori, pllane, luftare, thom, munt, ment, shigur, shqoj, i nderçim, funt, liksht,  nukë, balla, arthtë, sonde, dolla, urdhërë, i kottë, të ratë, rezik, patmë, kujdese, ay, përgjakshim, rop, trek, tjatri, këputhra, pralla, tent, farmaq, mëngjest, lint, etj. Një pjesë të madhe të fjalëve që drejtshkrimi ynë i shkruan me sh, Noli i ka shkurar me ç, si çpërblen, i nderçim, i çkoqur, i përnderçim, çpagoj, çmuar, çnderoj, çpojtje, munç, etj. Një sërë foljesh të kohës së tashme e të pakryer që mbarojnë me j, Noli i shkruan sipas dialektit toskë të asaj kohe me nj, si bënja, sqonj, shkonj, guzonj, tregonj, mundonj, vinj, etj. Gjithashtu Noli e përdor shumë vijën lidhëse. Kështu p.sh., ai shkruan krye-unjur, gojë-ndyrë, sqoj-e, ndiz-i, lësho-i, mërzit-e, u-sqo, ime-bijë, jote-bijë, im-zot, beso-më, im-vëlla, me-zi, u-nis, u-poq/u-bë, shpjer-i, thua-na, im-më, përdor-e, çaj-i, sill-i, etj. Mbaresën –i të foljeve të zgjedhimit të parë, në të kryerën e thjeshtë e jep me -nj, sipas parimit fonetik, ashtu si edhe autorë të tjerë para tij, p.sh., tradhtoj për tradhtoi, çpagoj për shpagoi, përhiroj për përhiroi, fitoj për fitoi, etj.[3]

Natyrisht, në rrethanat e kohës kur shkruan Noli, ishte objektivisht e pamundur që ai të shmangte trajtat me karakter dialektor. Kështu p.sh., ai shkruan çlironjës, i panatyrtë, i pashpirtmë, shpërblerë, i zakontë, i armatisur, i shpejtmë, u poqnë, shpeditë, thirmë, mbetmë, shkelë, dyke mejtuar, etj.

Të gjithë shembujt e lartpërmendur nuk tregojnë aspak dobësitë drejtshkrimore të përkthyesit tonë, por zhvillimin e natyrshëm të gjuhës shqipe. Madje mund të themi se në krahasim me autorë të tjerë të kohës së tij, Noli përdori “një drejtshkrim sa më të qëndrueshëm dhe forma gramatikore sa më të përbashkëta duke i dhënë gjuhës së tij një karakter sa më të njësuar” (Sh. Demiraj). Pra gjuha e Nolit është më e afërta me shqipen e sotme të njësuar. Ndryshimet e drejtshkrimit në krahasim me drejtshkrimin e sotëm të njësuar nuk janë të mëdha dhe mund të zëvendësohen lehtësisht në botimet e ardhshme. Drejtshkrimi i tij praktikisht nuk shkakton ndonjë keqkuptim për lexuesin, as e vështirëson perceptimin e kuptimit, as e dëmton vlerën artistike.

Duke soditur panoramën gjuhësore të Nolit dhe duke e krahasuar atë me gjuhën e pasur me format e ndërlikuara të gjuhës së Shekspirit, studiuesi del me përshtypjen e një beteje të fituar. Kushdo e kupton se kur filloi përkthimin e kryeveprave të Shekspirit, Noli ka ndeshur probleme gjuhësore tepër të vështira. Nga këto katër përkthime të marra në analizë, rezulton se Noli është ndër lëvruesit më në zë të gjuhës shqipe.

Përvoja e pasur gjuhësore e shkrimtarëve të shquar rilindës përpara tij, përrallat, legjendat, këngët popullore që ishin burim i pashtershëm për leksikun e tij dhe që gjejnë pasqyrim të thellë në të shprehurit e mendimeve, e ndjenjave, me një forcë për herë më të madhe, na krijojnë bindjen se përkthyesi zotëronte kulturën humanistike të kohës, bashkuar me një njohje të plotë të ligjërimit të vendit.

Pasurinë e madhe gjuhësore të Shekspirit ai u përpoq të na e jepte nëpërmjet një verbi energjik, e në më të shumtën e rasteve, ia doli mbanë. Për këtë ai bëri edhe një punë të madhe hulumtuese e krijuese në gjetjen e mënyrave dhe mjeteve për pasurimin e saj të mëtejshëm, sidomos me elementë të sferës abstrakte, dhe me këtë i bëri një shërbim të madh gjuhës amtare. Në të njëjtën kohë, ai e vuri gjuhën shqipe në një shkallë të barabartë me gjuhët e zhvilluara të Evropës.

Meritë tjetër e tij është se ai diti të zgjedhë fjalët në një kohë kur, me përjashtim të fjalorit shqip-greqisht të Kristoforidhit, nuk kishte fjalor për të qenë shqip-shqip, ose anglisht-shqip, ose gjuhë e huaj-shqip. Përkthyesi më i thjeshtë e di mirë se ç’do të thotë t’i hysh punës së një përkthimi madhor pa fjalor të gjuhës amtare.

Me gjuhën e tij të pasur, Noli “ka dhënë një kontribut të madh në përmirësimin e frazës shqipe. Ai ka arritur që mendimet dhe ndjenjat  e thella të veprave të përkthyera dhe origjinale, t’i paraqesë me një frazë mjeshtërisht të përpunuar, ku krahas saktësisë dhe larmisë së ndërtimeve sintaksore, bie në sy edhe rrjedhshmëria, edhe eleganca e të shprehurit si dhe përdorimi mjeshtëror i mjeteve të larmishme stilistike” (SH. B.). Përgatitja e tij e thellë estetike e gjuhësore pasurohet me përgatitjen e tij në fushë të stilit, disa elementë të të cilit analizohen në një shkrim tjetër. /Gazeta “ExLibris”/

___________

[1] Tekstet e përfshirë në FF (First Folio, botimi i parë i veprave të Shekspirit ) u përgatitën nga John Heminges dhe Henry Condell (1623), dy figura të shquara të teatrit elizabetian. Kjo përmbledhje pa dritën e botimit shtatë vjet pas vdekjes së Shekspirit dhe shërbeu si “kanuni” i formësimit të letërsisë perëndimore.
[2] Në fund të këtij punimi kemi renditur listat e plota të fjalëve të përbëra e të prejardhura që kemi gjetur në këto përkthime. Përcaktimi se cilat janë të Nolit e cilat të përdorura prej tij, del jashtë kuadrit të këtij punimi. Por të shoqëruara edhe me listat e fjalëve me ngarkesa konotative, frazeologjizmave, barbarizmave dhe arkaizmave, krijojnë një ide të përgjithshme mbi fjalorin e përdorur nga ky përkthyes. Shoqërimi i tyre edhe me ekuivalentin anglisht, është pasqyrë e punës së tij me fjalën.
[3] Të gjithë shembujt e mësipërm janë marrë nga “Tragjedia e Othellos”, shtypur në Boston, Mass, 1916.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here