Përfundimi i shumë figurave të rëndësishme shqiptare, jo gjithmonë ishte nga luftërat me armiqtë apo nga vdekja e natyrshme. Është i pamohueshëm fakti se shumë figura të njohura dhe shumë të rëndëshishme që lanë gjurmë të mëdha në histori, u vranë në rrethana të ndryshme nga vet shqiptarët. Motivet e këtyre vrasjeve të emrave të njohur të historisë shqiptare ishin nga më të ndryshme, që nga motivet e interesave politke, konfliktet fisnore apo klanore e deri tek motivet më të ulta. Një rast i tillë do të mund të ketë qenë edhe vrasja e Ali Pashë Gucisë.

Për Ali Pashë Gucinë tashmë dihet se dorasi ishtë Metë Bali, por poelmika të shumta vazhdojnë edhe sot ndër historianë dhe hulumtues të shumtë të cilët tentojnë që t’i japin një shpjegim më të gjerë për motivin e vrasjes së tij nga Metë Bali. Është shkruar shumë se Ali Pashë Gucia është vra nga Meta i Balit, duke u nxitur nga një tjetër figurë shumë e rëndësishme kombëtare Haxhi Zeka. Këtë gjë e kishte pohuar edhe Tafil Boletini në ‘kujtimet e tij’, madje ai shkon më tej duke e paraqitur Haxhi Zekën si një përqarës të madh në kohën e lëvizjeve kombëtare. Ky pohim nuk u vërtetua asnjëher, por jo pak njerëz mendojnë se kjo nuk është e vërtetë. Ndërsa sipas pasardhësve të Metë Balit kjo gjë nuk është aspak e vërtetë. Ata mohojnë kategorikisht se Haxhi Zeka kishte gisht në vrasjen e Ali Pashë Gucisë.

Në librin e tij ‘’RUGOVË JEHONË BURRËRIE’’ rugovasi prof. Osman Shala ka sjellur rrefime shumë interesante për ngjarjen e vrasjes së Ali Pashë Gucisë. Sipas autorit të librit, rrefimet janë marrë nga vetë pasardhësit e Metë Balit, ku ata kan treguar për ngjarjën duke u bazuar në tregimet e të parëve të tyre.

Më poshtë mund të gjeni një shkëputje prej disa faqesh nga libri i lartëcekur ku është trajtuar në hollësi vrasja e Ali Pashë Gucisë.

PSE E VRAU, ALI PASHË GUCINË, META I BALIT

Gjithë çka di dhe e kam ndigjuar nga më të moçmit tanë, po ua vërtetoj edhe njëherë me dëshmitarë po nga pasardhësit dhe miqtë e shtëpisë së Metë Balit.

I kam zgjedhur tre dëshmitarë që kanë njohuri më të përafërta për, Metën e Balit, dhe vrasjen e, Ali Pashë Gucisë.

Hysen Bajrami Lajçi nga fshati Malaj, pasardhës i vëllezërisë së Metë Balit, në moshën 83 vjeçare, më rrëfen: – “Meta i Balit, i Balë Mahmutit tonë, e vrau Ali Pashë Gucinë, pa dijen e babes, as të dy vëllazne të vet. Po ta dinte i jati, Balë Mahmuti, nuk do ta kishte lënë, Metën, me shkua me e vra Pashën!

Pasardhës të Balë Mahmutit jemi sot dy vëllezëri të mëdha.

Mulla Musën e Strellcit, hoxhë i zoti, imam në Xhaminë e Kuqe, e ka pasë pobratim Meta. Meta shkon të Mulla Musa dhe i thotë: Nuk kam çare pa e vra Pashën ose me e vra vetën, së hallku po bajnë hajgare me mua… Mulla Musa i thotë: me e vra vetën nuk lejon “shërjati”, e me vra Pashën është e rëndë”.

Mulla Musa, shtëpinë e ka pasë nën Mulli të Bekfazlive në Kapeshnicë. Të nesërmen n’atje kur niset për në xhami me e falë “sabahin” Musa, i thotë grues: “Mos ma len Metën me shkua deri të vie unë! E kam pa pramë se nuk e ka mendjen e mirë…! Meta don me dalë për dere, e shoqja e Mulla Musës, Gjyka, bijë Malësie me dru ngrykë me ia dhezë zjarmin n’odë, e ndalë dhe i thotë me e pritë Musën. Musa më ka porosit mos të shkon Meta kah pa ardhë unë prej Xhamie! Kthehet prapë Meta në dhomë, por kjo habitet pas punëve të tjera dhe i del Meta pa e pa. I ka ik dhe e vret Pashën n’Urë të Zallit…

E tradhtoi Pasha dhe e vrau me pushkë, kalli vetëm. Ka dalë kaçak shumë mot në anën e Neqinatit tonë, Malajve, në Prevarë. Në Qafë të  Selimit e ka punua me gurë  vendin ku ka ndej dhe i kemi thënë, Kulla e Metës. Ka ndejt edhe në Shpellë të Paishtës, nën Maje të Fakut! Edhe asaj shpelle i thomë edhe sot, Shpella e Metë Balit. Kur ka dalë me thirrë mome në bjeshkë ka fjetë atë natë aty në një dëbanë, i katundit tone është, nuk po t’ia japi emnin, ia ka heq gjylpanën e pushkës. Kur don me u qua herët prej atij dëbani me u kthye në Malaj, një mashkull don me ia dhanë pushkën e vet Metës, por nuk ia merr, por ia merr pushkën e tij dhe niset për Malaj. Metës ia ka marrë mendja se mos ia kanë ba ndoj sherri. Prita e sigurtë se nuk mund i vret, por as si ta lajmërojnë pritën s’kanë pasë si, së Meta mund t’i vert. Ishte përgatitë për me e vra Metën, Metë i Nila I Nilajve të Shtupeçit të Vogël. Kah kthehet me dalë në Malaj, në She të Prevarës, nga prita në mal, Metë Nila e ka gjuajt pushkë dhe plagoset randë Meta ynë. E ka pa tymin e pushkës nga gjuajtën dhe derisa ishte tue e lidhë plagën me shall, e sheh njërin nga vendi ku duel tymi, kur ngritët me e pa së a u vra, por Meta e gjuen pushkë atë. Ata kanë ikë. Metë Nila, thonë së vetë i treti ka qenë. Qitet potera dhe shkojnë të Meta katundi. E gjëjnë të plagosun rëndë. Kur e pyesin: kush të ka plagosë, ky ju thotë: shkoni në atë vend ku kam gjuajt unë a mos ka mbet kush i vramë? Aty u gjetë i vramë njëri nga shoqëruesit e Metë Nilës dhe u muer vesh kush e vrau Metën e Balit”.

– Pejë, më 14 shkurt 2024.

 

  1. Imer Meta Lajçi, po nga fshati Malaj, në moshën 87 vjeçare, më rrëfen:

“Ma se 10 herë më ka tregua baba im, Metë Hajdari dhe Cufë Sokoli disa herë. E vrau Pashën pse nuk e bani qaush, pasi i premtoi.

Metën me e pa në shtat jo fort i madh, por ka qenë trim i rrallë, na tregojshin pleqtë. Kudo ka shkua me zapti (truproje, xhandar i kohës, vr, ime), Meta është dallua për trimëri dhe i thotë Pasha: ty dua me të ba Qaush! Kur i tregon pasha të shoqes ( Hanmit), ajo ia përqeshë: “mbarre Pashë me ta pa kush, Metën, pas veti!”  Pasha e ndërron mendjen dhe e merr një tjetër. Për këtë e vrau Meta i Balit, Ali Pashë Gucinë. Edhe i meçmi gabon, dajo…!

Para së me dhënë shpirt, Ali Pashë Gucia, ia len amanet shoqes (hanmit) me ia nxjerr gjakun! Hanmi, lira të mëdha i qiti kush t’ma vret Metën dhe dy vjet janë sjell nëpër Rugovë, por nuk duel kush me i marrë me e vra Metën e Balit. Meta del “kaçkin” mos ta nxen pushteti. Pasi duel në mal e nuk mujten me e nxanë, ia shtinë babën në burg, Balë Mahmutin.

Pas sa kohe i duel në pritë të Sheu i Prevarës, Meta i Nilës, nga Shtupeçi i Vogël dhe e vrau Metën e Balit”.

Kur e vranë Metën, i thonë Balit në burg: “Del me shkua të shtëpia!” – A ahah… ma paskan vra Metën…!”

Pyetja ime: Flitet se për gabimin që e ka ba Meta, katundi nuk e kanë shti ndër varre, por larg tyre, a është kjo e vërtetë?

-“Nuk është e vërtetë, që katundi nuk kanë dashtë me e shti ndër vorre, por para se me vdekë vetë Meta ua len amanet, me gojë të vet, gjithë katundit: me vorrosni pas Kodre, jo ndër vorre, së kam qitë pushkë të keqe e sa herë të vijnë njerëzit në vorrime ma shajnë vorrin. Edhe sot e ka vorrin në hymje të katundit, pas Kodre afër një dardhe të vjetër.

Si e tregojnë të moçmit, askush nuk i ka thënë vraje. Meta i thotë, Mulla Musës, se nuk kam qare pa e vra Pashën ose me e vra vetën. Mulla Musa, i ka thënë: – “Me e vra vetën nuk është e lejueme me Sherjat, e me vra Pashën është shumë e rëndë.

Para se me vdek, Metë Bali, ka thënë: “Të fala Rugovës! Kah e kam shkelë me kamë,  e çka ma ka pa syni, i paça n’qafë nëse më ka shti kush. Vetë e vrava, vetë gabova”!

Pejë më 18 janar 2024.

 

  1. Smajl Tahir Kastrati

Për Metën e Balit më rrëfeu edhe miku i familjes së Metë Balit, Smajl Tahiri, i Tahir Isufit të Kastratit, nga Shtupeçi i Vogël:

– “Të gjitha këto që i ndigjova  prej teje, Osman Shala, janë të vërteta dhe topi s’i luan! Të gjitha kështu na i kanë thënë pleqtë tanë. Që kur isha i ri, por edhe tash që jam i vjetër 80 vjeç, gjithçka qe më kanë thënë i kam inçizua në kokën time edhe sot i mbaj mend mirë dhe nuk ta huçi asnjë fjalë! E di mirë ngjarjen e Metës së Balit, se miq i kemi pasë. Gjyshi i babës tim, Haxhi Ali Mustafa, e ka pasë mik Metën e Balit, të Balë Mahmutit të Malajve. Dy motrat e Metë Balit i ka pasë për dy djemë të vet, për Sadik Haxhinë dhe Isuf Haxhinë. Shoqja e Sadikut e ka pasë emnin, Halë, e tjetrës nuk po m’i kujtohet emni…!

Për miqësinë e familjes tonë me Metën e Balit të  tregova, Osman, miku ynë i moçëm, i 150 vjetve, por tash dua ta tregoj një ndodhi të vërtetë të katragjyshit tim, Ali Mustafës:

-Ali Mustafa ka shkua haxhi në Qabe në vitin 1860 dhe nuk është kthye ma, atje ka vdekë. Nuk ka pasë automjete n’atë kohë, por në këmbë e si ka mujt ka mbërri në Qabe. Ali Mustafa ka qenë pasanik i madh me 700 krerë dele, 300 dhi, e shumë lopë dhe kuaj. I ka ndihmua me mallë edhe Ali Pashë Gucisë.

Kur ia ka nxanë oterrgu i borës afër100 copa dhenë në Grykë, të Kërshat e Broqe, Ramë Xhemajlit të Rekë Allagës, tue i zhdjegë në rrapsh së ju kishte sos ushqimi për to, çobatë të mërzitur dhe të lodhur dalin me shtagë krahve në Shtupeç të Vogël te Ali Mustafa, gjyshi i babës tim. Mik shtëpie i kishim dhe ju thotë: mos u mërzitni, së 100 dhenë po ua jepi unë dhe mjelni deri të pjellin! Në pranverë dhetë m’i ktheni pa kingja. Kingjat pa kthim, për binë tonë, që ishte e martueme të ta!

Kur ka dashtë me shkua në Qabe për haxhi, ju ka thënë vëllazne: nuk po dahem, por aq sa më duhen mua për Qabe po i marrë me veti, e tjerat t’u mbesin juve. Nuk e ka shti vetën në hise!”.

Pejë, më 2 shkurt 2024

– Gjithnjë sipas dëshmitarëve të kohës të përcjellur në breza tregojnë së Metë Nila ka qenë vetë i treti në pritë kur e plagosin Metën e Balit dhe kur kthehen në Shtupeç të Vogël, i zoti i shtëpisë i pyet: ku ishit gjithë natën që erdhet kaq herët?  –  Nuk i tregojnë… por kur u merr erë në tyta të pushkëve, pushkës së Metës i vie era barot! Paski vra dikë…?! Merrët vesh kënd e si dhe po atë ditë i ka përzanë prej shtëpie…! Thuhet se Metë Nila ka dal në Turqie dhe atë ditë e sot nuk i dihet adresa…!

Ata që nuk pajtohen me këto të dhëna  faktike, do t’i ngjallin, Ali Pashë Gucinë, Haxhi Zekë Biberin dhe Metën e Balit se do t’ju tregojnë!

Nuk kanë të drejtë morale as njerëzore kur disa e thonë së e vrau Rugova, Ali Pashë Gucinë, kur në luftë ishin rugovasit bashkë me Te dhe miq të pandarë, me krerë e bajraktarë! Dy vite janë lutur rugovasit, fshat për fshat, me lira të mëdha dhe nuk ka dal burrë t’i panoi lirat për ta vrarë mëshullin e vet, Metën e Balit! E vrau Pashën vetë Meta për hesape të veta dhe në fund, para vdekjes e pranon se qiti pushkë të keqe dhe u përbetohet rugovasve se e vrava vetë i vetëm, pa më shti askush!

Rrena i ka këmbët e shkurta ! Por unë po çuditëm, si kaç gjatë nuk është reaguar deri me tani për të gjitha të thënat e pavërteta nga historianët dhe shumë kush tjetër pa e njohur të vërtetën e hidhur të kësaj vrasje!? /Trungu & InforCulture

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here