Dikur shërbeu si vend strehim për nëndetëset, kurse sot një destinacion turistik.

Dera e çeliktë u hap dje për herë të parë pas 32 vitesh.

Bëhet fjalë për portën e tunelit të Porto Palermos.

Hapja e këtij tuneli që në kohën e komunizmit ishte një sekret ushtarak, është hapi i parë i një projekti të Ministrisë së Mbrojtjes për rijetësimin dhe rehabilitimin e të gjithë kompleksit infrastrukturor në Gjirin e Panormës për funksione ushtarake dhe civile.

Hapja e portës prej çeliku të këtij tuneli ujor të veshur me betonarme vuri për herë të parë në lëvizje mekanizmin e saj, pas mbi 3 dekadave mosaktivizim.

Hapja e tunelit u krye nën drejtimin e stafit inxhinierik të batalionit të Xhenios dhe kaloi pa asnjë problem. Ishte vetë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili publikoi pamjet nga hapja e këtij tuneli.

Kreu i qeverisë theksoi se me hapjen e tunelit nënujor të Porto Palermos ka nisur projekti i Ministrisë së Mbrojtjes për ta kthyer Gjirin magjepsës të Panormës në një destinacion të turizmit historik.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, hapi tjetër do të jetë përshtatja joinvazive e objekteve të kompleksit që nuk gëzojnë më funksione ushtarake, me qëllim krijimin e një atraksioni turistik të qëndrueshëm, duke respektuar normat mjedisore dhe duke ofruar kushte sa më të larta sigurie lundrimore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here