Nga: E.E. Cummings

Poet është ai që ndien dhe shpreh ndjenjat e veta përmes fjalëve.

Mund të tingëllojë si diçka e lehtë. Nuk është.

Shumë njerëz mendojnë ose besojnë ose dinë se ndiejnë, por kjo do të thotë të mendosh, të besosh ose të dish; jo të ndiesh. Dhe, poezia është ndjenjë – të mos dish, të mos besosh apo të mos mendosh.

Pothuajse çdokush mund të mësojë të mendojë, të besojë ose të dijë, por asnjë qenie njerëzore nuk mundet të mësojë që të ndiejë. Pse? Sepse sa herë që mendon, beson ose di, ti je goxha si njerëzit e tjerë: por, në momentin që ndien, nuk je askush tjetër përveçse vetja jote.

Të jesh askush përveçse vetja jote në një botë që bën të pamundurën, çdo natë e çdo ditë për të të bërë ty gjithçka tjetër, do të thotë të luftosh betejën më të vështirë të cilën çdo qenie njerëzore ka mundësi të luftojë; dhe, të mos ndalojë kurrë së luftuari.

Sa i përket shprehjes me fjalë askush përveçse vetja jote, kjo do të thotë të punosh pak më shumë seç mund të përfytyrojë secili tjetër i cili nuk është poet. Pse? Sepse asgjë nuk është kaq e lehtë sa t’i përdorësh fjalët si dikush tjetër. Të gjithë ne pikërisht këtë e bëjmë, pothuajse gjatë gjithë kohës, dhe sa herë këtë e bëjmë, nuk jemi poetë.

Nëse në fund të dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjetëve të para të kësaj lufte, pune dhe ndjesie zbulon se e ke shkruar një varg të një poezie, natyrisht se do të jesh me shumë fat.

Dhe, kështu, këshilla ime për të gjithë të rinjtë të cilët dëshirojnë të bëhen poetë, është kjo: bëjë diçka të lehtë, si të mësosh të hedhësh botën në erë – përveç nëse nuk je jo vetëm i gatshëm, por edhe i lumtur të ndiesh, të punosh dhe të luftosh derisa të vdesësh.

A tingëllon si diçka e zymtë? Jo.

Është jeta më e mrekullueshme në tokë.

Ose të paktën kështu e ndiej unë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here