(Disa shënime për përmbledhjen poetike “Kumbime”, përkthyer në shqip nga Irena Dono Jorgaqi)
Dr. ALISA VELAJ
Përmbledhja me poezi “Kumbime”, sjellë me një shqipe gurgulluese, ku rrjedha e mendimeve dhe e imazheve shkrihen me njëra-tjetrën në një simbiozë aq të çlirët e paqtuese, është nga ato përkthime të munguara dhe jo fort të gjendshme në tregun e poezisë së përkthyer në Shqipëri. Irena Dono, përkthyese me një përvojë rreth gjysmëshekullore, ka arritur të na sjellë një mozaik me poezi nga poetë të ndryshëm të botës. Poetët e zgjedhur për përkthim kanë atdhe të përbashkët gjuhën angleze dhe përfshijnë krijues prej gjysmës së dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë deri në vitet shtatëdhjetë të shekullit të njëzetë. Kriteri i vetëm i këtij mozaiku poetik është cilësia e poezisë. Sara Teasdale, James Joyce, Thomas Bailey Aldrich, Stephen Crane, Emily Dickinson, Edna St. Vincent Millay, Christina Georgina Rossetti, Christopher John Brennan, Alice Thompson Meynell, William Blake, William Butler Yeats, Stephen C. Foster, Harold Hart Crane dhe Ella Wheeler Wilcox përfaqësojnë secili një emër shumë të nderuar në gjuhën angleze.
Për lexuesin elitar të gjuhës shqipe, poezia e përkthyer prej Donos, përveç nivelit të njohjes së poetikës të secilit autor, na rikthen edhe njëherë në vëmendje atë çka kemi humbur dhe fituar nga klasikja shpeshherë e harruar e poezisë. Disa prej autorëve kanë qenë figura sunduese të letërsisë amerikane, australiane apo britanike, ndërsa të tjerë janë njohur pak ose aspak gjatë jetës së tyre. Vëmendja ndaj artit të këtyre të fundit ka ngjallur interes pas ikjes në amshim. Rasti më tipik mbetet ai i poetes amerikane Emily Dickinson, e cila gjatë jetës së saj botoi fare pak poezi. Gati e paklasifikueshme në asnjë lloj shkolle letrare, stili i saj sa hermetik, sa imazhinist e sa pragmatist, duke mos i përkitur tërësisht asnjërit prej përcaktimeve të mësipërme, e duke mos përjashtuar krejtësisht asnjërin, i ka shpënë studiuesit amerikanë në përfundime nga më përjashtueset. Të tjerë poetë janë pranuar si korifenj të poezisë prej dekadash, por në kohët moderne të zhvillimeve të çmendura teknologjike duket se janë lënë disi mënjanë nga gjeneratat e reja të lexuesve në të gjithë botën. Padyshim se kjo krizë vlerash e ka prekur dhe lexuesin tonë.
A përkon kjo harresë e klasikes së artit të poezisë me krizën shpirtërore që brezat më të rinj të lexuesve po përjetojnë sot për sot? Pyetja në fakt qëndron jo vetëm për poezinë, por edhe për të tjera arte. Një tjetër pyetje që do ta bënte pak më të kthjellët kuptimin e së parës do të ishte: sa vend ka zbulimi i shpirtërores dhe i së padukshmes që ngjiz të dukshmin realitet tonin në krizën psikologjike, sociale dhe morale që moslexuesit e brezave më të rinj po përjetojnë? Në poezinë “Do të vijnë shirat e butë” të Sara Teasdales, ku kumbon kaq përjashtimor nëntitulli “Kohë lufte”, projektohet një e ardhme ndryshe nga ajo që është duke ndodhur në të tashmen. Poetja kumton: “Do të vijnë shirat e butë dhe aroma e tokës,/Dhe dallëndyshet që rrotullohen me tingullin e tyre drithërues;/Dhe bretkosat në pellgje që këndojnë natën,/ Dhe pemët e kumbullave të egra në bardhësi që luhaten,/ Gushëkuqët do të tregojnë zjarrminë e pendëve,/ Duke cicërirë tërë teka në një gardh të ulët teli;/Dhe asnjë, asnjë për bé nuk do t’ia dijë për luftën;/Do të kujtohen në fund kur të ketë mbaruar”. Poezia duket sikur është shkruar jo më larg se dje. Ditët që po jetojmë janë të tejmbushura me lajme lufte dhe të vrarët e luftës në Ukrainë. Udhët e qyteteve evropiane dhe shqiptare janë të mbushura me njerëz që i kanë ikur një lufte për ta shpëtuar kokën. A nuk bëjmë secili pyetjen e Teasdales: kur do të mbarojë e gjithë kjo? Duam dhe s’duam t’ia dimë për luftën. Duam se gjithçka ndodh para syve tanë, por nuk duam, sepse jemi të lodhur të shohim e dëgjojmë të tjera drama. Ja, pra, që poezia e mirë i tejkalon kohët dhe mbetet aktuale për çdo kohë. Poezia shpëton shpirtrat tanë.
Poezia “Mrekulli” e Aldrich thekson të njëjtën nevojë shpirtërore në vargjet: “Njerëzit i drejtohen Zotit për ndonjë shenjë misterioze,/për yje të tjerë më shumë se sa për shkëlqimin e natës”. Amy Lowell në poezinë “Llamba e jetës” ngulmon në po të njëjtën përmbushje shpirtërore kur shkruan: “Gjithmonë ndjekim një dritë;/Gjithmonë drita mpaket./Verbtazi me duar ne zgjatemi drejt kësaj breroreje, /ndërsa tokat ku udhëtojmë janë mes atyre të fshehura nga shikimi ynë:/të errëta dhe misterioze, të zhytura thellë në terrin e natës”.
Sipas Stan Scottit[1], nëse poezia konceptohet kryesisht si një ofertë e heshtur e fjalës, atëherë pranuesi i saj ndien në mënyra të tjera mesazhin që vjen ndërmjet vargjeve. Kur lexojmë një tekst që zhvillon një vlerë në përvojën shpirtërore dhe përfshin perceptimin shpirtëror të aktit të leximit, atëherë lind brenda nesh një përvojë shpirtërore.1 Përmbledhja me poezi “Kumbime” e zhvillon më së miri përvojën shpirtërore të lexuesit. Përvoja shpirtërore që na ngjizet vetvetiu na e shpërfaq misionin e poezisë në dy drejtime: së pari, funksioni estetik i artit të poezisë; së dyti, funksioni utilitar i artit në shembujt e lartpërmendur (ku estetikja është gjithashtu e përfshirë). Në rastin e parë janë poezitë mbi vdekjen, dashurinë, metafizikën e njohjes së botës etj. Në rastin e dytë janë poezitë e lartpërmendura, të cilat ngjajnë si të jenë shkruar për krizën e sotme të vlerave. Titulli i përmbledhjes poetike fiton një konotacion të veçantë, si në kontekstin e kumbimeve shpirtërore të vargjeve të poetëve, si në mënyrën se si kumbojnë në gjuhën shqipe këto poezi të përkthyera. Gjuha përkthimore tingëllon aq bukur sa, po të mos e dish se nuk janë përkthime, të duket se janë shkruar në shqip.
Përkthimet e vërteta janë një ofertë e heshtur e artit të fjalës. Janë, para së gjithash, mision shpirtëror që nuk mund të përmbushet dot pa mundur të jesh një njohës i shkëlqyer i gjuhës, poezisë e kulturës shqipe. Mandej njohës po aq i mirë i gjuhës, poezisë e kulturës së cilës i përket poeti që do ta sjellësh në gjuhën amtare. Në vitet e tranzicionit të pambarimtë shqiptar, në shumë raste janë ndjekur modele të çuditshme përkthimi. Njerëz që në rastin më fatlum kanë njohur mirë një gjuhë të huaj, por pa qenë njohës të mirë të poezisë e të kulturës së një vendi tjetër, kanë pasur dhe kanë guximin e tepruar për ta quajtur veten përkthyes dhe për të sjellë me një gjuhë shqipe të cunguar, poetë brilantë botërorë. Problemi shumëfishohet kur këto përkthime botohen në gazeta e revista dhe në rastet më flagrante hyjnë në tekstet shkollore. Poezia është nga natyra e saj tepër nazike dhe është përcaktuar gati e papërkthyeshme nga korifenj të të gjitha kohëve. Teksti poetik është ai që dashur padashur humb më shumë se çdo tekst tjetër letrar gjatë kalimit nga një gjuhë në tjetrën. Prandaj ndihemi mirë kur përkthyes si Irena Dono, që e kanë mësuar mjeshtërinë e përkthimit nga mjeshtër të përkthimit shqiptar dhe e kryejnë sot këtë mision, thjesht të shtyrë nga dashuria për poezinë, ulen dhe na sjellin të tilla perla poetike për lexuesin shqiptar. Shumë mund të ëndërrojnë të jenë përkthyes, por ata që dinë të lexojnë poezi janë jo të shumtë në numër. Edhe më të paktë janë pastaj ata që mund të jenë ura bashkuese mes dy gjuhëve dhe dy kulturave letrare.
[1] Stan Scott, Poetry and the Art of Meditation: Going behind the Symbols, JAEPL, Vol. 2, Winter 2005-2006, f. 77.