Drejtimi i një mjeti motorik kur jeni i lodhur rrit ndjeshëm rrezikun e aksidenteve, duke çuar në një numër alarmant të lëndimeve dhe vdekjeve çdo vit, shkruan “Sleep Foundation”.

Edhe pse nuk ka të dhëna të sakta se sa njerëz vozisin kur janë shumë të lodhur, hulumtimet tregojnë se ky fenomen është jashtëzakonisht i shpeshtë.

Një studim i Fondacionit Kombëtar të Gjumit të vitit 2005 zbuloi se 60 për qind e shoferëve raportuan se ndiheshin të lodhur para se të vozisnin. Po kështu, të dhënat e hulumtimit të CDC tregojnë se një në çdo 25 të rritur e ka marrë gjumi gjatë vozitjes në një moment të jetës së tyre.

Disa faktorë mund të shkaktojnë lodhje gjatë vozitjes, si mungesa e gjumit, çrregullimet e gjumit, konsumimi i alkoolit, marrja e disa ilaçeve dhe koha e ditës. Studimet kanë treguar se aksidentet për shkak të lodhjes më së shpeshti ndodhin ndërmjet mesnatës dhe gjashtë të mëngjesit ose në mes të pasdites.

Ekspertët shpjegojnë se është e mundur të dallosh nëse trupi juaj është shumë i lodhur për të vozitur, veçanërisht nëse shkoni në një udhëtim të gjatë.

Gogësimë e shpeshtë, ndjenjë e fortë lodhjeje, fërkimi i syve ose rritja e pulsit, mosndërrimi i korsisë, vështirësi në ruajtjen e shpejtësisë së duhur e dridhje e papritur e trupit – janë disa nga shenjat që tregojnë se duhet ta ndalni veturën dhe të mos vazhdoni më tutje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here