Që nga vera e vitit 1373, viset e sotme të Luginës së Preshevës, përkrah statusit si territore vasale osmane, njëherësh do të shndërrohen në njëfarë trampoline për depërtimin osman drejt viseve jugore të Ballkanit, por para se gjithash, kjo zonë do të jetë me rëndësi të veçantë për forcat osmane në fazën parapërgatitore të Betejës së Kosovës më 1389. Pra, vënia në shërbim të territoreve në favor të osmanëve nga ana e Kostadin Dragashit, njëherësh e shënon edhe fundin e principatave gjysmë të varura dhe të pavarura në Ballkanin e atëhershëm. Paraprakisht, Perandoria Osmane në Ballkan kishte hasur në grupime që i ruanin kujtimet e tyre që kryesisht lidheshin me dinastitë e ndryshme sunduese, luftëra të tmerrshme, invadime, dëbime dhe osmanët me vetëdije i shkatërruan këto degë të dinastive të vjetra sunduese, jo që ta shlyenin të kaluarën politike të nënshtetasve të rinj, por me qëllim të ruajtjes së paqes së brendshme…

Lugina e Preshevës dhe Ihtimani i Bullgarisë

Epoka osmane fillesat e saj në Luginë të Preshevës i ka të lidhura me vendin e quajtur Ihtiman, që sot është një qytet i vogël i Bullgarisë perëndimore. Më saktësisht ai ndodhet rreth pesëdhjetë kilometra larg kryeqendrës së Sofjes. Para se Sulltan Murati I, të nisej drejt realizimit të synimeve tij në brendinë e Ballkanit, vetëm dy vjet pas Betejës së Maricës (1371), në pranverën e vitit 1373 ushtria osmane ishte stacionuar përkohësisht në fushën e afërt të Ihtimanit, që atëbotë do të ketë qenë një fshat ballkanik jo edhe aq i rëndësishëm.

“Gjatë marshimit nga Filibja (Pllovdivi i sotëm) për në Ihtiman, sulltani herë pas here ndaloi për të bërë pushim dhe kur arriti në vendin ku rruga ndahej në dy drejtime, për në Sofje dhe për në vendin e Kostadinit (Qystendil) ai preferoi të shkonte nga kjo e dyta“, ka shkruar Idris Bitlisi në librin e tij në gjuhën persishte “Hest Bihişt” (Tetë parajsat).

Të kujtojmë se brenda territorit të vendit apo principatës së Kostadin Dragashit, me qendër në Vellbuzhdë ishte e përfshirë edhe Lugina e sotme e Preshevës me shtrirje deri në kufijtë midis Karadakut të Preshevës dhe Gjilanit, krahinën e Kumanovës deri në brigjet jugore të Karadakut të Shkupit, ndërsa si kufi i saj jashtë viseve të sotme shqiptare ishte lumi i Strumës. Më saktë ky territor e fitoi formën e principatës, në çerekun e fundit të shekullit XIV, por njëra ndër paqartësitë që ka mbetur e pandriçuar edhe sot e kësaj dite është origjina apo përkatësia kombëtare e Kostadin Dragashit. Kështu disa autorë serbë janë përpjekur që me çdo kusht “t’ua krijojnë” lidhjet familjare Dragashëve me qëllim të “transferimit” të tyre më të lehtë në familjen e Nemanjidëve, ndërsa autorët bullgarë Kostadinin e mbajnë me origjinë bullgare, duke u thirrur në radhë të parë në ekzistencën deri në ditët e sotme të manastirit të Zemenit (deri në vitin 1925 i Bellovës) që gjendet në Bullgarinë jugperëndimore, rreth 70 kilometra larg Sofjes, të ngritur nga ati i Kostadinit – Dejani, ku si dëshmi është edhe portreti i tij dhe i të ëmës Eudokisë apo Dojës. Ndërsa si argument tjetër që shkon në favor të historianëve bullgarë, është vetë selia e principatës së Kostadinit, që siç dihet ka qenë e vendosur Qystendilin e sotëm në Bullgari.

“Ai ka mundur të ketë qenë ndonjë bullgar i moshës së mesme”, është shprehur i mirënjohuri Konstantin Jireçek (1854 – 1918). Në përpjekjet rreth ndriçimit të origjinës së familjes së Dragashëve, historiani bullgar Hristo Matanov (Христо Матанов) ka shkruar se “nuk mund të jemi maksimalistë, ngase nuk duhet harruar se sikurse Dragashët, por edhe familjet tjera feudale, e kanë të paqartë gjenealogjinë familjare dhe për aq sa e kërkojmë origjinën e tyre, aq më tepër rriten paqartësitë. Sipas meje nuk kemi të bëjmë me mosarritjen e gjetjes së informacioneve të nevojshme, por bëhet fjalë për mungesë të një informacioni të saktë”, është shprehur ai.

Megjithatë bizantinologu i njohur George Ostrogorsky (1902 -1976), ka qenë i prerë! “Mbiemrin Dragash e kanë bartur të dy bijtë e Dejanit, ndoshta edhe i ati i tyre. Prandaj edhe me të drejtë mund të ngrihet çështja se pse në historiografinë serbe dominon teza se Jovani dhe Kostadini janë quajtur Dejanoviq, kur dihet se mbiemri Dejanoviqi apo Dejanoviqët, me të cilin kanë qenë të njohur vëllezërit Kostadini dhe Jovani nuk është përdorur kurrë në burimet historike të kohës”, ka qartësuar Ostrogorsky duke shtuar se “emri Kostadin ka qenë i rrallë në mjediset e Sllavëve të Jugut, dhe se Kostadin Dragashi zakonisht është potencuar si Kostadin, ndërsa vetë ai është nënshkruar si ‘zotëri (dominus) Kostadini’”.

Por, në raport me sundimin e Dragashëve, autorëve bullgarë “u ka mbetur hatri” se pse Dragashët nuk i dhanë sundimit të tyre ngjyrime apo karakter bullgar! Mbështetur në një hipotezë të studiuesit bullgar, Ivan Dujçev (Иван Дуйчев 1907 – 1986), shkaku se pse Dejani ia ktheu shpinën mbretit bullgar Ivan Aleksandrit dhe iu mbështet Dushanit serb, ishte se “rreth vitit 1344-1345, mbreti bullgar u martua me hebrejen Sara –Theodora“.

Pra, sipas studiuesit bullgar, ka qenë antihebraizimi si shkas kryesor që e ka shtyrë Dejanin që të kalojë në anën e Dushanit!

Ndërsa sipas studiuesit bullgar, Matanov krijimi i principatës së Kostadinit ishte “rezultat i ekspansionit serb të fundit të shekullit të XIII dhe fillimit të shekullit XIV, dhe principatat e tilla feudale ishin gjysmë të varura dhe të pavarura”. Ndërsa principata e zotëri Kostadin Dragashit e përfshiu një territor me rreth “20 000 kilometra katrorë dhe në të jetuan rreth 44 000 banorë. Pra, ky territor ishte mjaft i populluar, pasi në një kilometër katrorë jetonin përafërsisht rreth 11 banorë. Ndërsa sa u përket marrëdhënieve të Kostadin Dragashit me familjet e njohura arbërore, mund të themi se ato kanë qenë të vendosura në frymën e kohës dhe janë fuqizuar sidomos nëpërmes institucionit të martesave. Kështu “Theodora motra e Kostadin Dragashit ishte e martuar për Gjergjin I të Balshajve” ndërsa në rrafshin e zhvillimit të politikës monetare, gjetjet arkeologjike e kanë vërtetuar se “të gjitha llojet e monedhave të Kostadinit janë prerë në Ohër te sunduesit e njohur arbërorë, Gropajt“. Madje monedha të tilla janë gjetur në kishën e Shën Sofisë në Ohër edhe së voni gjegjësisht në vitin 1952.

A luftuan luginasit në anën e Sulltan Muratit dhe përse?

Edhe pse akoma ka mospajtime rreth vitit se kur sunduesi krahinor i Luginës së Preshevës, Kostadin Dragashi u bë vasal osman, megjithatë viti 1373 duhet të jetë më i saktë. Të dhëna për këtë ngjarje na i ofron studiuesi i njohur boshnjak Nedim Filipović (1915 – 1984).

“Intervenimi personal i Sulltan Muratit I, që në kronikat e kohës e shënojnë se ka ngjarë në pranverën e vitit 1372, do të kenë qenë vendimtar që e ka shtyrë Kostadinin që në mënyrë paqësore ta pranojë pushtetin osman. Kjo ngjarje ka ndodhur në verën e vitit 1373“, ka pohuar ai.

Përshkrimin paksa më të detajuar rreth kësaj çështjeje e ka afruar Idris Bitlisi. “Kostadini nuk u bashkua me sundimtarët e pafe. Ai doli menjëherë përpara sulltani për ta pritur atë… Gjithashtu në çdo qytet dhe fshat të vilajetit të tij, ai organizoi pritje për mysafirët, dhe në shenjë mirënjohjeje dhe mikpritjeje, ai e gostiti padishahun duke i afruar atij dhurata të denja për një perandor. Vetë sundimtari (Kostadini) e shoqëroi sulltanin, por ai e bashkoi edhe ushtrinë e tij me ushtrinë islame!“, ka shtuar ai.

Pra, që nga vera e vitit 1373, viset e sotme të Luginës së Preshevës, përkrah statusit si territore vasale osmane, njëherësh do të shndërrohen në njëfarë trampoline për depërtimin osman drejt viseve jugore të Ballkanit, por para se gjithash kjo zonë do të jetë me rëndësi të veçantë për forcat osmane në fazën parapërgatitore të Betejës së Kosovës. Pra, vënia në shërbim të territoreve në favor të osmanëve nga ana e Kostadinit, njëherësh e shënon edhe fundin e principatave gjysmë të varura dhe të pavarura në Ballkanin e atëhershëm.

Paraprakisht, Perandoria Osmane në Ballkan kishte hasur në grupime të që i ruanin kujtimet e tyre që kryesisht lidheshin me dinastitë e ndryshme sunduese, luftëra të tmerrshme, invadime, dëbime dhe “osmanët me vetëdije i shkatërruan këto degë të dinastive të vjetra sunduese, jo që t’i shlyejnë kujtimet politike tanimë të nënshtetasve të rinj, por me qëllim që t’i parandalonin përçarjet dhe të ruhej paqja e brendshme”, është shprehur historiani i njohur me origjinë tatare, Kemal H. Karpat (1923 – 2019).

Megjithatë përpjekjet e Kostadin Dragashit që edhe nën osmanët ta mbajnë një shkallë të caktuar të pavarësisë së krahinës që ai e sundoi deri në vitin 1373, përfshirë këtu edhe një pjesë të viseve të Luginës së Preshevës, sipas të gjitha gjasave nuk kanë pasur sukses.

“Pas dorëzimit të Vellbuzhdës (Qystendilit), Murati ishte kthyer në Adrianopojë, dhe aty qëndroi më me qejf se sa në Bursë. Për herë të parë për gjashtë vjet rresht ai u kënaq në paqe. Megjithatë lajmet se trupat bizantine herë pas here po e prishnin ‘paqen’ e kishin shqetësuar sulltanin.

Prandaj në kontekstin e zhvillimeve në vijim siç e cekëm më lartë u rrit edhe roli i krahinës së sotme të Luginës së Preshevës, nëpër të cilën duhej të sigurohej kalim sa më i sigurt i trupave osmane për në Kosovë.

“Është më se sigurt se turqit kaluan pa u penguar nëpër viset e Kostadin Dragashit, me rastin e sulmeve në tokat që akoma nuk ishin të nënshtruara”, është i bindur studiuesi Rade Mihalçiq. Por këto “krahina vasale e kishin njëfarë ‘vetëqeverisjeje’ të gjerë në shekullin XV, bile vetë osmanët e nxitën qëllimisht krijimin e dallimeve midis krahinave që e patën statusin vasal dhe atyre që nuk e gëzonin këtë status”.

Ndoshta edhe vetë vasalët e osmanëve përfshirë edhe Kostadinin fillimisht nuk kishin qenë të bindur por edhe nuk e kishin paraparë përfshirjen e tyre në luftë, madje duke iu vënë përballë popujve të cilëve ata iu përkisnin vetë.

”Atëherë han Bajaziti e shpalosi bajrakun e tij, ndërkaq sunduesi (sulltan Murati I) urdhëroi: le të përgatiten nën armë edhe jobesimtarët që janë vasalë, Kostadini dhe Seraxha”, ka shkruar historiani Mehmed Neşri (1450- 1520). Edhe pse Seraxha përmendet si vasali tjetër në krahun e Kostadinit, deri më tani kanë munguar informacione konkrete për këtë personalitet. Në vijim burimet historike e verifikojnë stacionimin e ushtrisë së Sulltan Muratit I, në viset e Luginës së Preshevës.

“Gjatë kthimit për në hanin e Çukarkës, fshatarët na treguan se në jugperëndimi të fshatit, sipas gojëdhënave të vendit, në një kodër të njëtrajtshme kishin qëndruar tendat e Sulltan Muratit I”, është rrëfimi që banorët e dikurshëm të Çukarkës së Preshevës që ndodhet në afërsi të pikës së sotme kufitare midis Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, ia kishin rrëfyer albanologut dhe konsullit austriak, Johan Georg Hahnit, në vitin 1858.

Tokat nën sundimin e Kostadin Dragashit në vitet 1354-1373
 

Të gjitha rrugët çonin në Fushë të Kosovës

“Dikush duhet të na prijë përpara, që t’u marrë jobesimtarëve ‘gjuhën’ me qëllim që të sigurojmë sa më shumë informacione”, përshkruhet veprimtaria e njësiteve pararendëse osmane që kanë vepruar përreth Kosovës më konkretisht rreth Luginës së Preshevës, Anamoravës dhe viseve të Kumanovës, Shkupit e Kaçanikut.

Sipas Mehmed Neşrit, komanda kryesore e osmanëve, drejt Kosovës ishte lënë në duart e komandantit të njohur grek, që tanimë ishte konvertuar në mysliman. Ishte ky Evrenos beu që qysh në arritjen e parë drejt viseve të Luginës së Preshevës me ndihmën e luftëtarëve të Kostadinit, ia kishte dalë që t’i zinte rob disa luftëtarë të forcave ballkanike.

Ndonëse historiani dhe diplomati serb Stojan Novaković (1842- 1915) ka shkruar se në rrethinat e Moravicës së Preshevës, paraprakisht është zhvilluar një betejë midis osmanëve dhe serbëve duke argumentuar se “Princi Llazar nuk e ka pritur armikun në Kosovë, por ai është kujdesur që ta organizojë mbrojtjen diku në brigjet e Moravicës“. Këtij autori i jep pjesërisht të drejtë përmbajtja e njërës prej letrave të Sulltan Muratit, në mesin e letrave që janë botuar në vitet e shtatëdhjeta të shekullit XX në Turqi. Pra, njëra prej tyre që Sulltani ia ka drejtuar Ali bej Karamanliogllut, pikërisht ka të bëjë me Luginën e Preshevës dhe prijësin vasal të principatës tashmë të rrënuar dhe në të shihet qartë se sulltan Murati rishtas ia ka rikujtuar madje edhe e ka kërcënuar Kostadin Dragashin, që ky t’i përmbahej marrëveshjes së arritur paraprake!

“O njohës dhe i varuri i Llazarit të keq, dua ta kujtoj thënien ‘demoni mërmërin në zemrën e të vdekurit’ dhe të them se ti e ke braktisur rrugën e besnikërisë, të nënshtrimit, të besueshmërisë dhe të dëgjueshmërisë…”, thuhet në letrën e sulltan Muratit.

“Pasi ushtria osmane arriti në Kumanovë ajo u kthye drejt veriut duke lënë në perëndim Shkupin. Më pastaj marshimi vazhdoi drejt Moravicës, dhe një pjesë e forcave ushtarake u stacionua në viset afërta të Hanit të Bilaçit dhe fshatit Somolicë (në jug të Bujanocit). Këto zona Sulltan Murati i kaloi me flamuj të ngritur, i përcjellë me bandë muzikore”. Njëherësh këto janë vendet më të cekura prej autorëve të ndryshëm nëpër të cilat sipas tyre, ka lëvizur ushtria osmane. Zaten njëra prej rrugëve antike, e më vonë edhe mesjetare, që e ka lidhur basenin e Kosovën me Luginën e Preshevës dhe madje ka arritur që ta ruajë emrin si “Rruga romake” ka kaluar nëpër Karadakun e Preshevës, duke zbritur në perëndim të qytetit të sotëm të Preshevës, për të vazhduar në drejtim të Moravicës dhe nga brigjet lindore të Bilaçit të sotëm kjo rrugë ka arritur në krahinën e Pçinjës për të përfunduar në Qystendilin e sotëm të Bullgarisë.

Pra shumica e autorëve janë të pajtimit se Lugina e Preshevës ka qenë territor i shfrytëzuar si vendstacionim i përkohshëm, por edhe vetë popullata vendore ka qenë e angazhuar në aktivitete para Betejës së Kosovës. Pra, vetvetiu mund të nënkuptohet se në këtë fazë të parapërgatitjeve, popullata vendore e aftë për luftë do të ketë qenë nën armë, por e radhitur nën komandën osmane, ndërsa pjesa tjetër në përputhje me rrethanat e vasalitetit do të ketë qenë e angazhuar në sigurimin e ushqimit dhe strehimit të forcave osmane.

Ndonëse Mehmed Neşri si stacionin e radhës të ushtrisë osmane pas Kratovës e përmend “Kiçi Morava irmagi (Morava e Vogël) duke shpjeguar se pas kalimit të lumit ishte paraparë që të bëhej pushim“, osmanologu Aleksandar Stojanovski ka shkruar se “Sulltan Murati I, ka hyrë në fushë të Kumanovës duke vazhduar drejt viseve të Karadakut dhe ka arritur në Moravë të Binçës“. Në mënyrë të njëjtë është shprehur edhe Franjo Raçki (1828 – 1894) në punimin e tij “Beteja e Kosovës – shkaqet dhe pasojat“ të botuar në Zagreb në vitin 1899. Raçki ka shkruar se “ushtrisë së Muratit me çetat e tij në Vellbuzhdë iu bashkëngjit vasali turk – drejtuesi i krahinës Kostadin Dragashi…Më pastaj ushtria u nis në drejtim të Kumanovës, duke vazhduar drejt veriut nga malet e Karadakut. Në grykat e këtyre maleve njësitet pararendëse të udhëhequra nga Evrenosbeu u ndeshën me rojet e Llazarit“. Por, megjithatë Raçki e ka precizuar se “ushtria osmane ka kaluar aty ku ndahet rrjedha e ujërave në drejtimet Danub dhe Egje“ duke iu referuar ujëndarëses që ndodhet në afërsi të Çukarkës së Preshevës.

Lugina e Preshevës në shekujt e parë osmanë

E zhvilluar më 28 qershor të vitit 1389 Beteja e Kosovës, shënon fillimin e një epoke të re në Ballkan dhe padyshim se edhe kjo ngjarje ka pasur reflektimet e saja edhe në Luginë të Preshevës, por dhe më gjerë. Por, edhe kësaj radhe si çdo herë disa autorë serbë kanë provuar që ta “ringjallin” sundimin e dikurshëm provincial në rrethanat e sundimit osman, megjithatë përpjekjet e tyre kanë shkuar huq, pasi dihet mirëfilli se në këto vite sulltan Bajaziti e kishte vënë në sprovë “besnikërinë” e vasalëve ballkanikë. Ai fillimisht i qëroi hesapet me krerët ballkanikë në dimrin e vitit 1393/1394 në një takim, që me ftesë të tij u organizua në Serresin e sotëm, që ndodhet luginën e lumit të Strumës, rreth tridhjetë kilometra larg Selanikut.

“Burime të ndryshme e kanë konfirmuar se Bajaziti ishte i pezmatuar keq në vasalët dhe fillimisht deshi që t’i vriste të gjithë, por më në fund hoqi dorë prej qëllimit të tij. Pasojat e takimit të vasalëve sidomos sllavë me sulltanin në Serres u reflektuan në mbarë Gadishullin Ballkanik“, ka shkruar historiani i njohur Ivan Gjuriq (1947 – 1997). Midis “të ftuarve“ të sulltan Bajazitit ishte edhe sunduesi i dikurshëm i Luginës së Preshevës, Kostadin Dragashi që kishte arritur aty me të motrën Helenën, të cilën ia dha Manuelit II Paleologut.

Por, frikën më të madhe për t’iu paraqitur përpara sulltanit të pezmatuar në Serres pas vrasjes së të i atit në Kosovë, e pati Stefani i cili akoma në moshë të mitur i përkrahur nga e ëma Milica dhe patriarku serb, Spiridoni qysh në vitin 1390 i kishte shkruar sulltanit osman me qëllim të fitimit të “besimin“ të tij!’

“Qëllimi i kësaj vizite ishte i shumëfishtë. Duhej të hiqeshin qafe sulmet osmane, duhej të përforcoheshin lidhjet familjare midis të bijës së princit të vrarë serb Oliverës me Bajazitin, dhe përfundimisht të pranoheshin obligimet e vasalitetit”.

Por, a ishte kjo “përulje“ e tillë serbe aq poshtëruese apo ishte një veprim që ata do ta materializojnë në favor të tyre, do të shihet në shekujt e ardhshëm. Ndërsa duke iu përgjigjur obligimeve të vasalitetit, në pranverën e vitit 1394 sunduesi krahinor i Luginës së Preshevës, Kostadin Dragashi bashkë me luftëtarët e tij, midis tyre edhe luginas, u përfshinë në luftë kundër dhespotit të Vllahisë dhe më 17 maj të vitit 1394 ai u vra vendin e quajtur Rovine të Rumanisë juglindore.

Edhe pse disa autorë të huaj përfshirjen e disa princërve shqiptarë, por edhe të luftëtarëve shqiptarë në anën e ushtrive të Aleancës Ballkanike në Betejën e Kosovës, e kanë vlerësuar si “pjesëmarrje të shqiptarëve që nuk ishin nënshtruar deri atëherë” radhitja e luginasve por edhe e shqiptarëve tjerë të viseve lindore në krahun osman në Betejën e Kosovës, ishte i kushtëzuar me vasalitetin e arritur nga vetë sunduesit provincial, siç u pa në rastin e Luginës së Preshevës dhe zonave në fqinjësinë e saj, por autorët serbë nuk ia falën kurrë Kostadin Dragashit “që e derdhi gjakun për zgjerimin e sundimit osman në Evropë dhe Azi. Për shtetin serb Dragashët ishin të dështuar dhe të humbur”, ka shkruar Ilarion Ruvarac (1832 -1905).

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here