Mos e leni pa vizituar 🤝

NË MUZEUN E KËSHTJELLËS ROZAFA NË SHKODËR

Nga Sheradin Berisha, qershor 2024

Muzeu i Kështjellës – Rozafa ngrihet në oborrin e tretë të Kalasë “Rozafa” në një ndërtesë të shekullit XV që njihet me emrin “Kapitaneria”, rezidenca e Kapitanit (sundimtarit Venedikas).

Dallohet se është ndërtesë me karakter ushtarak nga trashësia e mureve (2.1m. në bazë dhe 1.9 m. në katin e tretë) për t’i bërë ballë goditjeve direkte të artilerisë, nga dritaret e vogla që kanë shërbyer si frëngji (ato të katit të dytë), nga dalja e fshehtë, hyrja e së cilës është në katin e parë dhe nga qemeri masiv prej guri që e mbulon, i cili shërbente për ta mbrojtur nga predhat zjarrvënëse.

Në Muze me anë të dokumentave e objekteve të ekspozuara paraqitet Kalaja në rrjedhën e saj historike e lidhur ngusht kjo edhe me historinë e qytetit.

Përballë derës kryesore është një bazoreliev në gips, i autorit shkodran Skënder Kraja. Vepra paraqet legjendën e themelimit të Kalasë, sipas së cilës gruaja e re (Rozafa) vetëflijohet që të qëndrojnë muret mbrojtëse të qytetit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here