TRANSFORMIMET QË SOLLËN EMRIN KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE
Nga Milazim Krasniqi, Pashtriku 01. 11. 2022
Emri i vetëm nacional i shqiptarëve, që nga periudha kur filloi formimi i këtij kombi në truallin e vet historik dhe në hartën evropiane të kombeve të reja, është emri shqiptar. Emrat e tjerë si arbën dhe epirotë,[1] apo edhe maqedonas, që ishin në përdorim para se emri shqiptar të triumfonte përfundimisht, janë emra etnikë, pra shenjonin etni, ose edhe një hapësirë, por jo një komb, gjë që është e kuptueshme, meqë kombi lindi në një periudhë më të vonë historike, kur emrat që shenjonin etninë, arbër dhe epirotë, ose edhe maqedonas, nuk qenë më në përdorim aktiv. Dallgët jetësore nëpër të cilën kaluan banorët autoktonë të kësaj hapësire, sollën ndryshime të dukshme jo vetëm në nivelin demografik, kulturor, ekonomik, fetar po edhe në vetidentifikimin e banorëve të mbijetuar, që adoptuan për veten e tyre emrin shqiptar si emër të këtij formacioni etnik e kombëtar më vonë dhe emrit Shqipëri si emri i atdheut të këtij kombi. Pra, emri shqiptar dhe emri Shqipëri, që në këtë formë e në këtë përmbajtje përdoren vetëm nga vetë shqiptarët, (popujt tjerë dhe në gjuhët e tjera përdoren variacione të shumta për emërtimin e shqiptarëve dhe të Shqipërisë) për identifikimin e këtij kombi dhe të atdheut të tyre, janë produkt i vetëperceptimit të tyre dhe i materializuar gjuhësisht nga materiali i vetë gjuhës së tyre. Ky fakt ka rëndësi të madhe për vlerësimin e zhvillimeve politike, kulturore, demografike e fetare që kanë sjellë këtë deri te ai stad i ndryshimit të vetëperceptimit e prej këndej të emërtimit të vetes me një emër nga materiali gjuhësor i shqipes. Triumfi i një emri të ri, në raport me emrat pararendës, arbër, epirotë ose edhe maqedonas, i farkuar nga materiali gjuhësor i shqipes, në këtë rast i emrit shqiptar, ka mundur të ndodhte vetëm pas ndryshimeve të mëdha që kanë pasur ndikim të fortë mbi tërësinë e vlerave në hapësirat arbëre, pas rënies së tyre nën sundimin e plotë osman. Futja e të gjitha hapësirave arbëre nën sundimin osman, veçmas pas rënies së Shkodrës më 1479, me gjithë konsekuencat demografike, kulturore e fetare që pati ky proces, eliminoi fragmentimin e këtyre hapësirave dhe emërtimet e ndryshme që përdoreshin. Ndërsa, procesi i kalimit në Islam të një pjese të konsideruehsme të popullsisë, solli edhe një realitet të ri i cili duhej të reflektohej edhe në vetëperceptimin, po edhe në emërtimin e këtij formacioni të ri, me synimin që e gjithë etnia të kishte një emërtim integrues.
Dallimi i këtyre vlerave emërtuese të emrave, njëri nacional ndërsa të tjerët si emra etnikë, ka rëndësi të madhe për dijet albanologjike. Sado që të mendohet se disa zbulime e kanë arritur pikën kulmore ku është shpjeguar e gjithë e vërteta e një procesi a një dukurie, prapë dalin probleme të reja që kërkojnë hulumtime e zgjidhje të reja. Edhe në këtë rast ne po i përmbahemi koncepcionit të Karl Poperit për shkencën, i cili konkludon se procesi shkencor asnjëherë nuk është i përfunduar:
“Shkenca, siç del ajo në kuadrin e kësaj logjike për shkencën, është në thelb një fenomen gjithmonë në rritje, ajo është në thelb dinamike, nuk është asnjëherë diçka e përfunduar: nuk ekziston ndonjë pikë, ku ajo gjen përfundimisht finishin e saj”[2].
Prandaj, edhe kujtojmë që duhet të vazhdojnë hulumtimet e observimet edhe të kësaj çështjeje, e cila në shumë raste më fort dhe krejt gabimisht përjetohet më shumë si temë patriotike se sa si problem mirëfilli shkencor. Natyrisht, shpjegimi i çështjes së emrit kombëtar të kombit shqiptar dhe të atdheut të tyre, ka rëndësi edhe për identitetin kombëtar të shqiptarëve në përgjithësi e prej këndej edhe për vlerat kombëtare. Por, i përmbahemi qëndrimit që duke shpjeguar edhe gjithë rrethanat që e mundësuan emrin shqiptar si emërtimin e kombit të ri dhe emrin Shqipëri për atdheun e tyre, para së gjithash i kontribuohet të vërtetës shkencore, si aspiratë e lartë e njohjes.
Prandaj, diferencimi i periudhës parakombëtare nga ajo kombëtare, edhe në kontekstin e emërtimit të etnisë dhe të kombit shqiptar, ndihmon që të eliminohet konfuzioni që shfaqet e rishfaqet gjithandej në debatet e ndryshme shkencore, po veçmas në ato mediatike, lidhur me emrin kombëtar të shqiptarëve dhe përgjithësisht lidhur me vlerat kombëtare. Mbajtja e interpretimeve se ekzistojnë tre emra nacionalë të shqiptarëve, arbën, epirot dhe shqiptar, mban pezull të vërtetën shkencore dhe prodhon më shumë hutesa edhe në nivelin e identifikimit me emrin kombëtar dhe emrin e atdheut kombëtar. Prandaj, me ndriçimin e plotë të kësaj çështjeje, duke e bërë diferenecimin e qartë dhe interpretimin korrekt shkencor të rrethanave dhe faktorëve që ndikuan në shfaqjen dhe shpërndërrimet e tyre, u ndihmohet brezave të tashëm e të ardhshëm të shqiptarëve që të kenë më shumë njohuri shkencore për rrugën që kaluan paraardhësit dhe respekt për vlerat mbi të cilat u ngrit emërtimi i kombit të tyre, kombit shqiptar dhe i atdheut të tyre, Shqipërisë.
Tashmë ka një trashëgimi shkencore të begatë, lidhur me emrat entikë e emrin kombëtar të shqiptarëve, si dhe ngjarjet që kanë ndikuar në farkimin e historisë së shqiptarëve. Merita të mëdha për këto studime e ndriçmin e shumë fakteve kanë një numër albanologësh të huaj, veçmas në shekullin XIX dhe në gjysmën e parë të shekullit XX. Ndërsa, nga gjysma e dytë e shekullit XX e deri në ditët tona, barra më e madhe ka rënë mbi albanologët shqiptarë, disa prej të cilëve kanë arritur rezultate të mëdha në ndriçimin e shumë aspekteve historike, kulturore e gjuhësore të së kaluarës sonë. Meqë kjo trashëgimi është përftuar në një periudhë të gjatë kohore, meqë një pjesë e saj është prodhuar në përiudhën e vështirë të sundimit komunist në Shqipëri e në Kosovë, i cili ka imponuar shumë kufizime metodologjike në studime, është e domosdoshme që trajtimi i interpretimeve të kësaj trashëgimie t’i ekspozohet një qasjeje kritike dhe në pajtim me të arriturat e shkencës në kohën tonë. Kjo qasje kritike duhet të mbështetet në parimin poperian të eliminimit[3] për të nxjerrë përfundime sa më logjike shkencore lidhur me gjithë spektrin e problemeve albanologjike që trajtohen.
Eliminimi i hipotezave të gabueshme, në dritën e rezultateve të verifikueshme shkencore, në këtë rast edhe të rezultateve teorike lidhur me emrin e kombit shqiptar dhe dallimin e emërtimeve të etnisë prej tij, ndihmon që të saktësohet terminologjia dhe që t’i afrohemi sa më shumë të vërtetës shkencore. Ndërsa, lënia në qarkullim e shumë “sprovave të zgjidhjes” edhe pasi janë treguar të pasakta, mban në këmbë konfuzionin dhe e bllokon mendimin kritik shkencor. Eliminimi i “sprovave të zgjidhjes” nuk do të thotë mohim i vlerave të tyre në kontekste të caktuara, por do të thotë avancim i rezultateve të dijes dhe afrim sa më shumë të së vërtetës. Brenda kësaj kornize teorike, është e sigurtë që disa hipoteza të dijetarëve edhe lidhur me emrat etnikë dhe emrin nacional të shqiptarëve dhe rrethanat në të cilat ata janë përftuar, duhet të rishikohen, duke eliminuar sprovat e pasuksesshme. Pra, sipas kësaj qasjeje, ato hipoteza dhe mendime që me kohë janë kontestuar ose janë demantuar si të pasakta, nuk ka nevojë që të mbahen në qarkullim, që të ridiskutohen për të vërtetuar pasaktësinë e tyre. Nëse janë të pasakta një herë, ato janë të pasakta gjithmonë. Fjala vjen, hipoteza se shqiptarët janë të ardhur prej Kaukazit, meqë është vërtetuar se është e pasaktë, nuk ka pse të mbahet në qarkullim, as për ta mohuar. Eliminimi i hipotezave të pasakta dhe i të pavërtetave, hap rrugën drejt të vërtetës.
Kjo qasje teorike e guximshme, në esencë poperiane, na lejon që në rastin e diskutimit lidhur me emrat etnikë dhe të emrit kombëtar të shqiptarëve, të fillojmë këtë rishikim të disa hipotezave, që nga ato të kolosit të dijeve albanologjike, Eqrem Çabejt. Që në fillim e ndiejmë të nevojshme të konstatojmë se kontributi i tij në dijet albanologjike mbetet monumental dhe realisht i pasfidueshëm edhe për një kohë të gjatë. Por, pikërisht dija e tij monumentale, natyra e hapur e diskutimeve të tij, lejon edhe qasjen kritike, aty ku ka hapësirë për një qasje të këtillë. Mendoj se në çështjen e diskutimit të Eqrem Çabejt për “emrat nacionalë të shqiptarëve” ka një hapësirë të tillë, sepse shterimi i disa hipotezave prej tij dhe ballafaqimi i disa fakteve, ka krijuar një hapësirë të re për hulumtim të mëtejshëm. Sipas Eqrem Çabejt, emrat arbën dhe epirotë, krahas emrit shqiptar, që është shumë më i vonë, janë emra nacionalë të shqiptarëve, gjë që ai e ka trajtuar veçan në tekstet “Emri i vjetër nacional i shqiptarëve” dhe “Emrat nacionale të shqiptarëve”[4].
Në studimin “Emri i vjetër nacional i shqiptarëve”, pasi ballafaqon dhe komenton teza të shumë dijetarëve, lidhur me emrin arb, Çabej konkludon: “i mbahemi mendimit të mëparmë (HD XIV 654) që në krye të herës ka qenë emër vendi”[5]. Ndërsa, në studimin tjetër, “Emrat nacionalë të shqiptarëve” Çabej konkludon: “Vetëm një gjë mund të thuhet me gjasë të madhe, që shqip në krye të herës ka qenë emri i gjuhës”[6]. Mbetet të hulumohet më gjerësisht lidhur me shkaqet pse në rastin e parë emri i dedikohej vendit, ndërsa në të dytin gjuhës, gjë që duhet të hulumtohet në drejtimin e ndryshimeve që kanë ndodhur e ku ndryshimi ka nxjerrë në plan të theksueshëm gjuhën, që u emërtua si shqip e që po identifikohej ashtu ngase folësit e saj kishin përftuar ndonjë ndryshim të rëndësishëm në ndonjë nivel identitar. (Më vonë do të diskutohet ky ndryshim dhe përftesa e tij e emërtuar si shqip dhe shqiptar.)
Nga ana tjetër, gjithë ato hipoteza e mendime që kanë dhënë albanologë të shumtë, shumë prej të cilëve i evokon Çabej në tekstin “Emri i vjetër nacional i shqiptarëve”, janë provë e vështirësive të mëdha për të zgjidhjen e enigmës së këtyre emrave, veçmas të emrit shqiptar, e kjo për mungesë të teksteve të shkruara e veçmas të teksteve me kuptime më eksplicite për prejardhjen dhe kuptimin e këtij emri. Divergjencat e shumë gjuhëtarëve, të cilët i evokon Çabej në tekstin e tij, rezultojnë të atilla që në ndonjë rast i nxjerrin këta emra, veçmas emrin arbër, jashtë kontekstit realë historikë e gjuhësor.[7]
Diskutimi për etimologjinë e tyre mbetet cak legjitim i studimeve albanologjike edhe në të ardhmen, por në këtë mes duhet të bëhet një distinksion i prerë ndërmjet emrave arbër e epirotë, apo edhe maqedonas në njërën anë dhe emrit shqiptar në anën tjetër, për sa i përket mbulimit të objekteve që emërtojnë. Emërtimi i dukurive dhe vlerave parakombëtare me terma që janë përmbajtësor për dukuri e vlera të periudhës, duhet të bëhet për saktësi shkencore, sikundër që emërtimi i dukurive dhe vlerave të periudhës kombëtare, duhet të bëhet me të njëjtin qëllim e funksion. Pra, në këtë rast dallimi ndërmjet etnisë dhe kombit duhet të thellohet edhe në dallimin e emrave që i mbulojnë ato, sepse dallimi ndërmjet tyre është i rëndësishëm për të kuptuar realitetet dhe kontekstet e ndryshme historike e kulturore.
Fjala vjen, kur flasim për realitetet dhe kontekstet e jetës së arbërve e të Arbërisë në Mesjetë, duhet të kemi para sysh se “Arbëria në mesjetë nuk ishte shtet”[8] Ajo që Shmiti e emërton si “hapësirë arbëre”, është e ndryshme nga Shqipëria e sotme ose edhe nga Shqipëria e vitit 1912, kur u proklamua shtet i pavarur, prandaj emërtimet e sakta kanë rëndësi që të kuptohen realitetet dhe konktestet konkrete historike. Nëse publikut të sotëm i paketohet terminologjia e sotme për realitetet e dikurshme, ai do të mbetet i varfër në të kuptuarit e tij dhe do të jetë objekt më i lehtë i manipulimit pseudoshkencor ose edhe pseudonacionalist. Shpjegimi i të kaluarës me temat dhe nga pozita e sotme, gjë të cilën Xhek Gudi e pati quajtur “amnezi strukturale” është shpjegim pseudoshkencor. Këtë prirje e ka si prirje dominuese historiografia shqiptare, e cila më të shumtën flet me emërtimet, me termat dhe me pozicionimet ideologjike të sotme, për të kaluarën e ilirëve, arbërve, epirotëve e kujtdo që i del në rrugë.
Në “Historia e popullit shqiptar”, vëllimi i parë, krahas interpretimeve patriotike me patos revolucionar për të kaluarën e lavdishme, gjenden edhe këso formulimesh: “Shqipëria në shek. VIII-XV” (139), Lindja e marrëdhënieve feudale në Shqipëri” (141), “Invazioni i turqve dhe rezistenca shqiptare (1388-1443) (220), Beteja e Kosovës (1389). Rënia e principatave shqiptare (222), “Vendosja në Shqipëri e regjimit feudal-ushtarak otoman dhe kryengritjet e para të shqiptarëve” (235), “Fitoret e para të shqiptarëve (1444-1447) (256), “Shteti i pavarur shqiptar në vitet 1450-1453) (266), “Fitoret e shteti shqiptar kundër sulltan fatihut (274), “Shqipëria në arenën ndërkombëtare në vitet (1457-1464) (278) etj. Me një fjalë, emrat Shqipëri dhe shqiptar, në projektin “Historia e popullit shqiptar”, përdoren me vlerën e sotme semantike e ideologjike, ose e pakta me vlerën semantike e ideologjike që kanë që nga krijimi i kombit shqiptar dhe nga krijimi i shtetit shqiptar, ndërsa e vërteta shkencore kërkon që emërtimet e subjekteve, hapësirave dhe akterëve të asaj periudhe të bëhen në pajtim me emërtimin dhe me vlerat që kanë pasur në atë kohë. Kjo nuk nënkupton diskontinuitet, as kurrfarë zhvendosjeje të trajkektores historike, e cila ka rezultuar me vlerat e sotme, po vetëm respektim i fakteve dhe i realiteteve ashtu si janë dhe ashtu si kanë ndodhur.
“Etnohistoria është karakteristike për shumicën e bashkësive kulturore në të gjitha epokat, ndërsa historia studimore e paanshme është një dukuri që ndeshet rrallë edhe në qytetërime të caktuara.[9]
Kjo histori e paanshme prêt të shkruhet jo vetëm për emërtimet etnike dhe emërtimin kombëtar të shqiptarëve, po edhe për gjithë historinë e shqiptarëve dhe të paraardhësve të tyre.
Për t’u rikthyer te objekti ynë i diskutimit, të gjitha dukuritë duke përfshirë edhe emrat e lartcekur, arbën e epirotë, i përkasin periudhës parakombëtare përkatësisht periudhës së identifikimit me etninë si kategori identifikuese. Këta emra, arbën e epirotë patën një përdorim relativisht të gjerë në territoret e Shqipërisë së sotme, veçmas në atë që sot quhet Shqipëria e Mesme po edhe në atë të Jugut. Eqrem Çabej ka identifikuar një numër toponimesh në zonat e ndryshme të Shqipërisë, ku ende ruhet emri arbën, alban, Arbanë, arbëresh, sikundër që ka sjellë edhe dëshminë e Klaud Ptolemeut, të shekullit II para erës sonë, që është dëshmi e ekzistimit të fisit Albanoi dhe të qytetit Albanopolis.
“Sikundër dihet astronomi Klaud Ptolemeu i Aleksandrisë së Egjiptit, në shekullin e dytë të erës së re, në hartëën e tij botërore shënon emrin e një fisi Albanoi me qytetin Albanopolis në një trevë të Shqipërisë së mesme, afërsisht midis Durrësit dhe Dibrës së sotme e në lindje të Leshit” [10].
Ndërsa, Nikolla Jorga në veprën e tij “Histori e shkurtër e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar”, emrin alban e shpie edhe më thellë në histori, duke pohuar se romakët e përdronin këtë emërtim për ilirët:
“Ilirët, të cilët romakët i quanin me emrin Alban, (burimet citojnë një qytet të quajtur Albanopolis), me sa duket, fillimisht ishin të vendosur përballë vetë qytetërimit latin përpara se të kërkonin një strehë të re në zonat e brendshme malore për t’i qëndruar barbarisë sllave”[11]
Nuk e kemi të qartë pse nuk është rrëmuar më shumë nga albanologët lidhur me këtë pohim të Jorgës, për përdorimin e emrit alban për ilirët në kohët romake, apo ka mbetur vetëm mjaftimi me identifikimin e këtij fakti në hartën e Ptolemeut. Por, nëse ky përdorim ka qenë më i gjerë dhe nëse mund të mbështetet me dokumente të kohës, kjo do të rrënjoste shumë më tepër tezën ilire dhe do të eliminonte një numër hipotezash ose sprovash të tjera, ndër to edhe atë hipotezë për një simbiozë gjuhësore iliro-trakase, që është edhe në vëmendjen e studimit të Jorgës.
Ndërsa, sa i përket kohës së mëvonshme, asaj mesjetare, emri arbën e albanë kanë pasur përdorim relativisht të gjerë në këto treva, por ai ka shtegtuar edhe drejt Italisë, për ku u drejtuan një numër mërguesish, që para luftës së Skenderbeut po me intensitet më të madh edhe pas tyre. Ata kanë marrë me vete atë emër si emrin e vet etnik dhe sot e kësaj dite identifikohen me të. Natyrisht dhe kjo është dëshmi e statusit të tyre si etni arbëreshe, e cila për shkak se jeton përtej Detit Adriatik, në një shtet ku ka njohur një shkallë të lartë të integrimit politik e kulturor, nuk ka evoluar drejt identifikimit me kombin shqiptar. Në këtë kontekst, konceptet dhe përpjekjet e rilindësve arbëreshë me Jeronim De Radën në krye, që të bëheshin pjesë integrale e Rilindjes Kombëtare e prej andej edhe e kombit të ri shqiptar, qenë proklamuar, por nuk janë përmbushur. Në të vërtetë, sa i përket Rilindjes Kombëtare dhe veçmas produksionit artistik e publicistik të përftuar brenda saj, një pjesë e atij produksionit të arbëreshëve të asaj periudhe është e inkuadruar në të, por në projektin e formimit të kombit shqiptar dhe shtetit kombëtar më vonë, kontributet e tyre kanë ardhur duke u zbehur dhe pothuajse janë shteruar fare. Ata edhe sot janë një etni arbëreshe, por jo pjesë përbërëse e kombit shqiptar, së paku jo nëse është i saktë definicioni i Smithit, sipas të cilit kombi është: “një popullatë e emërtuar njerëzore, që ka të përbashkëta mitet dhe kujtimet, kulturën publike e masive, atdheun, njësimin ekonomik dhe të drejta e detyrime të barabarta për të gjithë anëtarët”[12]. E drejta, ky definicion paraqet problem edhe më të gjerë, se sa për arbëreshët e Italisë, pra edhe për pjesëtarët e kombit shqiptar që nuk jetojnë brenda një shteti kombëtar, ndonëse janë në përqasje gjeografike e ideologjike me të e me vlerat esenciale të tij.
Arbëreshët e Italisë paraqesin një thesar të vërtetë etnik e kulturor, i cili ndihmon në ndriçimin e shumë e aspekteve të historisë së kaluar të shqiptarëve dhe parardhsve të tyre. Me gjuhën e konservuar, me ritet, me këngët, me veshjet e me një varg vlerash etnike e kulturore, bashkë me emrin arbëreshë që e kanë ruajtur ndër shekuj, ata shenjojnë një periudhë historike brenda së cilës ata kanë ngurtësuar identitetin e vet, ndërsa pjesa tjetër e ka evoluuar atë identitet drejt formimit të kombit modern shqiptar, pas disa shekujsh shkëputjeje të elementëve të së njëjtës etni. Përderi sa ata ruajtën emrin etnikë arbër-eshë, i cili me të njëjtën ngarkesë semantike kumbon edhe në kohën tonë, falë mbijetesës së tyre etnike e kulturore, kjo gjë nuk ndodhi me emërtimin tjetër, atë epirotas. Edhe pse ishte emërtim me të cilin u identifikua edhe Skenderbeu, me emrin epirotas nuk mbeti i identifikuar ndonjë grupim banorësh, as në atdhe e as në mërgim. Ky emërtim praktikisht u shua, gjë që duket mjaft e habitshme, meqë sipas historianit Kristo Frashërit, Skenderbeu i kishte shkruar këto fjalë në një letër (31 dhjetor 1460) J.A. de Orsininit: ”Në qofë se kronikat tona nuk gënjejnë, ne quhemi epirotë” (se le nostre croniche non mention, noy in chiamamo Epiroti”[13].
Vetidentifikimi i Gjergj Kastriotit me emrin epirotë është gjithsesi edhe dëshmi e një periudhe në të cilën ishin në rivalitet të dyja emërtimet, arbën dhe epirotë. A ishin të kundërvëna apo komplementare këto dy emërtime? Kjo çështje duhet të hulumtohet në të ardhmen.
Sa i përket territorit që emërtohet si Arbëria Venedike, ai i ishte bashkuar Venedikut që nga vitit 1379, pra, ishte në zotërimin e Venedikut edhe në kohën e Skenderbeut. Duke qenë ato vise nën sundimin venedikas, ato paraqisnin kufizim për administrimin dhe veprimin e Skenderbeut. Rivalitetet dhe madje edhe konfliktet e të dyja palëve janë të njohura. Kësisoj, Arbëria Venedike ka qenë një pengesë për Lidhjen e Lezhës, duke ia kufizuar edhe kapacitetet e edhe hapësirën e veprimit. Por, kjo ndarje e Arbërisë Venedike nga pjesa tjetër e hapësirës arbëre dhe epirote, ishte një kundërpeshë e fortë e rivaliteteve ndërmjet Mbretërisë së Napolit, Siçilisë dhe Aragonit në njërën anë dhe të Venedikut. Meqë Skenderbeu kishte një marërveshje vasaliteti me mbretin e Napolit, Alfonsin V, politika dhe aktivitetet e tij ishin të determinuara nga ky fakt, gjë që ka shkaktuar për një kohë jo vetëm ftohje por edhe mosbesimin e Venedikut.
Pra, në kuadër të këtyre kufizimeve e ndarjeve të brendshme arbëre dhe të rivaliteteve të fuqive të mëdha të gadishullit Apenin në tokat arbëre, mbetet të hulumtohet se a mos ka pasur të bëjë me këto probleme, cilësimi i Skenderbeut për veten e tij dhe të vartësve të tij si “epirotë”. Përndryshe, veprimtaria e Skenderbeut më shumë ka qenë e fokusuar në afërsi të Arbërisë Venedike dhe pra të arbërve si komunitet etnik, por ja që ai është prezentuar me emërtimin epirotas. Në fund të fundit, edhe Marinus Barletiusi në veprën e vet e ka cilësuar si “princi i epirotëve”. Por, këtu kjo çështje vetëm po inicohet, ndërsa hulumtimi dhe ndriçimi i saj është jashtë mundësive tona.
Ndërsa, njëri nga shkaqet kryesorë për shuarjen e emrit arbër dhe Arbëri ka të bëjë me statusin që patën viset ku ky emër ishte më i përhapuri nën Venedikun. Durrësi me hinterlandin e vet, Lezha dhe Shkodra ishin në sundimin venedikas dhe kjo zonë shpesh emërtohet si “Arbëri Venedike”. Edhe gjatë luftërave të Skenderbeut, këto vise kanë qenë nën sundimin venedikas, e jo nën administrimin e tij. Po të mbahej më gjatë, ose po të krijohej një entitet i mëvetësishëm prej këtyre viseve, emri arbër dhe emri Arbëri do të mund të forcoheshin e do të bëheshin dominues, por meqë këto vise ishin nën regjimi e plotë të Venedikut, ato nuk kishin hapësirë që të krijonin një identitet të vetin. Kjo për dy arsye, e para për shkak se vazhdimisht ishin nën kërëcnimin osman dhe e dyta, ngase Venediku i përdorte si zonë tamponi ndaj osmanëve, që do të thotë se ato ishin vise nën kërcënimin e osmanëve dhe nën kontrollin e rreptë venedikas.
Ndërsa, nën sundimin venedikas këto vise kishin hyrë pothuajse vullnetarisht, gjë që edhe e kishte topitur vullnetin për manifestimin e një identiteti etnik arbër. Dy princat arbër, Gjergj Topia dhe Gjergj Strazimir Ballsha II, kishin nënnshkruar që zotërimet e tyre të hynin nën sundimin e Venedikut, me synimin që të shpëtonin nga pushtimi osman.
Gjyzepe Gelqiqi sjellë këto njoftime:
“Filip Bareli na paraqitet si protovestjar, por në shërbim të Gjergj Topisë dhe pikërisht në reskriptin me të cilin ky princ fatkeq shqiptar, më datën 8 gusht 1392 hoqi dorë nga Durrësi për t’ia dorëzuar Republikës së Venedikut. Kjo rrethanë mjafton për të hedhur dritë mbi ndikimin e madh dhe të efektshëm që Republika ushtronte mbi Gjergj Topinë dhe për të justifikuar nga ana tjetër faktin përse princi u mbështetë kurdoherë, deri në ditët e fundit të jetës, te Republika Venedikase.”[14].
Ndërsa, lidhur me hapat që mori në drejtim të dorëzimit të zotërimeve të veta Gjergj Strazimir Ballsha II, Gjyzepe Gelqiqi pohon:
“Sipas Komemorialeve të Republikës së Venedikut, nëse u referohemi dokumenteve të riprodhuara nga Shafariku, dhe nga abati Ljubiq, mbi bazën e atyre komemorialeve, Gjergj Strazimir Balsha II, në datën 10 nëntor 1395 nënshkroi letrat kredenciale për amabsadorët që do t’i paraqisnin, në emër të tij, Senatit të Venedikut, dhënien e Shkodrës dhe vendeve të tjera të çliruara nga pushtimi i Turkut[15].
Oscilimet në marrëdhëniet ndërmjet Ballshajve e Venedikut edhe përpara e edhe më vonë, nuk e ndryshuan këtë kurs, sipas të cilit edhe zotërimet e Ballshajve, me pak përjashtime, sikundër ishte Zabojana, ranë nën administrimin dhe sundimin venedikas.
Rrjedhimisht, “Arbëria Venedike” nuk ishte një entitet arbër, po një zotërim venedikas mbi një pjesë të territoreve arbëre. Rajoni qeverisej direkt nga Republika e Venedikut, me ligjet dhe me zyrtarët e saj, natyrisht me përshtatjet e nevojshme që bënte Republika e Shën Markut, për të rritur efektivitetin e qeverisjes e të sundimit të vet edhe në këtë territor, i cili i ishte dhënë peshqesh nga vetë princat arbër. Pra, gjysmë shekulli para se Skenderbeu të kthehej në Krujë dhe të fillonte kryengritjen antiosmane, viset e të ashtuquajturës “Arbëri venedike” ishin nën sundimin venedikas dhe të tilla mbetën edhe gjatë kohës sa luftoi e rezistoi Skenderbeu me aleatët e vet kundër osmanëve. Thënë thjesht, arbërit që ishin nën sundimin venedikas, nuk ishin pjesë e kauzës së Skenderbeut dhe aleatëve të tij, Napolit dhe Selisë së Shenjtë. Ata ishin të programuar brenda interesave të Republikës së Venedikut, gjë që i mbajti larg mundësisë që të inkuadroheshin në kauzën antiosmane të Skenderbeut, i cili e emërtonte veten epirotas, e jo arbër. Prandaj, kjo shkëputje e gjatë, gati njëshekullore e “Arbërisë Venedike” nga pjesa tjetër e trungut etnik arbër/epirotas, nuk ka mbetur pa pasoja edhe për fatin e emrit arbër dhe të emrit Arbëri. Nuk kanë arritur të rezistojnë në realitetet e reja që janë krijuar gjatë periudhës 1392-1479, kur nuk kanë qenë pjesë integrale e hapësirës etnike arbëre/ epirotase, ndërsa pas dorëzimit të Shkodrës nga venedikasit më vitin 1479, nuk kishin më mundësinë që të ndikonin mbi zhvillimet që pasuan. Kjo është e logjikshme veçmas nëse etiketimi i Arbërisë Venedike nga ana e Oliver Jens Shmitit është i saktë: “Si arriti Arbëria e veriut, ky post pararojë i krishterë, gjithmonë e më shumë i izoluar më Adriatikun juglindor t’u bëjë ballë osmanëve më gjatë se të gjitha fuqitë e tjera të krishtera në Ballkan?”[16].
Të mbetur si qëndrestarët e fundit, arbërit nën zotërimin venedikas, kishin mbetur pa asnjë alternativë, as mundësi vasaliteti, sikundër kishin bërë shumica e princave ballkanikë, as integrimi, sikundër kishte filluar të bënte një pjesë e konsiderueshme e njerëzve që më herët kishin hyrë nën sundimin osman. Arbërit e zotërimeve të dikurshme venedikase, pas vitit 1479 nuk kishin alternativa të mira, ose u detyruan të migronin në gadishullin Apenin, që të vazhdonin bashkëjetesën me sunduesin e larguar nga viset e tyre, ose të identifikoheshin me entitetin e ri që po bëhej dominues. Edhe shpërngulja i margjinalizoi e edhe identifikimi me entitetin e ri poashtu. Emri i tyre mesjetar, arbër dhe i vendit të tyre të projektuar, Arbëri, mbetën vetëm si një trashëgimi historike në rrugën e vështirë të mbijetesës së etnisë arbëre/epirote dhe të formimit të kombit shqiptar më vonë, me emër të ri, shqiptar dhe me emrin e ri të atdheut të tyre, Shqipëri.
Lidhur me këto probleme të emërtimeve etnike dhe gjuhësore, pas shfaqjes së shkrimit shqip, ofrohen mundësi më të mira që të ndiqet kronologjia e tyre. Kështu, Eqrem Çabej ka sjellë dëshmi edhe tekstet e autorëve të vjetër katolikë, Buzuku, Budi e Bogdani, në të cilat përmendet emërtimi Arban, Arbëni, Arbënit për vendin: “Buzuku: XVIII/2b: “Gjithë popullinë ndë Arbanit ata n mortajet largo”, Budi: “ke nd Arëbnë shtiu leqtë”, Bogdani: “dhe i Arbënit, Regjinia e Arbënit”[17].
Ndërsa, emërtimi për gjuhën rezulton të jetë emërtimi shqip. Edhe poeti alamiadist Nezim Frakulla, në hullinë e autorëve të vjetër, e përdor emrin shqip për të identifikuar gjuhën në të cilën po shkruante poezinë e vet.
Kristo Frashëri ka pohuar se emrat arbën dhe epirotë janë shfaqur më herët, se sa në kohën e Skenderbeut dhe lindjes së shkrimeve në gjuhë shqipe:
“Për shqiptarët u sanksionuan kështu në shek. XIV-XV dy emërtime etnike: arbër dhe epirotë. Në këto dy emërtime nuk u përfshinë viset e banuara nga shqiptarët që ndodheshin jashtë kufijve të emërtimeve Arbëri e Epir. Është fjala kryesisht për territoret e Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit (Metohisë) dhe të Maqedonisë Perëndimore, vendbanimet e dikurshme të dardanëve, paionëve dhe lunkesëtve ilirë.“[18].
Ajo që mbetet të hulumtohet në të ardhmen ka të bëjë me nevojën që të zbulohet se si u bë që mbetën dy emërtime në të njëjtën kohë e për të njëjtën etni, apo mos është e vërteta ajo që pohon Kristo Frashëri se këto dy emërtime shprehnin, i pari një formacionin katolik, ndërsa i dyti një formacion ortodoks? Po sipas Kristo Frashërit, emri nacional shqiptar dhe emri i vendit Shqipëri, në formë të shkruar u shfaqën më vonë, në shekullin XVIII, pas gati tre shekuj nën sundimin osman, kur kishte ndodhur një shkallë e lartë e integrimit të banorëve në sistemin osman:
“Me sa dimë, apelativi shqiptar zëvendësoi për herë të parë në burimet e shkruara historike emrat arbër dhe epirotë në shekullin XVIII, kurse emri i vendit Shqipëri, në vend të Arbërisë dhe Epirit u sanksionua në fushën e shkrimit në shek XIX. Si apelativi për banorin shqiptar ashtu dhe ai për atdheun Shqipëri, u përhapën në mënyrë të rrufeshme gjatë Rilindjes Kombëtare vetëm në radhët e shqiptarëve që nga Mitrovica deri në Prevezë.“ [19]
Meqë Çabej ka pohuar se emri Arbëri në krye të herës ishte përdorur si emër vendi, ndërsa emri shqip ishte përdorur si emër për gjuhën, tash është rasti të shtrohet pyetja pse emri shqip në fillim ishte emri i gjuhës dhe të provohet të jipet një përgjigje në të, ose më drejt një sprovë e zgjidhjes së problemit, nëse i përmbahemi me ngulm koncepcionit poperian. Mendojmë se emërtimi i ri vetëm për gjuhën si shqip, ka ndodhë për dy arsye, e para, ngase në pikëpamje etnike dhe etnografike nuk kishte ndodhur ndonjë ndryshim, që do të meritonte të kishte një emërtim të ri. Pra, banorët ishin po ata në pikëpamje etnike dhe etnografike dhe ende nuk kishin nevojë për një emërtim të ri. Por tek ata kishte ndodhur një ndryshim në aspektin fetar: një numër i konsiderueshëm i banorëve që quheshin arbër e epirotë, kishin përqafuar Islamin si fenë e tyre të re, ndërsa ky ndryshim kishte pasur implikime gjuhësore, prandaj edhe fillimisht kishte kërkuar një emërtim të ri për gjuhën. Si? Për ndryshim nga feja katolike dhe ajo ortodokse që kishin një kler të qendërzuar dhe që në liturgji praktikonin vetëm gjuhën latinishte përkatësisht greqishte (ose sllavishte në trevat e sunduara nga serbët), feja Islame, e cila ishte përhapur tashmë në një pjesë të popullsive që emërtoheshin si arbëre (albane) dhe epirote, nuk praktikohej në gjuhën e sunduesit osman. Gjuha e fesë islame ishte gjuha arabe, e cila nuk kishte përhapje entuziaste as në vetë Perandorinë Osmane e aq më pak në territoret periferike si tokat arbëre/epirote, që sundoheshin prej saj. Në këso rrethanash, shqiptarët e konverzuar në Islam, në mënyrë radikale u shkëputën nga latinishtja përkatësisht nga greqishja e sllavishtja dhe filluan të komunikonin në jetën fetare e edhe publike në gjuhën shqipe, e cila doli si element i ri i identitetit të tyre fetar që ishte veçuar nga identiteti katolik dhe ai ortodoks. Këta muslimanë shqipfolës, që po diferencoheshin qartë fetarisht nga katolikët dhe nga ortodoksët që praktikonin fenë në gjuhën latinishte pëkatësisht greqishte ose sllavishte, u bën njësia e afirmimit të gjuhës shqipe në një mjedis multigjuhësor. Ata po flisnin shqip, që të shprehnin identitetin e vet fetar të ndryshëm nga pjesëtarët e etnisë së njëjtë, por që tashmë fetarisht ishin të ndryshëm. Sikundër u tha më lart, ata që përqafuan Islamin, nuk kishin një gjuhë të ngulitur të fesë në atë periudhë, prandaj ata flisnin shqip, duke u dalluar në atë mënyrë nga të krishterët, që praktikonin në jetën fetare gjuhët latinishte e greqishte (sllavishte).
Prandaj emri shqip, i dedikohej gjuhës së vendit, asaj gjuhe që e kishin folur edhe përpara të gjithë ata bashkërisht, si në sferën private e publike dhe që e kishin njohur si gjuhë arbëre. Mirëpo, në jetën fetare tashmë arbërit dhe epirotët e muslimanizuar kishin filluar ta përdorinin gjuhën e vendit si mjet diefrencimi nga të krishterët dhe kjo gjuhë e vendit tashmë e ndryshoi edhe emrin, duke u emërtuar si shqip. Kjo hipotezë jona mbetet të hulumtohet më detajisht e më gjerësisht në të ardhmen, por tash për tash na duket se drejtimi në të cilin duhet të vazhdohet hulumtimi, është ky. Ndryshime të tjera, përveç këtij ndryshimi fetar, nuk ka pasur në kohën kur ndryshoi emri i gjuhës nga arbëre në shqip dhe emri i etnisë nga arbër e epirotas në shqiptar. Nëse kjo hipotezë jona vërtetohet edhe me fakte të tjera, do të rezultonte që feja Islame e stimuloi afirmimin dhe zgjerimin e gjuhës shqipe. Pra, do të rezultonte edhe se kombit shqiptar, që u formua në mesin e shekullit XIX, emri iu ngjizë nga ky proces diferencimi brendaetnik, pasi që ishte krijuar një ekuilibër i ri fetar brenda etnisë, që deri në atë kohë kishte mbajtur dy emra të ndryshëm për një etni të vetme.
Në favor të këtij pohimi është edhe gjendja e arbërve dhe e Arbërisë, në periudhën pas romanizimit të madh të popullsisë, të cilën e përshkruan Peter Bartli dhe që e ka quajtur “periudhë e kryehershme” shqiptare. Sipas tij procesi i romanizimit kishte avancuar aq sa kishte ngulafur pjesën më të madhe të hapësirave ku jetonin ilirët. Jashtë atij procesi gllabërues kishte mbetur vetëm një zonë e vogël, të cilën ai ne quan zonë relikte:
“Territori i Shqipërisë së sotme bashkë me pjesë të mëdha të gadishullit ballkanik në vitet 200-100 para Kr. iu nënshtrua suksesivisht Romës. Bashkë me armatën dhe administratën romake, vendit iu imponua edhe gjuha latine. Rreth vitit 300 pas Kr. procesi i Romanizimit ishte përmbyllur në pjesën më të madhe. Vetëm në disa zona malore ishin ruajtur ende gjuhë të moçme ballkanase – ndër to edhe ajo e shqiptarëve të kryehershëm. Po ku shtrihej kjo zonë relikte e kryehershme shqiptare? Sipas të gjitha gjasave këtu bëhej fjalë për një zonë të mbyllur malore. Stadmylleri vjen në përfundim që është e mundur të kemi të bëjmë me zonën e Matit në Shqipërinë Veriore. Mati rrethohet nga të gjitha anët me vargmale të larta dhe i dëshmon të gjitha parakushtet për një zonë relikti. Zona e Matit feks të mos ketë qenë përfshirë nga romanizimi dhe të ketë mbetur jashta zonës së mujshisë direkte të Romës”[20].
Edhe Noel Malkolmi pohon shkallën e lartë të romanizimit dhe të shpërbërjes së ilirëve nën sundimin e gjatë romak:
“Ilirët, të cilët kishin jetuar në rrafshinat bregdetare u romanizuan, si ata të bregdetit dalmatin, ashtu edhe ata të pjesës dërrmuese të trojeve të ish Jugosllavisë. Në kohën kur sllavët zunë të arrinin në shekullin VI, kishin mbetur vetëm grupe folësish të gjuhëve “barbare” në Ballkan, dhe të gjithë ata ndodheshin në viset malore.”[21]
Nga pasojat e procesit gllabërues të romanizimit janë shkatërrimi i qyteteve ekzistuese ilire, si Rizoni e Skodra dhe shkatërrimi i të gjitha institucioneve sociale e fetare ilire me çka jo vetëm ishte ndërprerë kultura ilire por kishte ndodhur edhe rrallimi demografik i tyre. Romanizimi ka dobësuar ilirët deri në atë masë sa ata u bënë të paaftë të rezistonin ndaj invadimeve të mëvonshme avare e sllave, të cilat e shkatëruan kompaktësinë gjeografike të ilirëve dhe i detyruan të tkurreshin si komunitet i vogël vetëm në hapësira të ngushta në zonat e Alpeve. Edhe nga ngjarjet e mëvonshme siç janë krijimi i Principatës së Progonit dhe më vonë të Gjon Kastriotit, mund të forcohet teza se kjo ka qenë zona me koncentrimin më të madh të atyre pasardhësve të pakët ilirë që i kishin shpëtuar romanizimit gllabërues e më vonë edhe sllavizimit dhe që po dilnin në skenën e historisë me një emër të ri, si arbër. Nëse është kështu, kjo do ta vërtetonte tezën e Stadmyllerit, të cilës i referohet Peter Bartli kur thotë: “populli shqiptar është krijuar nga një relikt popullor lashtoballkanas në mes të një romanizimi të përgjithshëm në kohë të antikës së vonë”[22].
Në një rast të këtillë është e qartë se një komunitet ilirësh që i shpëtuan romanizimit e valës së hershme të sllavizimit, ndonëse duke u tkurrur në një zonë relikte, u rishfaqën në skenën e historisë, duke ruajtur shumë elementë nga parardhësit por duke qenë edhe të ndikuar kulturalisht nga procesi i romanizimit e prej këndej duke u transfromuar në një komunitet të ri. Meqë fisi albanoi dhe qyteti Albanopolis, të cilin e përmendë Ptolomeu në hartën e tij botërore të shekullit II të erës sonë është në qarkun e kësaj zone relikte, e cila i shpëtoi romanizimit, atëherë emri i komunitetit të ri, alban, arbër, Albanie, duhet të jetë vazhdimësi e emrit të fisit të hershëm ilirë. Por në atë rast teza e Çabejt se emri arb në fillim u përdor si emër vendi, do të duhej të rishqyrtohej. Pra, nëse ai është i ndërlidhur me emrin e fisit Albanoi, referenca është te populli e jo te vendi (Albanopolisi në këtë rast.) Lidhur me shkaqet e ndërprerjes së procesit të romanizimit përkatësisht të mbijetesës gjuhësore e etnike të një komuniteti të paromanizuar në zonën relikte të Matit, Bartli mendon se kjo ndodhi pasi që dyndja e sllavëve nga viti 600 e ndërpreu romanizimin.[23]
Përmendja e re e etnisë arbëre (albane) ndodhë vetëm në shekullin XI nga ana e Mihael Ataleates i cili i përmend si Arbanitai. Pra, fillojnë të përmenden, pasi që ishte kryer edhe procesi shumë agresiv i vendosjes së sllavëve në Ballkan, i cili e kishte ndërprerë procesin e romanizimit, por e kishte filluar procesin tjetër, atë të sllavizimit, i cili kishte treguar sukses në zonat që paraprakisht ishin romanizuar, e më pak në zonat ku romanizimi nuk kishte depërtuar. Në shekullin XI po shkonin drejt fundit dhe dështimit dy shekuj të sundimit bullgar dhe territoret arbëre po rikthheshin nën sundimin e Bizantit. Në këtë rivalitet bullgaro-bizantin duket të ketë filluar të shfaqet roli i arbërve, gjë që konfirmohet nga përmendja e tyre nga Mihael Ataleatesi.
Ndërsa në burimet latine, po sipas Bartlit, ata zunë të përmenden më vonë, nga shekulli XIV, por jo si Arbanitai të Ataleasit, veçse si Albanenses ose Arbanenses [24].
Pra, ata ilirë që i mbjetuan romanizimit, në një zonë relikte si ajo e Matit, u rishfaqën në histori me një emër të ri, i cili logjikisht duket i ndërlidhur me emrin e fisit ilir Albanoi. Me këtë emërtim, ndonëse në variacione të ndryshme, veçmas nga të huajt, arban, raban, alban, arvanit, arnaut, do ta mbijetojnë mesjetën. Por, sikundër dihet, në kohën e re, që nga shekulli XVIII, do të triumfojë një emër i ri, emri nacional i sotëm, shqiptar. Rrjedhimisht edhe në këtë rast, ndryshimet e ndodhura, provokuan edhe ndryshimin e emrit me të cilin idetifikohej fillimisht komuniteti i ri fetar dhe më vonë kombi i ri shqiptar.
Ekspansioni i emrit shqip, gjuhë shqipe e shqiptar në periudhën e Rilindjes Kombëtare, gjë që e thekson Kristo Frashëri e që është cituar më herët, është në pajtim me faktin që ishte formësuar një komb i ri, kombi shqiptar, brenda të cilit ishte integruar identitetet e tjera, ai fetar, rajonal e deri diku edhe ai dialektor. Është edhe në pajtim me përjetimin romantik të identitetit kombëtar, sikundër vërehet edhe te Sami Frashëri, i cili në traktatin e tij “Shqipëria ç’ka qënë ç’është e ç’do të bëhet” për gjuhën shqipe shkruan:
“Shqiptarët flasin një nga më të vjetrat’ e më të bukuratë gjuhë të dheut. Gjuhëratë që kanë qenë shoqet’ e motërat e shqipesë, kanë mijëra vjet që kanë humburë e s’flitenë në nonjë vënt të dheut, po në vendit t’atyre përdoren mbesat’ e stërmbesat’ e tyre. Shqipja është shoqe me greqishten, e vjetër, me llatinishtenë, me sanskritishtenë, gjuhën’ e Indisë’ së vjetërë, me senishtenë, gjuhën’ e Persisë së vjetërë, me qeltishtenë, me tevtonishtenë, etj.” [25].
Pra, emri shqiptar është tërësisht i ngulitur dhe i stabilizuar në ligjërimin e Sami Frashërit dhe të rilindësve të tjerë, pa lënë asnjë mundësi që ndonjë emër tjetër, nga ata që shenjonin etninë, arbër (alban) e epirotë, të mund të ishin jo rival i emrit shqiptar po as të evokuar si emra etnikë. Triumfi i emrit shqiptar dhe Shqipëri ishte përfundimtar në periudhën e formimit dhe konsolidimit të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë si atdheu i tyre, me ç’rast ishin shtyrë në prapavijë identitetet fetare e rajonale. Rrjedhimisht, ngjarjet e mëdha historike si pushtimet romake, bizantine, bullgare, serbe, anzhuine, venedikase e osmane, ndarjet fetare e rajonale, kanë sjellë pasoja e përmbysje por si finalitet prej gjithë atyre kanë lindur një komb vital e dinamik, me gjithë pluralitetin e vlerave që e karakterizon një komb në zemër të Evropës. Në gjithë këtë kontekst, përkatësia islame e shumicës së shqiptarëve është integruar për bukuri në procesin e ruajtjes së vlerave etnike lashtoballkanike, të krijimit të kombit shqiptar dhe të formimit të dy shteteve shqiptare që ekzisitojnë sot në hartën e Evropës. Kushdo që përpiqet të dezintegrojë këtë realitet dhe të minimizojë proceset që e kanë finalizuar si të këtillë, duke provuar që me emrat dhe vlerat parakombëtare të rivalizojë emrin e kombit dhe vlerat e tij plurale, në fakt përpiqet ta dezintegrojë procesin e komplikuar të formimit të kombit shqiptar dhe të sfidojë ekuilibrat e brishtë të tij.
__________
Shënime
1. Lidhur me emrin etnik arbër dhe funksionet në të cilat është përdorur, si dhe emrin e vendit Albania, me variacionet e saj, shih te: Oliver Jens Shmit, Arbëia Venedike, fq. 49-62
2.Karl Poper, “Për filozofinë dhe shkencën”, Fan Noli, Tiranë, 2009, fq. 107
3.Në referatin “Për teorinë e shkencës” Karl Poperi pasi i ka diskutuar një varg problemesh të procesit shkencor, formulon këtë skemë brenda së cilës zhvillohet procesi shkencor: 1. Problemi i vjetër, 2) Krijimi i teorive sprovuese, 3) Përpjekjet për eliminim nëpërmjet diskutimit kritik, duke përfshirë verifikimin me anë të eksperimentimeve dhe 4) Problemet e reja, që burojnë nga diskutimi kritik i teorive tona.” Shih më gjerësisht gjithë referatin, në vëllimin: “Për filozofinë dhe shkencën”, fq. 90-117)
4. Shih: Dr. Eqrem Çabej, Studime gjuhësore, Rilindja, Prishtinë, 1975, fq. 62-70) Çabej ka ballafaquar, analizuar e komentuar me kompetencë shkencore të lartë edhe mendimet e shumë dijetarëve lidhur me këtë çështje, veçmas në tekstin e parë. Emërtimi prej tij i emrave arbën e epirotë si “emra nacionale të shqiptarëve” nuk e zbehë aspak vlerën e studimeve të tij, që gjithsesi mbeten fundamentale. Por, një distinksion i qartë ndërmjet tyre si emra etnikë dhe emrit të vërtetë nacional të shqiptarëve, sot është më i domosdoshëm se sa në kohën kur e ka trajtuar këtë çështje Çabej.
5. Eqrem Çabej, Vepër e cituar. fq/ 66
6. Eqrem Çabej, Vepër e cituar. Fq 71
7. Çabej, evokon se si Haupti, Hysingu, Bleichsteineri e afrojnë emrin alban me atë të Albanëve të Kaukazit, gjë që objektivisht është jahstë kontekstit historik dhe gjuhësor. fq. 62
8. Oliver Jens Shmit, Arbëria Venedike, fq, 49
9. Antony Smith, Kombet dhe nacionalizmi në erën globale, fq. 76
10. Eqrem Çabej, Vepër e cituar, fq, 69
11. Nikolla Jorga, Histori e shkurtër e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar, Botimet Saraçi, Tiranë, 2004, fq. 36
12. Antony Smith, Vepër e cituar, 103)
13. Kristo Frashëri, Etnogjeneza e shqiptarëve, Botimet M&B, Tiranë, 2013, fq. 244)
14. Giuseppe Gelcich, Zeta ose dinastia e Ballshajve, fq. 176
15. Po aty, fq. 196
16. Oliver Jens Shmit, Arbëria Venedike, K&B, Tiranë, 2007, fq. 507
17. Eqrem Çabej, Vepër e cituar, fq. 63
18. Kristo Frashëri, Vepër e cituar, fq. 247
19. Kristo Frashëri, Vepër e cituar, fq. 249
20. Peter Bartl, Shqipëria nga Mesjeta deri sot, Prizren, 99, fq. 22
21. Noel Malkolm, Kosova një histori e shkurtër, Koha, Prishtinë, 1998, fq. 35
22. Peter Bartl, Vepër e cituar, fq. 21
23. Po aty, fq. 22
24. Shih, Bartl, fq, 25
25. Sami Frashëri, “Shqipëria ç’ka qënë ç’është e ç’do të bëhet”, Rilindja, Logos A, Shkup, 2004, fq. 34-35
____________
BIBLIOGRAFIA
Aref, Mathieu, Shqipëria (Historia dhe gjuha) Odiseja e pabesueshme e në populli parahelen, Plejad, 2007
Baji, Ogyst, Perandoria e Bizantit, Arbri, Tiranë,
Bart,l Peter, Shqipëria nga Mesjeta deri sot, Prizren
Bartl, Peter, Muslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarësi kombëtare (1878- 1912), Dituria, Tiranë, 2006
Bozbora, Nuray, Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në Perandorinë Osmane, Dituria, Tiranë, 2002
Cimohovski, Vacllav, Gjuha shqipe, Rilindja, Prishtinë, 1988
Dibi, Zhorzh, Umetnost i drustvo u srednjem veku, Clio, Beograd, 2001
Duka, Ferit, Shekujt osmanë në hapësirën shqiptare, UET Press, 2009
Duka, Ferit, Berati në kohën osmane (XVI- XVIII), Tiranë, 2001
Duka, Valentina, Histori e Shqipërisë, Tiranë 2007
Faveirial, Klod Zhan, Historia më e vjetër e Shqipërisë, Plejad, Tiranë, 2004
Frashëri, Kristo, Historia e qytetërimit shqiptar, Tiranë, 2008
Frashëri, Kristo, Etnogjeneza e shqiptarëve, BOtimet M&B, Tiranë, 2013
Frashëri, Sami, Shqipëria ç’ka qënë ç’është e ç’do të bëhet, Rilindja, Logos A, Shkup, 2004
Frashëri, Mehdi, Historia e lashtë e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, PHOENIX, Tiranë, 2000
Fukujama, Fransis, Ndërtimi i shtetit, AIIS, Tiranë, 2010
Çabej, Eqrem, Vepra I-VI, Rilindja, Prishtinë, 1976
Gelcich, Giuseppe, Zeta ose dinastia e Ballshajve, 55, Tiranë, 2009
Jorga, Nikolla, Histori e shkurtër e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar, Saraçi, Tiranë, 2004
Kraja, Mehmet, Identiteti kosovar, PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë, 2011
Kulla, Ndriçim Antologji e mendimit shqiptar (1870-1945) Plejad, Tiranë, 2003
Lejn, Uajlder Rouz, Majat e Shalës, Rilindja, Prishtinë, 1997
Malkolm, Noel, Kosova një histori e shkurtër , Koha, Prishtinë,
1998
Mantran, Robert, Historia e Perandorisë Osmane, Tiranë, 2003
Mazover, Mark, Ballkani Një histori e shkurtër, Scanderbeg books, Tiranë, 2003
Nopça, Franc, Fiset e Malsisë së Shqipërisë Veriore dhe e drejta zakonore shqiptare, Eneas, Tiranë, 2013
Norvich, Julius John, Biznanti, Uegen, Tiranë, 2005
Ostrogorski Georg, Historia e Perandorisë Bizantine, Dituria, Tiranë, 2002
Plasari, Aurel, Skënderbeu, një histori politike, Instituti Shqiptar i Studimeve “Gjergj Fishta”, Tiranë, 2010
Poper, Karl, Për filozofinë dhe shkencën, Fan Noli, Tiranë, 2009
Revista Përpjekja 28-29 “Skenderbeu i kërkimit shkencor”, Tiranë, 2012
Pulaha, Selami, Lufta shqiptario-turke në shekullin XV:burime osmane, Tiranë, 1968
Vlora, Eqrem bej, Kujtime, 1885-1925, Tiranë, 2003
Sazonov, Dimitrieviq Sergej , Kujtime, Helga’s
Secrets, Tiranë
Skendi, Stavro, Zgjimi kombëtar shqiptar, PHOENIX, Tiranë, 2000
Smith, Antony, Kombet dhe nacionalizmi në erën globale, Botimet Dudaj, 2008
Stiglitz, Joseph, Globalizimi dhe pakënaqësitë e shkaktuara prej tij, Zenith, Prishtinë, 2007
Sugar, Peter F., Europa Juglinore nën sundimin osman (1354-1804) Dituria, Tiranë, 2007
Shmit, Jens Oliver, Skënderbeu, K&B, Tiranë, 2009
Shmit, Jens Oliver, Arbëria Venedike, K&B, Tiranë, 2007
Shmit, Jens Oliver, Kosova Histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike, Koha, Prishtinë, 2012
Shuflaj, Milan, Serbët dhe shqiptarët, Toena, Tiranë, 2004
© Pashtriku.org
_______________
ORIGJINA E FJALËS ‘SHQIPËRI’ DHE ‘ALBANIA’ / Akademik Eqrem Çabej