Shkruan: Musli Krasniqi

Po hynte qershori dhe Prishtina vazhdonte të ishte në shtetrrethim të hekurt. Ata pak shqiptarë të mbetur rrinin mbyllur nëpër shtëpi ose banesa, pa dhënë shenja banimi. Dritat në të shumtën e rasteve mbaheshin të fikura.

Lëvizjet, sado minimale dhe vetëm për nevoja jetike, bëheshin në fshehtësi. Nëpër rrugët e boshatisura nga njerëzit e rëndomtë, sorollateshin kryesisht qen endacakë dhe policë, ushtarë e paramilitarë serbë.

Këta të fundit vazhdonin pandërprerë reprezaljet nëpër ato pak familje shqiptare që u kishin shpëtuar operacioneve paraprake dhe nuk kishin mundur të lëviznin jashtë Kosovës apo kishin vendosur vet të qëndronin në vendin e tyre. Pjesa dërmuese e kryeqytetasve ishin dëbuar dhunshëm për në Shqipëri dhe Maqedoni.
Nga 19 prilli familja jonë qëndronte në lagjen Taslixhe, në krahun e majtë të rrugës për Gërmise.

Mijëra të zhvendosur me dhunë ato ditë prilli ishin strehuar në rajonin e Gollakut. Çdo plumb i shkrepur mbi forcat serbe kthehej në dhjetëra civilë të vrarë në shenjë hakmarrjeje. Në këto rrethana, bashkë me të ardhurit që tani dyndeshin në drejtim të Prishtinës, kishim lëvizur edhe ne, banorët rezidentë të fshatrave të Gollakut.
Që të derdhej sa më pak gjak civilësh, djemtë e vajzat e lirisë, me shqiponjën në ballë, po e derdhnin gjakun e tyre rrëke, maleve të Gollakut.

“Rruga e tmerrit” do të emërtohej nga shumë prej njerëzve që përjetuan dhunën çnjerëzore apo panë me sy vrasjet dhe masakrat makabre që pjesëtarë të forcave serbe kryen mbi popullatën e pafajshme civile shqiptare, përgjatë 10 kilometrave, nga Grashtica deri në Prishtinë, midis 19 e 22 prillit 1999.

Tejkalon kufijtë e imagjinatës njerëzore ajo gjakftohtësi për të vënë në tehun e thikës jetën e njeriut, të babait para fëmijëve, të fëmijëve para prindërve, të vëllait para motrës, të motrës para vëllait, të të gjithëve bashkë pa asnjë dallim dhe pa më të voglin hezitim. Vetëm urrejtja patologjike e ngulitur në gjenin serb që në djep, nga ninullat deri te elaboratet e Akademisë serbe të Shkencave, se si duhet vrarë e prerë shqiptarët, mund të arrijë deri në atë pikë të përpjekjes, në pasion, për të shfarosur një popull, me të gjitha mjetet në dispozicion.

Gollaku e kishte përjetuar më 1921 tmerrin nga bajonetat serbe, me mbi 2 mijë burra, gra, pleq e fëmijë të masakruar në Keçekollë e Prapashticë, por po të njëjtin edhe në vitet 1912-1913. Tani historia po përsëritej.

* * *
Shtëpitë e dajëve tanë në krye të lagjes Taslixhe ishin në shënjestër të zjarrit armik, ashtu siç kishin qenë për dekada me radhë, prandaj banimi aty bëhej e pamundur. Të vendosur disa qindra metra më poshtë, gjatë muajit maj u përballëm përsëri me brutalitetin e forcave policore serbe. Ishin serish fati dhe gjeturia e babait që bënë të shmangej një tragjedi mbi familjen.

“Nga do të shkoni, në Maqedoni a në Shqipëri?”, po pyeste me ironi udhëheqësi i grupit prej katër policëve që hyri në shtëpinë ku banonim.

“Në shtëpinë tonë, në Grashticë”, ia ktheu babai.

Policët u panë në sy dhe u ngërdheshën.

“Atje nuk keni ku shkoni. E kemi bërë shkrumb e hi”.

* * *

Krahas bombardimeve të NATO-s po intensifikohej edhe lufta e UÇK-së në terren, veçanërisht në kufirin me Shqipërinë. Operacioni tokësor “Shigjeta” në Pashtrik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte tmerruar aparatin gjenocidal shtetëror të Serbisë por edhe kishte rritur egërsinë e tij mbi shqiptarët.

Për të siguruar ushqime ne vazhdonim herë pas herë lëvizjet deri te shtëpitë e dajëve, kryesisht kopshteve dhe oborreve, tashmë të boshatisura, duke shmangur maksimalisht rrugët, në të cilat frekuentonin pa ndërprerë dhe me shpejtësi makinat policore e ushtarake serbe, por edhe patrulla këmbësorie. Këtë qarkullim të rrezikshëm, por të detyrueshëm, e bënin kryesisht nëna me vëllain më të vogël.

Gjatë një lëvizjeje të tillë, në buzëmbrëmjen e një dite të fillimqershorit, së bashku me vëllain, na erdhi një fishkëllimë e lehtë nga pemët e një kopshti.

Kthyem kokën me drojë. Një djalë mbi të 20-at, me një buzëqeshje në fytyrë na bëri me shenjë të afroheshim. Ishim të vetëdijshëm për rrezikun, por dukej miqësor dhe iu afruam me hapa të ngadaltë.

“Mos u frikësoni, jam shqiptar. Ku jeni duke banuar?”, na pyeti më zë të ulët, duke vështruar me kujdes përreth.

U interesua për lëvizjet e forcave serbe dhe për familje të tjera shqiptare që banonin përreth nesh.

“Së shpejti, edhe pak ditë, lufta do të përfundojë. Ne do të fitojmë. Serbët janë tërbuar…. Derri para ngordhjes godet më fort. Ju lutem mos lëvizni, mos bini në sy… I thoni babait. Ne jemi këtej rrotull…”.

“Po kush jeni ju?”.

Pa e zgjatur më tej, me atë buzëqeshjen e parë në fytyrë iku nëpër muzg.
Një ndjesi e papërshkruar na kaploi. Pas një kohe të gjatë ankthi, ky djalosh i panjohur na dha një fije shprese.

Më vonë kuptuam që ato ditë njësi të UÇK-së kishin depërtuar nëpër lagje të ndryshme të qytetit të Prishtinës, për të evituar ndonjë masakër të mundshme që forcat serbe mund të kryenin në ditët e fundit të pushtimit mbi Kosovën apo gjatë tërheqjes…

Liria erdhi pak ditë më vonë, por luftëtarin që na dha lajmin i pari, nuk arrita ta njoh asnjëherë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here