Shekulli XVI ishte edhe shekulli i prezencës së madhe shqiptare në Mesdhe, respektivisht në ujërat dhe në brigjet e Mesdheut me komandantë, ushtarakë dhe me admiralë të detit që vepronin për vete me kusari të lulëzuar në atë kohë ose nën ombrellën osmane. Njëra prej këtyre figurave është kapiteni dhe admirali Memi ose Mehmet Arnauti, që ishte emri i shquar në gjysmën e dytë të shekullit XVI në Mesdheun perëndimor. Më 1589-1590 pati një mision: drejtoi anijen me ambasadorin e Marokut për në Stamboll. Pasi që gëzoi shumë autoritet e ndërtoi Sarajin në një breg të Algjerit që u ruajt me emrin “Saraji i kuq”. Emri i tij përmendet edhe prej Miguel de Cervantesit në një tjetër rast.

Me kalimin e kryeqytetit osman nga Bursa në Edirne më 1371 dhe me zgjerimin e shpejtë të shtetit osman deri në brigjet e Adriatikut, shpërtheu një konflikt për dominim në detin Adriatik e Mesdhe, së pari me Venedikun e më vonë me Spanjën, e cila u paraqit si fuqi rajonale kur u bashkua më 1492 pas rënies së principatës së fundit myslimane në Granadë. Ishte viti 1492.
Në këtë kontekst, mund të thuhet se shekulli XVI ishte edhe shekulli i prezencës së madhe shqiptare në Mesdhe, respektivisht në ujërat dhe në brigjet e Mesdheut me komandantë, ushtarakë dhe me admiralë të detit që vepronin për vete me kusari të lulëzuar në atë kohë ose nën ombrellën osmane.
Njëra prej këtyre figurave është kapiteni dhe admirali Memi ose Mehmet Arnauti, që ishte emri i shquar në gjysmën e dytë të shekullit XVI në Mesdheun perëndimor.
Ai u bë i njohur më 1575 kur me dy anije të veta e sulmoi një anije që shkonte nga Napoli për në Spanjë dhe e mori deri në Algjeri, ku në mesin e udhëtarëve ishte Miguel de Cervantes që u bë më vonë shkrimtar i njohur duke përmendur Memi Arnautin.
Memi Arnauti gjatë viteve 1577-1580 ishte i afërt me guvernatorin e Algjerisë Hasan Venizianon, saqë ai e neutralizoi revoltën kundër tij më 1580 dhe u bë de facto guvernator i Algjerisë deri kur u kthye Hasan Veniziano në pushtet më 1582-1587.
Burimet tregojnë se ai e solli familjen prej Shqipërisë dhe pasi që gëzoi shumë autoritet e ndërtoi Sarajin në një breg të Algjerit që u ruajt me emrin “Saraji i kuq” (Dar al-hamra) që u meremetua më 1818 dhe tani është nën kujdesin e UNESCO-s. Më vonë, Memi Arnauti mbeti pronar i disa anijeve që qarkullonin midis Mesdheut perëndimor dhe Stambollit dhe vetë udhëhiqte anijen e madhe në raste të veçanta.

Njëri prej këtyre rasteve ishte kur Sulltani i Marokut, Ahmad Ibn Mansur, deshi ta dërgonte ambasador veten për në Stamboll me një mesazh dhe një dhuratë për Sulltanin Osman Murati III (1547-1595 ). Atëherë Sulltani i Marokut, i vetmi vend arab që nuk ishte nën sundimin osman, e zgjodhi për mision shkrimtarin Ali al-Tamakruti (1534-1594). Pasi që Maroku nuk ishte pjesë e Perandorisë Osmane dhe nuk kishte lidhje detare me Stambollin sikurse vendet tjera arabe, Sulltani Ibn Mansur u kujdes që ambasadori i vet të shkojë në Stamboll me një anije që e drejtonte vetë Memi Arnauti, pasi që ai ishte i njohur me përvojën e madhe me lundrim nëpër Mesdhe. Vërtet, në atë kohë, Mesdheu nuk ishte det i sigurt në saje të flotave të shteteve në armiqësi dhe për shkak të kusarisë intensive që sillte përfitime të mëdha.

Ambasadori al-Tamakruti, që jetonte në brendi të vendit dhe nuk udhëtonte nëpër det, u përgatit me përcjellje për këtë rrugë të gjatë dhe të panjohur dhe mori me vete shumë fleta për të shkruar përjetimet e veta. U nis nga kryeqyteti Fes pasi e mori porosinë e Sulltanit më 6 maj 1589 dhe shkoi deri në portin maroken Tetouan duke pritur anijen e kapitenit Memi Arnauti. Anija arriti me vonesë dhe u nis më 13 gusht 1589 dhe arriti në Stamboll më 18 nëntor 1589. Ai ndenji në Stamboll gati tetë muaj dhe u kthye me të njëjtën anije të Memi Arnautit. Kësaj here, anija u nis më 11 qershor të vitit 1590 dhe arriti në Tatwan më 9 nëntor 1590. Al-Tamakruti e vazhdoi rrugën deri në Marakesh, ku ishte Sulltani, duke qëndruar atje deri në fund të shkurtit të vitit 1591, kurse arriti në vendin e vet (Tamarkrut) më 27 mars të vitit 1591.

Një rrugë e tillë, me plot përjetime dhe takime në Stamboll, ishte tërheqëse për të shënuar me detaje, gjë që e kreu al-Tamaruti dhe udhëpërshkrimin e titulloi: “Era e myshkut në udhëpërshkrimin për në Turqi”. Dorëshkrimi i këtij udhëpërshkrimi e tërhoqi vëmendjen e orientalistit francez Henri Marie de Castries (1850-1927), i cili e përgatiti një përzgjedhje në frëngjisht që doli më 1929, kurse e botoi më vonë (pa datë) këtë përzgjedhje në arabisht. Ky botim litografik u ribotua në Tunizi më 1985 në kujdesin e Sulejman al-Saidit, kurse u botua i plotë për herë të parë në Rabat më 2002 nën kujdesin e Abdullatif al-Shazli. Në saje të interesimit që e zgjoi, ky udhëpërshkrim i al-Tamakrutit doli në Bejrut më 2007 me një kujdes shkencor më të madh të Muhamed al-Salihiut.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here