Xhevdet Shehu

Botuar në DITA

Si në atë kohë kur ai ishte i gjithëpushtetshëm, edhe tani pas më shumë se tri dekadash të ndarjes së tij nga jeta, nuk është e lehtë të shkruash për Enver Hoxhën. I himnizuar si askush tjetër, sa ishte gjallë dhe, po aq i anatemuar pas vitit 1990, ai është një nga figurat më tërheqëse për historianët, studiuesit dhe politologët. Vendas dhe të huaj.

Në 75-vjetorin e lindjes, ai tha një shprehje lakonike që ishte kuintesenca e figurës së tij: “Mos mendoni se unë jam Zeusi… Jeni ju, pa jemi ne!”

Në të vërtetë ai ishte Zeusi i shqiptarëve për rreth gjysmë shekulli. Metaforikisht. Pasi edhe vetë Zeusi mitologjik është një metaforë. Fakt i padyshimtë është që Enver Hoxha është një personalitet i padiskutueshëm i historisë shqiptare, nga më të shquarit. Me shumë dritë hije, natyrisht. Si të gjithë udhëheqësit. Por ai do të mbetet edhe për shumë kohë një pikë referenciale e historisë së kombit shqiptar, për ato që bëri dhe nuk arriti t’i bënte. Duhet të vendosemi në kohën që ai jetoi dhe udhëhoqi për ta vlerësuar realisht.

Në DITA ne po botojmë një material autentik krejtësisht të panjohur nga biografia e tij si udhëheqës politik absolut. Një fragment ditari, nga ditari politik i tij, që nuk u bë kurrë publikisht as kur ai ishte gjallë dhe as sa ishte gjallë socializmi që ai ndërtoi. Dhe as sot e kësaj dite. Pikërisht te ky ditar mund të deshifrohen shumë nga sekretet e kohës së tij, akteve dhe sjelljeve të tij në vitet e fundit të jetës.

Në një nga takimet e mija me Nexhmije Hoxhën, në shtëpinë e saj në Laprakë, bashkëshorten e Enver Hoxhës e kisha përballë. Pasi përfundova një bisedë për gazetën, me kuriozitet ktheva kokën nga biblioteka që kisha pas shpinës sime. Nga dhjetëra mijë libra të bibliotekës unikale shumë të pasur të Enverit, kishin ngelur disa dhjetëra kopje librash. Është një histori më vete kjo… Duke vështruar me vëmendje titujt e librave, më tërhoqi vëmendjen një kolanë librash thuajse të njëjtë në ngjyra të kafenjtë, ndoshta me 14 vëllime, me titullin “Enver Hoxha. Ditari politik”.

E pyeta zonja Hoxha: “Unë kam ditarin në ngjyrë gri. Ç’është ky ditar?” Dhe ajo më tha: “Ai në ngjyrë gri ishte për opinionin publik. Kurse ky me ngjyrë kafe është më i miri i Enverit dhe mund të quhet ditari sekret më i rëndësishmi i Enverit. Është ditari politik i tij. Aty ke një gjykim autentik të Enverit për të gjitha zhvillimet politike në vend dhe në botë, si dhe për perspektivën e Shqipërisë edhe pas ikjes së tij. U botua në një minimum kopjesh, ndoshta 20 kopje. Sa për anëtarët e Byrosë Politike. E botuam aq pak dhe nuk u shpërnda asnjëherë në publik për ngarkesën e madhe politike që mbart. Nuk e di nëse do të ribotohet ndonjëherë…”

Këtu lindi kjo histori. Para disa ditësh, kontaktova me djalin e Enver Hoxhës, Ilirin, dhe bashkëshorten e tij Teuta, nëse mund të më jepnin ndonjë fragment të atij ditari. Duke mos e ditur se çfarë shkruhet e thuhet brenda atij ditari, nuk sugjerova asgjë. Iliri më tha “po” dhe më dërgoi këtë fragment nga ditari sekret i Enverit që ka të bëjë me përpjekjet e Shqipërisë për t’u lidhur me Gjermaninë në gjysmën e parë të viteve ’80 të shekullit të kaluar. Ishte koha kur kancelari i Bavarisë Franc Jozef Shtrausi bëri disa vizita në Shqipëri dhe ndërtoi urat e para të lidhjes së Shqipërisë me Gjermaninë. Janë shkruar gjatë këtyre viteve rrëfenja diplomatësh dhe personash të tjerë, të atyre që i krijuan këto lidhje me Shtrausin, që kanë qenë të pranishëm në vizitat dhe takimet me Shtrausin, kanë folur një sërë protagonistësh, por… Por mungonte historia e Enverit. Ai ishte gjallë në atë kohë dhe i ka lënë me shkrim mendimet e tij, udhëzimet dhe porositë.

Ne po ju zbulojmë diçka sot, me shpresën se në të ardhmen do të shkruajmë e botojmë më shumë.

Ja si ka shkruar ai në ditarin sekret.

 

Enver Hoxha:

Ja e vërteta për lidhjen tonë me Gjermaninë

E HËNË 22 SHKURT 1982

POZITA JONE NDAJ PROBLEMIT GJERMAN NE PËRGJITHËSI

Në vijim të vendimeve të Kongresit të 8-të të Partisë, ne përgatitëm edhe mënyrën, edhe formën për të konkretizuar lidhjet diplomatike me Republikën Federale të Gjermanisë.

Si fillim menduam që në Vjenë, ku janë vendosur kontakte formale midis ambasadorit tonë dhe atij të Republikës Federale të Gjermanisë, të dërgonim një shokun tonë që këtej për të marrë kontaktin e parë me një përfaqësues të Bonit në rang më të lartë se ambasadori. Shoku ynë, duke u bazuar në vendimet e Kongresit, do t’i parashtronte gjermanit pikëpamjet e Qeverisë sonë, përse nuk ka dashur kjo të lidhte marrëdhënie diplomatike më parë dhe përse mund t’i lidhë sot. Arsyet kryesore për këtë, do t’i thoshte atij përfaqësuesi ynë, kanë qenë politike e jo vetëm çështja e reparacioneve. Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, kur bënte pjesë si anëtare e Traktatit të Varshavës, ishte për nënshkrimin e Traktatit të Paqes me Gjermaninë. Ne nuk lëvizëm nga ky qëndrim, të tjerët po, lëvizën. Edhe tani mendojmë se ky traktat duhet të nënshkruhet. Por, ne jemi realistë dhe e dimë se një gjë e tillë nuk varet nga ne. Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë është për bashkimin e të dyja Gjermanive në një shtet të vetëm dhe dëshirojmë që Gjermania e bashkuar të jetë një vend demokratik socialist. Por, edhe për këtë ne jemi realistë, mbasi është një çështje e vetë popullit gjerman.

Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë doli nga Traktati i Varshavës, se ishte kundër tij, ashtu siç është dhe kundër NATO-s. Të dy këto traktate, që manipulohen nga të dyja superfuqitë, Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendi ynë i konsideron agresive dhe i bën përgjegjëse për një luftë të mundshme të përgjithshme atomike. Ne konsiderojmë, gjithashtu se qeveria e tanishme e Bonit ka një personalitet të fortë, të pavarur dhe fjala e saj bën kohën e mirë ose të keqe në NATO. Ajo nu është e nënshtruar ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kundër interesave të vendit të vet,  kurse Qeveria e Republikës Demokratike Gjermane nuk ka personalitet dhe është e nënshtruar ndaj Bashkimit Sovjetik.

Luftën në Evropë mund ta shkaktojnë si Bashkimi Sovjetik edhe NATO-ja, por në rast se Republika Federale e Gjermanisë do ta dëshironte një gjë të tillë. Në rast se Republika Federale e Gjermanisë është kundër një lufte në Evropë luftë këtu nuk mund të ketë, NATO-ja nuk ka vlerë pa Republikën Federale të Gjermanisë. Kjo është bindja jonë e tanishme. Ne kemi, gjithashtu, bindjen se një politikë si ajo që ndjek aktualisht Republika Federale e Gjermanisë mund të shkaktojë shthurjen e Traktatit të Varshavës, të dobësojë Bashkimin Sovjetik dhe jo vetëm të mos u nënshtrohet Shtetve të Bashkuara të Amerikës, por edhe t’i dobësojë këto.

Një prirje të tillë politike, të përafërt, gjykojmë ne, ka ndaj blloqeve qeveria e kancelarit Shmid, prirje politike kjo që nuk e ka pasur as qeveria e Adenauerit, aas ajo e Erhardit dhe nuk ka deklaruar ta ketë as ndonjë qeveri e mundshme e Shtrausit.

Ne, shqiptarët, jemi kundër luftërave agresive imperialiste, prandaj kemi qenë, jemi dhe do të jemi kundër superfuqive, Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kundër të gjithë atyre shteteve që bëjnë lojën e tyre. Politika jonë në këtë çështje nuk ndryshon dhe nuk do të ndryshojë.

Duke ndjekur me kujdes orientimet politike të qeverisë së djeshme të Republikës Federale të Gjermanisë, të Adenauerit dhe të pasardhësve të tij, dhe politikën aktuale të qeverisë së Shmidit, Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë nuk lidhi marrëdhënie diplomatike me të parat, ndërsa me qeverinë e sotme të Bonit dëshiron të lidhë marrëdhënie diplomatike. Kjo është arsyeja kryesore politike që e shtyn Qeverinë Shqiptare të lidhë marrëdhënie diplomatike me qeverinë e Republikës Federale të Gjermanisë.

Lidhur me çështjen e reparacioneve Gjermania duhet t’ia paguajë vendit tonë, por, se si do t’i quajmë ne këto, duhet të gjejmë për këtë termat që as për gjermanët të mos konsiderohen si reparacione, as për ne të mos merren sikur janë kredi. Po kështu sa duhet të na paguhen edhe kjo, gjithashtu, do të diskutohet në mes të dyja qeverive tona, pasi të zgjidhet çështja e parë.

Kjo me pak fjalë është paraqitja e çështjes nga ana jonë. Në hollësi kemi formuluar edhe ligjëratën e shokut tonë për bisedën me gjermanin.

 

—–

©Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

https://gazetadita.al/ditari-sekret-i-enver-hoxhes-projekti-i-panjohur-per-tu-hapur-me-perendimin-dhe-perpjekjet-e-para-per-tu-lidhur-me-gjermanine-ne-fillimin-e-viteve-80/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here