Në Vjenë qëndrojnë shpatat e përkrenarja e Skënderbeut, të cilat në Shqipëri shkuan për 100-vjetorin e Pavarësisë, në vitin 2012, me një ligj të posaçëm. Në 550-vjetorin e vdekjes, vit i Skënderbeut në Shqipëri, nuk ka plane për zhvendosje. Vjena nuk i jep këto relike. Ato kanë rëndësi simbolike si pronë mbretërore Habsburgase, raporton Deutsche Welle. Por, si erdhën këto relike në Vjenë?
Dr.Matthias Pfaffenbichler, drejtor i Muzeut të Armëve tregon për Ferdinand von Tirol, një habsburgas i madh me një koleksion të pasur donte patjetër diçka nga Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Ai kishte drejtuar vetë dy fushata kundër turqve, pak a shumë me sukses. Ferdinand von Tirol kishte shumë afinitet ndaj heronjve të tillë. Skënderbeu ishte strategu më i suksesshëm kundër turqve. Ishte e qartë që ai donte relike ushtarake prej tij në koleksion. E nëse një koleksionist do diçka, edhe tregu i artit e prodhon këtë.
Përkrenarja e Skënderbeut kaq e mitizuar dhe jo origjinale?
Nëse ato janë origjinale, të përmirësuara apo aspak origjinale, kjo vështirë të thuhet. Dimë se ai i siguroi këto simbole në shekullin XVI përmes Italisë. Ferdinand von Tirol kishte lidhje të forta me Italinë. Edhe familja e Skënderbeut emigroi në Italinë jugore, pasi mbretëria shqiptare në veriun shqiptar u shpërbë. Pastaj u ndërmjetësua përkrenarja e nga fundi i shekullit XVI dokumentohet si e Skënderbeut.
Ferdinand von Tirol me kaq lidhje e pushtet, pranon relike jo të sigurta për origjinalitet? Ku bazohen dyshimet e historianëve?
Përkrenarja me gjasë u planifikua për kurorën e mbretit të Epirit. Papa Piu II donte ta bënte Gjergj Kastriotin mbret të Epirit. Ishte planifikuar një fushatë e madhe, por që nuk u zhvillua. Papa Piu vdiq në Ankona. Kurora pra nuk u prodhua kurrë. As Skënderbeu nuk u kurorëzua. Nuk thuhet nëse kjo përkrenare që do të ishte dhe emblemë e Epirit ishte pjesë e kësaj kurore që nuk u jetësua kurrë.
Vjena e sheh si shenjë respekti ndaj Shqipërisë rëndësinë që i jep këtyre relikeve, por nuk i jep me gjithë kërkesat.
Ato janë prej kohësh pronë e Habsburgëve, nga treçereku i fundit i shekullit XVI. Po ashtu një simbol i vlerësimit që kjo familje kaq e rëndësishme i bën Shqipërisë. Prej shumë kohësh ato janë pronë mbretërore të lidhur shumë ngushtë me familjen Habsburgase. Shpata e përkrenarja janë simbole të pavarësisë së shqiptarëve e si simbole ekzistojnë pavarësisht nëse janë origjinale, pjesërisht origjinale apo komplet të shpikura. Simboli mbetet simbol.