Për të rriturit jeta nuk është gjithmonë qejf. Por kjo nuk do të thotë se të rriturit nuk mund të luajnë lojëra të ndryshme, raporton CNN.
Studiuesit kanë renditur 5 mënyra për ta larguar stresin, ku përfshihen edhe lojërat.
Lojërat u renditën të parat si mënyrë për të larguar stresin.
Një studim që është bërë në muajin mars të vitit 2013 ka gjetur se të rriturit që luajnë lojëra të ndryshme kanë pasur shumë më pak stres e ngarkesë emocionale se sa të tjerët që nuk luanin.
Nëse dikujt i mungojnë aktivitet që bënte kur ishte fëmijë, disa prej tyre do të mund t’i bëjë edhe si i rritur.
Metoda e dytë në listë është të qëndruarit mbi divan pa bërë asgjë.
Kjo metodë duket se nuk e ngarkon trurin dhe sistemin e të menduarit për të bërë punë të ndryshme.
Të qëndruarit mbi divan duke shikuar ndonjë film apo dokumentar ndërkohë që nuk mendoni për asnjë punë apo detyrë, do të jetë një mënyrë e mirë për ta larguar stresin.
Metoda e tretë është frymëmarrja.
Nëse dikush gjendet në një situatë stresuese gjëja më e mirë që mund të bëjë është t’i mbushë mushkëritë me ajër.
Kjo mënyrë praktikohet duke marrë frymë përmes hundës deri sa mushkëritë të jenë të mbushura me ajër deri në gjysmë. Një pauzë e vogël duke mos e lëshuar frymën, pastaj vazhdon edhe një herë frymëmarrja me hundë deri sa mushkëritë të mbushen. Në fund fryma lirohet ngadalë përmes gojës.
Metoda e katërt është relaksimi progresiv i muskujve.
Kjo është një teknikë shumë efektive e relaksimit mendje-trup që mund të bëhet kudo që një person do të mund të ulet ose të shtrihet deri në pesë minuta.
Për të filluar duhet shtrirë në shpinë duke mbajtur këmbët drejtë dhe duhet fokusuar në frymëmarrje. Mbyllen sytë dhe vëmendja përqendrohet te frymëmarrja. Merret frymë thellë pesë herë, duke zgjatur ritmin e frymëmarrjes në të paktën pesë ose më shumë sekonda për çdo frymëmarrja dhe pesë ose më shumë sekonda për çdo herë që nxirret fryma jashtë.
Gjatë kësaj praktike frymëmarrja shërben si një lidhëse në mes të mendjes dhe trupit.
Mënyra e pestë është të praktikohet mirënjohja.
Kjo mund të bëhet në shumë mënyra, si për shembull duke mbajtur një ditar mirënjohjeje në të cilin shkruhet çdo natë para gjumit për gjërat për të cilat një person ndjehet mirënjohës, ose një album fotografik mirënjohjeje në telefon.
Fotografitë mund të jenë të çdo gjëje, duke përfshirë njerëzit e dashur, arritjet, një perëndim të bukur të diellit ose shkëmbime porosish kuptimplota. Nuk duhet fokusuar në krahasim të vetes me të tjerët./koha.net