Në vitin 1942 Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia dhe Departamenti i Shtetit nuk e njihte më Konicën si përfaqësues diplomatik të vendit të tij.
Jeta e Faik Konicës në Uashington ishte modeste. Paguante qiranë e apartamentit, rreth 80 dollarë në muaj, pastaj stenografen dhe sekretaren Charlotte Graham, e cila punonte për të prej 12 vitesh, si dhe shërbyesit, Hattie Williams me burrin e saj. Kohët e fundit kishte marrë para borxh nga disa miq, diçka më pak se njëmijë dollarë. Jetonte si një aristokrat i rënë nga vakti, sepse, ndërsa merrte hua për të shtyrë pagesën e qirasë, në garderobën e tij kishte ndonja dhjetë kostume shik, një numër palltosh, plot kapele e këpucë si dhe një koleksion të bukur veshjesh zyrtare.
Ishte e hënë, ora 5 pasdite e datës 14 dhjetor, kur Faiku pësoi hemoragji cerebrale. Hattie, që i kishte shërbyer prej vitesh, e gjeti të rrëzuar në banjë dhe e ndihmoi të shkonte në shtrat. Faiku kërkoi të telefonohej sekretarja dhe ajo arriti pas 30 minutash. Charlotte ishte një grua e përpiktë dhe e sjellshme dhe Faiku i besonte ashtu si vetes së tij. I tha se kishte një dhimbje të fortë në sy dhe Charlotte propozoi të thërrisnin mjekun, Robert Oden. Megjithë kundërshtimet e Faikut, mjeku u thirr. Dr. Oden, ndër më të njohurit e Uashingtonit dhe mik i vjetër i Faikut, e kuronte nga hipertensioni kronik prej 14 vjetësh. Dr. Oden i mati tensionin. Aparati tregonte 250/140 dhe mjeku tha se Faiku ishte në rrezik prandaj duhet të merrej një infermiere ose të dërgohej në spital.