Albanologu i njohur kanadez dr. Robert Elsie (1950-2017) në librin e tij “Fiset shqiptare – historia, shoqëria dhe kultura”, ka ofruar një lëndë gjithëpërfshirëse për 69 fise të ndryshme shqiptare, duke përfshirë edhe të dhëna për pozicionet, përkatësinë fetare, strukturat fisnore dhe relacionet ndërmjet tyre, statistikat e popullatës, folklorin e fisit, legjendat, doket dhe historinë e fisit. Përndryshe, historiani i shquar britanik Noel Malcolm për këtë vepër ka thënë: “Ka fare pak njerëz në botë që do të mund të shkruanin një libër të këtillë, absolutisht, asnjëri nuk do të mund ta bënte këtë më mirë se Robert Elsie, i cili është i pashoq në njohjen e kësaj lënde”. Për lexuesit nga ky libër kemi shkëputur 12 fiset më njohura shqiptare që jetojnë edhe në trevën tonë:
Fisi i Hotit
Rajoni i fisit të Hotit ndodhet në qarkun e Malësisë së Madhe, në veri të Shqipërisë. Ai shtrihet në verilindje përpjetë luginës që fillon në fund të pjesës lindore të liqenit të Shkodrës, afër kalimit të kufirit shqiptaro-malazez të Hanit të Hotit dhe vazhdon të shtrihet përpjetë maleve që kalojnë pranë Brigjës deri te maja e fshatit Rapshë-Starje. Rruga nga bregu kah territori i Kelmendit dhe i Vërmoshit, në fillim shpie në këtë luginë, që shkon paralel me kufirin shqiptaro-malazez. Territori i Hotit shtrihet edhe përgjatë liqenit, në Malin e Zi, dhe vazhdon nëpër gjirin e Humit, duke u ngjitur deri në luginën e parë të Helmes dhe Traboinit, në anën veriore të Malit Bukoviq. Hoti kufizohet me rajonet tradicionale të fisit të Grudës në veri të Malit të Zi, në verilindje me Kelmendin dhe me Kastratin në jug(Robert Elsie “Fiset shqiptare”, fq. 84).
Fisi i Kelmendit
Rajoni i fisit të Kelmendit gjendet në rrethin e sotëm të Malsisë së Madhe, në pjesën më veriore dhe më të izoluar, të Shqipërisë. Zemra e këtij rajoni është lugina eepërme e lumit Cem. Kelmendi kufizohet me rajonet tradicionale të fiseve të Grudës dhe Triepshit në perëndim, me Hotin në jugperëndim, me Bogën në jug, me Shalënnë lindje dhe me fiset sllavishtfolëse në veri. Qendra Administrative e këtij rajoni, që përbëhet kryesisht prej grykave dhe luginave të thella, tani është fshati Vermosh. Ngulimet kryesore të Kelmendit janë: Vermoshi, Tamara, Selca, Lepusha, Vukli dhe Nikçi. Emri Kelmendi është shënuar së pari në një regjistër Osman të tatimeve, në vitin 1497, si Kelmente dhe si Nahiye Kelmenta (rrethi iKelmendit). Udhëtari turk Evlia Çelebi (1611-1685), i cili udhëtoi nëpër Shqipërinë e veriut, më 1662, në disa raste, e përmendi fisin e pa fe Klemente ose Kelmendi (Robert Elsie “Fiset shqiptare”, fq.).
Fisi i Kastratit
Rajoni i fisit të Kastratit ndodhet në qarkun e Malsisë së Madhe të Shqipërisë së Veriut, në veri dhe në verilindje të qytetit të Bajzës, deri në luginën lindore të liqenit të Shkodrës. Shtrihet nga Bajza dhe arrin deri në malin Veleçik (1725 m) në lindje. Në veri, territori i Kastratit kufizohet me luginën e Hotit, kurse në jug kufizohet me Pronin e thatë në luginën e territorit të Shkrelit. Kështu, në veri ai kufizohet me rajonet tradicionale të fisit të Hotit, të Kelmendit në verilindje dhe të Shkrelit e rajonit të Koplikut në jug. Kastrati tradicionalisht ka dalje në liqenin e Shkodrës, ku e ka edhe kufirin perëndimor.
Ngulimet kryesore të Kastratit janë: Aliaj, Ivanaj,Vukpalaj-Bajza, Jarani dhe Gradeci. Qendra administrative e rajonit është Bajza (Robert Elsie “Fiset shqiptare”, fq. 113-115).
Fisi i Shkrelit
Rajoni i fisit Shkrel ndodhet në luginën e epërme të Pronit të Thatë, në qarkun e Malsisë së Madhe në Shqipërinë e veriut. Lugina e Pronit të Thatë zbret nga malet në verilindje dhe jugperëndim dhe zgjerohet në rrafshin në veri të Shkodrës, afër Koplikut. Shkreli kufizohet me rajonin tradicional të fisit të Kastratit në veriperëndim, me Bogën dhe Planin në lindje. Në jug kufizohet me luginën e Lohjes. Ngulimet kryesore të Shkrelit janë: Bërzheta, Dedaj, Vrithi dhe Zagora. Verthi merrej si qendra tradicionale e fisit (Robert Elsie “Fiset shqiptare”, fq. 133).
Fisi i Shalës
Rajoni i fisit të Shalës ndodhet në trevën e Dukagjinit, në veri të lumit Drin, në qarkun e tanishëm të Shkodrës, në Shqipërinë e veriut. Shala jeton në pjesën më të epëme të luginës së lumit Shalë, afër fshatit Theth, ku përfundon lugina, që rrethohet me malet e larta nga të gjitha anët. Shala kufizohet, sipas rajonit tradicional të fisit, në perëndim me Bogën, Shkrelin dhe Planin përtej maleve, në veri me Kelmendin matanë maleve, në lindje me Krasniqen dhe Nikajn përtej maleve dhe në jug me Shoshin. Ngulimet kryesore të Shalës janë: Abati, Bregluma, Gimaj, Lekaj, Lotaj, Ndërlysa, Nënmavriqi, Pecaj, Thethi dhe Vuksanaj (Robert Elsie “Fiset shqiptare”,fq.).
Fisi i Krasniqes
Rajoni i fisit të Krasniqes ndodhet në qarkun e Tropojës, në verilindje të Shqipërisë, në veri të lumit Drin. Rajoni iKrasniqes shtrihet prej Fierzës në lindje deri te qarku iHasit, si dhe në skajet veriore të Shqipërisë, në kufirin me Malin e Zi, duke përfshirë edhe pjesën më të madhe të luginës së Valbonës së Epërme. Kufizohet me rajonet tradicionale të fiseve Nikajt dhe Mërturi në perëndim, Thaçi dhe Bugjoni në jug, Bytyçi në lindje dhe Gashi në verilindje. Vendbanimet dhe ngulimet kryesore të Krasniqes janë: Bajram Curri (Kolgecaj), që është qendër administrative, Selimaj (Gegëhyseni), Bujani, Llugaj, Margegaj dhe Dragobia. (Robert Elsie “Fiset shqiptare”, fq. 241-242).
Fisi i Gashit
Rajoni i fisit të Gashit ndodhet në qarkun e Tropojës në Shqipërinë verilindore, që nga lindja e qytetit të Bajram Currit deri te komuna e Gjakovës në Kosovë. Një pjesë e madhe e Gashit banon në luginën e Llugajt dhe në atë të lumit Bushtrica. Gashi kufizohet me rajonet tradicionale të fisit të Krasniqes në perëndim, me Bytyçin dhe me Qafën e Luzhës (815 metra lartësi mbi nivelin e detit) në jug. Fisi i Gashit, po ashtu kishte kullosa verore në veri të malit që gjendet në lindje të Vuthajt (tani në Mal të Zi). Ngulimet dhe vendbanimet kryesore të Gashit janë: Tropoja, Ahmataj (Shushicë-Ahmataj), Mejdani dhe Luzha (Robert Elsie “Fiset shqiptare”, fq. 251).
Fisi i Bytyçit
Rajoni tradicional i fisit të Bytyçit, i shqiptuar edhe si Bityçi, Bitiçi dhe Bytyqi, ndodhet në pjesën juglindore të qarkut të Tropojës në Shqipërinë verilindore, në veri të lumit Drin. Kufizohet me rajonet tradicionale të fisit të Gashit në veriperëndim (815 metra lartësi mbi nivelin e detit), me Qafën e Luzhës dhe Krasniqen në veri dhe me Hasin në jug. Në lindje të Bytyçit, mbi 651 metra mbi nivelin e detit, është Qafa e Prushit dhe Gjakova në Kosovë. Ngulimet kryesore të Bytyçit, që shtrihen në një rrafsh të rrethuar me kodra të ulëta, janë: Kami, që është qendra administrative, Çorraj, Viliqi (Çorr-Velaj), Kepeneku, Leniqi, Mashi, Paci, Prushi, Visoçaj, Vladi, Zogaj dhe Zherka. Territori tradicional i Bytyçit përfshin edhe kullotat në majat e larta të Sylbicës (Robert Elsie “Fiset shqiptare”, fq. 255-256).
Fisi i Berishës
Rajoni i fisit të Berishës ndodhet në jug të lumit Drin, në qarkun e sotshëm të Pukës në Shqipërinë e veriut dhe në perëndim të vendbanimit të Fierzës. Berisha i cili konsiderohet një ndër shtatë bajraqet e Pukës, kufizohet me rajonet tradicionale të fiseve të Dushmanit dhe të Toplanës në perëndim, të Buxhonit në veri, të Iballës në lindje dhe të Kabashit në jug. Territori i tij qendërzohet mbi pellgun e ujit të lumit të Spaçit që derdhet në lumin Drin. Sipas Baron Nopçës, kufijtë e hershëm, tradicional të Berishës ishin Maja e Kunorës dhe Balçi, Qafa e Balçit dhe prej aty deri në Korab dhe në kullën nga guri afër Papit. Ngulimet e Berishës janë të gjithë fshatra të vegjël: Berisha e Vogël, Shopëli, dhe Berisha e Epërme (Robert Elsie “Fiset shqiptare”, fq. 273).
Fisi i Thaçit
Rajoni i fisit të Thaçit ndodhet në qarkun e Pukës, në anën e majtë (jugore) të lumit Drin në Shqipërinë e veriut. Në të vërtetë, është rajoni i lindjes dhe i juglindjes së Fierzës. Kufizohet me rajonet tradicionale të fisit të Krasniqes në veri matanë lumit Drin, me Mërturin dhe Berishën në perëndim. Thaçi përbën një pjesë të shtatë bajraqeve të Pukës dhe kohë pas kohe, përfshin edhe rajonet e Bugjonit dhe të Iballës, që janë dy bajraqe të tij. Ngulimet dhe vendbanimet kryesore të Thaçit janë: Bugjoni, Poravi, Apripa e keqe, Miliska, Arsti, Mëzi dhe Iballa, që tani është qendër administrative (Robert Elsie “Fiset shqiptare”, fq. 277).
Fisi i Kryezinjve
Rajoni i fisit të Kryezinjve ndodhet në qarkun e Mirdites, në veri të Shqipërisë. Gjendet në anën e djathtë, veriore të lumit Fan, nga pika afër Rubikut, ku Fani i Madh dhe Fani iVogël bashkohen. Kjo familje kufizohet me rajonin tradicional të fiseve të Velës në veri, me Manatian në perëndim, me Bulgërin në jug dhe me Dibrin e Mirditën në lindje. Vendbanimet kryesore të Kryezinjve, janë: Rubiku, Munazi, Vau i Shkjezës dhe tani Kryezeza e braktisur(Robert Elsie “Fiset shqiptare”, fq. 296).
Fisi i Morinës
Morina ishte një fis i vogël, i vendosur në Malësinë e Gjakovës përgjatë kufirit të tanishëm Shqipëri-Kosovë. Morina kufizohet me trojet tradicionale të fisit të Gashit në perëndim, të Bytyçit në jugperëndim dhe të Hasit në jug. Vendkalimi kufitar i tanishëm midis Shqipërisë dhe Kosovës, i njohur si Qafa e Morinës, gjendet në territorin e Morinës, por pjesëtarët e fisit Morina janë shpërndarë në pjesë të ndryshme të Kosovës, veçanërisht në Gjakovë, në Kamenicë dhe në Gjilan. Si duket, morinasit besojnë se zanafillën e kanë nga Mirdita. Morina ishte një fis ose një bashkësi që kishte lidhje të përbashkët gjaku, histori të përbashkët dhe stërgjyshi të përbashkët (Robert Elsie “Fiset shqiptare”, fq. 463).