Nga: Ahmet Qeriqi
Motivet homerike, në forma paksa të modifikuara, edhe sot e kësaj dite ruhen në trashëgiminë gojore, sidomos në trashëgiminë gojore shqiptare. Kujtimi për të kaluarën shtrihet po thuajse në të gjitha sferat e rrëfimeve gojore e sidomos në epikën heroike legjendare, e cila është një rezervat i pashtershëm për të gjurmuar elementet autentike të rrëfimeve të lashta.
Edhe pse hulumtimet e derisotme nuk sjellin fakte të mjaftueshme për vjetërsinë e shkrimit shqip, dihet mirëfilli se kultura e trashëgimisë gojore është shumë e vjetër, dhe si e tillë në disa periudha të zhvillimit të historisë së qytetërimit, ka qenë e vetmja formë e kujtimit dhe e komunikimit me të kaluarën. Ndër hebrenj dhe arabë ishte e njohur tradita e mësimit përmendësh të librave fetarë, meqë fjala e gjallë mund të zhvillohet dhe mund të tjetërsohet në rrethana të caktuara, Talmudi, parathënia E.Veber Beograd 1990. f. 23-24.
Motivet arkaike të rrëfimeve gojore shqiptare shquhen për kompozicion të qartë, gjuhë të pasur me figura të begatshme stilistike, vende-vende edhe me përsëritje dhe digresione, por pa e lënduar rrjedhën e rrëfimit. Ndër personazhet e njohura të trashëgimisë sonë gojore autentike, krahas motiveve të njohura për Skënderbeun, ruhen edhe rrëfime për Gjorg Golemin, Lekë Dukagjinin, Miloshinin, Milosh Kopiliqin, e shumë të tjerë.
Në këtë studim do të marrim në shqyrtim një figurë interesante të kujtesës popullore shqiptare, i mirënjohur edhe në kujtesën popullore sllave përgjithësisht, e veçanërisht në rrëfimet serbe. Milosh Kopiliqi është heroi i pakontestueshëm i Betejës së Kosovës, dhe luftëtar, i cili në logun e luftimeve vrau Sulltan Muratin, më 15 qershor të vitit 1389, në Fushë të Kosovës, në vendin ku është ngritur më vonë Tyrbeja e Sulltanit në Gazimestan, gjashtë kilometra larg Prishtinës.
Emri i këtij heroi mitik, i përmasave dhe përmbajtjeve heroike homerike, i ka shërbyer botës së krishtere për të sinonimizuar figurën e trimit të paepur nga radhët e aleancës së krishtere, që e vrau Sulltanin turk. Akti dhe mënyra e vrasjes së Sulltan Muratit nga Milush Kopiliqi janë trajtuar gjerë e gjatë në historiografinë osmane, serbe dhe evropiane.
I
Kush ishte Milush Kopiliqi?
(Të dhënat mitologjike dhe historike)
Historiografia mitike sllave, që ka objekt studimi mesjetën, ka mjegulluar realitetin, si dhe të dhënat e vërteta të jetës dhe veprës së këtij trimi të lashtësisë. Ajo nuk jep të dhëna konkrete për vendin e lindjes, madje as për origjinën, por rrëfen se Milushi ishte djalë i një gruaje me tipare të vrazhda, (od kobile i zdrebe rodjen), i lindur nga atkinja. T. Vukanoviq, Drenica, Toka e Dytë e shenjtë serbe. 1937. ribot. 1998, Prishtinë f, 85)
…Një linjë e tërë historianësh insiston që Milosh Obiliqi ( pothuajse në të gjitha burimet, Kopiliqi, meqë atkinja e ka lindur dhe i ka dhënë gji, ose sepse gjinjtë e së ëmës ishin sikur të atkisë) edhe nuk ka ekzistuar, Ai ishte metaforë e humbjes së një super heroi, të betejës në Ploçnik, ku serbët në mënyrë brutale masakruan turqit, për çka edhe ndodhi Beteja e Kosovës e vitit 1389. Shumë historianë të respektuar të tërë botës konsiderojnë se ishte vetë Sulltan Bajazidi që vrau t’atin Muradin, dhe miti për Obliqin, u krijua si një lloj paravani, për ta fshehur atvrasjen brutale nga ana e turqve.
(… jedna cela linija istorièara tvrdi da Miloš Obiliæ (gotovo u svim izvorima Kobiliæ – jer ga je kobila rodila, ili dojila, ili su mu majèine sise bile kao u kobile) zapravo i ne postoji. On je metafora nekog zagubljenog super heroja sa bitke na Ploèniku, gde su Srbi na brutalan naèin masakrirali Turke i zbog èega je i usledila bitka iz 1389. 3)Veæina respektibilnih istorièara širom sveta smatra da je zapravo Bajazit ubio oca Murata, a da je mit o Obiliæu stvoren kao neka vrsta paravana da se sakrije tako brutalno oceubistvo sa turske strane.( Profil- Prvi magazin posle rata u Srbiji nr.38 faqe nternet-Boj na Kosovu).
Rrëfimi mitik serb për Milush Kopilin, bën të ditur se mbreti Stefan e kishte gjetur atë, si fëmijë jetim, shtatëvjeçar, dhe nga mëshira e merr në oborrin mbretëror. Milushin e mori në fshatin Kopiliq të Drenicës. Mbreti Stefan e paraqiti atë si fëmijë të lindur nga atkinja, meqë e kishte lindur e ëma me kraharor të zhvilluar të përmasave jonormale, sa që për të ecur shpengueshëm ajo është detyruar t‘i përvjelë gjinjtë për t‘ i hedhur në supe. Vukanoviq, vepra e cituar, po aty.
Miti serb, të ëmën e Milush Kopiliqit e përshkruan si femër vulgare, uloke. Duke qenë se Milushi kishte mbetur jetim, dhe nuk dihej kush kishte qenë i ati, njerëzit e thërrisnin, i biri i kopilit. Fjala kopil, sipas zbërthimit etimologjik që i ka bërë albanisti më i njohur shqiptar, Eqrem Çabej, është fjalë e gurrës shqipe që ka depërtuar në të gjitha gjuhët e Ballkanit si në gjuhën greke, serbe, rumune madje edhe në gjuhën turke. (Dr. Eqrem Çabej Studime gjuhësore III Prishtinë 1976. f. 73).
Është me interes edhe një fakt tjetër. Përveç patronimit Kopil, në historiografinë sllave, por edhe në atë turke, është shënuar edhe trajta Kupiloviq, ose Milesh Kopil , apo Kopiloviq.
( Lufta shqiptaro-turke në shekullin e XV – burime Osmane. Tiranë 1968. f.66.). Trajta Kobiloviq, duket të ketë qenë e përhapur ndër sllavë, meqë kjo lidhet me nofkën pezhorative serbe, (od kobile rodjen, ) i lindur nga pela.
“Sipas një variant tjetër thuhet se Miloshin e ka lindur vajza e quajtura Janja një bareshë delesh, e maleve. Ajo mbeti me barrë me dragoin. Kur lindi fëmijën e lë në mal, ndërkohë e gjen zana e malit, e cila e ushqen dhe e rrit. Kur Milushi u rrit u bë jashtëzakonisht i fuqishëm. Nëna, sipas rrëfimeve serbe, ishte uloke, grua e pagdhendur, e cila i barte gjinjtë mbi supe. Kur e kishte parë mbreti Llazar kishte thënë: “Çfarë pele e shëmtuar ka pjellë këtë trim të madh”. Prej atëherë Miloshi u quajt “Kobiliq”. Duhet pasur parasysh edhe një fakt të pamohueshëm. Në jetën vulgare fshatare, qoftë ajo e prejardhjes serbe apo shqiptare, apo edhe e ndonjë kombi tjetër, ka qenë e përhapur edhe gjuha ironike, përçmuese, sofistike e shpeshherë mjaft pezhorative. Krahasimet e njerëzve me shtazët, e egra dhe të buta, me fenomenet e natyrës kanë arritur deri në ditët tona. Shprehjet si i biri i pelës, i biri kurvës, i biri i kopilit, janë të përhapura edhe sot e kësaj dite. Po jednoj varijanti, Milosa je rodila devojka Janja, cobanica ovaca u planini. Ostala je gravidna od zmaja. Kad se porodila, ostavila je dete u planini, nasla ga je vila, zadojila i othranila. Kada je Milos odrastao, bio je neobicno snazan. Majka mu je, po predanju, bila gruba zena, nosila je dojke preko ramena. Kada ju je knez Lazar spazio, rekao je: “Kakva ruzna kobila rodila velikog junaka!” Od tada se Milos prozove Kobilic.)( Istorija Srba, Internet, Srpski nacionalisti.)
Sipas një rrëfimi të iluministit serb, Vuk Karaxhiq, po ky motiv është interpretuar në një bazë krejtësisht tjetër, në përpjekje për ta demitizuar figurën e heroit. Ai duke folur për traditën e dhënies gji të nënave, ka shkruar: “Ai ( Milush Kopiliqi) si bari, kur kthehej nga delet dhe kur takonte nënën e tij duke gatuar brumin e bukës, për të mos e ndërprerë punën, nëna e hedh gjirin e djathtë mbi supin e majtë dhe gjirin e majtë mbi supin e djathtë, kështu që Miloshi mund të thithte. Duke parë këtë (çudi) mbreti Stefan thotë i habitur: Nëna gjigante ka lindur fëmijën si vetë. E merr fëmijën dhe e dërgon në pallatin e vetë. Atje të gjithë e thërrisnin Obiliq”.
(On je, kao pastir, vrativši se od ovaca i zatekavši majku kako mesi hleb, bio podojen tako što mu je majka, ne ostavivši posao, prebacila desnu sisu preko levog ramena a levu preko desnoga, te je Miloš mogao ostrag sisati.
Ugledavši to, silni car Stefan, po mitu, izgovori zaèuðen: “Obila majka, rodila obila junaka,” uze mladiæa i odvede ga svome dvoru, te njega tamo prozvaše Obiliæ. ( Srpski nacionalisti)
Në të dy rastet kemi një interpretim iluzor, i cili në asnjë mënyrë nuk i përshtatet realiteti faktik. Sipas zakonit fetar të krishterë fëmijët pagëzohen në muajin e parë të lindjes dhe jo në vitin e tetë apo të dhjetë të jetës së tyre. Mbiemri Kopiliq me këtë rast, gjithsesi se lidhet me fjalën shqipe, dhe ka të bëjë me një fëmijë të lindur nga bashkëshortë të pakurorëzuar në rrethana të panjohura.
Fjala kopil e gjuhës shqipe i përshtatet në tërësi atributit. Në Fjalorin e Gjuhës shqipe dalin të shënuara disa trajta kuptimore që zbërthejnë esencën e fjalës, e cila fare lehtë mund të lidhet me kuptim real të mbiemrit të heroit. Kopil.-i fëmijë mashkull i lindur jashtë martese.2.- Njeri i zgjuar e dinak, finok… 3.- Filiz i ri që nxjerrë bima në rrënjë, në trung apo në degë, që nuk prodhon por pengon zhvillimin e bimës… 4.-Degë kopile…5.-dinakëri e lindur për t’ u gjetur në situata të caktuara. ( Fjalori i gjuhës së sotme shqipe. Prishtinë 1981, f.867.).
Qoftë nga etimologjia apo kuptimi thelbësor i kësaj fjale, arrihet në përfundim vërtetësia logjike e emërtimit “kopil”, fëmijë jashtëkurore, meqë nuk i dihet babai. Nuk përjashtohet as mundësia që Milushi të jetë quajtur me këtë atribut (jo aq pezhorativ për kohën për të cilën po flasim) në kuptimin e njeriut tejet dinak, luftëtarit që kishte mashtruar turqit duke u futur në mesin e tyre, si i dorëzuar dhe papritmas nxjerr thikën që e mbante fshehtë dhe e therë Sulltan Muratin.
II
Të dhënat historike për Milosh Kopiliqin
Duke qenë se popullata shqiptare në mesjetë ishte e krishtere, ajo në të njëjtën kohë bashkëjetoi edhe me popullatën pakicë serbe, e cila si popullatë ardhëse, endacake, e kishte dominuar një pjesë të trojeve të Arbrit. Në këtë kohë treva e Kosovës hyri në kuadrin e shtetit bizantin dhe mbeti në gjirin e tij deri me pushtimin e saj nga ana e serbëve nën udhëheqjen e dnastisë Nemnjidase, në gjysmën e dytë të shek. XII dhe në gjysmën e parë të atij XIII. Sundimi serb në këtë trevë qe shekullor dhe zgjati deri më 1455. Dr. Muhamet Tërnava Popullsia e Kosovës gjatë shekujveXIV-XIV. Prishtinë 1995, f 20-21.).
Vendi përreth Qyqavisë, Drenica, dhe pjesa përreth Vushtrisë ishin prona të pushtuara nga mbretëria serbe. Shqiptarët iu kishin nënshtruar dominimit, ndërsa Mbreti Dushan ishte kurorëzuar në Shkup në vitin 1346 si mbret i Serbëve grekëve i abranasve dhe i vllehëve( Car srbla, arbanasa, vlaha i grka) Enciklopedijski leksikon mozaik znanja, Istorija, Interpres Beograd 1970, f. 162).
Asokohe mbreti i krishterë Dushan që fliste një variant të gjuhës së vjetër sllave, ndërsa gjuhë zyrtare kishte gjuhën greke, me ushtrinë e tij mercenare, të përberë nga sllavët, bullgarët, shqiptarët vllehët e të tjerë, pushtoi shumë vende të Ballkanit. Shqiptarët në gjysmën e dytë të shekullit të XIV kishin konsoliduar principatat e tyre të shumta, të cilat nuk iu përballonin dot sulmeve sllave dhe bizantine.
Përvetësimi, që historia kishtare dhe ajo oficiele serbe i ka bërë mesjetës në përgjithësi, duke pretenduar për ta bindur opinionin evropian dhe atë botëror se Kosova dhe vise të tjera të Ballkanit ishin të banuara vetëm me serbë, ka lënë gjurmë të thella ndikimi në historiografinë evropiane.
“E vërteta kishtare serbe” për Ballkanin, vazhdon të jetë një e vërtetë e pamohueshme për shumë studiues dhe shkencëtarë të shumicës së shteteve të Evropës. Lidhur me këto keqinterpretime skandaloze të së kaluarës shqiptare në mesjetë, historiani i mirënjohur shqiptar Dr. Muhamet Tërnava, në librin e tij Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI, ka shkruar: Vetvetiu imponohet nevoja e domosdoshme e diferencimit sa më të madh nga rezultatet e historiografisë borgjeze (serbe, vër A. Q.) sepse rezultatet e saj të gabuara na mbushin mendjen se çfarë dëmi mund të ketë dija në përgjithësi, e sidomos kjo e historisë, kur asaj i ngushtohen kanalet e frymëmarrjes nga presioni i politikës së kohës, me ç rast dijetari udhëhiqet nga ndjenjat e jo nga arsyeja e shëndoshë shkencore. M. Tërnava Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI, Prishtinë 1995, f. 19.).
Një fakt i pamohueshëm i këtij falsifikimi të historisë së mesjetës nga historiografia serbe është edhe përvetësimi i përkatësisë kombëtare të kryetrimit të mesjetës, princit shqiptar, Milush Kopiliq. Falsifikime të tilla sidomos të mbiemrit të Miloshit pranohen edhe nga shumë historianë serbë Por, në këtë drejtim, historiani serb i shek. XVIII, P. Julianac, më 1765, nuk zgjodhi kritere (për ta identifikuar atë më lehtë si serb – Q.D.) dhe ia tjetërsoi mbiemrin nga Kopiliq /Kopil(i) ose Kobil(i) më vonë e ka marrë sufiksin sllav Kopil(iq) – Kobil(iq)/ në Kobiliq – Obiliq, term i cili u pranua nga historianët pasardhës të historiografisë serbe. (Qerim Dalipi).
Rrëfimet shqiptare nuk flasin për përkatësinë fisnore të këtij trimi. Megjithatë në një këngë të vjetër historike të shënuar në fshatin Polac të Drenicës, paragjykohet prejardhja e tij latine. Latinka, gruaja e tij, i lexon Milushit letrën kërcënuese që ia kishte dërguar sulltan Muratit. (Këngë popullore historike, Prishtinë 1973. f. 50).
Milushi, sipas rrëfimeve tona tradicionale ishte një trim i Drenicës, i cili ishte betuar se do ta vriste Sulltan Muratin, meqë i kishte pushtuar vendin dhe kishte shtrirë mijëra çadra në tërë Rrafshin e Kosovës. Milushi, ishte dhëndër i mbretit Llazar. Ai nuk e duronte dot vjehrrin, as Vuk Brankoviqin, i cili ishte po ashtu dhëndër i mbretit Llazar. Milushi nuk e duronte as suitën e mbretërore të vjehrrit. Në rininë e tij të hershme ka marrë pjesë në beteja të ndryshme si mercenar. E tillë dhe heterogjene në pikëpamje përkatësie, ishte pothuajse tërë ushtria e asaj kohe. Ai, me kalorësit e tij nga Drenica luftonte kudo ku i jepej rasti. Pikërisht për aventurat e tij kalorsiake, ishte bërë objekt dyshimi për mbretin Llazar dhe për suitën e tij.
Duke qenë se kishte natyrë kryengritëse, Milush Kopiliqit i përshkruhen shumë vepra trimërie. Bashkëshortja e tij Vukosava e lavdëronte Milushin në prani të motrës, Marë dhe të suitës mbretërore. E hidhëruar në përshkrimet e trimërisë së motrës, Mara, që ishte më e re se Vukosva, rrëfen trimëritë e burrit të saj, Vuk Brankoviq, i cili ishte i biri i Judit Dimitrit.
Mara e pezmatuar nga krekosja e motrës së madhe, ia përplasë shuplakë. Zënkat e bijave i dëgjon mbreti Llazar, por edhe dy dhëndurët, Vuku dhe Milushi. Të pezmatuar armiqësisht kundër njëri tjetrit. ata kërkojnë leje nga prijësi që të dalin në dyluftim. Mbreti Llazar aprovon dyluftimin. Milush Kopiliqi, sapo nis dyluftimi me një goditje e rrëzon nga kali kundërshtarin. ”I mllefosur dhe i gjindosur nga humbja, Vuku akuzon Milushin si tradhtar dhe si njeri të shitur te turqit. Prej asaj kohe, Vuku dhe Milushi edhe pse miq do të mbesin kundërshtarë të papajtueshëm.”( J.V. Hammer, Historia e perandorisë osmane, Zagreb, 1979. f.76.)
Në qershor të vitit 1389, në kohën kur forcat e krishtera nën komandën e mbretit Llazar po përgatiteshin të luftonin kundër ushtrisë turke, në krye të së cilës ishte vetë Sulltan Murati me të bijtë Jakubin dhe Pajazitin, në oborrin mbretëror të Mbretit Llazar po mbretëronte kaosi dhe dilema për t‘u ndeshur me turqit në fushë të betejës, apo për të pranuar vasalitetin.(J.V Hammer, Historia e Perandorisë osmane, Zagreb 1979. f. 75) Princërit e aleancës së krishtere që flisnin shtatë gjuhë të Ballkanit dhe të Evropës: gjuhën sllave, bullgare vllahe, shqipe, polake, magjare etj, shfaqin dilemat dhe mosmarrëveshjet e tyre, mbështetur në informacionet që kishin për epërsinë e ushtrisë turke në numër, por edhe në pajisje luftarake.
Atë natë, më 14 qershor të vitit 1389, prijësit që e përbënin Këshillin e luftës, ishin tubuar në oborrin pricëror të mbretit Llazar. Këshilli i luftës kishte caktuar formacionet sulmuese në të cilat ishte vendosur të merrnin pjesë të gjithë kalorësit, por edhe vetë mbreti Llazar, i cili do të sulmonte në ballin e ushtrisë turke. Në anën e djathtë do të sulmonte Vuk Brankoviqi, ndërsa nga ana e majtë do të sulmonte mbreti boshnjak Tvrtko ( PO aty. F 75). Në krye të forcave shqiptare printe Gjergj Balsha II. Milush Kopiliqit nuk iu kishte besuar asnjë formacion sulmues, meqë të gjithë dyshonin në qëndrimin dhe besnikërinë e tij.
Sipas historianit turk, Idriz Bitlis, prijësi Llazar, (Lazzogglu,) kishte propozuar që ushtrinë turke ta sulmonin natën, në terr. Ja si e përshkruan ai planin e luftës së aleancës së krishterë, një natë para fillimit të betejës:
‘’Ushtria jonë në krahasim me atë myslimane është më e madhe, (thotë mbreti Llazar) Nëse sulmojmë natën turqit i hutojmë dhe i shpërndajmë. Shumica e sunduesve pa besimtarë e konsideruan të drejtë këtë rezonim të gabuar të tij dhe të gjithë u pajtuan me këtë. Vetëm njëri nga ata shtatë, me emrin Georgi, i cili komandonte ushtrinë me 50.000 ushtarë, tha: Sikur të sulmonim natën, nën mbrojtjen e territ të natës, shumica e myslimanëve do të shpëtonin nga asgjësimi, duke ikur në bjeshkë dhe djerrina. (Salih Trako Studime orientale Prishtinë 2002. f. 169).
Emrin e prijësit Georgi, në disa vende edhe Jorgi, historiani austriak Hammer e identifikon me emrin e Gjergj Kastriotit, gjyshi i Skënderbeut, ndërsa studiuesi i mirënjohur i mesjetës shqiptare, profesor Selami Pulaha, në saje të kronikave dhe burimeve të kohës, konfirmon se është fjala për prijësin shqiptar Gjergj Balsha i Dytë, i cili po ashtu me mijëra ushtarë mori pjesë në Luftën e Kosovës. Selami Pulaha, parathënie e librit Lufta shqiptaro-turke në shekullin XV-burime osmane. Tiranë 1968, f.13.).
Studiuesi i mirënjohur i mesjetës shqiptare, profesor Selami Pulaha, duke u mbështetur në burimet e shumta lidhur me Luftën e Kosovës, të vitit 1389 saktëson se në këtë betejë kanë marrë pjesë vetëm serbët, boshnjakët dhe shqiptarët, dhe jo aleanca e përbërë nga pjesëtarët e shtatë gjuhëve të popujve të krishterë të Ballkanit dhe të Evropës sikur shkruan në kronikat turke, dhe në historinë e Hammerit. Vepra e cituar, po aty…
Duke qenë se shumica e princërve krishterë ishin pajtuar që lufta të fillonte sapo të zbardhte dita, Mbreti Llazar kishte përgatitur gostinë për princat, të cilët ishin të sigurt në fitore.
Në mbrëmjen e asaj nate, në vigjilje të betejës, Mbreti Llazar pinte për shëndetin e vet, së bashku me prijësit.
-Pi, për shëndetin tim, edhe pse je i akuzuar për tradhti, i tha mbreti Milush Kopiliqit.
-Të falëmnderit, tha ai dhe shtoi, dita e nesërme do ta dëshmojë besnikërinë time. Të nesërmen në mëngjes Milush Kopiliqi me kalin e tij të madh u fut në fushën e betejës duke kërkuar çadrën e Sulltanit. J.V Hammer, vepra e cituar f.75.).
Si depërtoi Milush Kopili në çadrën e Sulltan Muratit
Lidhur me mënyrën e depërtimit të Milush Kopilit në çadrën e Sulltan Muratit historianët janë ndarë në dy tabore. Turqit zakonisht pranojnë versionin se Milushi ishte ngritur nga mesi i kufomave dhe i plagosur kishte kërkuar t ia merrte dorën Sulltanit. Kokën dhe fytyrën i fërkonte me dheun, dhe me gjak, duke u dridhur në agoni, sikur zogu i pa therur, u nis te flamuri i Sulltanit, qau dhe duke u lutur tha: Unë jam bërë mysliman, kam për t ia thënë një të fshehtë sulltanit… Sa do që çaushët u përpoqën ta ndalin dhe ta kthejnë me të rënat e kamxhikut, nuk mundën ta kthejnë nga ajo rrugë. Sulltani lejoi që Milushi t ia puthë dorën dhe ai nxori nga mënga një thikë të helmuar, të cilën ia nguli në bark sulltanit. ( Salih Trako, Beteja e Kosovës e vitit 1389 në historinë e Idriz Bitlisit, botuar në Studime islame, Prishtinë 2002 f. 174).
Një përshkrim më të plotë kësaj ngjarjeje i ka bërë historiani turk Enveriu, i cili në vitin 1464, shkroi në vargje veprën e quajtur “Libri i Vezirit”. Ky historian përshkruan madje edhe zënkat në mes të mbretit Llazar dhe Milush Kopilit, i cili duke qenë i paditur për tradhti, thotë: Nesër ke për të parë se a jam njeri i drejtë apo tradhtar. (Lufta shqiptaro-turke në shekullin XV, Tiranë 1968. f. 36).
Pa shpjeguar rrethanat se si u gjend Milush Kopiliqi te çadra e mbrojtur nga të gjitha anët e sulltan Muratit, historiani turk Enveriu, kështu e përshkruan zhvillimin e ngjarjes.
I mallkuari Milush i ra kalit, iu afrua Sulltanit dhe tha: Unë jam ban Milushi, do ta puth dorën tënde dhe tash e tutje do të futem në fenë tënde. Ai zbriti nga kali dhe të gjithë kujtuan se vërtetë do t ia puthte dorën sulltanit, i cili i kishte hipur një ati kër. Milushi kishte fshehur një hanxhar brenda rrobave të veta. E goditi sulltanin me hanxharin e tij, dhe duke iu vërsulur sipri e rrëzoi nga kali. Mbas kësaj ushtarët iu hodhën Milushit duke e goditur kush me ushtë, kush me naçake dhe biçake dhe e bënë copë e grimë.( po aty, f. 38.).
Kronikat osmane të shekullit të 15-të japin një variant tjetër të aktit të vrasjes së sulltan Muratit nga Milush Kopili.
Shumë ushtarë turq shkuan për ta ndjekur armikun dhe Padishahu mbeti në një vend me disa besnikë të tij. Mirëpo një i pafe, i lyer këmbë e kokë me gjak, qëndronte i shtrirë dhe i fshehur midis kufomave. Ai e shihte sulltan Muratin. U ngrit nga ku ishte shtrirë dhe e goditi mbretin me hanxhar. ( po aty faqe 53-54).
Rrëfimet e kronistëve dhe të historianëve turq, lidhur me aktin e vrasjes së sulltan Muratit nga Milush Kopiliqi shpeshherë janë kontradiktore dhe të njëanshme. Në kronikat turke, që prezantojnë shënimet e kohës, mungon emri i vrasësit, Milush Kopiliqi. Ndërsa akti i vrasjes përshkruhet si akt i sulmit të befasishëm prapa shpine nga një i pa fe, i plagosur rëndë.
Në rrëfimet e disa historianëve turq përshkruhet mënyra se si Milush Kopiliqi i ka mashtruar turqit për të shkuar deri te sulltani.
Një kontradiktë po ashtu e pakalueshme ka të bëjë me faktin se si ka qenë e mundur që një i plagosur për vdekje, duke ecur këmbë e duar t‘i ofrohet sulltanit, të rrëmbejë atë nga kali dhe t‘ia ngulë hanxharin? Në disa përshkrime ai paraqitet duke iu rezistuar deri në vdekje edhe sulmuesve të shumtë, çaushëve të cilët ishin kurdoherë përreth mbretit.
Në shënimet që sjellë historiografia turke, nuk kemi një pasqyrë besnike të përshkrimit të aktit të vrasjes së sulltan Muratit. Pikërisht për këtë, në këto kronika dhe shënime, përveç njëanshmërisë dhe gjuhës së skajshme të urrejtjes, kundër mbretit Llalzar, e sidomos kundër Milush Kopiliqit dhe të gjithë të krishterëve, mungojnë edhe të dhëna të plota të besueshme, të cilat do të saktësonin realisht vrasjen e sulltanit, por edhe humbjen e madhe të Aleancës së krishtere të Ballkanit.
Rrëfimi për vrasjen e Sulltanit nga Milush Kopiliqi
Historiografia serbe e mbështetur në mitologjinë mesjetare tërë rrëfimin e vet e ka ndërtuar në saje të legjendës dhe të rrëfimtarisë tradicionale popullore, e cila ka mjaft pika të përbashkëta edhe me rrëfimin popullor shqiptar.
Sipas këngëve serbe të luftës së Kosovës, Milosh Obiliqi,( trajta e vjetër Kopiliq, është përjashtuar nga këngët popullore) ishte trim sqimatar, i akuzuar padrejtësisht për tradhti ndaj mbretit Llazar. Ai, për të treguar besnikërinë e tij, në ditën e fillimit të luftimeve në Fushë të Kosovës, me kalin e tij të madh, i veshur ne petka hekuri që nuk i shponte asnjë shigjetë e armikut, shpërthen në mesin e të gjallëve dhe të plagosurve arrin të futet në çadër të sulltan Muratit dhe e mbytë atë me hanxhar.
Edhe pse turqit ia shkurtojnë kokën, ai e merr atë ndër sqetull, i hip kalit dhe bën tutje. Turqit duke e parë se ishte njeri i pazhdukshëm e ndjekin nga prapa. Një grua plakë iu tregon se Milushi mund të zhduket vetëm nëse i hiqet nga dora byzylyku. Në kohën kur po jepte shpirt ai kërkon nga turqit që ta takojnë me plakën, të cilën e kafshon me dhëmbë dhe e hedh në lumë. Në një variant të kësaj kënge të shënuar në fshatin Polac të Drenicës, rrëfimtari popullor duke idealizuar figurën e Milush Kopiliqit stigmatizon një shkinë plakë e cila para ushtarëve turq zbulon fshehtësinë e fuqisë së këtij trimi, ngjashëm me fshehtësinë e Akilit. Këngë popullore historike, Prishtinë, 1973, f. 52.).
Të gjitha variantet e këngëve serbe, bullgare, kroate e të tjera janë të njëjta me dallime të pahetueshme. Heroi mitik serb, sipas kësaj mitologjie është inatzi, sedërtar dhe e vret sulltanin për të treguar besnikërinë e tij ndaj mbretit Llazar, meqë për shumë kohë ishte dyshuar si tradhtar. Ai nuk del i motivuar për ta vrarë sulltanin sepse e kishte pushtuar vendin, apo sepse nuk duronte të jetonte nën pushtuesit.
Rrëfimi shqiptar për Milush Kopilin është shumë realist dhe mjaft i besueshëm. Duke qenë i një përkatësie tjetërfare, pjesëtar i banorëve autoktonë, me fe të njëjtë por me gjuhë dhe zakone të ndryshme, ai nuk trajtohet njësoj si princërit e tjerë. Edhe pse ishte dhëndër i mbretit Llazar, atë e qesëndisin për përkatësinë e tij, për nënën e çuditshme, e cila për të ecur papengueshën ishte detyruar të përvjelte gjinjtë mbi supe. Atë e quajnë kopil, (od kobile i zdrebe rodjen). Pikërisht sepse trajtohej i huaj dhe i padëshirueshëm ai nuk i kishte qëndruar besnik mbretit dhe disa herë kishte luftuar me ushtarët e tij mercenarë edhe në anën e turqve.
Eposi shqiptar për Milush Kopilin zbërthen elemente të shumta rrëfimtarie për kohën e ndeshjes së ashpër të aleancës së krishterë të Ballkanit dhe të Evropës kundër depërtimit të pandalshëm të ushtrisë turke, e cila përbehej nga mercenarë të të gjitha vendeve të Azisë dhe të Afrikës.
Në këngët shqiptare figura e Milush Kopiliqit ka më shumë elemente të rrëfimeve realiste, natyrisht duke glorifikuar heroin e Luftës së Kosovës, por jo edhe duke e mitizuar atë në përmasa sikur paraqitet në rrëfimet popullore sllave në përgjithësi, ndërsa në veçanti në rrëfimet serbe.
Milush Kopiliqi në eposin shqiptar të Luftës së Kosovës paraqitet me tiparet e heroit antik. Ai është i paepur, ashtu si Akili i Homerit. Edhe Milush Kopiliqi, sipas rrëfimit shqiptar dispononte elementet fizike të fshehtësisë, ashtu sikurse Akili që të vetmin vend ku e merr shigjeta ishte në thembër. Fshehtësitë e këtij trimi para ushtarëve turq i zbulon një “shkinë plakë”. Turqit nuk arrijnë ta prejnë meqë ai ishte i tërë i veshur në rroba të çelikut.
Edhe shpata Milushin s‘po e pret
Nji shkinë plakë kqyre shka ka thanë
-Ju vraftë Zoti ju asqer të mbretit!
A s po e shihni Miloshi krejt ju pret,
Tanë për tokë shpatat për m‘i shtrimun.
Bylyzykat atkisë i kanë ra,
Gjallë Milloshin ata po e kapin,
I binë pushkë, pushka s po ja len
I binë shpatë, shpata s‘po e pret…
( Këngë popullore historike, Prishtinë 1973. f.52).
“Shkina plakë” sipas rrëfimit shqiptar, i mëson ushtarët e sulltanit se në ç mënyrë mund ta mposhtin Milush Kopiliqin.
Ky motiv është i njëjtë me këngën omonime serbe. Dallimi qëndron në një fakt kapital për studimin tonë, meqë këngëtari popullor ka bërë një diferencim përkatësie të heroit dhe të denoncuesve. Milushin sipas këtij varianti e denoncon një shkinë plakë, ndonjë magjistare, e cila i dinte pikat e dobëta të fuqisë fizike të heroit të Luftës së Kosovës.
Trim i pa kompromis dhe tejet i vendosur tregohet përballë vjehrrit, mbretit Llazar, i cili, sipas përshkrimit në rrëfimeve popullore shqiptare tregohet i dobët, i frikshëm dhe me shumë vështirësi vendos për të sulmuar forcat ushtarake të Sulltanit. I tillë, madje edhe më i dobët e më frikacak paraqitet Vuk Brankoviqi. Vetëm Milush Kopiliqi është heroi i vërtetë i luftës së Kosovës. Ai ka tërhequr vëmendjen e këngëtarit popullor, sidomos me faktin se është akuzuar padrejtësisht për tradhti. Këto akuza vinin për shkak se ai nuk ishte i barabartë me suitën mbretërore, sepse i takonte turmave popullore, shtresave të ulëta, për më tepër ishte fëmijë jetim, i cili kishte bërë emër me trimërinë zgjuarsinë dhe fuqinë e tij fizike në frontet e luftës.
III
Rrëfimi serb për bëmat e Milosh Obiliqit- Kopiliqit
Figura e Milosh Kopiliqit-Obiliqit në mbamendjen mitike serbe është ngulitur me një fanatizëm çuditërisht të skajshëm. Po qe se studiohet me vëmendje ky personazh, jo vetëm legjendar, por mbi të gjitha historik në literaturën, folklorin dhe përgjithësisht në mitologjinë serbe, atëherë nuk mund të mos shtrohet pyetja, përse ka ndodhur kjo qasje kaq njëanshëm ndaj kësaj figure gjithsesi të rëndësishme të mesjetës në përgjithësi.
Duke qenë se legjenda dhe mitologjia qysh moti ia kanë zënë frymën rrëfimit real lidhur me Milosh Kopiliqin, një pjesë e historianëve liberalë serbë, ka filluar edhe të dyshojë në vetë ekzistencën e heroit, ndoshta me qëllim për lirimin e serbëve nga magnetizimi i tepruar dhe negativ i mitit për Milosh kopiliqin.
Ka çaste kur fitohet përshtypja se i tërë mentaliteti militarist serb është ngritur mbi personin e Milosh Kopiliqit, Obiliqit, i cili me aktin e vrasjes së Sulltan Muratit, më 15 qershor të vitit 1389, u bë simbol i krishterimit dhe i të gjitha forcave të Aleancës së krishtere, e cila shënoi humbjen e madhe historike në Ballkan dhe fillimin e zgjerimit të forcave luftarake turke drejt Evropës. Pikërisht ky segment bëri që figura e Milosh Kopiliqit të hymnizohet e të mitizohet në përmasa të veçanta, duke u njëzuar me forcat militante të krishtera, të cilat kishin humbur Betejën por jo edhe idealin për t u çliruar nga Turqia. Dhe sa më shumë që Turqia depërtonte nëpër viset e Evropës së krishterë, aq më shumë stolisej, ngrihej, ringjallej dhe hiperbolizohej miti për qëndresën e Milosh Kopiliqit, me faktin se ai kishte therë një sulltan, dhe kishte mbetur i vetmi që kishte arritur të vriste një sulltan turk në fushën e Betejës.
Ky segment besoj se ka ndikuar në magnetizimin e tërë kujtesës historike të ballkanasve, e veçmas të serbëve, prijësit e të cilëve kishin udhëhequr luftën në Kosovë, por në shumicë dërrmuese me luftëtarë të popujve të tjerë, e sidomos të shqiptarëve të krishterë ortodoksë të Kosovës, të cilët, të tillë nga aspekti fetar do të lajmërohen në vitin 1455, me rastin e regjistrimit të parë të popullatës së disa viseve të Kosovës nga admnistrata turke.
Literatura serbe për Milosh Kopiliqin-Obiliqin është e gjithanshme dhe shtrihet po thuajse në të gjitha fushat e krijimtarisë gojore por edhe letrare, artistike dhe historike.
Lidhur me origjinën e Milosh Kopiliqit, Obiliqit edhe tradita gojore serbe përputhet me rrëfimin shqiptar rreth prejardhjes
Në një fragment të një kënge serbe thuhet:
Dëgjo Car, dëgjo se çka flitet…
Dhe i drejtohet Milosh Obiliqit,
Nuk është ky Milosh Obiliqi,
Po ky është, vetë, Milosh Kopiliqi,
Sepse atë atkija e lindi,
Nëpër male e mjera e bajti,
Ai nuk ka, as tatë e as amë…
(Slušaj cara, slušaj razgovora…
Tek mu kaže Obiliæ Milošu,
Ovo nije Obiliæ Milošu
Veæ je ono Kobiliæ Milošu!
Jer je njega rodila kobila
po planini nejaka nosila
on ne ima, ni oca ni majku…)
Disa këngë popullore serbe kështu e përshkruajnë dialogun mes mbretit Llazar dhe Milosh Kopiliqit (Obiliqit) në natën e fundit, në kohën kur ishte mbledhur Këshilli i Luftës dhe po bisedohej lidhur me betejën, e cila do të zhvillohej ditën e nesërme, më 15 qershor të vitit 1389.
E merr mreti gotën prej dukati,
Dhe ju thotë ai vojvodve serbë:
Kët gotë unë për ka do ta pi?
Nëse e pi për të moçmit e mi,
Do ta pi për t’ vjetrin Jug Bogadan!
Nëse gotën për zotnijt’ e pi,
Do ta pi për Vuk Brankoviqin,
Nëse gotën për t’ varfnit e pi,
Do ta pi për nantë nipat e mi,
Nantë nipat, nantë jugoviçët!
Nëse gotën për hjeshi e pi,
Do to pi për Kosaniç Ivanin!
Nëse gotën për ma të gjatin e pi
Do ta pi për Milan Toplicën!
Nëse gotën për trimni e pi,
Do ta pi për vojvodë Miloshin!
Për asnja unë gotën s’ do ta pi,
Veç për shnet të Milosh Obiliqit,
Për shnet Milosh!- me besë dhe i pabesë,
Njiher me besë mandej i pabesë!
Nesër n’ Fushë t’ Kosovës ke me m’ tradhtue,
Te sulltan Murati ti ke për me ikë!
Por qofsh sh’ndosh dhe ti gotën pije!
Venen pije, për nderin ja dhe gota!
Milosh Kopiliqi ngrihet në këmbë dhe i drejtohet mbretit Llazar me këto fjalë:
Të falemnderit, ty, o mbet Llazar!
Të falemnederit për bekimin tënd!
Po nuk të falem për bisedën tënde!
Sepse, feja mue m’ vraft’,
I pabesë un’ n’ kofsha kan’.
Nuk jam kan’ e as kam me kan’.
Sepse nesër në Fushë të Kosovës
Për fe t’ Krishtit, un’ me vdekë kam!
(Hvala tebi, slavni car Lazare!
Hvala tebi na tvojoj zdravici…
al’ ne hvala na takvoj besedi!
Jer, tako me vjera ne ubila,
ja nevjera nikad bio nisam,
nit’ sam bio, niti cu kad biti,
nego sjutra mislim u Kosovu,
za hriscansku vjeru poginuti).
Sipas një varianti tjetër të mitologjisë serbe, Miloshin e ka lindur vajza e quajtur, Janja, bareshë malesh. Ajo kishte mbetur me barrë me dragoin. Kur e lindi Miloshin e la në mal. Atë e gjeti Zana e malit e cila e ushqeu dhe e rriti. Kur u rrit Miloshi u bë shumë i fortë. Nëna, e cila u përkujdes për të, sipas rrëfimeve gojore serbe, ishte grua vulgare, e cila gjinjtë e mbante mbi supe. Kur e kishte parë mbreti Llazar kishte thënë:
Çfarë pele e shëmtuar paska lindur këtë trim mbi trima. Prej atëherë Miloshin e quanim Milosh Kobiliqi.
Po prezantojmë në vazhdim variantin e një kënge, e cila sipas të gjitha gjasave është shtjelluar nga një krijues i caktuar, tashmë anonim.
Zot i Madh në serbë është idhnue,
Për mëkatet qi ata kanë bamun.
Mbretnitë ligjin e kishin thye,
Kanë fillue luftën ndërmjet veti,
Njani tjetrit sytë po ja nxjerin,
Kanë harrue shtetin dhe sundin,
Marrëzinë ata e kanë marrë,
Të pabesë shërbtorët ju kanë bamun,
Në gjak të mbretit ata kokan lamun,
Pasanikë me shpirt të mallkuem,
Në shumë pjesë mbretninë e kanë damum,
Forca serbe në neveri e mbytun,
Pasanikë, ferkema ju huptë!
Humbën faren dhe t’ ithtën e mbollën,
Me farë të idhtë Serbinë e helmuen.
Pasanikë, qyqana t mallkuem!
Rod tradhtarësh ata kokan ba.
E mallkueme koftë Darka e Kosovës,
Po ta kishte fatin, për ata t’ mallkuem
Ti helmonte dhe gjurmët t jau humbte,
Veç Miloshi po të kishte mbetun,
Me të dy besnikët e vet!
Serbi serb do të kishte mbetun.
Brankoviq, or rod i paganë,
Po kështu i shërbehet atdheut?
Po kështu çmohet nderi atdheut?
Zot i madh në serbë asht idhnue,
Me shtat krenë kuçendrën e ka çue,
Me shkatrrue krejt farën e tyne,
Të pabesët të gjithë të mallkuem,
Në këngët popullore serbe, të cilat si duket janë kënduar shumë vonë, sepse nuk hetohen elemente arkaike stilistike e gjuhësore, ashtu sikurse hetohen në variantet shqipe, figura e Vuk Brankoviqit mbetet figura më e urryer dhe më e mallkuar. Ai, sipas këngëve kishte ikur nga beteja në Kosovë me 12 mijë luftëtarë të fuqishëm, duke tradhtuar serbët dhe aleatët.
Po prezantojmë një fragment të thënë nga goja e një luftëtari të plagosur në Kosovë, të cilin princesha Milicë, gruaja e Llazarit e pyet për dhëndrin tjetër, Vuk Brakoviqin.
-Çka po pyet për Vuko t malluemin,
Mallkue koftë nana qi e lindi,
Mallkue koftë rodi edhe fisi,
Ai e tradhtoi Mbretin n’ Kosovë,
Edhe iku me 12 mijë,
12 mijë të idhshëm luftëtarë.
“Megjithatë rasti i Vuk Brankoviqit, nuk është asnjë konflikt mes dhëndrit dhe vjehrrit, as rrëfimi mbi tradhtinë, veç rrëfimi mbi marrëdhëniet e këqija mes vjehrrës dhe dhëndrit. Në të vërtetë edhe nëse ka pasur konflikt, mbi të cilin dëshmojnë shumë historianë të respektuar, ai ishte konflikt në mes të Milicës, dhe Vukut. Milica nuk e duronte Vuk Brankoviqin, burrin e vajzës së saj të parë. Gjithnjë e cyste Llazarit kundër Vukut. Dhe gjërat do të ishin qetësuar por të mos ndërhynte Jefimija, ikona e këngëve tona, e cila filloi ta nxiste edhe më tej konfliktin e Llazarit me Vuk Brankoviqin. Aq shumë kishte ndikuar Jefimija për ta yshtur Milicën kundër dhëndrrit, por edhe kundër bijës së vet, sa më në fund Milica kërkoi ndihmë nga Sulltan Pajaziti, dhe i shkoi për dore t’ i marrë disa territore. Disa burime flasin se Milica më në fund është helmuar”.
Armiqësia e Milosh Kopiliqit me Vuk Brankoviqin nuk kundërshtohet fare nga historia serbe, përkundrazi ajo del edhe më e thellë sesa në këngët historike shqiptare për Milosh Kopiliqin.
Lidhur me fundin e palavdishëm të Vuk Brankoviqit, rrëfimet serbe janë të shumta dhe të ndryshme.
Sipas një varianti Vuk Brankoviqin e kanë helmuar në Maqedoni, ndërsa vëllai i tij, Gjerasim Radonja, e kishte varrosur në malin e Shenjtë.
Sipas varianti tjetër, Vuk Brankoviqi ka vdekur dhe e kanë varrosur në Beograd. Thuhet madje se e ka lëshuar toka në Travnik. Sipas një varianti tjetër, për shkak të tradhtisë në Betejën e Kosovës, Vuk Brankoviqin e kishte vrarë Gjergj Ballsha. Janë të shuma rrëfimet për varrosjen e tij, për asgjësimin e varrit të tij nga serbët dhe ngritjen e tyrbës nga turqit, e rrëfime të tjera.
Se deri në çfarë masë ishte krijuar miti i mallkimit dhe urrejtjes kundër Vuk Brankoviqit, flet edhe një rrëfim tjetër, që lidhet me jetën dhe luftën e vozhdit serb, Karagjorgje Petroviq, për të cilin thuhet se ka origjinë nga kelmendasit shqiptarë, që ikën nga viset e Kelmendit, pas shuarjes së kryengritjes së Halil Patronës në Stmaboll në vitin 1730 nga Sulltan Mahmudi. Asokohe, Topall Osman Pasha i Moresë kishte marrë përsipër të ndiqte kelmendasit edhe nga thellësirat e Shqipërisë në veri të vendit. (Hammer).
Karagjorgje Petroviqi në vitin 1806, pas Kryengritjes së Parë serbe kundër turqve, pasi me kryengritësit e tij kishte depërtuar qytetin e Krushevcit, kishte urdhëruar të nxirren nga arkivoli eshtrat e Vuk Brankoviqit, të ndizen dhe hiri të hedhet në erë, për të humbur çdo gjurmë të tij. Edhe rrëfimet lidhur me fundin e prijësit Llazar janë ndër më të ndryshmet.
Mihajlo Konstantinoviq nga Ostrovica, duke përshkruar Betejën e Kosovës, thotë se “prijësi Llazar është zënë rob afër një kishe. Së bashku me të është zënë rob edhe Krajmir Vojvoda i Toplicës dhe shumë prijësa të tjerë, të cilët edhe janë mbytur po aty ku janë zënë rob”. Supozime të ndryshme, lidhur me tre personazhet kryesore të Betejës së Kosovës Milosh Kopiliqi, Mbreti Llazar dhe Vuk Brankoviqi, kanë dhënë dhjetëra historianë serbë, por të gjitha përmblidhen në rrëfime dhe legjenda, për të cilat kemi bërë fjalë në këtë kapitull.
IV
Këngë të moçme historike dhe legjendare shqiptare për Luftën e Kosovës dhe Milush Kopiliqin
Në eposin epiko-heroik shqiptar, këngët për Luftën e Kosovës, janë të shumta dhe të thurura me një mjeshtëri të veçantë artistike. Edhe studiuesit serbë, si Bajraktareviq, Glisha Elezoviq e të tjerë kanë pranuar se variantet shqiptare vende-vende janë më të spikatura se sa variantet homonime serbe.
Kemi shënuar për fillim këngën më të shkurtër, por shumë kuptimplote për Luftën e Kosovës, e cila ka disa veçanti krijuese tipike që nuk i gjejmë në variantet e tjera, por as në krijimet popullore serbe, të cilat po ashtu janë të gjata, me përsëritje të shumta dhe me përmbajtje kryesisht mitike.
Kjo Kosovë vdekjen ta ban dasëm
Paska ardhë ai sulltan Murati,
Yjtë në qiell dritën e kanë ndalë,
Diell e hanë në det qenkan mbytë.
Shum asqer sulltani ka bashkue,
Për Shqipni, ai, i paska fillue
Ka marrë Shkupin, ka marrë Selanikun,
Krej në gjak e lau Kaçanikun.
Në Prishtinë sulltani ka ndalue
Aty ishte trimi, Milush Kopiliqi
Ti qi je or Milush Kopiliqi
A don armët ti me i dorëzue,
Ja Kosovën krejt kam me farue?
Thotë Milushi,-qysh po më thoni, vllazën?
Kjo Kosovë, Murat, vdekjen ta ban dasëm!
Në pancir Milushi rrobat i ka veshë
S dalke topuz në to për mu ngulë,
S dalke shpatë Milushin me pre.
Te sulltani Milushi ka msy
Në Fushtë të Kosovës kanë mbetë të dy
Njani pllumb e tjetri asht ba korb
Mbi Kosovë atë ditë e deri sot.
(Këngë popullore për luftën e Kosovës, e kënduar në Festivalin e Gjirokastrës më 1988. Variant, nga Motrat Krasniqi)
Kjo këngë e kënduar nga këngëtari anonim popullor, sa do që duket fragmentare, është një krijim realist autentik i përmasave të rrëfimeve homerike. Edhe pse fragmentare dhe kjo këngë pasqyron elementet qenësore të ndeshjes së dy botëve kundërshtare. Nga fragmentarizmi mbizotërues në këtë krijim popullor, arrijmë të kuptojmë se kënga dikur ka qenë e ngjeshur edhe me përshkrime të tjera, ndërsa vargjet e mbetura sajojnë një përmbajtje impozante me shumë elemente sintetizuese.
Rrëfimi i kësaj ngjarjeje të mirënjohur historike vetëm me 21 vargje të bën përshtypje për të menduar se nga tërësia e dikurshme ka mbetur vetëm skeleti, i cili i ka përballuar kohës qindra vjet.
Kënga për Luftën e Kosovës, e shënuar nga profesor Anton Çetta, kënduar nga këngëtari Halim Dauti i Shalës së Bajgorës në vitin 1954, të cilën ai e kishte mësuar nga këngëtari i mirënjohur i epikës legjendare Maliq Zhabari, botuar në (Gjurmime albanologjike 1962 në Prishtinë faqe: 263-275,). paraqet një variant interesant sa i përket figurës së Milush Kopilit. Në kohën kur mbreti Llazar së bashku me dy dhëndurët kishte marrë lajmin për arritjen e ushtrisë së Sulltan Muratit në Kosovë, që të tre hipin në bjeshkë të Shalës dhe me serçali durbi shikojnë formacionet gjigante të ushtrisë aziatike.
Krejt Kosova mbush me çadra t mbretit.
…Me ba njeri gjilpanën me lshue,
N‘ tokë gjylpana nuk kish për me ra.
Kqyr shka thojke, knez Llazari i moçëm
Pasha nji Zot mue qi më ka falun,
Unë do të shkoj sulltanit me ju dorëzue,
S ma merr mendja me ta me luftue!
Kqyr shka thojke Vuko Brankoviqi,
Unë do të shkoj, turk po du mu bamun,
Kqyr shka thojke Milosh Kopiliqi,
Pasha nji Zot mue qi më ka falun
Kurrë un’ turk nuk kam për m‘u bamun
As n‘ dynja, pa dekë, nuk dorzohem!
…
Fragment nga kënga shqiptare për Luftën e Kosovës, vepra e cit, f.263-275.)
Rrëfimi gojor shqiptar mbështet pa rezervë Milush Kopiliqin. Edhe në momentin dramatik, kur krerët ushtarakë të Aleancës marrin qëndrim për të sulmuar ushtrinë turke, hetohet mëdyshja e mbretit Llazar e sidomos mëdyshja dhe frika e Vuk Brankoviqit. Sipas përmbajtjes që na rrëfen memoria kombëtare për Luftën e Kosovës, pasi mbreti Llazar provon epërsinë morale dhe epërsinë në numër të ushtarëve turq, dhe duke qenë se konsideron të pamundshme fitoren kundër ushtrisë armike shumë më të madhe në numër, ai shkruan një letër dhe ia dërgon sulltanit;
Menjiherë letrën mbretit ja ka que,
Unë ty, mbret du me t u dorëzue,
Edhe raje unë due me mbetë!
Kqyr çka bajke Vuku, Brankoviqi,
Edhe ai letrën mbretit po ja qojke
Prej sot turk, unë du me t u bamun,
Vetëm guhen mue mos ma prish,
Ashikinë mue me ma lanë…
Kqyr shka thojke Milush Kopiliqi,
Ndigjo kha mor, Vuko Brankoviqi,
Pa ndigjo ti mbret, o dielli ynë!
Ju tradhtar mue më kini thanë,
Sot po e shihni Milush Kopiliqin,
Sot po i dal un‘ mretit në mejdan.
… Kqyr shka bajke Milosh Kopiliqi
Ma shtëngojke ai kalin me lara,
Në kmishë të çelikut ai koka farkue
Marrke rrugën drejt në Kosovë ka shkue
N‘ Fushë të Kosovës ai dalke n‘ mejdan…
Po aty…
Varianti i këngës për Luftën e Kosovës të vitit 1389, kënduar nga rapsodi shqiptar, Hamëz Xhemë Bojkoviqi
Varianti më i fuqishëm për nga përmbajtja dhe më i ndërtuari astistikisht për Luftën e Kosovës, është shënuar nga studiuesi serb Glisha ( Gligorije) Elezoviq, në rrethana paksa të çuditshme. Duke qenë në njohuri se këngët për Luftën e Kosovës ishin shumë të përhapura te shqiptarët, Elezoviq kishte dëgjuar për një rapsod që ndodhej në burg, i dënuar me vdekje nga regjimi serb. I kishin thënë se rapsodi Hamëz Xhemë Bojkoviqi këndonte variantin më të plotë të kësaj kënge. Ai merr leje nga autoritetet e burgut dhe kontakton rapsodin shqiptar, asokohe rreth shtatëdhjetëvjeçar, i lindur mbase rreth vitit 1860. Ai pranon t‘i ia rrëfejë tekstin e këngës, ”daskalit serb”, pa pasur mundësi ta përcjellë me lahutë apo çifteli. Elezoviq shënon 513 vargjet epike heroike të këngës, i vetëdijshëm se teksti nga ana artistike stilistike kishte pësuar shumë në mungesë të përcjelljes me ndonjë instrument. Duke folur për mënyrën si e kishte shënuar këngën Elezoviq thotë:
( Visaret e Kombit I Shtypshkronja Nikaj, Tiranë, 1937. fq. 18.)
Rrëfimi për Luftën e Kosovës në këtë këngë, sipas studiuesit Elezoviq, është më i fuqishëm se variantet homonime serbe. Elezoviq ka konstatuar kështu, por nuk ka bërë krahasime dhe nuk i ka shqyrtuar veç e veç motivet e kësaj kënge, e cila pa dyshim se mbetet krijimi popullor më i përmbaruar për Milush Kopiliqin dhe për Luftën e Kosovës të vitit 1389.
Në mënyrë që lexuesi të ketë sa më shumë të dhëna për kryetrimin e Drenicës, Milush Kopiliqi, po marrin në shqyrtim dhe po i analizojmë të gjitha vargjet ku spikatet figura dhe veprimet e këtij trimi të mesjetës. Kjo këngë është botuar në numrin e parë të vëllimit Visaret e Kombit në Tiranë, në vitin 1937, në vigjilje të shënimit të 550- vjetorit të kësaj beteje.
Betimi i Milush kopiliqit
Milosh Kopiliqit ( mbreti) letër i ka çue,
Drynat e nantë kralave, ti, me mi dorëzue,
E teslim me m’i ba mue,
Ose kemi me luftue,
Ose luftë unë me ty kam.
Letra Miloshit po i shkon,
Mori letrën Miloshi po e k’non,
Kqyr grueja çka i ka thanë:
Ç’ ka Milosh letra shka po t’ kallxon?
E Miloshi letrën ja ka kallxue:
Sulltani thotë n’ Kosovë na ka ardhë,
Ai po lypë me ne me luftue,
Edhe hallit nuk di si t’ ja bajmë.
Gruaja mendjelehtë, Vukosava, e bija e prijësit Llazar, e qesëndis burrin duke e mburrur dhe duke i thënë se as mbreti i Turkisë nuk ka çka të bën. Milushi hidhërohet, dhe sipas këngës i jep grusht të fortë bashkëshortes duke ia thyer disa dhëmbë. Pa vonuar niset për në Pejë ku asokohe ndodhej prijësi Llazar, vjehrri i Milushit.
Shpejt Miloshi koka çue
Se në Pejë ai paska shkue,
Aty kralit i ka kallxue
Në Prishtinë Sulltani ka ardhë,
Luftë po lypë, ti qysh po thue,
Qysh po thue, kralit i ka thanë,
Kqyre krali çka i ka thanë
Ma mirë na bjen me u dorëzue
Se me ta nuk mujmë me luftue
Ai Miloshi çka ka thanë:
Kurrë teslim unë nuk i bahna
Pa e therë tybe s’ kam me e lanë!
( po aty fq 13.).
Milushi mashtron Llazarin
Në vazhdim të kësaj kënge epike heroike, këngëtari popullor rrëfen se si prijësi Llazar do të hulumtojë moralin e luftëtarëve të ushtrisë së Sulltanit. Ai, nga dervishët dhe njerëzit e vet kishte mësuar se ushtria turke ishte e moralshme. Andaj urdhëron prijësit të zgjedhin 30 vasha të reja dhe të bukura, nga të gjitha krahinat e Drenicës dhe të Kosovës, t’i veshin me rroba të teleisura në ar dhe serm, të cilat do të shkojnë dhe të futen në taborret e ushtrisë së sulltanit. Milushi e përcjell situatën nga afër. Pas tri ditëve, në kohën kur 30 vajzat kthehen nga taborret e ushtrisë turke, Milushi me disa ushtarë të tij besnikë, iu del në rrugë dhe i pyet se si janë trajtuar nga ushtria turke. Vajzat tregojnë se askush nga ushtarët nuk i kishte prekur. Ato kishin qëndruar kot, dhe nuk e kishin tërhequr vëmendjen e ushtarëve. Milushi, i cili me çdo kusht donte ta fuste në luftë prijësin Llazar dhe ushtrinë aleate të ballkanasve, iu thotë 30 vajzave:
Na te krali kur të shkojmë,
Po batë drejt ju me i kallxue
T’ tanave kryet kam me jau shkurtue,
Por ju kralit keni me i thanë:
Dergjë e madhe asqerit i ka ra,
Ishin lodhë të tanë me dekë,
Ne asqeri na ka kapë,
Edhe paret na i ka marrë…
Bashkë me to Miloshi te mbreti ka shkue.
Qysh ish Turku oj çika i ka pvetë:
Aty çikat çka i kanë thanë:
Dergjë e madhe iu kish ra, Ishin lodhë asqeri me dekë,
Edhe neve na kanë kapë,
Edhe dukatin na kanë marrë.
Intriga që kishte përgatitur Milush Kopiliqi, na jep të kuptojmë jo vetëm urrejtjen që shprehte ai kundër ushtrisë invaduese turke, por edhe dëshirën e madhe që të nxiste prijësin Llazar dhe aleatët ballkanas për luftë.
Motivi i Milush Kopiliqit për të luftuar kundër turqve, sipas përmbajtjes së kësaj kënge është i veçantë dhe në asnjë nga këngët e tjera nuk është interpretuar decidivisht. Atë e quajnë tradhtar, ndërsa ai ishte tepër sedërtar për të pranuar atë përbuzje. Ai kishte kërcënuar vajzat se do t’ ua shkurtonte kokat po t‘i tregonin drejt mbretit, nga frika se Llazari do të dorëzohej pa luftë. Milushi e dinte se ushtria turke ishte e fortë, e moralshme dhe më e madhe në numër. Ai, ishte një trim popullor shqiptar që nuk e pranonte përuljen, teslimin, e as përbuzjen dhe intrigat që kurdiseshin nga princërit e korruptuar dhe qyqarë të asaj kohe. Fiksionit të tij për ta vrarë sulltan Muratin fillimisht askush nuk i beson, edhe pse në darkën e fundit të princave më 14 qershor të vitit 1389, prijësi Llazar, vjehrri i tij, i kishte dhënë për të pirë verë nga kupa e tij e artë dhe i kishte thënë:
-Pi nga kupa ime edhe pse po të thonë tradhtar!
Milush Kopiliqi therr me hanxhar Sulltan Muratin
Gjithnjë duke interpretuar këtë variant të këngës shqiptare për Luftën e Kosovës, këngëtari popullor rrëfen momentin kritik kur Milush Kopiliqi ishte dukur te çadrat e Sulltan Muratit, në kohën kur ende nuk dihej finalja e betejës, ndërsa binin kokat e ushtarëve të palëve ndërluftuese. Këngëtari popullor shqiptar Hamëz Xhemë Bojkoviqi në variantin e kësaj kënge nuk përshkruan mënyrën e depërtimit të Milush Kopiliqit në kapim armik. Ai në një moment të caktuar ndodhet para çadrave të mbretit dhe i drejtohet sulltanit, i cili qëndronte në pëlhurat e tij të buta, i freskuar me ajrosje nga hyzmeqarët:
E Miloshi te mbreti ka shkue,
Çojke kambën mreti me ja dhanë,
Hanzxhar mretit Miloshi i ka ra,
Dekun n vend mretin e kish lanë
Mirë atkijes në shpinë i ka ra
Ka marrë udhën edhe ka tfillue,
Shumë asqeri mbrapa po e ndjekin
Nuk po mujnë Miloshin me pre
( po aty fq.16.).
Zbulimi i fshehtësisë së paprekshmërisë fizike të Milush Kopiliqit nga një “shkinë plakë”
Rapsodi martir, Hamëz Xhemë Bojkoviqi shtjellon edhe fundin tragjik të heroit të tij. Milushi, sipas tij, ishte trim mbi të gjithë trimat. Ai kishte veshur rroba në pancir hekuri. Edhe ati i tij ishte farkuar në pancir, kështu që ai bënte kërdinë mbi ushtarët turq të cilët e ndiçnin, por nuk arritën ta therin. Në një moment të caktuar ushtarëve turq iu drejtohet një shkinë plakë, e cila iu bën me dije se Milushi është i paprekshëm në çdo pjesë të trupit por e meta e fshehtësisë ishte thembra e këmbës së atkijës së tij. Po të goditej në thembër, atkija do të përplasej për tokë, ndërsa Milushi mbante në mustaqe çelësat e rrobave të hekurta.
Ja si e rrëfen këngëtari popullor fundin tragjik të Milush Kopiliqit
Shumë asqeri mbrapa po e ndjekin…
Po mundohen Miloshin me pre,
Nuk po mujnë ata për me pre,
Kur po shkojnë në Babimos
Nji shkinë plakë turqit e kanë gjetë,
Ata shkinës i kanë kallxue,
Ata shkinës i kanë thanë,
Miloshi, Sulltanin na e ka therrë,
Nuk po mundemi Miloshin me pre.
Aty shkina çka ju ka thanë,
Ju Miloshin nuk mundeni me e pre,
Se i veshun në hekur ai asht,
Edhe atkinë veshun n’ hekur e ka,
N’ thundër të kambës atkinë ju me pre,
Atëherë Miloshin ju të gjallë e zini,
Ju si n mujshi Miloshin me nxanë
Çelësat e rrobeve n’ mustaqe i ka…
( po aty fq.17.)
Këngëtari popullor Hamëz Xhema, ndër të tjera, në këngën të cilën nuk e kishte hartuar vetë, por e kishte mësuar në fëmijëri nga rapsodët, ka veçuar këtë element të tradhtisë që një shkinë plak i bën kryetrimit të Drenicës dhe të mbarë Kosovës. Ajo rrëfen fshehtësinë e Milushit, dobësinë e vetme, ashtu sikur ishte thembra e Akilit në Iliadën e Homerit. <
Pasi turqit e zënë Milushin, ai kërkon nga ata që ta takojnë me plakën, e cila ka rrëfyer fshehtësinë e fuqisë dhe të mos zhdukjes së tij. Në çastin kur ia afrojnë shkinën plakë, edhe pse me duar të lidhura, Milushi e kafshon plakën tradhtare, së cilës ia nxjerrë shpirtin.
Tradhtia, që i bën një shkinë plakë heroit të Luftës së Kosovës, vullnetarisht, pa qenë e kërcënuar nga ushtarët turq, zbulon zemërligësinë mbase edhe urrejtjen e saj, meqë Milushi i përkiste një etniteti tjetër. Përse do ta bënte tradhtinë shkina plakë, nëse Milushi do të kishte qenë serb? Jo rastësisht këngëtari e veçon përkatësinë etnike të një plake. Në variantet e tjera shënohet një hallë plakë. Ky element është i njohur edhe në këngën serbe për Luftën e Kosovës, por aty përmendet një plakë shpirtkeqe e cila rrëfen fshehtësinë, pa dhënë hollësi për përkatësinë e saj në pikëpamje etnike. Sa do që ky detal duket spontan, ai zbulon në mos më shumë urrejtjen që kishte një pjesë e njerëzve të asaj kohe për veprën heroike të Milush Kopiliqit.
Në vjeshtë të vitit 1912, derisa forcat okupatore serbe kishin pushtuar Elbasanin, kapiteni serb Çajkanoviq ndër të tjera ka shënuar: Derisa po qëndroja me togën time në rrethe të Elbasanit, vendësit më dëftuan se aty, në një vend afër Elbasanit ishin disa shqiptarë që mbaheshin se ishin pasardhës të Milosh Obiliqit…
( Visaret e Kombit I, Tiranë, 1937, f.12.)
Përmbajtja dhe motivet mjaft autentike që ofron ky variant i këngës, është njëri ndër krijimet më të spikatura të këngëve për luftën e Kosovës. edhe sipas supozimit të studiuesit serb Gligorije Elezoviq. Subjektin e këngës e kishte rrëfyer një shqiptar i dënuar me vdekje, për kundërvënie forcave pushtuese serbe. Megjithatë, ai kishte pranuar të rrëfente historinë e Milush Kopiliqit, i bindur se po e rrëfente historinë e të parëve, ashtu sikurse e kishte mësuar nga rapsodët.
Rapsodi Hamëz Xhema ka rrëfyer variantin më autentik të shënuar dei tani. Simpatia e tij për bëmat e Milush Kopiliqit, është pjesë e mbamendjes historike shqiptare, është pjesa më e dhembshme e saj, pjesa e rrëfimit që kurrë nuk e harroi mbamendja e popullit. /InforCulture.info
Vazhdon…