Frigjianët janë një nga qytetërimet më të lashta! Ata ishin njerëz nga Ballkani që u shpërngulën në Anadoll pas rënies së perandorisë hitite. Ka pasur ndoshta 3 valë drejt Anadollit midis 1200 pes dhe 800 p.e.s.

Frigjianët nuk ishin grekë, ata kishin pika të përafërta me ilirët dhe trakët. Fillimisht ata janë të vendosur rreth malit Bermion (kjo nuk i bën ata automatikisht grekë) ku kanë jetuar me emrin Brygë/Brigë. Më vonë gjenden në pjesë të Shqipërisë dhe në Trakinë jugore. Ata njiheshin gjerësisht si Phryges, por është e mundur që emri i tyre vendas ishte ϝΡΕΚΥΝ (Wrekyn) siç dëshmohet në një mbishkrim frigjian nga qyteti i Midas. Këtë emër e vërteton edhe Hesichios i Aleksandrisë i cili thotë: <Βρέκυν>· τὸν Βερέκυντα, τὸν Βρίγα. <Βρίγες> γὰρ οἱ Φρύγες / Vrekyn [e quajnë] Verekynta, Vrigiane. Sepse Vrigjianët [janë] Frigjianët. Vini re, se kur Hesychios po shkruante këtë, greqishtja /b/ ishte zhvendosur në tingullon /v/.

Ky detaj i fundit është i rëndësishëm pasi mund të zhvleftësojë pikëpamjen tradicionale për emrin e frigëve që vjen nga rrënja PIE për malin, *bʰerǵʰ. Siç thotë saktë M. Alfonso (2021):

Brigët dhe lidhja me shqiptarët

Brigët apo Brygët është emri historik i dhënë një populli që dikur shtriheshin në territorin shqiptar (shikoni hartën), pikërisht aty ku më vonë u themelua Albanopoli. Në përgjithësi ata konsiderohen se kanë lidhje me frigët, të cilët gjatë antikitetit klasik jetonin në Anadollin perëndimor. Të dy emrat, Brigët (Bryges) dhe Frigët (Phryges), supozohet të jenë variante të së njëjtës rrënjë. Bazuar në dëshmi arkeologjike, disa studiues si Nicholas Hammond dhe Eugene N. Borza argumentojnë se Brigët / Frigët ishin anëtarë të kulturës lusatiane (zonës çeko-polake) që emigruan në Ballkanin jugor gjatë Epokës së vonë të Bronzit (1550-1200 pr.e.s.).
Përmendjet më të hershme të Brigëve janë të përfshira në shkrimet historike të Herodotit, i cili i lidh ato me Frigët, duke deklaruar se sipas maqedonasve, Brigët “ndryshuan emrin e tyre” në Frigë pas migrimit në Anadoll, një shpërngulje e cila mendohet të ketë ndodhur në mes të 1200 dhe 800 pr.e.s ndoshta për shkak të shkatërrimit të Epokës së Bronzit, veçanërisht rënies së Perandorisë Hitite dhe të zbrazëtirës që u krijua. Në Ballkan, Brigët u vendosën në Shqipërinë qendrore dhe Epirin e Veriut, si dhe Maqedoni kryesisht në perëndim të lumit Axios (Vardar), por edhe Mygdonias, e cila u pushtua nga mbretëria e Maqedonisë në fillim të shekullit të 5 pr.e.s. Ata duket se kanë jetuar në mënyrë paqësore pranë banorëve të Maqedonisë, megjithatë, Eugammoni në ‘Telegoninë’ e tij, duke u mbështetur në traditat e hershme epike, përmend që Odiseu urdhëroi Thesprotët epirotas kundër Brigëve. Grupe të vogla Brigësh pas migrimit në Anadoll dhe zgjerimit të mbretërisë së maqedonasve, mbetën ende në Pelagoninë veriore të Maqedonisë dhe përreth Epidamnusit (Durrësit antik).
Brygos (i biri i Afrodisios) është një eponim i Epidamnosit (Dyrrahut). Këtë emër kishte dhe një poçar i famshëm nga Atika. Brygias quhej dhe një qytet antik pranë Ohrit (Maqedoni Veriore).

Herodoti gjithashtu përmend se në vitin 492 pr.e.s, disa Brigë thrakë shkuan natën në kampin persian, duke plagosur vetë Mardoniusin (komandantin), megjithëse ai vazhdoi fushatën derisa i nënshtroi ato. Këta Brigë më vonë përmendën në ‘Jetët Paralele’ të Plutarkut, në Betejën e Filipoit, si shërbëtorë kampi të Brutit (senator romak). Megjithatë, studiuesit e sotëm pohojnë se nuk mund të vendoset një lidhje historike mes tyre dhe Brigëve origjinalë.

Frigjia (greqishtja e lashtë: Φρυγία, [pʰryɡía]) quhej vendi i frigëve të lashtë në Azinë e Vogël, që ndodhet midis Lidisë dhe Kapadokisë, në pjesën perëndimore të rrafshnaltës anatoliane. Sipas Herodotit, Frigët fillimisht kishin emrin Brigë (ose Brygë) që fillimisht do të qëndronin në Maqedoni dhe Shqipëri, më pas ata duhet të kenë shkuar në Thraki, përpara se të migronin, nëpërmjet Hellespontit, pak përpara Luftës së Trojës në këtë qytet në Azinë e Vogël. 
Në antikitetin klasik, Frigjia ishte në fillim një mbretëri në pjesën qendrore perëndimore të Anadollit, në atë që tani është Turqia aziatike, përqendruar në lumin Sangarios më vonë një rajon, shpesh pjesë e perandorive të mëdha.
Tregime të mitologjisë na japin të dhëna mbi disa mbretër legjedarë frigë (frigjianë):
Gordias, nyja gordiane e të cilit do të pritej (zgjidhej) nga Aleksandri i Madh; Midas (shek. 7 pr.e.s), i cili çfarëdo që prekte e shndërronte në ari; Mygdoni, i cili luftonte me Amazonat.

Sipas Iliadës së Homerit, Frigët morën pjesë në Luftën e Trojës si aleatë të ngushtë të Trojanëve, duke luftuar kundër Akejve. Mbreti trojan Priami Dardani ishte martuar me një princeshë frigjiane, Hekubën dhe mbajti aleancë të ngushtë me frigët të cilët e ndihmuan atë në luftën kundra armiqve. Fuqia frigjiane arriti kulmin në fund të shekullit të 8 pr. e.s nën një mbret tjetër, historik: Midas, i cili dominonte shumicën e Anadollit perëndimor dhe qendror dhe rivalizonte Asirinë dhe Urartun për pushtet në Anadollin lindor. Midasi ishte, megjithatë, edhe mbreti i fundit i pavarur i Frigjisë para se Kimerët të plaçkisnin kryeqytetin e Frigjisë, Gordionin, rreth vitit 695 pr.e.s. Frigjia pastaj iu nënshtrua Lidisë, dhe më pas me radhë Persisë, Aleksandrit të Madh dhe pasardhësve të tij, Pergamonit, Romës dhe Bizantit. Frigët gradualisht u asimiluan në kultura të tjera nga epoka e hershme mesjetare; pas pushtimit turk të Anadollit, emri “Frigji” nuk u përdor më si një përcaktim territorial.
Mbishkrimet e gjetura në Gordion (latinisht: Gordium) e bëjnë të qartë se Frigët flisnin një gjuhë indo-evropiane me një fjalor disi të ngjashëm me atë të greqishtes antike dhe në mënyrë të qartë nuk i përkasin familjes së gjuhëve të Anadollit (siç janë hititët, paraardhësit e vendit) të folura nga shumica e fqinjëve të Frigjisë. Një nga të ashtuquajturat Himnet Homerike e përshkruajnë gjuhën frigjiane si jo të kuptueshme reciprokisht me atë të Trojës.

Hynijtë Frigjiane

*Sabazios njihet si perëndia frigjiane dhe thrake e qiellit e cila barazvlerësohet me Zeusin. 
*Sibela (greqisht: Kybele) është nëna perëndeshë e barazvlerësuar me Demetrën apo Gaian dhe me Rean minoane (në Kretë). Ajo lidhet me malet, muret e qytetit, natyrën pjellore, dhe kafshët e egra, veçanërisht luanët. Kur u adoptua nga romakët, në Romë ajo njihej si Nëna e Madhe (Magna Mater). Mendohet se ishte heroi trojan Enea Dardani ai që e çoi kultin e saj në Romë. Tek grekët kulti i saj u përhap rreth shekullit VI pr.e.s dhe njihej me emrin Kybelë.

*Bashkëshorti i Sibelës në mitologjinë frigjiane ishe Atis (Attis, Atys). Priftërinjtë e tij dhe të Sibelës quheshin Galli dhe ishin eunukë (të tredhur). Atis ishte perëndia i bimësisë, i barazlverësuar me Dionisin apo Bakun romak. Me vetë-gjymtimin e tij, vdekjen dhe ringjalljen ai përfaqëson frytet e tokës që zhduken në dimër për të rilindur përsëri në pranverë. Gjithashtu me këto veti ai përfaqëson Diellin që lind dhe perëndon çdo ditë. Një nga statujat e tij romake e paraqet Atisin me rreze dielli mbi kokë (shiko imazhin). Herodoti gjithashtu jep referenca për të si perëndi dielli, në një nga veprat e tij (i.34-35) ai shkruan: Atys perëndia Diell, u vra nga dhëmbët e gjatë të derrit të egër dimror”. Ka mundësi që Atis mund të ketë lidhje me fjalën shqipe ‘Ati’. Dielli për të parët tanë ishte ati ynë që fekondon nënën tokë e cila prodhon frytet e jetës. Një fjalë tjetër e gjuhës frigjiane është ‘bekos’ që në shqip përkthehet bukë. 
*E ëma e Atisit quhej Nana. Sipas mitit, ajo ishte e bija e një perëndie lumi frigjian me emrin Sangarios (sot lumi Sakarya në Turqi). 
Nana kishte mbetur shtatzënë kur një kokërr bajame i kishte rënë asaj nga pema në prehër. Pema e bajames kishte mbirë pikërisht në vendin ku Agdisti hermafroditik ishte tredhur, duke u bërë kështu Sibela. 
Nana, pasi e lindi, e braktisi djalin e saj foshnje, për të cilin u kujdes një dhi. Fëmija, Atis, u rrit për t’u bërë më pas i dashuri dhe bashkëshorti i Sibelës. Ky burim na vjen nga shkrimtari grek Pausanias (shek. 2 e.s).

Një nga perënditë që paraqitet me veshjen dhe kësulën frigjiane është Mithras, perëndia persiane e Diellit (dritës). Prej kësaj perëndie lindi mithraizmi, një kult që dominoi në Perandorinë Romake deri para ardhjes së Krishtërimit. Me kësulën frigjiane paraqitet dhe vet Atis në një moshë adoleshente. Kjo kësulë haset kryesisht te shqiptarët e jugut të cilët mund ta kenë ruajtur brez pas brezi që kur aty ishin brigët, kushërinjtë e frigëve të Anadollit. Me të njëjtën kësulë paraqitet dhe perëndesha thrake e Hënës dhe e gjuetisë e cila njihet me emrin Bendis. Ajo barazvlerësohet me Artemisën. Sipas gjuhëtarit Eqrem Çabej shumë fjalë shqipe janë të përbashkëta me thrakët. Prandaj brigët mund të jenë një degë e shkëputur nga thrakët, por që janë vendosur në tokën e ilirëve. 
Për rilindasit tanë Brigët apo Frigët kanë qenë një nga popujt e lashtë midis fiseve ilire dhe thrake, prej nga rrjedhin shqiptarët e sotëm. Një dëshmi që e ka forcuar këtë ide është kësula karakteristike frigjiane, e cila haset tek shqiptarët e sotëm në disa krahina.

Sipas studiuesit gjerman Hermann Mülller (1844), emri Brig mund të ketë të njëjtën prejardhje indoeuropiane me fjalën Berg të gjermanishtes e cila ka kuptimin mal. Mbasë Brigë ka kuptimin malësorë.Gjithashtu ‘brig’ mund të lidhet edhe me fjalën ‘breg’ të shqipes, e cila në shumës bën “brigje”. Ka mendime që frigët gjithashtu mund të lidhen dhe me fjalën frikë tê shqipes e cila në dialektin shkodran është frigë. Shpërnguljet në Anadoll mendohet të kenë ndodhur nga frika. Gjithsesi emërtimi frig vjen nga burimet greke, prandaj nuk e dimë se si ata e quanin veten e tyre. Asirianët i njihnin frigët me emrin Mushki.

Çfarë ndodhi me frigët?

Gjuha shqipe është gjuha më e vjetër e Europës. Ajo rrjedh nga gjuha ilire dhe ajo thrako-frigjiane (të një trungu me gjuhën etruske). Në epoka të ndryshme 1000-500 pr.e.s, gjuha jonë quhej frigjiane (brige); 500 pr.e.s deri me pushtimin romak gjuha jonë u quajt iliro-thrake. (Shqipëria ishte pjesë e Ilirisë); Nga pushtimi romak deri 1700 gjuha jonë u quajt epirote. (Shqipëria u bë pjesë e Epirit të Ri); Nga 1700 deri sot: gjuha jonë u quajt shqipe (Albanian).

Vetë frigjianët jetuan për mijëra vjet në zonat rurale të Anadollit. Në fakt, frigishtja flitej ende 400 vjet përpara se turqit të mbërrinin në Anadoll. Me fjalë të tjera deri në shekullin e VII pas Krishtit. Madje besohet se ata ruanin një identitet etnik, pavarësisht nëse ishin nën sundimin e huaj. Si shumë njerëz të së kaluarës, ata u asimiluan, ashtu si asimiluan hititët dhe luvianët e mëparshëm.

Gjuha e tyre gradualisht humbi terren ndaj greqishtes, ndoshta për shkak të trazirave dhe luftërave në Perandorinë Bizantine, por edhe për hir të formalizimit në Greqi të shkrimit fenikas si lingua franca dhe rëndësisë politike që ju dha asaj.

Burime:

  • Brixhe C., “Le Phrygien” in F. Baders (1994). Langues indo-européennes. CNRS.
  • B. Obrador-Cursach (2019), On the place of Phrygian among the Indo-European languages, Journal of Language Relationship
  • Kortlandt, F. (2016). Phrygian between Greek and Armenian. Linguistique.
  • Sowa W., (2008) “Studien zum Phrygischen”, Göttingen
  • Tzitzilis Chr., (2013) “Greek and Phrygian”, Encyclopedia of Ancient Greek language and linguistics, Brill
  • Woudhuizen, F. C. (2008). Phrygian & Greek. In Talanta: Proceedings of the Dutch Archaeological and Historical Society (pp. 40-41).
  • Anfosso, M. (2021, June). The Phrygians from Βρίγες to Φρύγες: Herodotus 7.73, or the Linguistic Problems of a Migration. In Proceedings of the 31st Annual UCLA Indo-European Conference (Vol. 31, p. 17). Helmut Buske Verlag.
  • Plato, Cratylus – Socrates comments on Phrygian.
  • Mathew Aref, Shqipëria, odisea e pabesueshme e një populli parahelen

Përgatiti: Elis Buba / usalbanianmediagroup.com

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here