Familja e Idriz Seferit, lidhje gjenetike me fisin Berisha
Idriz Seferi, një ndër udhëheqësit luftarakë më të shquar të kryengritjeve shqiptare të viteve të pavarësisë, vinte nga një familje nga Presheva e cila ruante kujtimin e prejardhjes nga fisi Berishë.
Para pak ditësh, kjo lidhje u vërtetua përmes testit gjenetik të një prej pasardhësve të Idriz Seferit në vijë mashkullore, nga fshati Zhegër i Gjilanit. Linja e tyre atërore është E-V13>Z5018>S2979>FGC33625. Ky zinxhir mutacionesh vërehet edhe në shumë anëtarë të tjerë të projektit nga fisi Berisha, me prejardhje nga Puka, Tropoja, Hasi, Gjakova, Skënderaji dhe Presheva. Të gjitha këto familje vijnë nga një stërgjysh i përbashkët. Pra, edhe vetë heroi Idriz Seferi, duhet të ketë pasur pikërisht këtë linjë atërore, me prejardhje nga i njëjti trung stërgjyshëror.
Mbetet të shihet se me cilën vëllazëri të Berishës lidhet kjo familje, gjë që shpresojmë t’a zbulojmë në të ardhmen përmes përmirësimit të rezolucionit të testeve nga anëtarë të këtij fisi.
Në këtë nëndegë kemi edhe anëtarë të fiseve Thaç dhe Sop, respektivisht nga Malisheva dhe Gjilani. Prejardhja e lashtë e saj mendohet se lidhet me fiset e lashta paleo-Ballkanike.
Të gjitha rezultatet e projektit mund t’i gjeni në faqen tonë: http://rrenjet.com/databaza-publike/ /InforCulture.info