Qysh në moshë të re, ajo u përball me përndjekjen politike, mbasi, aty nga fundi i vitit 1946, vëllanë, Dom Nikoll Mazrekun, e arrestojnë dhe ai kaloi në burgje e internime, gjithë periudhën e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës dhe pasuesit të tij, Ramiz Alisë. Vëllain tjetër, Rrokun, e pushkatuan, në vitet e para të ardhjes në fuqi të regjimit komunist enverian edhe pse ai ishte krejt i pafajshëm! Maria, kaloi një jetë të tërë mbas burgjesh e kampesh, ku shkonte për të ndihmuar të vëllanë, Dom Nikollën dhe bashkëshortin e saj, që e arrestuan vetëm pak kohë mbas martesës.
Nga: Marije Gjoka (Mazreku) – pjesa e dytë
Vijon nga numri i kaluar
–
NJË MOTËR QË SHKRUAN TË VËRTETËN E DHIMBSHME…! –
(Fragment nga libri “CIRKA KUJTIMESH TË HIDHURA” të Marije Gjoka)
Veç kësaj, kisha dhe shtëpia e saj në Kryezi, rrethoheshin nga një livadh i bukur dhe një kopsht i mbushur me pemë të ndryshme si: mollë, dardhë, gështenja etj. Ajo kullotë dhe vetë kopshti ishin një ndihmë e mirë ekonomike për varfërinë tonë, ngase aty mbaja dhe një lopë për bulmet. Po kështu dhe pemët na ndihmonin për të mbajtur sadopak vëllezërit nëpër burgje. Po ç’ndodhi? Shtëpia ku unë banoja pas vdekjes së nënës, u kthye në shkollë katundi, meqë ajo përbëhej nga katër dhoma.
Kjo gjë u bë nga Seksioni i Arsimit, sipas kërkesës së dy arsimtarëve. Fillimisht mua më lanë vetëm kuzhinën, por, pas pak kohe, me këmbënguljen pranë Seksionit të Arsimit të dy motrave arsimtare, Drita dhe Aida Dani (beqare), më nxorën krejt nga shtëpia. Ato donin që unë të mos isha nëpër këmbët e tyre dhe ato të ishin të lira që të bëheshin pronaret e shtëpisë dhe të ekonomisë sime. Kështu dëshironin të përvetësonin çdo gjë që për mua dhe foshnjat e mia ishin jetësore.
U detyrova që shtëpinë ta liroj, por jo rrethin e shtëpisë me pemë etj., që për mua ishte aq i domosdoshëm…! Për strehim, mbas hallit, shkova tek shtëpia e një fshatari, që ishte rreth 300 metër larg. Atë rrugë e bëja çdo ditë me dy fëmijët, njëri 4 vjeç, ndërsa tjetri 4 muajsh…! Burri punonte në Stabilimentin e Sharrave, larg meje.
Në mbrëmje dhe ai i ngrati bënte më tepër se një orë rrugë për të shkuar tek prindërit e vet, ngaqë s’kishte ku të vinte tek unë. Dhe në shtëpinë e atij fshatari, isha shumë ngushtë e pa kondita. Me fëmijët flija përtokë…! Çdo mëngjes me njërin fëmijë për dore dhe me tjetrin në djep, shkoja në kopshtin e kishës.
Të gjitha shërbimet, gjithë ditën e gjatë, i bëja jashtë…! Fëmijët i lija nën hijen e pemëve. Sikur të ishte e mundur që kjo dëshmi e vërtetë t’u binte në dorë dy arsimtareve shkodrane, së paku tani që janë të kaluara në moshë, nuk di a do t’i vriste ndërgjegjja sadopak…! Mjerisht hallet e mia nuk mbarojnë këtu…!
Pas dhjetë muajsh martese, siç kam shkruar dhe më lart, më arrestojnë dhe burrin. Ishte 10 gusht 1947. Ishim martuar më 10 tetor 1946. Kur na lindi fëmija i parë (4 nëntor 1947) burrin e kisha në burg. Prej mërzitjes pa kufi nuk kisha ushqim natyral. Por ishte mjaft e zorshme se ishim në stinën e dimrit.
Aq më tepër të një dimri të egër që bënte në Pukë…! Kushdo që ta përshkruajë, është e pamundur ta bëjë këtë…! E di vetëm ai që e ka provuar. Erdha të jetoj tek shtëpia e burrit. Ishte një shtëpi e vjetër, midis malesh të larta, në një thellësi pylli…!
Familja përbëhej nga 30 pjesëtarë. Të gjithë ushqeheshin me 2 litra qumësht në ditë…! Të një lope. Dhe ajo pakicë që harxhonte fëmija im ishte humbje e madhe për ta, ngase ishin dhe mjaft fëmijë të tjerë…! Për ta ushqyer fëmijën konditat ishin mos o Zot…! Për të ngrohur qumështin zgjohesha natën, nëpër një gju dëborë shkoja tek votra, e cila ishte pak larg vendit të fjetjes. Në atë kolibe, që shërbente gjoja si kuzhinë…!
Në atë shpuzë të nxehtë hiri që kishte mbetur, duhej të ngrohja qumështin e foshnjës. Vendi ku flija, nga votra ku ngrohja atë pikë helmi, ishte gati 15 metër larg…! Për të larë rrobat e fëmijës, duhej të shkoja jashtë shtëpisë, të bëja goxha rrugë, gjer tek një burim i pakët…! Sidomos në dimër, nga ngrica, uji mezi rridhte një curril. Kështu çdo ditë ngrija së ftohti në erë e në dëborën që shpesh e kalonte metrin.
Akuza falso e ndërtuar për të më arrestuar burrin, ishte bërë me qëllim që të ma nxinin edhe më tepër jetën time të zezë, që edhe ashtu siç ishte, i ngjasonte një nate futë të errët, pa hënë…! Burri punonte në prerje lëndësh dhe e akuzuan se gjoja kishte ulur me vonesë lëndët nga pylli, dhe kështu kishte pezulluar punën në hekurudhë. Nga ajo lëndë nxirreshin traversa për rrugën e trenit…!
Im shoq ditën e arrestimit, kishte dalë në punë në turnin e dytë. Ishte mbas dreke. Unë u ndodha tek kroi i fshatit. Andej binte dhe rruga e katundit…! Ndërkohë kalon im shoq i arrestuar midis dy policësh…! Në mes ishte spiuni M.L.,…! Më vloi gjaku, aq më tepër kur ai njeri i fëlliqur, duke u ndarë nga policët, i tha burrit tim: “Bibë, të pruftë Zoti shëndoshë…”! O Zot! Çfarë ironie…”! S’i lashë gjë pa i thënë, dhe ai i zënë ngushtë, m’u gërmush:
– “Pasha nderin e Partisë edhe ty do të bëj si burrit tënd”.
Këtë ma tha në prani edhe të tjerëve që qëlluan aty. O Zot! A kishte heshtë më të madhe për mua! Tani unë duhej të kujdesesha për tre vetë në burg, dy vëllezërit dhe burrin. Por prapë, Sigurimi i Shtetit nuk ishte ngopur me vuajtjet e mia, ai përsëri kërkonte nga ne. Spiuni M.L., siç e theksova më sipër, që qe kryesori për arrestimin e burrit tim, duket donte ta mbante fjalën e të më arrestonte edhe mua…!
Disa ditë më pas, atje në bjeshkë ndodhi një përleshje e egër mes forcave të Sigurimit dhe luftëtarëve antikomunistë që lëviznin ilegalisht atyre maleve. Toka u ndez flakë, me krisma të shumta nga armët e rënda. Kishin mbetur të vdekur nga të dyja palët. Nga ata të malit, ishte vrarë Mark Bajraktari, i biri i Ndue Bajraktarit. Dihet botërisht se, edhe sipas kanunit, i vdekuri nuk dhunohet. Komunistët as këtë nuk e zbatonin…!
Të vrarin, ashtu gjysmë të zhveshur, e tërhoqën zvarrë gjersa e qitën tek rruga e madhe. Pastaj se ç’u bë me kufomën, këtë nuk e mësoi njeri. Një kapter, nga Forcat e Ndjekjes, siç duket u prek nga kjo sjellje çnjerëzore, dhe, ashtu i indinjuar, u tha shokëve të tij:
– “Tërhiqeni zvarrë sa të doni, por ama ky kishte kenë trim i madh”! Se si mund të ketë përfunduar kapteri që i tha këto fjalë, ne nuk e mësuam. Por, ama në atë zone, ku shërbente, nuk u pa më…! Kështu tregonin fshatarët që kishin qenë në atë ngjarje. Për trajtim çnjerëzor ndaj të vdekurit, mund t’ju tregoj dhe një tjetër rast:
Një plak nga Kryeziu, Preng Llesh Pjetri, kishte lidhje familjare dhe politikë, kuptohet të fshehta, me njerëzit e malit. Ai me gojën e vet më ka treguar se rastësisht po kalonte nëpër Kryezi. Rrugës që të çon në Bardhet, ka takuar forcat e Sigurimit të Shtetit, që kishin vendosur në samarin e një kafshe një të vrarë, gjysmë të zhveshur.
Plaku e kishte njohur të vrarin nga një shenjë që ai kishte pasur gjithmonë në kraharor. I vrari ishte Ndoc Kolë Biba (Mirakaj). Kështu talleshin komunistët edhe me kufomat…!
Spiuni në fjalë (M.L.) për të cilin shkrova më sipër, ka mbajtur për shumë kohë orën e të vrarit, Markut, të cilit ia kishte plaçkitur për së vdekuri…!
Ky spiun, këtë rast donte ta shfrytëzonte edhe kundër meje. Andaj shpifi se unë kam pasur lidhje e dijeni për këta të arratisur. Menjëherë erdhën djajtë e Sigurimit dhe sollën përmbys koliben time. Ndonëse nuk gjetën asgjë, prapë nuk u kënaqën me kaq.
Pas një jave, ky njeri i paturp më dorëzon një njoftim, ku shënohej se më kërkonin urgjent në Degën e Punëve të Brendshme Pukë. Fëmijën e kisha katër muajsh. Ia lashë kunatës. Duheshin më tepër se pesë orë për të ecur në këmbë… rrugë mali me borë e murra, që zinte frymën.
Apo nuk e kisha dhe zemrën të akulluar nga vuajtjet e pafund. Më shoqëroi kunati. E bëmë atë rrugë copa-copa, sa në këmbë e sa mbi karrocerinë e ndonjë makine. Mbas sa mundimesh, dikur arritëm në Pukë, vonë në mbrëmje, aty nga ora 21. Kunati, për të pritur, shkoi tek familja e Marës së Frrok Cakës, si të njohur të tij, ndërsa unë u paraqita tek shefi, Qemal Xhani. Filluan pyetjet të cilat zgjatën gati katër orë, sulme nga më të egrat, akuza e frikësime të pambarim…! Ndër të tjera ai më tha:
– “Ti je e martuar me një fshatar vetëm që të merresh me politikë. Ke pasur lidhje me të arratisur dhe i ke mbajtur me bukë ata. Ju jeni demokristianë, fashistë, ballistë, keni lidhje me Papën e Romës, jeni armiq të betuar të pushtetit tonë…”!
– ‘Shef, – i fola, – ju më keni sjellë këtu sonte vetëm për shpifjet e M.L., i cili më ka kërcënuar duke më thënë: Do të bëj çmos për të burgosur edhe ty! Ti thua se jam e martuar me një armik. Nxirreni në gjyq burrin tim ta dëgjoj ç’ka bërë. (Burrin e mbajtën 18 muaj në hetuesi dhe pastaj e liruan pa gjyq).
Sa i takon asaj që unë merrem me politikë, dijeni se as nuk e njoh atë fjalë. Që të kemi mbajtur njerëzit e malit me bukë, ju, jo vetëm që nuk keni asnjë provë, por dijeni se kjo është një shpifje absurde ngase unë dhe njerëzit e burrit, rrimë me nga tri ditë pa ngrënë për vete.
Jemi më fukarenjtë e katundit. Ju e dini, pastaj, më mirë se kush i ka mbajtur të arratisurit. (familja që kishte lidhje me M. Bajraktarin, posa ai u vra, ikën dhe kaluan kufirin). Pastaj shtova: Unë, as që e kam ditur se ekziston M. Bajraktari. Ju po më akuzoni mua për balliste, demokristiane, fashiste etj., por dijeni se jam tepër e re për të qenë atëherë e kaq shumë partive’.
Shefi mbeti pa fjalë, e bisedën e vazhdoi sekretari i tij, Mihallaq Treska, i cili më tha:
– “Sa shkollë ke bërë”?
– Aq sa më është nevojitur! – ia ktheva.
– “Paske mësuar për avokat”.
– Mos u lodh se nuk la gjë mangët shefi. Ti po don tani të hakmerresh ndaj meje. Disa kohë më parë ti ke ardhur në Kryezi e ke dashur që t’u bie kambanave për të mbledhur katundin për konferencë, por unë nuk kam lejuar ngase kambanave u bihet vetëm për funksione fetare.
Mbas tri orë pyetjesh, shefi më tha:
– “Ik, tani, e sillu mirë, se për ideal t’i vë hekurat”!
Unë iu ktheva:
– Do të sillem sikur gjithmonë, por nuk është e drejtë që ju për hakmarrje e shpifje të merrni në qafë njerëz të pafajshëm. Unë sonte do të eci katër orë më këmbë nëpër mal e rrugë me bore, për të shkuar në shtëpi, ku kam lënë dhe fëmijën 4 muajsh.
Mbas perdes, aty ku unë po pyetesha, paska qenë dhe një i burgosur në qeli, i cili, duke dëgjuar çdo gjë, ditë më vonë i kishte thënë tim shoq, i cili gjendej po në burgun e Pukës:
– “Sa presion, akuza dhe pyetje i kanë bërë gruas sate, por ajo ishte shumë guximtare dhe u është përgjigjur aq mirë me argumente se sa fallso ishin akuzat që shefi, Qemal Xhani, i bënte asaj”!
I burgosuri në fjalë, ishte një ndër komunistët e parë të Pukës, që quhej Lekë Berisha nga Berisha e Iballës. Dhe ky fatzi, siç kam shkruar më lart, mbas pak kohe do të vdiste në torturat e bishave të kuqe…! /Memorie.al/