Një hartë mesjetare e Britanisë mund të zbulojë prova të ishujve “të humbur prej kohësh” të detajuara në mitologjinë e Uellsit, zbulon një studim i ri.
Studiuesit zbuluan ishujt “të zhdukur” pasi analizuan hartën 650-vjeçare të Gough, në Bibliotekën Bodleian në Universitetin e Oksfordit.
Në zonën e njohur tani si Gjiri Cardigan, në Uells, harta tregon dy ishuj që nuk ekzistojnë më, shkruajnë bashkë-studiuesit Simon Haslett dhe Davis Willis në një studim të botuar në revistën Atlantic Geoscience.
Ka të ngjarë që ishujt ekzistonin në shekullin e 14-të, kur një hartograf krijoi hartën dhe ishin mbetjet e një toke shumë më të madhe të njohur në mitologjinë e Uellsit si “Cantre’r Gwaelod” ose “Maes Gwyddno”.
Për shkak të erozionit, kjo tokë përfundimisht u gëlltit nga oqeani gjatë një periudhe shekujsh, sipas mitologjisë, shkruajnë studiuesit në studim.
Megjithatë, ndërsa disa studiues mendojnë se harta e Gough mund të jetë dëshmi e fortë e këtyre ishujve mitologjikë, jo të gjithë pajtohen me gjetjet e ekipit.
Sipas mitologjisë së Uellsit, toka e mbytur e Cantre’r Gwaelod kishte një sundimtar përpara se ta gëlltiste oqeani.
“Gwyddno paraqitet si sundimtari i Cantre’r Gwaelod dhe përmbytja është rezultat i neglizhencës së portierit të dehur, Seithiennin,” tha Haslett, një profesor nderi i shkencës dhe inxhinierisë pranë Universitetit Swansea në Uells dhe Willis, profesor pranë Universitetit të Oksfordit.
Ata zbuluan se shkrimtari antik Ptolemeu (100-170 pas Krishtit në Egjiptin Romak) shkroi koordinatat në “Geographia” të tij që sugjerojnë se vija bregdetare e Gjirit Cardigan ishte më në perëndim se sa ku ndodhet tani. Përshkrimi i Ptolemeut sugjeron se vija bregdetare e Uellsit është gërryer ndjeshëm gjatë mijëvjeçarëve.
“Ptolemeu dha një koordinatë që sugjeron që gryka e lumit Ystwyth shtrihej më në perëndim se sa është sot dhe, nëse është e saktë, atëherë mund të pritet që lumi të ketë rrjedhur nëpër një peizazh që shtrihet në perëndim të vijës bregdetare të tanishme”, tha Haslett për Live Science.
Ekipi gjithashtu vuri në dukje se erozioni i vijës bregdetare të Gjirit të Cardigan vazhdon edhe sot, me sedimentet e bregut që janë mjaft të buta sa që oqeani mund t’i gërryejë ato gradualisht.
Murgu britanik i shekullit të gjashtë, Gildas, vuri në dukje detin e paepur në predikimin e tij latinisht “Mbi rrënimin dhe pushtimin e Britanisë”. Në këtë predikim, Gildas përshkroi sesi njerëzit që jetonin pranë Gjirit të Cardiganit u kapën midis një force pushtuese dhe një deti të padisiplinuar.
“Barbarët na çojnë në det; deti na kthen përsëri mbi barbarët: kështu na presin dy mënyra vdekjeje, ose jemi të vrarë ose të mbytur,” shkroi Gildas, duke përshkruar gjendjen e vështirë të atyre që u kapën në konflikt.