“Jam një studente shqiptare në Kolegjin e Kostandinopojës. Gjatë këtyre dy viteve të fundit atje kam dëgjuar shumë për bëmat e tua fisnike. Kam ardhur me lutjen që të më tregosh se cili është shkaku i këtij mjerimi në të cilin ndodhesh.
“Jam një studente shqiptare në Kolegjin e Kostandinopojës. Gjatë këtyre dy viteve të fundit atje kam dëgjuar shumë për bëmat e tua fisnike. Kam ardhur me lutjen që të më tregosh se cili është shkaku i këtij mjerimi në të cilin ndodhesh. E ndiej se historia jote do të jetë frymëzim për mua, pasi kam vendosur t’ia kushtoj jetën ndriçimit dhe mëkëmbjes së motrave të mia shqiptare.”
Kështu i prezantohet Sevasti Qiriazi patriotit Koto Hoxhi, i mbyllur prej vitesh në burgun famëkeq të Jedikules, në vitin 1890, në vitin e dytë të studimeve të saj universitare në Kolegjin Amerikan të Vajzave në Stamboll. Për shkaqe të kuptueshme, Sevastia hyri në atë burg e veshur si djalë. Kjo është një nga ngjarjet e shumta të jashtëzakonshme të jetës së Sevasti Qiriazi-Dakos, pionieres së arsimit kombëtar në Shqipëri, mësueses së parë, luftëtares për lirinë e shqiptarëve dhe të grave shqiptare, në veçanti, autores së parë të disa teksteve, politikanes së parë, themeluese e një partie politike.
Ajo lindi në Manastir në vitin 1870, në një familje me 10 fëmijë, ku ndër vëllezërit më të mëdhenj ishte edhe Gjerasimi dhe Gjergj Qiriazi. Veçanërisht Gjerasimi do të jetë heroi dhe frymëzuesi i saj, për shkak se ai e drejtoi atë në fushën e arsimimit të grave shqiptare. Ajo do t’ia kushtojë të vëllait “Gramatikë Filltare për Shkollat Elementare”, të parin dhe të fundit tekst për gramatikën shqipe të shkruar prej një gruaje. Ndoqi shkollën e Misionit Amerikan në Manastir dhe në shtator të vitit 1888 nisi studimet në Kolegjin Amerikan të Vajzave në Kostandinopojën e atëhershme. Meqë dëshira e saj dhe e të vëllait, Gjerasimit, ishte të hapnin një shkollë shqipe për vajza sa më shpejt, ajo këmbënguli të regjistrohej në vitin e dytë të këtij kolegji dhe ndërkohë të jepte provimet për vitin e parë.
Po atë vit që u diplomua, në vitin 1891, u hap edhe Mësonjëtorja e Çupave në Korçë, e para shkollë për vajza në shqip, e cila do të përballonte gjithë zjarrin e luftërave për mbijetesë dhe pavarësi të kombit shqiptar. Mihal Gramenoja do ta quante atë më vonë “foleja kombëtare”. Sevastia vetë do ta quante “kolona e zjarrit”, duke përdorur një figurë biblike shumë të dashur për të, e cila evokonte praninë e Zotit natën, duke udhëhequr në shkretëtirë popullin e Izraelit kur doli nga vendi i robërisë, Egjipti. Shkolla e Vashave e Sevastisë trupvogël do të ishte për shqiptarët kolona e zjarrit, drita që do t’i printe udhën në errësirë një populli në kërkim të identitetit të vet kombëtar.
Vdekja e papritur e Gjerasimit në vitin 1894 do ta dëshpërojë, por edhe do ta nxisë për ta vijuar ëndrrën dhe misionin e tij për një arsim dhe ndriçim kombëtar. Përballon vështirësitë e mëdha të luftërave ballkanike, rreziqeve nga osmanët dhe kërcënimeve prej grekëve për të mbyllur shkollën. Në vitin 1904 Parashqevia, e motra më e vogël, e sapodiplomuar edhe ajo në Kolegjin e Vajzave në Stamboll, vjen ta ndihmojë, në mënyrë që ajo të mund të thellonte më tej njohuritë akademike. Në vitin 1905 shkon në SHBA, në Universitetin e Çikagos, për studime të nivelit master në pedagogji.
Me kthimin në Shqipëri, ajo kërkon ndihmë për mbarëvajtjen e shkollës së saj në përpilimin e librave shkollorë në shqipe, veçanërisht nga Kolonia Shqiptare në Bukuresht. Kristo Dakoja, ai që do të bëhet më vonë bashkëshorti i saj në vitin 1910, nis të angazhohet si autor tekstesh. Në vitin 1908 ftohet të marrë pjesë në Kongresin e Manastirit, si drejtuese e Shkollës së Vashave, mirëpo për shkak se me Shpalljen e Kushtetutës nga Turqit e Rinj dhe dhënies së disa lirive popujve të Perandorisë Osmane, shkolla pati shumë regjistrime dhe rrjedhimisht më shumë punë. Kështu që ajo vendosi të qëndrojë në Korçë dhe të dërgojë në Manastir Parashqevinë. Një vit më vonë (1909) vjen ftesa dhe prania e saj në Kongresin arsimor të Elbasanit.
Po këtë vit u themelua Shoqëria Letrare e Zonjave Shqiptarka “Ylli i mëngjesit”. Sevastia ishte “kryesonjëse” e shoqatës. Parashqevia ishte pjesë e komisionit drejtues, sigurisht edhe gruaja më aktive aty. Marrëdhënia e të dyjave është shënuar që herët: Sevastia është mendja, Parashqevia është krahu. Sevastia është udhëheqësja, Parashqevia veprimtarja dhe realizuesja energjike. Megjithatë e gjithë energjia e saj shkon për drejtimin dhe organizimin e punës me shkollën, mbijetesën e saj në kohë rreziqesh që s’mbarojnë dhe organizimin e veprimit politik e patriotik lidhur ngushtësisht me Korçën, kryeqendër e lakmisë dhe egërsisë greke.
Në vitin 1912 Sevastia shkruan librin e parë të botuar prej saj, tekstin e sipërpërmendur të gramatikës së gjuhës shqipe. Më pas zhvendosen familjarisht në Amerikë. Sevastia themelon dhe drejton Partinë Politike Kombëtare, së bashku me Kristo Dakon. Periudha e Amerikës është periudha më e rëndësishme për të dyja Motrat. Sevastia boton rregullisht, në çdo numër të “Yllit të mëngjesit” – periodikut të themeluar dhe drejtuar prej Parashqevisë – kujtimet e saj nga ngjarjet e Luftës Ballkanike, një narrativë historike. Shkruan dhe boton aty edhe 3 tregime. Boton në 1917 “Mjeshtëria për të shkruar letra”.
Mendoj se kësaj periudhe i takon edhe një tekst i botuar pa autor, i cili gjendet në Bibliotekën Kombëtare me një shënim me dorë që ia vesh asaj autorësinë, “Kindergarten”, një përkthim mjeshtëror. Në 1920 Parashqevia kthehet në Shqipëri dhe në 1922 edhe Sevastia. Të dyja bashkëpunojnë për ngritjen e Institutit Kyrias në Tiranë. Parashqevia tani merret me drejtimin e gjithçkaje. Shëndeti i Sevastisë ka nisur të ketë probleme që në Amerikë. Shkolla do të ishte jeta e tyre deri në vitin 1933, kur si rrjedhojë e reformës arsimore të ndërmarrë nga Mbreti Zog ajo u mbyll. Në vitin 1935, e nxitur nga miq të saj amerikanë, ajo nis të shkruajë një autobiografi, në gjuhën angleze. Ky jetëshkrim mbeti i pabotuar, i ruajtur në Arkivin Qendror Shtetëror, një kopje në Bibliotekën Kombëtare, dhe i shumëfishuar në disa kopje për familjarët. Në vitin 2016 u botua në origjinalin në anglisht dhe i përkthyer në shqip, me titullin “Jeta ime”, prej Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante.
Në vitin 1943 e gjithë familja, së bashku edhe Parashqevinë, e cila jetonte me ta, arrestohen prej Gestapos dhe dërgohen në kampin e përqendrimit Anhaltlager Banjica afër Beogradit. Me t’u kthyer në Shqipëri gjithçka që kishin iu konfiskua nga regjimi i ri, i quajtur i Pushtetit Popullor. Si të mos mjaftonte kjo, pas disa vitesh ndodhi arrestimi i djemve të saj, Gjergjit dhe Aleksandrit. Ky i fundit i mbijetoi burgut komunist dhe arriti të jetojë deri në kohën e ndryshimit të sistemit politik dhe vlerësimit të kontributeve të jashtëzakonshme të familjes së tij. Gjergji thonë se u vetëvra në burg. Viktoria Dako-Ruli tregon se Sevastia e Parashqevia e kërkuan më kot trupin e tij. Gjithashtu edhe eshtrat e Kristo Dakos, varrosur pranë mjediseve të Institutit Kyrias, u zhvarrosën dhe u shpërndanë prej atyre që e konfiskuan pasurinë e Dakove. Sevastia vdiq në dhimbje në vitin 1949.
Por, ashtu si thotë edhe një fjalë e urtë “I drejti përmendet me bekim, po emri i të pabesëvet kalbet.”, sot emri i Sevasti Qiriazi-Dakos është shumë i dashur për shqiptarët dhe jeta e puna e saj vijon të frymëzojë të rinj e të reja.
*Teuta Toska është autore e librit “Parashqevi Qiriazi dhe viti i saj 1919” (Tiranë, 2020). Është gjithashtu një nga themelueset dhe anëtare e komitetit ekzekutiv të Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante. Me këtë institut është përfshirë në veprimtarinë kërkimore dhe botuese që lidhet me figura, si: Gjerasim Qiriazi, motrat Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi etj.