Në librin “Orienti i Evropës”, autori i veprës asht suedezi Sven Aurén. Janë përshtypje udhëtimi nga Shqipëria nga mezi i viteve ‘30. Përjetimet e tije direkte pa asnjë retushim.

Me një fjalë përkthimi i librit ka për të sjellë tek lexuesi shqiptar, vlera origjinale njohje të asaj historie që ne nuk e kemi njohur dhe jo pak vazhdojmë, ta njohim dhe tani të deformuar nga interesa të momentit.

Tani pak për atë që ju adreson këta rreshta: Quhem Adil Biçaku. Kam punuar dhe jetoj mbi 50 vjet në Suedi, pa e shkëputur për asnjë moment, mendimin dhe ndjenjën nga Shqipëria jonë.

Tani jam në pension dhe jetoj me gruan dhe fëmijët, këtu në Stokholm. Duke qenë një kohë e gjatë, nga evolucioni i gjuhës shqipe, që natyrshëm, ka ndodhur gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve, jam i vetëdijshëm për vështirësitë, jo të vogla me të cilat do të ndeshem, për t’i dhënë lexuesit shqiptar, përjetimet e origjinalit.

Prandaj do t`ju isha shumë mirënjohës, nëse së bashku do të gjenim një mënyrë praktike bashkëpunimi, për ta përkthyer këtë libër me vlera të shumanshme.

Moralisht do të ndihesha shumë i lehtësuar, duke shlyer një pjesë të borxhit, që kemi të gjithë ne shqiptaret, karshi Shqipërisë sonë, veçanërisht në këto kohë që vazhdojnë të jenë kaq të trazuara.

Me shumë respekt, Adil Biçaku

Të duket sikur shqiptarët e kanë huazuar këtë traditën e gjakmarrjes prej korsikanëve ose arabëve, por vetvetiu duhet të jetë rit, shumë i lashtë ilir, nga ata llojet më të qëndrueshme. Edhe në vendet fqinj ka ngjarë. Sipas Jireçekut, gjakmarrja ka lulëzuar në Dalmaci dhe në Mal të Zi, rastet e gjakmarrjes ishin akoma të zakonshme deri nga mbarimi i viteve 1800. Por Princ Danillo, arriti me anë të një aksioni energjik, ta ndaloj këtë zakon të tmerrshëm në këtë vend. Metoda e tij, qe ndëshkimi me vdekje dhe në sajë të autoritetit të madh që kishte, gjente gjithnjë njerëz, që ishin të gatshëm të zbatonin dënimet me vdekje. Në Shqipëri problemi ishte ndryshe. Regjimi turk nuk pat kurrë sukses të dominojë krejtësisht mbi popullin shqiptar, e cila qe domosdo e nevojshme, për të zhduk këtë ves.

Malësorët dhe mirditorët jetonin mes maleve të tyre dhe pas atyre formave, që prindërit e tyre i kishin mësuar të jetonin dhe i përqeshnin xhandarët, kur ata paraqiteshin me urdhrin e Guvernatorit turk, për heqjen e gjakmarrjes. Përveç saj, ky Guvernatori i mirë, me gjithë qejf do të përpiqej të ndalonte dasma ose varrime, apo tradita tjera shumë të forta. Gjakmarrja është një çështje nderi dhe sapo flitet për nder, shqiptari është i pa tundur. Nuk është një rastësi, se të gjithë vizitorët e Shqipërisë, kurdo që të kenë udhëtuar në kohët e kaluara, qindvjeçare ose në kohë moderne, është njësoj i impresionuar nga zhvillimi shumë i pa besueshëm, i kësaj ndjenjës së nderit. Në Shqipëri është nderi, që e bën burrin, burrë dhe gruan, grua.

Por ky nder i ven kushte të mëdha individit dhe në mjaft raste, kërkon gjakmarrje. Përdhunim ose rrëmbim të ndonjë vajze, duhet të lahet me gjakmarrje, prishje martese ose fejese, po ashtu. Nëpërmjet një fyerje ai i cenuari ka “gjak për të marrë” dhe e njëjta ndodh, në se mysafiri ngacmohet ose vritet. Ai, i cili ka për të rifituar nderin e humbur, duhet të vrasë atë që e ofendoi. Por me këtë s´është zgjidhur aspak grindja. Kryefamiljari i të vrarit duhet të vrasë atë, që në fillim kërkonte hakmarrje dhe në këtë mënyrë, vazhdon gjakmarrja në gjeneracione.

Jacques Bourcart, në librin e tij “L´Albanie et les Albanais”, ka disa të dhëna me shifra prej vitit 1920. Në atë kohë llogaritej se, furia e gjakmarrjes merrte mesatarisht 25 për qind të burrave, të fiseve të popullatës së Veriut. Rekordin e mbante fisi T……, që mburret me 42 për qind, një rrethanë, që ka dhënë shkak për proverbin e njohur shqiptar: “Burrat vriten si derrat në T…………”! Nganjëherë ka ndodh, që gjakmarrja është shndërruar në një luftë të rregullt, midis dy fiseve dhe në këto raste, shkojnë shifrat e vdekjeve edhe më lart.

Ai, që ka plotësuar kërkesën e nderit ka vrarë hasmin, e pret pa asnjë përjashtim, një e ardhshme tmerrësisht e vështirë. Nëse është i varfër dhe nuk ka çiflig të vetin, duhet të iki në krahina tjera, atje ku kundërshtari nuk mund ta gjej. Në se është çifligar, barrikadohet në kullën e tij, pjesa e fortifikuar e pasanikut, ai merr dhe masa të tjera sigurie dhe del rrallë jashtë, pa pas roje me vete. Gjakmarrja i rri gjithë kohën mbi kokë, si shpata e Demokleut.

Në qoftë se gjakmarrja fillon midis dy fiseve, atëherë ka akoma më shumë momente pasigurie. Jashtë ne natyrë mund të ndodhë kollaj, që një pjesëtar fisi takon dikë, të cilin nuk e njeh. I kujt fisi je ti? Pyet i panjohuri me pushkën drejt tjetrit dhe sipas kërkesës së nderit dhe pa mëdyshje, duhet thënë emri i fisit. Të heshtësh je frikacak, të gënjehesh je i pandershëm, si i ndershëm, ky është shkak për gjakmarrje. Po qe se i panjohuri është nga fisi, me të cilin ky që përgjigjet është në gjak, atëherë përgjigja pasohet menjëherë nga një plumb. Por jo pak interesante janë ligjet e çuditshme të zakonit të gjakmarrjes, që vendosin mbi përjashtime dhe armëpushim. Këtu përballohesh më një aspekt tjetër të karakterit shqiptar.

Para së gjithash gratë, klerikët dhe fëmijët nën gjashtëmbëdhjetë vjeç, janë absolutisht të përjashtuar nga pasojat e gjakmarrjes. Dispozita mbi moshën, ka një konsekuencë interesante. Mund të ngjaj që një burrë vdes para se kundërshtari, ka rast të kërkoj gjakun dhe pa lënë ndonjë djalë të rritur. Ndoshta familja ka vetëm vejushën dhe një numër fëmijësh të mitur. Ai që ka “gjak për të marrë”, duhet të qetësohet dhe të presë, deri sa djali të mbushë gjashtëmbëdhjetë vjeç. Ka ndodh, që viktima në këtë mënyrë ka pritur pesëmbëdhjetë vjet, që në ditëlindjen e vitit të gjashtëmbëdhjetë, të vritet nga një plumb. Por nëna e di se çfarë e pret djalin e saj dhe nuk neglizhon ta edukojë djalin për kujdes dhe vëmendje.

Edhe mikpritja e anulon gjakmarrjen, sepse mikpritja është një institucion pothuajse gati me karakter fetar. Ai, që vret hasmin gjatë kohës, që ai është mik në një shtëpi, ka kryer një vepër të tmerrshme të pafalshme, që përjashton atë nga ligjet e tradicionit. Mikpritja është e formuluar jashtëzakonisht imtësisht. Kjo ka sjell këtë efektin e çuditshëm, po qe se viktima ndeshet me kundërshtarin jashtë, por arrin të futet në territorin e shtëpisë së hasmit, para se të shkrepi pushka, atëherë ai ka shpëtuar. Të paktën në këtë rast.

Në shtëpinë e hasmit, pritet ai si mik shumë i respektuar, gostitet më bukën më të mirë, që shtëpia ka mundësi dhe nderohet, me të gjitha mënyrat. Kafja avullon krejt paqësisht në filxhan dhe muhabeti shkon fare i qetë, i këndshëm dhe në formë mirësjellje. As më e vogla shenjë ose fjalë, aludon për marrëdhëniet armiqësore, që miku ka kundrejt zotit të shtëpisë. Por kur ai largohet nga zoti i shtëpisë, duhet të jetë i kujdesshëm. Ndryshe ka plumbin në kurriz, në atë çast kur del jashtë derës dhe dëgjon përshëndetjen e njerëzishme, të zotit të shtëpisë: “Tu ngjat jeta”! t´i tingëllojë në vesh.

Por kufizimi më i rëndësishëm, në mundësitë e gjakmarrjes është besa, ky betimi shqiptar, që ka një përmbajtje posaçërisht të komplikuar. Besa do të thotë njëkohësisht respekt për të vërtetën, siguri, armëpushim dhe besnikëri, në marrëveshjet e bëra. Kjo është pothuaj një fjalë e pa përthyeshme, që efektet e saj janë më kollaj, me i shpjeguar se sa domethënien e saj, si fjalë. Kur Princi Wied hipi në fron, proklamoi solemnisht besën. Kjo do të thoshte, se ai betohej të respektonte jetën e nënshtetasve të tij, pasurinë dhe të drejtat. Kur ai gabimisht urdhëroi ushtarët të qëllonin, mbi nënshtetasit lojalë, shkaktoi një hidhërim shumë të madh. Princi nuk ishte një burrë i ndershëm. Ai kishte thyer besën, fjalën e nderit.

Besa përdorej në shumë mënyra të ndryshme. Mund të ndodh që në mirëkuptim me dhënë besën, për një rrugë në një krahinë dhe ai që merr gjakun, në një rrugë të kësaj krahine, është burrë i pa ndershëm. Po aq i pandershëm, sa që ai nuk është i zoti të vrasë hasmin në ato vende, që janë të lejuara për të. Mund të lidhet besa edhe në një pjesë të tërë të vendit. Kjo metodë përdorej me njëfarë suksesi, nga një pjesë e guvernatorve turq, që donin të qetësonin efektin e gjakmarrjes. Gjakmarrja shfuqizohej automatikisht atëherë dhe grindjet zgjidheshin nëpërmjet dëmshpërblimit ekonomik, ku guvernatori merrte një përqindje të majme.

Besa shërbente për një kohë të shkurtër dhe duhet të ripërtërihej, para kalimit të afatit me miratimin e palëve, e cila mund të ishte mjaft e vështirë të arrihej. Por për guvernatorët turq, kuptimi signifikativ i nderit nuk kishte të njëjtën kuptim, si për shqiptarët. Kur gjakmarrja dhe si pasojë përqindja pakësohej, guvernatorët e gjenin më të përshtatshme, t´i fryjnë përsëri gjakmarrjes. Pas 1884-ës, nuk u proklamua asnjë besë e re dhe disa vjet më vonë, jetonte gati çdo shqiptar i veriut, në gjurmët e luftës private. Vetëm në Shkodër kërkonin mbrojtje mbi pesëqind shqiptarë, një mbrojtje shumë e pasigurt, kundrejt gjakmarrjes.

Unë s´kam asnjë arsye të dyshoj në të dhënat e Vlorës, përsa i përket aksionit energjik të Mbretit Zog, kundër vendetës shqiptare. Por po ashtu, është e sigurt se autoritetet kanë bërë çfarë është e mundur, me këtë detyrë të vështirë, po ashtu e sigurt është, se ligji i gjakmarrjes respektohet krejtësisht dhe plotësisht, në malet e egra. Që numri i tragjedive të gjakmarrjes të jetë pakësuar, në mënyrë kaq të madhe, pra nuk besohet të varet nga ligji i ndëshkimeve me vdekje. Ka diçka që shqiptari i trembet, ajo nuk është vdekja. Por pakësimi është si rezultat i aksionit të madh të çarmatimit, i cili me shumë vështirësi, u arrit para dy tre vjetësh.

Qeveria ka ndaluar civilët, të bëjnë armë dhe -mirable dictu! – edhe ka arrit të vejë forcë pas vendimit. Çfarë do të thotë, me i privua shqiptarit mundësitë e mbrojtjes, kuptohet qartë me një herë për atë, që ka më të voglën ide në historinë dhe karakterin e popullit shqiptar. Kjo është diçka e pa dëgjuar. Jo më pak se 200.000 armë, ruhen në magazinat e qeverisë në Tiranë, të cilat janë konfiskuar nga ekspeditat e çarmatosjes. Kjo është me siguri, suksesi më i madh që Mbreti Zog, ka pas gjatë qeverisjes tetëvjeçare, një sukses, që tregon qartë se ky Mbreti shqiptar është një burrë, që qëndron më lart mbi masën. Çarmatimi i madh do të thotë, se Monarkia shqiptare është diçka që duhet llogaritur.

Por fundi efektiv i gjakderdhjes, nuk mund të arrihet as nëpërmjet dispozitave ligjore, as edhe me çarmatim. Kuptimi i gjene-racionit të vjetër, mbi nder dhe dinjitet, drejtësi dhe padrejtësi, është diçka e pa lëvizshme dhe e ngurtë. Vetëm me anë te rrugës së informacionit, që fitorja duhet të arrihet. Brezi tjetër do të shpallë besën e përhershme mbi Shqipërinë. Besa është përdor për të mbledhur popullin në luftë, kundër pushtuesve të huaj, pse nuk mund të përdoret edhe si një armë në shërbim të punës, për ndërtimin e vendit?

Në pritje të këtij solidaritetit kombëtar që përbën besa, jeton gjithnjë gjakmarrja. Kjo shihet nga pranimi i vetë sekretarit të jashtëm. Dhe nga grumbujt e llaçit dhe njollave të gjakut përjashta librarisë së Lumo Skendos.

***

Në darkën e të njëjtës ditë të ngjarjes së freskët në Shqipëri, të gjakmarrjes së papranueshme tragjike, kishte më shumë gjallëri se zakonisht në kafet e shumta të Tiranës. Kur zëri çirrës i imamëve, thërret për meditim dhe lutje, tingëllon për herë të fundit, prej kurorave të minareve, kujdestarët dhe shefi i Entit Mbretëror të Elektricitetit, lëshon dritën e paktë të rrugëve, s´gjen një tavolinë bosh. Gjatë Bulevardit “Zog”, ku ato karrocat gjigante parakalojnë, të zgjojnë kujtimet e shekullit të kaluar, shkonim nga një kafe në tjetrën, por gjithkund ishin grumbull me njerëz.

Burra ezmerë llafoseshin me zell, kurse tymi i ndyrë gri, i duhanit varej si pëlhurë reshë, mbi qeleshet e bardha dhe të zeza. Në shumë vende bile kishin mbyll edhe artopolantet e radiove, që ndryshe janë mërzitja më e madhe e vizitorëve të huaj. Nga gjestet dhe toni i zërave, mundëm të kuptonim, se dallgët e diskutimeve, shkonin me valë të larta. Por ishte e vështirë të dalloje ndonjë shprehje të qartë. Ajo përsëritej pa ndalim, në tone të ndryshme dhe nuanca: gjakësor.

Gjakësor është gjakmarrës!

Më në fund neve arritëm të shtyhemi brenda në një qoshe të një kafeje të errët të vogël, ku i zoti bridhte përreth, si një zhongler me katër filxhanë kafeje në radhë, në krahun e majtë dhe nën sqetull. Nga krahu djathtë i tij, kishte mbet vetëm një cung. Ndoshta kjo kishte të bënte me gjakësor, por neve nuk i kërkuam informacione për këtë, me gjithë që si rezultat i disa vjetëve, banimi në SH.B.A., fliste një anglishte të kuptueshme edhe pse primitive. Ne menduam, se një pyetje e tillë, nuk do të ishte aspak njerëzore. Shqiptarët kanë një pretendim të madh të ndjenjave të mirësjelljes. Nga ana tjetër pyetëm se si në përgjithësi, komentohej ngjarja e madhe e ditës.

-Ai konsiderohet si një skandal, që rezultati i mësymjes së pesë burrave, mbi një kundërshtarë të vetëm, duhet të shkaktonte vdekjen e dy personave ordiner, u përgjigj ai dhe i’u duk vetja me të vërtetë i turpëruar. U duk se kjo, qe e vetmja pikëpamje morale, që shtoi. Çështja e gjakmarrjes si e tillë, qe një punë e tyre private, një çështje nderi, që të tjerët nuk kishin pse të përziheshin për te. Por të qëllosh kaq keq…!

Pak më vonë ai erdh dhe u ul tek tavolina jonë, na kërkoi që të na qeraste, me nga një filxhan kafe nga kafeja e tij dhe e konstatuam, si një burrë të mirë dhe largpamës me ëndrra të bukura për të ardhshmen e Shqipërisë, për përparim dhe kulturë e ngritje të krahut të punës. Por biseda në përgjithësi i’u kushtua ngjarjes së veçantë të darkës dhe neve pra folëm, më shumë mbi gjakësorin. Midis shumë tjerash, ai na tregoi këtë histori e cila na bëri neve, që të përmbledhim një pjesë të vogël të shpirtit të Shqipërisë:

Kjo qe menjëherë pas mbarimit të Luftës Botërore. Gjatë rrebeshit të përgjithshëm, që mbretëronte në vend para se kufijtë, akoma nuk ishin vendosur dhe forma e qeverisjes nuk ishte përpunuar definitivisht, jugosllavët shfrytëzuan rastin të pushtojnë pjesën veriore. Ata zotërinjtë e ri, natyrisht donin të tregoheshin energjikë dhe përparimtarë, e prandaj shpallën një dekret, sipas të cilit të gjithë gjaqet, duhet të kenë përfunduar brenda gjashtë muajsh, se pastaj shteti jugosllav, mendon të marrë masat më të rrepta. Dekreti shpejt u bë përgjithësisht i njohur.

Tani gjashtë muaj nuk janë një kohë e gjatë, të paktën jo për një oriental dhe posaçërisht, jo për një oriental me obligime gjakmarrje. U bë një nxitim i nervozitshëm lart në malësi. Njerëzit pastronin pushkët, shtinin, kërcisnin dhe mundoheshin të ruheshin, me të gjitha mënyrat. Më keq ishte për ata, të cilëve kundërshtarët u ishin shpërngulur, në pjesë të tjera të vendit. Nuk kishte tjetër mundësi për të bërë veç të marrin rrugët e largëta dhe të vështira. Dhe veçanërisht më e vështira, qe për fisin e shkëlqyer të Mirditës, që tashmë para një viti kishte emigruar në Amerikë. Ai nuk kishte tjetër rrugëdalje, përveç të shesë ato pak gjëra, që kishte dhe t’i vihet pas, sepse njësoj sikurse dhe anëtarët e fiseve të tjerë, ishin plotësisht të bindur se dekreti i lartë jugosllav, nuk vlente vetëm për Shqipërinë, por për gjithë botën.

Burrat, që donin të ruanin nderin e tyre, para se të ishte vonë, shkuan pra në vendin e madh në Perëndim dhe filluan duke kërkuar viktimat e tyre, që nuk u krijonte shumë vështirësi, sepse kolonitë shqiptare në Amerikë, janë mjaft të bashkuar. Ai e zbuloi se ai, që donte të vriste, nxjerrte bukën e gojës si shitës, në një dyqan të vogël ushqimi jashtë në katund dhe shkoi në vendin ku ishte. Me revole në dorë, hyri në dyqan dhe përshëndeti patriotin e vet dhe i thotë:

-Ti e di se për çfarë bëhet fjalë…?!

Por ai i dënuari me vdekje, që ishte amerikanizuar mjaft, gjatë viteve jashtë, përgjigjet i qetë:

-Just a minute, please! Ai në fakt, duhet t’i shërbej një zonje, që sapo ka hyrë brenda, një paketë fiq.

Kaq gjakftohtësi të madhe, nuk mundi ta duroj ky burri në fjalë. Ai e hodhi revolen mbi banak, ju hodh në qafë kundërshtarit dhe ja shpërtheu të qarit.

I zoti i kafes thithi thellë cigaren dhe lëshoi një shikim në lokal, për të parë nëse kishte dikush, që donte më kafe. Por nuk pati kush, që e vërejti atë. Diskutimi vazhdonte pa ndërprerë po me aq zell dhe tema ishte akoma mbi gjakësorin.

-Tani thuhet se ai është punësuar në dyqanin, kam dëgjuar, përfundon ai tregimin e tij dhe shton duke u menduar: sidoqoftë, Amerika është një vend i mirë…!

-Padyshim, pëshpëritim neve të prekur, në atë situatën e re atij i´u duk gjakmarrja shumë e pa njerëzishme…!

Ai shikoi lart, i çuditur një çast:

-Po, nuk qe kaq shumë kjo, që unë po mendoja. Por si pa kurrgjë të gjesh një punë të mire…! /Memorie.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here