Nga Hal Brands
“Bloomberg”
Thuhet se administrata e presidentit amerikan po e rishkruan Strategjinë e Sigurisë Kombëtare, të cilën Shtëpia e Bardhë duhet t’ia dërgojë si çdo vit Kongresit, për të reflektuar leksionet e mësuara nga lufta në Ukrainë. Një çështje me të cilën do të duhet të përballet ky dokument, dhe që ka qenë jashtë fokusit të tij tradicional mbi shtetin dhe diplomacinë, ështëajo e sigurisë ushqimore.
Konflikti në Ukrainë e ka vendosur në krye të lajmeve gjeopolitikën e ushqimit, pasipresidenti rus Vladimir Putin e ka përdorur urinë si një armë kundër Kievit dhe pjesës më të madhe të botës. Putini po na jep një leksion, se si pasiguria gjeopolitike mund të shkaktojë pasiguri ushqimore, e cila nga ana e saj mund të përkeqësojë një sërë problemesh në mbarë globin.
Një raport i fundit nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë(FAO), ofron një panoramë të zymtë. Numri i njerëzve të keq–ushqyer në botë u rrit ndoshta me 150 milionë midis viteve 2019–2021, kryesisht për shkak të pandemisë Covid-19.
Në vitin 2020, pasiguria ushqimore e moderuar apo e rëndë, u rrit afërsisht sa në 5 vitet e mëparshme të mara së bashku. Gati 3.1 miliardë njerëz nuk ishin në gjendje të përballonin një dietë të shëndetshme ushqimore. Sipas disa vlerësimeve, numri i njerëzve që janë në prag të urisë është 10-fishuar që nga viti 2019.
“Raporti i këtij viti, duhet të largojë çdo lloj dyshimi të vazhdueshëm mbi atë nëse bota po bën hapa pas në luftën kundër urisë”- përfundoi raportin e saj FAO. Tani lufta në Ukrainë e ka ndërlikuar më tej këtë problem. Një bllokadë ruse e ka bllokuar eksportin e grurit ukrainas, që zakonisht ushqen miliona njerëz në mbarë botën.
Kjo situatë prek veçanërisht rajonet në zhvillim si Lindja e Mesme dhe Afrika. Sanksionet perëndimore, e kanë bërë më të vështirë blerjen e plehrave kimike ruse. Kostot më të larta për energjinë dhe transportin detar, po rrisin edhe çmimet e ushqimeve.
Programi Botëror i Ushqimit vlerëson se 47 milionë njerëz të tjerë mund të bien në pasiguri akute ushqimore këtë vit, dhe kjo do të thotë se ata nuk mund të kenë ushqim të mjaftueshëm për të pasur një jetë të shëndetshme dhe produktive.
Në Somali, Jemen, Sudan dhe vende të tjera, vdekjet për shkak të urisë po shtohen, ndërsa dollarët e paktë të ndihmës ndërkombëtare po ridrejtohen drejt Ukrainës. Dhe mos shpresoni që kjo krizë të kalojë shpejt:ajo mund të bëhet më e rëndë, nëse një konflikt i gjatë prish të korrat e mëdha të Ukrainës.
Uria, thotë ekonomisti fitues i Çmimit Nobel, Amartya Sen, është produkt i patologjive politike. Putini po e përdor urinë për t’i shërbyer qëllimeve të tij politike. Rusia synon të izolojë Ukrainën nga mbështetësit e saj ndërkombëtarë, duke gjeneruar valë trazirash globale,të cilat në fund do t’i bëjnë mbështetësit e Kievit që të lodhen nga lufta.
Diplomatët rusë mund të bëjnë sikur marrin pjesë në mënyrë konstruktive në negociatat për rihapjen e tregtisë përmes Detit të Zi. Megjithatë, Putin s’ka interes që ato bisedime të jenë të suksesshme, pasi kjo gjë do ta privonte atë nga një nga format e tij më të fuqishme të ndikimit dhe shantazhit.
Dhe mos i nënvlerësoni pasojat globale të kësaj situate. Një uri e madh në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, mund të gjenerojë flukse refugjatësh, që do ta trazonin më tej politikën evropiane, dhe do të thellonin ndarjet e saj të brendshme.
Mungesa e ushqimit, mund të shkaktojë një zhvendosje masive drejt qyteteve të tej–populluara tashmë, dhe të krijojë një mjerim të tillë, që mund ta shfrytëzohet nga grupet ekstremiste, si dhe të përshpejtojë dhunën dhe paqëndrueshmërinë. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, e ka fajësuar politikën ruse për përkeqësimin e mungesës së ushqimit, që shkaktoi rënien e qeverisë në Sri Lanka.
Strategjia e Putinit mund të ketë sukses, duke i detyruar mbështetësit më pak të përkushtuar të Kievit, t’i bëjnë thirrje Ukrainës për lëshime territoriale ndaj Rusisë. Por mund të dështojë edhe në mënyrë katastrofike, duke e provokuar Uashingtonin dhe vendet e tjera perëndimore që ta thyejnë me forcë bllokadën e Putinit në Detin e Zi.
Apo thjesht mund të prodhojë më shumë turbulenca politike dhe strategjike në një botë që vështirë se ishte e qëndrueshme më herët. Sigurisht, nuk do të ishte hera e parë që ushqimi dhe gjeopolitika ndërveprojnë në mënyra shpërthyese. Revolucioni rus i vitit 1917, ndodhi kur Lufta e Parë Botërore mbingarkoi një sistem hekurudhor jo të përshtatshëm, duke e bërëtë pamundur ushqimin e një popullsie të zemëruar.
Nga ana tjetër, ai revolucion e përjashtoi Rusinë nga lufta; dhe shpalosi një ideologji, komunizmin, që u bë historia më e përgjakshme e shekullit XX-të. Një dekadë më parë, Pranvera Arabe ndodhi pjesërisht për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve, të cilatshkaktuan trazira të mëdha.
Turbullirat ushtarake dhe politike në Lindjen e Mesme nuk janë zbutur ende plotësisht, dhe kjo po shihet tek luftërat civile në Siri dhe Libi. Pasiguria ushqimore dhe ajo ndërkombëtare shoqërojnë njëra-tjetrën. Ose, siç ka shkruar kolegia ime e Universitetit Xhon Hopkins, Jessica Fanzo, “Pa siguri ushqimore, nuk ka rend botëror”.
Qeveritë dhe organet ndërkombëtare mund të ndërmarrin disa hapa për të lehtësuar këtëproblem:rritja e rendimenteve të kulturave bujqësore, dhënia prioritet e prodhimit të ushqimeve që janë thelbësore për një dietë të shëndetshme, forcimi i mbështetjes emergjente për të varfrit, dhe dhënie e më shumë ndihme ndërkombëtare për popullsinë e prekur.
SHBA-ja po përpiqet të rrisë eksportet e grurit ukrainas, duke përdorur rrugët tokësore dhe lumore, për ta transportuar atë nëpër vendet fqinje dhe më pas jashtë vendit. Megjithatë, kjo skemë do të çlirojë ndoshta vetëm një pjesë të grurit të Ukrainës që po mbahet peng.
Rrënja e problemit në Ukrainë nuk është teknokratike, por gjeopolitike:Një tiran i pamëshirshëm, po vendos nën presion furnizimet ushqimore të botës, me shpresën e izolimitdhe më pas pushtimit të fqinjit të tij. SHBA-ja dhe demokracitë e tjera kryesore, nuk e kanë kuptuar ende se si ta zgjidhin këtë problem. Kjo situatë mund të jetë vetëm një shembull paraprak, i mënyrës sesi ushqimi dhe konflikti, do të ndërveprojnë gjithnjë e më shumë midis tyre në një botë të fragmentuar.
Shënim: Hal Brands, profesor i Shkollës së Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare në Universitetit Xhon Hopkins, SHBA.