VOA/Verónica Villafañe

Pas vitesh përgatitjeje dhe testimi, një anije e re hapësinore e NASA-s është pothuajse gati për misionin e saj në një asteroid, me orbitë midis Marsit dhe Jupiterit. Shkencëtarët shpresojnë se misioni do të zbulojë të dhëna mbi origjinën e Tokës. Gazetarja e Zërit të Amerikës, Verónica Villafañe, ishte në Pasadena të Kalifornisë, në laboratorin ku NASA po ndërton anijen hapësinore.

Në këtë laborator të NASA-s, inxhinierët janë në fazat e fundit të montimit të anijes hapësinore Psyche.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, kjo do të jetë anija e parë hapësinore, që do të rrotullohet rreth një asteroidi, ndërsa shkencëtarët shpresojnë të zbulojë të dhëna mbi origjinën e Tokës.

Asteroidi i quajtur Psyche, ndodhet midis Marsit dhe Jupiterit, rreth 2.4 miliardë kilometra larg Tokës. NASA është përgjegjëse për menaxhimin e përgjithshëm të misionit, të udhëhequr nga Universiteti Shtetëror i Arizonës.

Zëri i Amerikës bisedoi me Lundy Elkins-Tanton, e cila drejton kërkimet e misionit hapësinor.

“Është moment shumë emocionues. Pas meje ndodhet anija hapësinore që është plotësisht funksionale dhe është gati për t’u integruar në një raketë dhe për t’u lëshuar në hapësirë. Janë dashur 11 vite punë për të arritur deri këtu.”

Anija i është nënshtruar testimeve rigoroze. Misioni i saj është të hartojë dhe të studiojë moshën dhe karakteristikat e asteroidit.

Ekspertët thonë se asteroidi Psyche duket të jetë bërthama e ekspozuar me përbërje nikeli dhe hekuri, e një planeti të hershëm, një bllok kyç përbërës i sistemit diellor.

“Ka një teori se kjo është bërthama e një planeti. Si rezultat i përplasjeve me trupa të tjerë, shtresa rrethuese është shkëputur duke e lënë bërthamën të ekspozuar. Ne po eksplorojmë atë. Studimi i asteroidit do të na mundësojë të kuptojmë më mirë se si u formua, dhe cila është origjina e tij. Kjo do të na lejojë gjithashtu të kuptojmë origjinën e Tokës dhe të sistemit diellor”, thotë për Zërin e Amerikës inxhinierja María de Soria.

Shkencëtarët besojnë se bërthama e Tokës është e ngjashme. Por meqenëse bërthama e Tokës nuk mund të shihet, ose matet drejtpërdrejt, misioni Psyche mund të ofrojë njohuri të rëndësishme për formimin e sistemit tonë diellor dhe planeteve të tjera shkëmbore si Mërkuri, Afërdita dhe Marsi.

“Gjithmonë shtrojmë pyetjen se çfarë e bën të banueshëm një planet? Pse është e mundur jeta në të? Asteroidët ofrojnë përbërësit e asaj që sot është planeti Tokë. Mendojmë se në asteroidin Psyche do të gjejmë pjesë përbërëse që njerëzimi nuk i ka parë kurrë. Duam të gjejmë një tjetër përbërës të krijimit të një planeti shkëmbor në të cilin ka jetë”, thotë për Zërin e Amerikës Lindy Elkins-Tanton.

Anija hapësinore do të lëshohet në muajin gusht nga Cape Canaveral në Florida. Do të fluturojë përtej Marsit për të arritur asteroidin Psyche. Udhëtimi pritet të zgjasë rreth tre vjet e gjysmë. Pasi të arrijë, anija do të rrotullohet rreth asteroidit në një hark kohor prej 21 muajsh.

Misioni Psyche do të testojë gjithashtu teknologjinë e re të komunikimit me rreze lazer, që do të mundësojë transmetimin më të shpejtë të një sasie më të madhe të dhënash mes një sonde hapësinore dhe Tokës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here