Në SHBA është identifikuar rasti i parë i lisë së majmunit për këtë vit, pasi raste të reja po shfaqen në Evropë prej pak ditësh.
Departamenti i Shëndetit Publik të Massachusetts konfirmoi të mërkurën se një burrë që kohët e fundit udhëtoi në Kanada ishte infektuar me virusin, i cili rrallë shfaqet jashtë Afrikës qendrore dhe perëndimore. Pacienti është shtruar në spital dhe është në gjendje të mirë, thuhet në një deklaratë të departamentit dhe rasti i tij nuk paraqet rrezik për publikun.
Para kësaj, në SHBA kishte pasur dy raste në vitin 2021.
Që nga fillimi i majit, lia e majmunëve është identifikuar në Britaninë e Madhe, Spanjë dhe Portugali. Britania e Madhe ka zbuluar 9 raste, shumica e të cilave janë në mesin e burrave që kryejnë marrëdhënie seksuale me burra. I pari prej tyre, i raportuar më 7 maj, ishte një burrë që kohët e fundit kishte udhëtuar në Nigeri. Ndërkohë, Portugalia ka konfirmuar 5 raste të reja të lisë së majmunëve dhe po heton më shumë se 20 në total. Të gjithë ata pacientë janë burra, tha ministria e shëndetësisë e vendit në një deklaratë. Spanja lëshoi gjithashtu një alarm kombëtar të mërkurën pasi 23 persona në Madrid shfaqën simptoma të lisë së majmunëve.
Lia e majmunit nuk transmetohet lehtë nga njeriu në njeri, por ka disa mënyra se si mund të përhapet. Transmetimi ndodh kryesisht përmes shkëmbimit të spërklave gjatë kontaktit të zgjatur ballë për ballë, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC). Virusi mund të përhapet gjithashtu nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me lëngjet trupore, lezione ose sende që prekin, si dhe veshjet.
Kafshët si brejtësit gjithashtu mund ta kalojnë virusin te njerëzit përmes pickimeve ose gërvishtjeve. Konsumimi i mishit të kafshëve të egra paraqet një rrugë tjetër ekspozimi, thotë CDC.
Rastet e fundit mes meshkujve që kanë pasur marrëdhënie seksuale me meshkuj ka ngritur pikëpyetje tek ekspertët e shëndetit publik, pasi lia e majmunit nuk konsiderohet një infeksion seksualisht i transmetueshëm.
Lia e majmunit ka infektuar njerëzit që nga viti 1970 dhe shumica e rasteve janë përqendruar në Republikën Demokratike të Kongos dhe Nigeri. Sëmundja është zakonisht e lehtë, megjithëse disa raste mund të jenë fatale. Në Afrikë, sipas CDC, rreth 1 në 10 njerëz që preken nga lia e majmunit vdesin.
Megjithatë, shumica e njerëzve shërohen pas 2-4 javë.
Sëmundja fillon me simptoma të ngjashme me gripin si ethe, dhimbje koke, dhimbje muskujsh dhe rraskapitje. Pacientët shpesh zhvillojnë skuqje brenda 1-3 ditë nga ethet – zakonisht në fytyrë fillimisht, pastaj në pjesë të tjera të trupit, përfshirë organet gjenitale. Për shkak të këtyre simptomave, lia e majmunit ndonjëherë mund të ngatërrohet me linë e dhenve, sifilizin ose herpesin. Megjithatë, një tipar dallues i lisë së majmunit janë flluskat e mbushura me lëngje të quajtura vezikula në pëllëmbët e duarve.