Doli nga shtypi “Vegla bakri dhe sëpata bronzi në Shqipëri dhe Kosovë” nga arkeologu prof.Adem Bunguri. Objekt kryesor i këtij punimi është trajtimi i veglave të punës prej bakri dhe bronzi të epokës së Eneolitit asaj të Bronzit të zbuluara në territorin e Shqipërisë dhe Kosovës. Katalogu përfshin 291 objekte, prej të cilave 277 vegla bakri e bronzi dhe 14 objekte të fonderisë së tyre. Në pikëpamje kronologjike ato janë të lidhura kryesisht me tri periudha të rëndësishme të zhvillimit pre dhe protohistorik, përkatësisht me Eneolitin, me periudhën e Bronzit të Hershëm dhe atë të Bronzit të Vonë, e pjesërisht edhe me tranzicionin nga Bronzi i Vonë në periudhën e hershme të epokës së Hekurit.
Monografia është fryt i një projekti të përbashkët shqiptaro-gjerman të viteve 2010-2015, të mbështetur financiarisht nga revista “Prähistorische Bronzefunde” (München), “Römisch-Germanische Kommission” dhe “Deutschen Archäologischen Instituts” (Frankfurt am Main). Falë këtij projekti u mundësua trajtimi i gjithë veglave të punës, sipas kritereve të reja të botimit, duke përfshirë në radhë të parë hartimin e database-it dhe katalogimin e tyre, diçka që bëhet për herë të parë.
Në këtë monografi prof.Bunguri kujton me nderim dhe respekt të thellë studiuesin më të njohur të Prehistorisë shqiptare prof.Frano Prendi, për kontributin e veçantë që ka dhënë edhe në studimin e sëpatave të bakrit dhe të bronzit në Shqipëri.
Kjo monografi është një botim i vefshëm në fushën e studimeve prehistorike që mund t’i shërbejë një rrethi të gjerë studiuesish dhe në mënyrë të veçantë, brezit të ri të arkeoloëve dhe studentëve të arkeologjisë.
© Akademia e Studimeve Albanologjike

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here