3 dhjetor 1984. Ora shënon 12:15. Ishte ora kur vdekja nisi fushatën e saj pa pritur dhe nga mesi i errësirës. Nga fabrika nisi që të nderej nëpër qiell një re e trashë gazi, ishte një re e bardhë, që përhapej me shpejtësi nga era. Brenda pak çastesh u formua një si lloj mjegulle e trashë dhe e padepërtueshme. Era e merrte me vete dhe e shpërndante nëpër rrugë e rrugica e më pas nga dritaret e dyert nëpër shtëpitë e njerëzve. I gjithë vendi u mbush me klithma e ulërima
Në shtator të vitit 1982, gazetari nga Bhopali i Indisë, Raj Keswani, shkroi një histori të dhimbshme, e para e një serie artikujsh për qytetin e Bhopalit. Në të, ndër të tjera thuhej: “Për rreth një orë, ose maksimumi një orë e gjysmë, të gjithë ne do të vdesim”. Keswani e mori informacionin nga punëtorët shumë të shqetësuar të fabrikës së “Union Carbide”, pasi njëri prej tyre kishte humbur jetën nga shpërthimi i një tubi gazi. Bëhet fjalë për gazin e metil-isocyanat, një lëndë 500 herë më vdekjeprurëse se cianidi i hidrogjenit dhe aq i rrezikshëm, sa nëse nuk do të qëndronte në kushte specifike të ruajtjes, mund të shpërthente, duke shkaktuar pasoja të rënda. Ndërsa në Bhopal, ky gaz shkatërrimtar mbahej në një bot të madh me përmasat e një lokomotive avulli. Fabrika, në të cilën ruhej lënda, i ngjante më shumë një ferme të rrëmujshme. Ajo ishte ndërtuar në vitin 1970, për prodhimin e pesticideve për të ashtuquajturin “Revolucioni i gjelbër” i Indisë, i cili ishte një dështim fund e krye. Për këtë arsye, bosët e “Union Carbite”, shpresonin që ta çmontonin fabrikën dhe ta dërgonin pjesë-pjesë në Brazil apo Indonezi, por duke qenë se nuk po gjenin blerës, i ulën shumë shpenzimet për mbajtjen e punëtorëve dhe përmirësimin e kushteve të sigurisë.
Nga viti 1980 deri më 1984, numri i punëtorëve u përgjysmua. Ndërkohë makineritë kishin shumë defekte dhe ndaj tyre nuk kryhej asnjë lloj mirëmbajtjeje. Nëpër muret e fabrikës ishin vendosur parulla për mënyrën e përdorimit të aparaturave dhe rrezikun që paraqiste keqpërdorimi i tyre, por duke qenë se punëtorët nuk dinin anglisht, ata nuk e kishin idenë se sa e rrezikshme ishte situata në atë vend. Morali ishte i ulët dhe paralajmërimet për t‘u ruajtur dhe përdorur makineritë me kujdes injoroheshin nga të gjithë, edhe nga vetë menaxherët e fabrikës. Sistemi i alarmit ishte i dëmtuar dhe nuk njoftonte për të gjitha rastet e rrjedhjeve të zjarrit, apo çarjeve të tubacioneve. Madje edhe në rastet kur sirenat ushtonin për shkak të defekteve, punonjësit i hiqnin fare, që të mos shqetësonin fqinjët. Situata financiare e fabrikës ishte shumë e rëndë dhe, pavarësisht shkurtimeve e kursimeve, paratë nuk dilnin kurrë. Atëherë bosëve të saj u erdhi ndër mend një ide, prej së cilës mund të nxirrnin më shumë para. Në fund të oborrit ndodhej boti i madh me MIC, i cili për të ruajtur gazin në gjendje të sigurt, duhej të ishte gjithmonë në një temperaturë nën zero.Advertisements
Mirëpo, kjo kishte kosto dhe ndërmarrjes, aparatura ftohëse i kushtonte 37 dollarë në ditë. Dollarët mund të kurseheshin duke e fikur frigoriferin e botit. Në vitin 1982, një audit amerikan e kishte vënë re situatën shumë të rëndë të sigurisë dhe braktisjes në të cilën ishte lënë ky gaz jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe, si pasojë, paralajmëroi për një katastrofë të mundshme, nëse situata do të vazhdonte që të injorohej.
Por edhe pas paralajmërimit, askush nuk e vuri ujin në zjarr për të mbajtur në gjendje të pranueshme sasinë e gazit në bot. Por situata përkeqësohej dhe më në fund disa nga punëtorët nisën të ndërgjegjësohen dhe të shqetësohen për jetën e tyre dhe të fqinjëve, sepse në rastin e një shpërthimi, pasojat do të ishin të rënda në një rreze shumë e gjerë veprimi dhe për një kohë shumë-shumë të gjatë. Kështu, me sa mundeshin, ata u përpoqën që të vendosnin posterë nëpër mure, në të cilat kërkonin që të gjithë të tregonin kujdes. Veç kësaj, një përfaqësi e punëtorëve, kur e pa se drejtuesit e “Union Carbide” e bënin vazhdimisht veshin të shurdhër, u takuan me gazetarë të ndryshëm, ndër të cilët vetëm Keswavi tregoi ndjeshmërinë e duhur për të shkruar në shtyp, për një situatë që ishte në prag tragjedie. Madje ai i kërkoi me ngulm edhe shefit të ministrave të qeverisë që të ndërmerrte hetime të menjëhershme në fabrikë, para se Bhopali të shndërrohej në një “dhomë gazi hitleriane”. Në njërin prej artikujve të fundit, ai shkroi: “Ne do të zhdukemi të gjithë nga ky rrezik i madh që ju po e injoroni”. Ky artikull u shkrua disa javë para katastrofës së gazit.
Më 2 dhjetor të vitit 1984, ndërsa nata kishte rënë mbi qytet, në fabrikën e fatkeqësisë nuk punonte më asnjë sistem alarmi. Shumë vite pas asaj nate, tepër vonë për të parandaluar shkatërrimin e mijëra jetëve që vdiqën në mënyra nga më të paimagjinueshmet, një prokuror do të thoshte në një proces gjyqësor të ngritur kundër “Union Carbide” se “kompania nuk kishte treguar as respektin më të vogël ndaj jetës së njerëzve”.
3 dhjetor 1984. Ora shënon 12:15. Ishte ora kur vdekja nisi fushatën e saj pa pritur dhe nga mesi i errësirës. Nga fabrika nisi që të nderej nëpër qiell një re e trashë gazi, ishte një re e bardhë, që përhapej me shpejtësi nga era. Brenda pak çastesh u formua një si lloj mjegulle e trashë dhe e padepërtueshme. Era e merrte me vete dhe e shpërndante nëpër rrugë e rrugica e më pas nga dritaret e dyert nëpër shtëpitë e njerëzve. Shumë prej tyre u çuan menjëherë nga gjumi të shqetësuar nga një kollë e fortë dhe marrje fryme e beftë. Gratë i përkëdhelnin fëmijët, duke u thënë se do t‘u kalonte, sepse ndoshta ishte një gaz i shkaktuar nga djegia e plasmanit. I gjithë vendi u mbush me klithma e ulërima.
Vetëm atë natë, 8000 veta humbën jetën menjëherë. Mbi gjysmë milioni u plagosën. Që atëherë kanë humbur jetë njerëzish pa fund nga gazi helmues, derisa numri i të vdekurve të drejtpërdrejtë nga gazi ishte 20 mijë. Rrjedhja e paralajmëruar e gazit helmues nga “Union Carbide” ishte dhe mbetet shkatërrimi industrial me pasoja më të rënda njerëzore në të gjithë historinë e njerëzimit. 25 vjet më pas, “Union Carbide” dhe pronari i saj, Chemical Company, refuzojnë që të publikojnë humbjet reale të asaj katastrofe që shkatërroi jo vetëm jetë njerëzish në momentin kur ndodhi, por, mbi të gjitha, vazhdon të shkatërrojë jetë të tjera dhe sot e kësaj dite. Aktualisht 100 mijë njerëz janë të sëmurë kronikë me rrugët e frymëmarrjes. Ajo çka mbetet më e keqja është indiferenca e vazhdueshme ndaj këtyre njerëzve që iu shkatërrua jeta. Pasi ndodhi tragjedia, ndihma mjekësore që u është dhënë njerëzve është shumë e pakët në krahasim me nevojën e madhe që ata kishin. Mjekët, në më të shumtën e rasteve, refuzojnë që t‘i takojnë personalisht të sëmurët, nga frika e kalimit të ndonjë problemi. Teorikisht ata duhet që të merrnin mjekime falas, por me kalimin e viteve, iu dhanë mjekime shumë të shtrenjta për të ndaluar dhimbjet e mëdha dhe u tha se qeveria nuk kishte më para për të rimbursuar mjekimet. Në vitin 1994, qeveria indiane, e dëshiruar që ta lindte pas krahëve këtë tragjedi, i mbylli të gjitha kërkimet shkencore, të cilat merreshin me pasojat e gazit në jetët e brezave të ardhshëm, që ishin shumë të mëdha, duke filluar nga tumoret e ndryshme e deri tek epidemi dhe çrregullime të funksionimit të organizmit.
Të braktisur nga të gjithë ata që duhet të mbanin përgjegjësi për fatkeqësinë, të mbijetuarit vendosën që të hapnin një klinikë të tyren. Në vitin 1994, në disa gazeta të botës doli një njoftim, në të cilin kërkohej bashkëpunimi i mjekëve të ndryshëm që të shërbenin në mënyrë vullnetare për pacientët e tragjedisë së Bhopalit.
Lajmërimi mori shumë përgjigje bujare nga njerëz të ndryshëm, që i ndihmuan të mbijetuarit që të blinin një godinë të tyren, të paguanin një staf mjekësh dhe të nisnin trajnimin e tyre. Në vitin 1996 u çel klinika e Sambhavnës, që u ofronte të mbijetuarve mjekime të kombinuara të ilaçeve moderne me mjekësinë popullore si masazhe dhe joga. Dhe çka është më e rëndësishme, gjithçka është falas. Për sa i përket fabrikës, pas asaj nate tmerri që do të mbahet mend gjatë, asaj iu vu kyçi, por brenda saj mbetën mijëra tonelata pesticide dhe mbetje kimike. “Union Carbide” nuk e çau kokën kurrë që t‘i pastronte mbetjet. Kimikatet u braktisën dhe u lanë në mëshirë të erës dhe shiut. Kështu kimikatet hynë në thellësi të tokës dhe dëmtojnë çdo gjë të gjallë që shfaqet dhe, mbi të gjitha, helmojnë ujin dhe burimet, çka do të thotë se gjithçka përfundon sërish nëpër organizmat e njerëzve, duke shkaktuar sëmundje vdekjeprurëse. Kjo do të thotë se edhe sot e kësaj dite, qoftë edhe bebet që lindin në atë zonë, janë të nëmura nga sëmundjet dhe parregullsitë. Ajo që njerëzit vazhdojnë të pyesin veten, duke çuar sytë drejt qiellit, është: “Përse vallë fati ishte dhe vazhdon të jetë kaq i pamëshirshëm ndaj nesh? Përse pasojat e kësaj fatkeqësie vazhdojnë, përse fabrika nuk u pastrua? Përse nuk dolën para gjyqit dhe nuk u përballën kurrë me drejtësinë?” Përgjigjja për gjithë këto pyetje është një dhe vetëm një: Viktimat e “Union Carbide” ende vdesin në Bhopal, sepse India, si dhe shumë vende, vazhdojnë të vdesin përditë nga qeverisja e liderëve të korruptuar dhe egoistë, që vënë dhjam me gjakun e foshnjave.