Studiuesit në Suedi kanë gjetur karaktere arabe të qëndisura në kostumet e funeraleve të grave të Vikingëve. Zbulimi shtron pyetje nëse Islami kishte ndikim në jetën skandinave, shkruan gazetari Tharik Hussain.
Ato u ruajtën në depo për më shumë se 100 vjet, të cilat nuk kishin tërhequr shumë vëmendje deri më tani, raporton bbc.
Por një hetim i ri mbi veshjet – të cilat ishin gjetur në varret e shekullit të IX-të dhe të X-të – ka nxjerrë njohuri novatore midis botës vikinge dhe myslimane.
Janë gjetur veshje të qëndisura me fije mëndafshi dhe argjendi ku në to shkruhej fjala “Allah” dhe “Ali”.
Zbulimi u bë nga arkeologia e tekstilit, Annika Larsson e Universitetit të Uppsalës, ndërsa po riekzaminonte mbetjet e kostumeve të funeraleve të gjetura në varkat e meshkujve dhe femrave si dhe varret e gërmuara fillimisht në Birka dhe Gamla Uppsala në Suedi në fund të shekullit të XIX-të dhe në mes të shekullit të XX-të.
LEXO EDHE:
Ajo u interesua për fragmentet e harruara pasi kuptoi se materialet kishin ardhur nga Azia Qendrore, Persia dhe Kina.
Larsson thotë se modelet e vogla gjeometrike – jo më shumë se 1.5 cm të larta – nuk i ngjanin asgjëje që ajo kishte hasur më parë në Skandinavi.
“Unë nuk mund t’i kuptoja plotësisht ato dhe më pas m’u kujtua se ku kisha parë dizajne të ngjashme – në Spanjë, në tekstile të (komunitetit) Moor”, pohoi ajo.
Zbulimi i një enigme
Larsson më pas kuptoi se ajo nuk po shikonte fare modelet e vikingëve, por shkrimin e lashtë arab kufic.
Ishin dy fjalë që përsëriteshin vazhdimisht. Njërin prej tyre ajo e identifikoi me ndihmën e një kolegu iranian. Ishte emri “Ali” – kalifi i katërt i Islamit.
Por fjala pranë Aliut ishte më e vështirë për t’u deshifruar, transmeton Telegrafi.
Për të zhbllokuar enigmën, ajo i zmadhoi shkronjat dhe i ekzaminoi ato nga të gjitha këndet, duke përfshirë edhe nga pas.
“Papritur pashë se fjala ‘Allah’ [Zot] ishte shkruar mjaft qartë”, thotë ajo.
Larsson deri më tani ka gjetur emrat në të paktën 10 nga afro 100 pjesët që ajo po punon, dhe ato shfaqen gjithmonë së bashku. Gjetja e re tani ngre pyetje magjepsëse për banorët e varrit.
“Mundësia që disa nga ato në varre të ishin myslimanë nuk mund të përjashtohet plotësisht”, thotë ajo.
“Ne e dimë nga gërmimet e tjera të varreve vikinge se analiza e ADN-së ka treguar se disa nga njerëzit e varrosur në to kanë origjinën nga vende si Persia, ku Islami ishte shumë dominues. Megjithatë, ka më shumë gjasa që këto gjetje të tregojnë se zakonet e varrimit të epokës vikinge janë ndikuar nga idetë islame si jeta e përjetshme në parajsë pas vdekjes”, shtoi suedezja.
Ekipi i saj tani po punon me departamentin e universitetit për imunologjinë, gjenetikën dhe patologjinë për të përcaktuar origjinën gjeografike të trupave të veshur me rroba funerali.
Historia
Kontakti midis botës vikinge dhe myslimane është vendosur prej kohësh nga tregimet historike dhe zbulimi i monedhave islame në të gjithë hemisferën veriore.
Dy vjet më parë, studiuesit riekzaminuan një unazë argjendi nga një varr i një gruaje në Birka dhe gjetën frazën “për Allahun” të gdhendur në gur.
Përsëri teksti ishte Kufic, i zhvilluar në qytetin irakian Kufah në shekullin e VII-të – një nga shkrimet e para arabe të përdorura për të shkruar Kuranin.
Ajo që e bën zbulimin e Larssonit kaq interesant është se për herë të parë në shtetin skandinav janë gjetur objekte historike ku shkruhej fjala Ali.
“Emri Ali përsëritet vazhdimisht pranë Allahut”, thotë ajo duke shtuar se “Unë e di se Aliu është shumë i nderuar nga grupi më i madh i pakicës myslimane, shiitët, dhe kam pyetur veten nëse ka ndonjë lidhje”.
Aliu ishte kushëriri dhe dhëndri i profetit Muhamed, pasi ishte martuar me vajzën e tij, Fatimen. Ai gjithashtu u bë udhëheqësi i katërt i komunitetit mysliman pas vdekjes së Muhamedit.
Edhe pse sunitët dhe shiitët e nderojnë Aliun si një shok të rëndësishëm të Muhamedit, ai ka një status të lartë mes shiitëve, të cilët e shohin atë si trashëgimtarin shpirtëror të Profetit.
“Përdorimi i Aliut sugjeron një lidhje shiite”, thotë Amir De Martino, udhëheqës i programit të studimeve islame në Kolegjin Islamik në Londër.
“Por pa frazën ‘waly Allah’ që shoqëron emrin – që do të thotë ‘mik i Allahut’ – kjo nuk do të ishte nga kultura kryesore shiite dhe thjesht duket se është kopjuar gabimisht nga diçka tjetër”, shton De Martino, i cili është gjithashtu shef i redaktorëve te Islam Today, një revistë shiite britanike.
“Modeli sugjeron që Aliu po barazohet me Allahun, dhe për këtë arsye ekziston një mundësi e vogël që të ketë një lidhje me lëvizjet ekstreme të hershme, mistike, të cilët besuan në këtë. Por ka më shumë gjasa të jetë një model i kopjuar gabimisht”, tha ai.
Emrat Allah dhe Ali janë paraqitur shpesh në modele enigmatike brenda varreve dhe librave të sekteve mistike shiite si Alevitë dhe Bektashinjtë edhe sot e kësaj dite, por gjithmonë ata shoqërohen me emrin Muhamed.
Por ndryshe nga gjetja e Larssonit, këta shembuj zakonisht e kanë të shkruar si duhet emrin Ali.
Megjithatë, për Larssonn, zbulimi i saj jep shpresë për të ardhmen.
“Tani që po i shikoj modelet e vikingëve ndryshe, jam i bindur se do të gjej më shumë mbishkrime islame në fragmentet e mbetura nga këto gërmime dhe tekstile të tjera të epokës vikinge. Kush e di? Ndoshta ato shfaqen edhe në artefakte që nuk kanë të bëjnë me tekstilet”, tha ajo.